Bardhyl Prifti/ Shkëlqimi dhe rënia e një qyteti (Leskoviku)

    1072
    Sigal

    Thirrje e hapur Kryeministrit Rama, për ta rikthyer si Bashki qytetin e trimave dhe sazeve

    *Etnolog

     Ndarja e re territoriale nuk i ktheu Leskovikut dinjitetin e humbur prej më shumë se shtatëdhjetë vjetësh, nuk u ktheu leskoviqarëve qytetin, atë qytet që ka qenë i dëgjuar me shekuj si një nga qytetet më të kulturuar, të bukur dhe me emër në Shqipëri. Populli i krahinës është liridashës, shumë punëtor, i shkathët, inteligjent, krenar, këmbëngulës në kërkesat e veta, arsimdashës, mikpritës dhe nikoqir i shkëlqyer, i bindur ndaj ligjeve të shkruara e të pashkruara, lufton për një jetesë më të mirë, është një popull i vuajtur dhe i munduar nga të gjithë sistemet shoqërore që ka kaluar vendi. Më poshtë do të përpiqem të vërtetoj pse Leskoviku duhet të jetë njësi bashkiake më vete: Pozicioni i tij gjeopolitik është i tillë që prej shumë kohësh ka shërbyer si portë hyrëse në Shqipëri jo vetëm nga shteti grek, që ka dashur edhe ta gllabërojë, por nga gjithë bota perëndimore e lindore. Ai ishte urë lidhëse për shkëmbimet tregtare, kulturore, arsimore, politike dhe për marrëdhënie miqësore midis popujve. Pasuritë më të mëdha të leskoviqarëve pasanikë kanë qenë në Greqi. Krahina e Leskovikut dikur kishte 34 fshatra dhe ka prodhuar aq histori sa disa krahina të marra së bashku. Shekulli i XIX-të e bëri atë të dëgjuar edhe në Evropë. Në fillim të viteve `30 të shekullit të XIX-të aty u zhvillua një nga ngjarjet më domethënëse të luftës së popullit tonë kundër Turqisë. Zylyftari i Podës i tregoi turkut se rezistenca e shqiptarëve nuk mbaroi me prerjen e kokës së Ali Pashës. Zylyftar Poda shkroi epopenë e Melesinit. Ajo krahinë i dha Rilindjes Kombëtare  figura të shquara që luftuan me pushkë e penë për Mëmëdhenë. U dalluan figura të tilla si Jani Vreto, Faik Konica, Stefan Postenani, Muco Qulli, Teki Glina, etj. që i dhanë tonin Rilindjes. Në vitin 1912 Lesovikun e përfaqësoi në Vlorë avokati i dëgjuar Cile Vreto, i cili shpuri atje fjalën e lirë të popullit patriot të krahinës. Në vitet e Luftës së Parë Botërore Leskoviku ashtu si Kolonja e Korca pësoi një tragjedi të madhe. Andartët grekë vranë e prenë shumë njerëz, dogjën 650 shtëpi dhe shkretuan vreshtat e zonës. Ishte një gjenocid i vërtetë, për të cilin Greqia nuk ka denjuar të kërkojë falje. Por, leskoviqarët e rindërtuan qytetin më të bukur se më parë. Në tetor të vitit 1921 në qytetin e Leskovikut u organizua një nga mitingjet e para të shqiptarëve, që kërkonin nga Fuqitë e Mëdha vendosjen përfundimtare të kufijve te vendit dhe i detyruan  ato të dërgonin Leon Rein dhe Justin Gotardin dy diplomatë të dëgjuar, dashamirës të Shqipërisë për të parë gjendjen e kufijve. Bashkia e Leskovikut e priti Gotardin me tufa me lule, e përshëndeti në gjuhën frënge dhe një grup të rinjsh këndoi Marsejezën. Bashkia i dhuroi diplomatit një kostum popullor (pirpiri). Në vitin 1923 filloi punën Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve i kryesuar nga Gjenerali italian Tellini. Leskovikut iu dhanë Banjat e Sarandaporit, një pasuri e madhe e krahinës. Grekët të zemëruar nga vendimi i Tellinit, morën hak dhe e vranë gjeneralin! Në Leskovik u ndjenë më shpejt se në shumë krahina të vendit idetë përparimtare, që përqafoi rinia në kohën e Mbretit Zog. Atje u organizua një nga demonstratat e para të bukës në vend. Në atë kohë Leskoviku ishte nënprefekturë dhe qendër gjyqësore edhe për Kolonjën. Ajo krahinë dha shenjat e para të luftës pa kompromis kundër pushtuesve fashistë. Djem e vajza  të fshatit e qytetit u hodhën në luftë për çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit. Pas çlirimit Leskoviku e provoi në kurriz të vet gjithë egërsinë e diktaturës. Shumë njerëz u burgosën, u pushkatuan dhe u internuan për rezistencën e tyre kundër pushtetit. Atje gjatë viteve 1945-1950 e këtej kanë dalë “grupe” bashkëpunëtorësh të “diversantëve” dhe grupeve të ndryshme armiqësore. Diktatura e copëtoi Leskovikun në dy pjesë midis Përmetit dhe Kolonjës. Ajo përdori të gjitha armët e saj për ta mbajtur nën sundim dhe për ta trembur dhe e la si lokalitet deri në fundin e saj të palavdishëm.

