Auron Tare:Do të krijojmë Autoritetin Shtetëror të Bregdetit për të dhënë një koncept të ri menaxhimi

570
Sigal

Unë mendoj se zoti Rama, si një njeri që njeh mirë simbolikën, ka zgjedhur pikërisht Vlorën,  si qytet nga ku Shqipëria filloi rrugëtimin e Pavarësisë, rrugëtimin e Rilindjes dhe kur për herë të parë u krijua qeveria shqiptare

Nuk ishte rastësi që  Auron Tare prezantoi Edi Ramën si kandidatin për deputet në Qarkun e Vlorës.  Auron Tare ka bashkëpunuar me Edi Ramën, në vitet 1998-2000, kur Edi Rama ishte ministër i Kulturës, që të përgatitnin një projekt për zhvillimin e Bregdetit, sipas një koncepti të ri të menaxhimit. Auron Tare, në intervistën për “Telegraf”, shpjegon përse Edi Rama zgjodhi Qarkun e Vlorës për të kandiduar për deputet. “Është mesazhi i Rilindjes, se fillimi i punëve do të fillojë nga Vlora”,- thotë zoti Tare. Më tej, zoti Tare, zbardh edhe projektin e PS-së për t’i dhënë një perspektivë të re Bregdetit dhe Turizmit në Përgjithësi, ndaj, qeveria e re socialiste, që do të zgjidhet nga 23 Qershori, do të krijojë Autoritetin Shtetëror të Bregdetit, për të bërë edhe një mastërplan të zhvillimit.

– Zoti Tare, përse zoti Rama zgjodhi pikërisht Qarkun e Vlorës, për të kandiduar dhe jo Qarkun e Tiranës?

– Unë mendoj se zoti Rama, si një njeri që njeh mirë simbolikën, ka zgjedhur pikërisht Vlorën,  si qytet nga ku Shqipëria filloi rrugëtimin e Pavarësisë, rrugëtimin e Rilindjes pas një periudhe të gjatë errësire dhe kur për herë të parë u krijua qeveria shqiptare. Për këtë arsye, unë mendoj që fillimi i punëve nga Vlora është një mesazh mjaft kuptimplotë.  Dihet në opinionin publik që Vlora është një nga mbështetësit e mëdhenj të së majtës shqiptare, është qyteti  nga ku fillojnë ndryshimet e mëdha. Prandaj, mendoj që Rama zgjodhi Vlorën për të dhënë mesazh kuptimplote,  Do të doja të shtoja edhe diçka tjetër që njerëzit nuk e dinë, në vitet 1999-2000, kur Rama ishte në drejtimin e Ministrisë së Kulturës, së bashku kemi bashkëpunuar me nivelet më të larta të Bankës Botërore, për të bërë të mundur krijimin e një Projekti për të mirëmenaxhuar Bregdetin Shqiptar.

 – Ai projekt që ju nisët, ç’fat pati deri në ditët tona?

–  Fatkeqësisht ky Projekt nuk avancoi, por ka ngelur në vend, si rezultat i sabotimit apo keqpërdorimit të këtij vizioni dhe mendoj që një nga arsyet që Rama do të kandidojë në Vlorë, është besimi që ai ka për një rilindje të vërtetë të bregdetit shqiptar.

Elektorati përse duhet të jap votëbesimin alternativës së PS-së në 23 Qershor?

– Në Konventën e djeshme (pardje) Rama u përgjigj qartë e hollësisht, përse shqiptarët duhet të votojnë alternativën e Majtë, sepse, tashmë  ka  8 vjet që shqiptarët janë lodhur me korrupsionin,  me premtimet, janë lodhur me këto që thuhen e me ato që nuk bëhen, janë lodhur me pasurimin e një grushti të vogël njerëzish kur popullsia shqiptare vazhdon të dergjet në varfëri. Njerëzit janë lodhur me diskriminimin në spitale, në arsim, ne polici për një vend punë e kështu me radhë. Prandaj, për të gjitha këto, populli shqiptar duhet të votojë për një fillim të ri.

Mund të na bëni një rezyme të  Trashëgimisë Kulturore dhe cilat janë problemet që ju keni evidentuar?

