Azdreni/ Poezi

    606
    Sigal

    Mëma….

     Fjalë e bukur fjalë e shenjtë

    thellë në zemër që tingëllon
    s’ka në botë gjë më e shtrenjtë
    s’ka si mëmën kur kujton

    Mëmë mëmë frym e larë
    rreze drite yll qiellor
    plot mëshirë e mall të zjarrtë
    Që nga gjinjtë e saj të dlirë
    vilet jeta pa shterim
    që nga zemra e saj ka mbirë
    dashuri dhe mallëngjim

    Si nër gaz dhe nër vuajtje
    veç një mëmë të larton
    sa ka frym’ e sa ka rrojtje
    mendjes kurrë s’të harron

    Qdo rreziku rri të ruan
    bën detyrë si luftëtar
    si dëshmori heq e vuan
    për të zemrës saj thesar

    Kush s’di vlerën e një nëne
    është pa ndenj e shpirt mizor
    bir skëterre e frymë nëne
    është i vet tradhëtor !

    Kthime…..

    Kur të pashë me s’të lashë,
    T’u afrova e s’ tu ndashë
    Dhe me zë t’ ëmbël të thashë:
    “Sa të dua o moj vashë!”
    Edhe në gjunjë të rashë,
    T’u luta gjersa u vrashë
    Po nga zemëra psherëtita
    U treta, u lebetita,
    Se asnjë fjalë s’të qita,
    Gjersa shpresën far’ e ngrita
    Se m’ u mërzit sa të prita,
    Aq sa u ngrys edhe dita.

    Vetëm pastaj unë u zgjova
    Dhe mendjen time ndërrova
    Kur zemërën ta kuptova
    Dhe ika e të harrova,
    Nga tërë mundimet shpëtova
    Si dhe shpirtin e qetova.
    Pastaj ti mbrëmanet herët
    Më vjen rrotull si një shqerrë
    Si një fytyrë në verë
    Dhe më lutesh aq herë
    Po tashti shëko të tjerë
    S’e s’të dua moj e mjerë.

    Dua

     

    Mbi bar dua të prehem,

    të këndoj, të dëfrehem!

    Të shoh rreth bagëtinë,

    kur hanë edhe pinë.

    Të shoh fushat e blera,

    bimrat kur fryn era,

    njerëzit kur punojnë

    dhe çupat kur këndojnë!

    Ah! Dua edhe lulet,

    kur i shfaqin pekulet!

    Dhe fluturat që venë,

    mbi to dua të jenë,

    bilbili t’ia thotë,

    dielli t’ jet’ i ngrohtë,

    pylli të gjelbërojë,

    qyqja të mos pushojë!

    Dua edhe Shqipërinë,

    se atje kam shtëpinë,

    ku rrija nëpër ferrat

    edhe lozja me shqerrat:

    për këto kam dëshirë

    edh’ as dua më mirë,

    veç atje dua të shkoj

    sa të jem e sa të rroj!

     

    Atje

    Atje poshtë, nën atë breg,

    nëpër lisat ku dielli s’djeg,

    ku vesa bukur që shkëlqen,

    atje të bares më pëlqen!

    Atje ku bari gjelbëron

    edhe lulja tek mbretëron,

    ku bilbili më s’ka pushim,

    për atje kam një mallëngjim!

    Të pylli ku lozin zoçkat,

    thëllëzat e përpoloçkat,

    ato më kënda t’i shikoj,

    atje, besa, dua të rroj!

    Atje tek burimi po rrjedh

    nënë hije, futur nënë bredh,

    atje më pëlqen të shtrihem,

    atje të fle dh’ atje të ngrihem!

    Atje te mali, ku fryn era,

    sa mban dita, sa mban vera,

    atje më pëlqen të bares,

    atje të rroj gjersa të vdes!

    Atje n’ at’ vend të Shqipërisë,

    n’ ato mal’ e ato vise,

    e them me zemër, jo me fjalë,

    atje dua shpirti t’ më dalë!