    Leskoviku mburrej me vreshtat e veta, me rakinë dhe verën e famshme, me pasuritë e tij mbi e nëntokësore. Janë të dëgjuara vreshtat e Postenanit, Radovës, Shqerisë, Çarçovës etj..  Një nga pasuritë e mëdha të krahinës janë pyjet, që shtrihen që nga Arrëza dhe vazhdojnë me Shelegurin, Vashën dhe më tej matanë Postenanit deri në Munështir e gjetkë. Në kohën e diktaturës u zbuluan edhe rezerva mineralesh të kromit dhe alabastrit etj. Një pasuri tjetër po aq e madhe janë dhe dy banjat e asaj krahine : Banjat termale te Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Ato u kanë shërbyer me shekuj të sëmurëve jo vetëm të zonës, por edhe të gjithë vendit tonë dhe më tej Greqisë etj. Ajo krahinë është shumë e pasur me bimë medicinale të shumë llojeve, që janë e kanë qenë burim të ardhurash për banorët e krahinës. Janë të dëgjuara qershitë e Radovës, fiqtë dhe rrushi i Gropës së Zogut, arrat e Vrepckës dhe shumë vende të asaj zone. Akoma më të mira janë reçelrat dhe glikotë e krahinës. Qyteti i Leskovikut ishte qendër turistike, ku vinin e pushonin në verë pasanikë, të cilët veç klimës shfrytëzonin edhe banjat aq të dëgjuara të Sarandaporit dhe banjat me avull të Postenanit. Turizmi i dha atij shkëlqim e rriti dhe i shtoi rrjetin tregtar. Ishin të dëgjuar qiraxhinjtë dhe tregtarët e  tij, që bënin rrugët nga Follorina deri në Janinë, Sarandë e më tej. Një pasuri e madhe e asaj krahine janë edhe traditat folklorike dhe etnografike. Bukuria e valleve dhe këngëve leskoviqare, sazet e dëgjuara të Hafize e Selim Leskovikut, violinisti virtuoz Mitre Jorgo, klarinetisti Vangjel Janushi e Gaqo Lena përcollën më shumë art meloditë lirike të asaj krahine, që pushtuan skenat e Gjirokastrës, Beratit dhe të krahinave të tjera brenda dhe jashtë vendit. Ajo krahinë ka pasuri të mëdha arkeologjike e historike. Janë të dëgjuar vende të tilla si Varri i Krajlit, Maja e Melesinit, kisha e Cerckës, e Kovacishtit, vendbanimi i vjetër i Malishtës, bodrumi i Lashovës, lapidari i ushtarëve italianë të rënë në luftën italo-greke, Vrima e Kopiles në Radat, Përroi i Grekut, Pylli i Shelegurit, liqeni akullnajor në majën e tij, bile edhe “tunelet” e çuditshëm të Malit të Postenanit të hapur nga ushtria në kohën e diktaturës (!!!) etj., që mund të shtojnë kuriozitetin e turistëve dhe udhëtarëve të huaj e vendas.