Unë kam 8 vjet që evidentoj gjendjen e mjerueshme të trashëgimisë kulturore kombëtare,  e cila është ne një gjendje jashtëzakonisht te rëndë. Do të thosha, që në këto 20 vjet veçanërisht në 8 vitet e fundit, Trashëgimia Kulturore është dëmtuar kaq shume, sa nuk është dëmtuar  në 500 vjet. Kjo për arsye të neglizhencës së madhe shtetërore, për arsye të presionit të madh të ekonomisë, të zhvillimit të ndërtimit dhe si pasojë e jo planifikimit të territoreve të trashëgimisë kulturore, të cilat kanë rënë pre e dëmtimeve masive nga zhvillimet urbane. E ndërsa në zonat rurale kemi një braktisje shtetërore, ku edhe pse shteti ka njerëz për t’i ruajtur apo menaxhuar, monumentet e kulturës  ato janë lënë në mëshirën e fatit.

Mund të na thoni shembujt?

Është një rast unik për Shqipërinë, sikurse është Albanopolisi për shembull  nga i cili Shqipëria ka marrë emrin e saj, pra Albania. Një qytet, i cili është  përmendur që në shekullin e dytë, mbas Krishti nga gjeografi egjiptian Claudius Ptolemai, i cili sot, nëse shkon dikush ta vizitojë këtë qytet edhe pse është shumë pranë Krujës, jo vetëm është i harruar, i braktisur, i pastudiuar, i pambrojtur, por ajo që është më e tmerrshme, por rrethohet përditë  nga furrat e gëlqeres dhe nga fabrikat e çimentos. Sot Shqipëria nuk është në gjendje të ruajë simbolin e saj, nga ku ka marrë emrin. E dyta, nuk është në gjendje që këto resurse që ka, t’i përdorë për përfitim ekonomik. Albanopolisi, për shembull, që është 2 km larg nga Kruja, shumë bukur mund të ishte një magnet i thithjes së turizmit kulturor, ku banorët  përqark të kishin mundësi ekonomike, duke i shfrytëzuar në mënyrë të qëndrueshme këto qendra, duke i ruajtur ato, e duke fituar edhe për vete. Pra, sot ata që drejtojnë Turizmin e Kulturën janë totalisht të paaftë për të kuptuar, jo vetëm rëndësinë e ruajtjes së kulturës kombëtare, por edhe rëndësinë e përdorimit  të tyre për Turizëm.

– Sipas jush, cilat janë shkaqet, arsyet politike të katandisjes së Trashëgimisë Kulturore në gjendjen që ju përmendët dhe cilëve ia adresoni përgjegjësitë?

Përgjegjësinë kryesore e kanë ata që janë ngarkuar për ta ruajtur dhe mirëmenaxhuar këtë trashëgimi kulturore. Pra, kemi një institucion shtetëror, Ministria e Kulturës, kemi drejtoritë rajonale, ka një numër të madh njerëzish që punojnë në këtë fushë, të cilët në përgjithësi, janë njerëzit partiakë, të cilët nuk kanë asnjë lloj ideje se çfarë është trashëgimia kulturore dhe çfarë mund të bësh me këtë pasuri kombëtare, përveçse të marrin një rrogë. T’u jap një shembull. Ish shefi i urbanistikës së Sarandës,  Pano Gunari, i cili për 8 vjet të PD-së, shkatërroi  me sukses çdo ndërtim  të mrekullueshëm të arkitekturës mesdhetare që kishte Saranda e vjetër, sot e kanë emëruar drejtor të drejtorisë së Kulturës së Sarandës, e cila ka në menaxhim plot 105 monumente të kategorisë së parë. Një njeri si Pano Gunari, i cili ka dosje të rënda abuzimi,  sot i jepet posti i drejtorit të Trashëgimisë. Apo Eprori i tij ish -Kryetari i Bashkisë Sarandë, Gjoka, i cili pasi shpartalloi me sukses qytetin e Sarandës sot është Dekan i Universitetit të Sarandës dhe edukon brezin e ri.  Apo më tej akoma,  ish- ministri Bumçi, i cili ishte një nga ministrat më të paaftë të Kulturës dhe për këtë paaftësi, e bënë ministër të Jashtëm.

 – Cilat alternativa keni ju për t’i dhënë Trashëgimisë atë rol dhe rëndësi që meriton?

