Besim Ndregjoni: Morali dhe transformizmi i politikës shqiptare

    466
    Sigal

     “Ndjeshmëria e publikut është çdo gjë. Me ndjeshmërinë e publikut asgjë nuk mund të dështojë. Pa të, asgjë nuk mund të ketë sukses”. Kjo aforizëm e Linkolit është aktuale në këto ditët e fundit, ku klasa politike, bëri lëvizjet e saja të pamoralshme në politikën e ditës. Mbas 23 vitesh pluralizëm partiak, politika shqiptare po shkon drejt degradimit total. Pamoralshmëria e saj, ka arritur nivele të paparashikueshme… Mediat shqiptare të kujtojnë me këto lajme, vitet kur diktatura shpallte fitoret e saj ndaj zbulimit të armiqve të popullit…, e ata s’kishin asgjë të përbashkët me armiqësinë, apo fjalën armik. Dhe  me «sukseset » e saj të pushtetit diktatorial ndaj kundërshtareve politikë. Koalicioni qeveritar PD-LSI  u formua si një konglomerat karrigesh për pasurim e aspak për qeverisje… dhe tre muaj para zgjedhjeve solli  divorcin në mes tyre. Mbasi u pasurua me pushtetin, LSI deklaroi në ditën e gënjeshtrave që është 1 prilli (vetë dita e gënjeshtrave i shkonte gënjeshtrës së koalicionit qeveritar  4 vjeçar PD- LSI) ajo shkëputet nga qeveria me të ashtuquajturën Parti të Djathtë se, kishte mbaruar kontratën e qeverisjes. Nuk vonoi dhe udhëheqësi i opozitës Rama, që kishte vjellë për 4 vite rresht ndaj korrupsionit të udhëheqësit të LSI-së, e kishte organizuar protesta, greva urie, madje kishte humbur dhe jetë njerëzish… të bënte thirrjen patetike :  E pres Lëvizjen Socialiste për të garuar së bashku në zgjedhjet e ardhshme të 23 Qershorit, që  të rilindim Shqipërinë. Po atë ditë të divorcit politikë udhëheqësi i PD-së emëron ministrat zëvendësues në vend të ministrave më të korruptuar e të dështuar qeveritarë që kishte qeveria në këto 4 vitet e fundit të këtij sundimi 23-vjeçar post- komunist mbi shoqërinë shqiptare… Një reflektim i Berishës në këto zëvendësime… rastësi apo strategji për votimet e 23 Qershorit…përkrah Bumçit e Tafajt si besnik të tij. Ai i jep portofol dhe një ish të burgosuri politik, intelektual, shkrimtar Visar Zhiti dhe një mjeku të njohur  Dr. Halim Kosova… Gjatë 8 viteve të pushtetit të tij absolut, Berisha nuk kishte zgjedhur figura kaq të shkëlqyeshme  për të qeverisur. Për Zhitin e Kosovën jo për dy të parët. Kapacitetet e personalitetet nga shtresa e të përndjekurve  politikë nuk mungojnë, por për Berishën ato duhet të rrinë larg qeverisjes vetëm të jenë votues të tij dhe të drejtojë qeverinë me të majtët pavarësisht se votat i merr nga të djathtët. Por si do të i votonte këta  ministra në Parlament, kur ai nuk i kishte numrat e deputetëve? Zgjidhja erdhi, deputetët  e Edi Ramës  të zemëruar për moskandidim, Dogjani, Kadeli dhe “thyesi i kafkave” Islami. (Këtë deklaratë të zotit Islami e mbajnë mend të gjithë shqiptarët në demonstratën e korrikut të vitit 1993 kundra qeverisjes së PD-së). Votuan në mënyrë unanime për ministrat e djathtë…  mbas votimit,  nuk mungoi dhe ekzaltimi i triumfatorit Berishë me fjalimin e tij në Parlament, drejtuar opozitës:  « Ju keni qenë, jeni e do të jeni, në minorancë…” dhe populli shihte  teatrin politik shqiptar se si deputetët e majtë votonin ministrat e djathtë…  Morali apo Transformizëm ! Politika zgjodhi këtë të fundit, transformizimin  artificial të përkohshëm bazuar në interesa  personale. Në një sistem vlerash demokratike  morali është themeli i  ecurisë  së  sistemit, dhe i  pacenueshëm nga politika, përkundrazi, politika  e ka busull moralin në principtë të drejtimit apo vendimmarrjes. Kurse transformizimi është degjenerimi  i sistemit politik. Transformizimi është përulja përballë  interesave të ulëta, e të paligjshme politike, që tradhton ideologjinë me të cilën e ke filluar luftën politike, ke drejtuar elektoratin për të marrë pushtetin…  Pra koalicioni PD-LSI nuk ishte i moralshëm, por i  transformizuar në interesa korrupsioni. Kjo u pa, sesi në mediat shqiptare, ministra të  LSI-së  filmoheshin duke ndarë e folur për afera korruptive… Pra qeveria e Berishës nga një mbështetje  popullore që mori në 2005-n, për luftën  kundra korrupsionit socialist, u katandis në një qeveri të tipit Fatos Nano më e korruptuara në Europë, sa dhe ndërkombëtarët u shqetësuan dhe filluan presionin ndaj këtij korrupsioni  qeveritar…  Nuk ishte rastësi apo rrufe në qiell të pastër  kalimi i LSI-së nga qeverisja me PD-në,  në bashkëpunim me PS parazgjedhor.  LSI është një parti e majtë  e korruptuar aspak e moralshme bëri transformizimin e radhës, duke kaluar të PS-së, se beson që pushteti është  më afër dhe përfitimi do të vazhdojë normal… Nuk ka asnjë moral në politikën shqiptare, pothuaj të gjithë e kanë ngrënë “lugën me çorbë” të prishur, këtu  funksionon “ligji i xhunglës”, i antishtetit, ku më i forti i luan të gjitha kartat…   Në Shqipëri mungon institucioni i drejtësisë, duket si një xhuxhmaxhuxh përpara tyre, sepse ata i thonë Makiavelit, ku të kemi pa, ne jemi maestro përpara teje. Ata të tjerët, që  nuk e kanë ngrënë “lugën e çorbës”, për hir të kolltukut e hanë sa herë ua ofron kryetari i partisë dhe janë gati të bëjnë aleancë me djallin e të pranojnë çdo përçudnonim të demokracisë. Klasa politike shqiptare, këta 22 vjet gjithçka e ka ndërtuar duke u mbështetur në imoralitetin, amoralitetin dhe antimoralin, ata që dje shaheshin, fyheshin, pështyheshin, anatemoheshin, akuzoheshin, molepseshin,rriheshin kur vjen puna, për hir të pushtetit harrojnë gjithçka. Thotë në një status, mikja ime e nderuara gazetarja Elida Buçpapaj: “…Politikanët që shpërfillin ndenjën publike, bëjnë statuse dhe vendime të  pazbatueshme, ata që zgjedhin në vend të moralit,  transformizimin, janë të destinuar të dështojnë në politikën që ndjekin… Ata nuk kanë vend në një shoqëri të civilizuar demokratike, përkundrazi ata ngelen në përbuzjen e shoqërisë…”. Klasa politike shqiptare gjatë këtyre 23 viteve nuk mundi të shkëputet nga transformizimi për në Moralitet, por ngeli peng i ideologjisë  dhe produkt i  sistemit nga vinte… Shqetësimi im i madh dhe i shoqërisë në përgjithësi  nuk është nëse ju keni dështuar, por nëse ju jeni të kënaqur me dështimin tuaj… dhe kjo e fundit shihet çdo ditë!