    Leskoviqarët e kanë ndjekur me shekuj emigracionin brenda dhe jashtë vendit. Ata kanë punuar në Greqi, Turqi, Bullgari, Rumani dhe më larg akoma në Amerikë, Argjentinë, Brazil e kudo ku kishte punë si mjeshtër të pijeve alkoolike, si teknikë vreshtash, sharrëxhinj etj.. Dikur në Leskovik derdheshin zilet e këmborët për gjithë republikën. Zanatçinjtë e atij qyteti ishin virtuozë të zanatit të tyre dhe i dhanë emër qytetit brenda dhe jashtë vendit.

    Me ardhjen e demokracisë ashtu si gjithë shqiptarët edhe leskoviqarët shkuan në kurbet. Shumica në Greqi dhe në Itali dhe së bashku me të tjerë shkuan edhe më tej në Evropë e Amerikë. Shkuan se dolën të zhveshur e të zbathur, të uritur e të pashëndetshëm, shkuan se nuk i mbante vendi, se kërkonin një jetë më të mirë, se nuk gjetën punë në vend. Tani popullsia e asaj krahine është pakësuar shumë, pasuritë e saj janë të pa shfrytëzuara, se nuk ka rini, nuk ka forca pune, po qyteti dhe gjitha krahina jeton dhe do të jetojë. Ata do të kthehen ashtu si janë kthyer pas çdo djegieje. Ata nuk kërkojnë shumë nga qeveria e shteti. Ata kërkojnë që Leskoviku të jetë e të mbetet bashki, t`i kthehen fshatrat që i janë dhënë qysh në diktaturë rrethit të Përmetit, kërkojnë që të rindërtohen banjat e Sarandaporit, kërkojnë të ndihmohen të shtojnë vreshtat, të vazhdojnë traditën e prodhimit të verës e rakisë si qëmoti, kërkojë që t`u kthehet pika doganore e Tri Urave, pronë shumëshekullore e krahinës, grabitur dhe dhënë padrejtësisht Përmetit, kërkojnë që pyjet e Shelegurit, Gërmenjit etj., dhe të ardhurat nga ata të shkojnë në dobi të krahinës. Pasuritë që ka dhe shfrytëzimi i tyre kërkojnë që ai qytet të lidhet me rrugë të mira  dhe sa më shpejt me zonat e thella shumë të pasura si Shqeria, të lidhet më shpejt me qytetet e Ersekës, Korçës e Përmetit, të lidhet me Konicën e Janinën, për të tregtuar prodhimet e veta.

    Leskoviku nuk kërkon një administratë të madhe, por ai mund të sigurojë aq të ardhura sa të kënaqë çdo punonjës e banor të krahinës. Leskovikun e ofendon ndihma ekonomike për mëshirë që marrin disa familje, i heq dinjitetin e qytetarit. Leskoviqari do punë, nuk do mëshirë nga shteti.

    I nderuar Zoti Kryeministër!

    E ndoqa ligjërimin Tuaj në Parlament ditën e 31 korrikut. Po të isha socialist i thekur, do të thosha : Brilant! I vutë në rresht të gjithë deputetët Tuaj bashkë ata të LSI-së, pasi i dhatë dhe ca gjëra z. Idrizi, Ju i urdhëruat ushtarakisht deputetët: Eja n`raaadh` ! U shtrënguat rripat, u rregulluat kapelet, u hoqët dyfekët (diskutimet kundër) dhe “çarmatosët” rebelët, duke u dhënë ndonjë kockë. Në fjalën Tuaj Ju thatë se me reformën territoriale do të rilindnit Shqipërinë, do të mbyllnit një plagë të vjetër, po Ju bëtë të kundërtën : e skërfitët, e gjakosët ca më shumë dhe hodhët piper të kuq mbi të gjitha plagët që kishte hapur diktatura. Litari i priftit, zoti Rama! U kënaqët  me suksesin e arritur dhe bëtë sikur “nuk e ndjenit veten mirë” nga që nuk ishte në atë seancë opozita! ! Parlamentin çalaman ju e kthyet në një teatër komedie. Juve u erdhi zogu në dorë dhe me që nuk kishte asnjë që ta mbronte,  i këputët kokën. Zotëria Juaj paskëshit bërë edhe llogaritë: Katër vjet nga 40 milionë fitim nga shkurtimet do të sillnin 240 milionë të ardhura! Por, aritmetika është kokëfortë e nuk të le të gabosh. Banorët e Leskovikut e kanë dashur dhe e duan qytetin e vet. Ju e hoqët si njësi administrative, e fshitë nga harta si qytet!!! A e keni menduar mirë këtë punë, apo doni që edhe ata të pakët që janë të ikin dhe ajo zonë të shpopullohet si pasojë e asaj “palo reforme” që katranosët? Atë që nuk bëri greku më 1913 dhe diktatura për 50 vjet, Ju e bëtë më 31 korrik 2014 : e hoqët nga harta administrative si qytet, e fshitë me forcën e kartonëve pa u menduar aspak për të ardhmen e tij. Mendoj se duhet të keni parasysh faktin që Leskoviku është larg 40 km. nga Erseka, 95 nga Korça dhe 50  nga Përmeti. Vajtje ardhje jo më pak se 150 km. Ku dhe kur do t`i zgjidhin problemet banorët e këtij qyteti ?! Më afër ata kanë Konicën dhe Janinën !!! Leskovikun e djegur tri herë, me hartën që aprovuat më 31 korrik 2014, Ju e dogjët për herë të katërt!