Alternativa jonë është shumë e prekshme dhe e mirënjohur  nga publiku shqiptar si dhe shumë e vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare. Është modeli i Butrintit. Ku ne, në 1998-n, me Ramën ministër i Kulturës, sollëm si koncept modelin e Butrintit, i cili sot, është modeli i vetëm i suksesshëm  që ka Shqipëria. Këtu mund të kuptohet se si  trashëgimia kulturore mund të mirëmenaxhohet, si mund të ruhet dhe sesi mund të përdoret, si aset turistik për komunitetin. Ky model do të përshtatet dhe do të  aplikohet, menjëherë, edhe në qendrat e tjera, pas 23 Qershorit. Ne mendojmë se, do të bëjmë një reformë të thellë të të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore, duke krijuar një qendër të vetëm unike, e cila do të bëjë  menaxhimin, mirëmbajtjen, restaurimin, studimin apo promovimin  turistik. Dhe jo si sot, që janë 700 zyra ku njeri i “bie gozhdës, e tjetri patkoit” dhe nuk merret vesh se ç’bëhet me Trashëgiminë.

-Konkretisht?

Të hysh si turist sot për shembull në Kalanë e Gjirokastrës, do të gjesh 3 institucione që menaxhojnë Kalanë.  Janë 3 institucione që presin bileta të hysh brenda. 3 institucione që njëra hap dritat dhe tjetri i fik, njëra mbyll derën dhe tjetra e hap.  Është një çmenduri.  Apo Kalanë e Krujës, ku nuk merr vesh askush se ç’bëhet, edhe pse është një nga vendet e peligrinazhit turistik shqiptar, që nuk ka asnjë lidhje organike  me pazarin e me gjithë muzeumet që janë brenda. Është një kaos total. Për këtë arsye ne do të sjellin konceptim e miradministrimit nga një qendër unike, e cila  jo vetëm do t’i japë energji dhe një forcë të re Trashëgimisë , por do të sjellë edhe futjen e konceptit të vetadministrimit, siç u bë edhe në Butrint. Në 2000-n, ne nxorëm një Vendim, ku të gjitha të ardhurat do t’i mbeteshin Qendrës së Butrintit. Kjo solli një interesim shumë të madh për të miradministruar fondet dhe për t’i përdorur ato me shumë sukses në projekte të ndryshme. Ne do të bëjmë të njëjtën gjë për qendrat e tjera të kulturës, që  edhe ato të kenë interesin për të vetadministruar e vetëfinancuar veten e tyre.

A mund të jetë justifikim mungesa e fondeve, për shkak të krizës, që Trashëgimia  është lënë në “harresë”?

Absolutisht, jo! Ne e ndërtuam modelin e Butrintit pa asnjë fond shtetëror, sepse shteti në atë kohë nuk jepte ndonjë fond për mirëmbajtjen  apo restaurimin. Por nga miradministrimi që i bëmë qendrës së Butrintit, krijuam mirëbesimin e institucioneve ndërkombëtare, nga ku morëm fonde, krijuam sigurinë te ndërkombëtarët, duke ju treguar atyre se edhe shqiptarët dinë të menaxhojnë trashëgiminë e tyre. Për këtë arsye ata na mbështetën në projekte të ndryshme deri në shifra prej 1 milion dollarësh, të cilat u dhanë për mundësinë e krijimit të bujqësisë ekologjike përqark Butrintit. Fatkeqësisht ky fond  u dogj, pas 2005-s, pasi ata që na pasuan neve, nuk dinin as t’i shkruanin projektet, e jo më t’i thithnin këto para.  Po ju përmend një rast tjetër. Ekspozitën e Romës, ku Ministria e Kulturës dhe IMK-ja kanë paguar 160.000 euro vetëm për qiranë e një salle. Ky është skandal. Po të ishin të aftë ata mund të kishte shfrytëzuar rrjetin ndërkombëtar të muzeumeve, i cili ofron hapësira dhe salla falas dhe gjithë koleksioni që u ekspozua në Romë, mund të ishte ekspozuar me shuma simbolike. Mund t’ju sjell edhe shembull tjetër. Shuma e buxhetit që është dhënë për restaurimet në Gjirokastër, me sa di unë këto 5 -6 vjet është 3.3 milionë euro. Por ky buxhet është  shfrytëzuar vetëm nga 4 kompani të lidhura ngushtësisht me “Familjen” në pushtet. Aq shumë kanë kapur MTKRS këto 4 Firma saqë edhe fondet e dhëna nga donatorë të huaj, siç ishin nga Suedia apo Ambasada Amerikane, janë menaxhuar  po nga këto kompani. Po çfarë lidhje kanë këto kompani me Gjirokastrën përveç se marrjen e fondeve shtetërore? Këtë përgjigje as Kryeministri nuk mundi ta jepte në vizitën e tij të fundit në Gjirokastër, ku vetëm për Trashëgiminë nuk mundi të fliste dot.