    E kush do ta mbronte në parlament atë qytet ? Të gjithë deputetët Tuaj i mbrojtën zonat e veta dhe kërkuan bashkim apo ndarje sipas mendimit të zgjedhësve. Edhe Leskoviku ka një deputete, zonjën Dade, e cila as që u duk në sallë, pa le të fliste. Zonja Arta ka folur nga tribuna e parlamentit për Evropën, Azinë, për Zelandën e Re etj., po nuk tha asnjë fjalë për zonën që e ka votuar, pasi ajo nuk e njeh dhe nuk e do atë anë. Ju nuk gjetët dot një kolonjar apo leskoviqar për ta venë në listën për deputet?! E keni dëgjuar proverbin: Djemtë e Kolonjës, nderi i Korçës? Edhe Leskoviku ka djem e vajza me shumë kulturë dhe të zgjuar kudo në Shqipëri, më të shumtët janë në Tiranë. Nuk gjetët Ju një leskoviqar ta përfaqësonte atë në parlament, po sollët një zonjë nga Lushnja ?!

    Unë e di që Ju jeni operativ, prandaj po u bëj një propozim: Shkoni në Leskovik të pini një gotë verë “pinonero” Leskoviku, të dëgjoni këngët e bukura leskoviqare dhe do ta shikoni se cili është ai qytet. Dërgoni një grup ekspertësh agronomë, ekonomistë, gjeologë, ekologë, inxhinierë, qoftë edhe psikologë për të vlerësuar pasuritë njerëzore, mbi e nëntokësore të krahinës? Do të shikoni se po u investua në atë krahinë, leskoviqarët do të kthehen ashtu si janë kthyer gjithnjë, do të punojnë dhe do të mbajnë me të ardhura jo një bashki, po gjithë rrethin e Kolonjës.

    Leskoviqarët kërkojnë krahinën etnografike me gjithë fshatrat që iu dhanë nga diktatura Përmetit, kërkojnë t`u kthehen “Tri Urat” si dikur, të ndërtohen Banjat e Sarandaporit, të ndihmohen me kredi për të shtuar vreshtat, pemët frutore etj.. Kërkojnë Leskovikun e vet dhe jo atë që u dhatë Ju. Kërkojnë t`i kthehet dinjiteti i shkelur padrejtësisht nga diktatura, Ju dhe shokët Tuaj. Me siguri pastaj do të kthehen të gjithë për të jetuar e punuar për vete dhe jo për grekun apo për këdo në botë.

    Me hir a me pahir Ju e plotësuat dëshirën Tuaj për të bërë reformën territoriale. Do të jetë mirë që aty nga shtatori të korrigjoni një gabim, bile faj të bërë nga Komisioni i Reformës, duke marrë një VKM për t`i dhënë Leskovikut statusin e Bashkisë. Ju keni shkelur Kushtetutën disa herë dhe nuk e keni vështirë të shmangeni edhe këtë herë nga ai “katranligj” që aprovuat më 31 korrik.