Jemi një nga popujt më të vjetër në Ballkan e Europë. A nuk është paradoks i politikës, që bën pak për të promovuar trashëgiminë kulturore,  që është pjesë e kontributit  që kemi dhënë  trashëgimisë europiane nga ana tjetër, do të integrohet në BE?

Sigurisht, është një paradoks i madh, mund t’ju qas shembullin e Krujës. Në qoftë se ne, me të vërtetë do të quhemi europianë, në qoftë se ne vërtet do të rreshtohemi ne familjen europiane,  nëse ne, me të vërtetë  do të donim integrimin në Europë, Kruja është simboli më i qartë që edhe ne të jemi pjesë e familjes europiane.  Fatkeqësisht, këto 8 vjet, Kruja është dëmtuar shumë nga ndërtimet pa leje, nga fabrikat e çimentove, nga furrat e gëlqereve. Ky shkatërrim tregon më mirë për të gjithë ata që kanë sy për të parë Malin e Krujës, sesa qesharake janë  ato që thuhen nga Topalli e Berisha. Integrimi europian. Po të duam t’u themi evropianeve që edhe ne jemi pjesë e familjes së tyre, duhet të ruajmë Krujën, sepse Kruja ishte lufta e gjaku ynë për të mbrojtur qytetërimin e popujt europianë.

– Dhënia me qira e Kalave dhe Kështjellave, a mund të  funksionojnë si  qendra  të rëndësishme të turizmit kulturor në shërbim të komunitetit.

Absolutisht, jo! Sepse eksperimenti që u bë para 10-12 vjetësh, ka dështuar. Unë sot (dje) lexova një shkrim të zotit Zhiti, të cilin edhe e mirëkuptoj, sepse nuk është specialist dhe nuk di, sigurisht edhe këshilltarët që ka, i ka të nivelit  shumë të ulët që ta këshillojnë drejt, ndaj ministri Zhiti nuk e ka fare idenë për çfarë po flitet e  çfarë duhet bërë. Dhënia me qira e Kalave, firmave private  është rrënimi i mëtejshëm i trashëgimisë kulturore. Kjo sepse shteti është i paaftë të kontrollojë cilësinë dhe restaurimet. E dyta, në Shqipëri nuk ka kompani të specializuara që të bëjnë menaxhimin e qendrave historike. Firmat që i marrin me qira, shikojnë interesin e tyre fitimprurës, nuk kanë interesin e komunitetit dhe kështu monumentet humbasin vlerën më të rëndësishme që kanë, edukimin e komunitetit.

Na përmendni një shembull të abuzimit të dhënies me qira të kalave?

– Kalaja e Lezhës, që është një nga kalatë më të rëndësishme të Rajonit, deri më sot nuk ka studime  të mirëfillta arkeologjike. Pa u njohur e shkruar mirë historia e kësaj kryeqendre, firma private që merr të drejtën ta shfrytëzojë, kërkon të ndërtojë një hotel, fushë tenisi, pishina etj., të gjitha këto i japin përparësi biznesmenit që i shfrytëzon kalatë, por do të humbasin nga  kalatë të gjitha vlerat historike, kulturore, edukative si dhe interesin e  komunitetit ndaj tyre. Si koncept, në Shqipëri  është i dështuar dhënia me qira e kalave. Në  Kalanë e Lëkurësit në Sarandë janë bërë dëme të pakthyeshme,  janë prishur shtëpitë e vjetra, janë prishur rrethimet e vjetra, janë hapur parking në zona që nuk duhet, e shteti nuk ka folur. IMK-ja dhe Ministria e Kulturës nuk kanë folur për degradimin e pjesës monumentale. Sot në Lëkurës kemi një restorant shumë të mirë po ashtu edhe një piceri shumë të mirë, por kurrsesi një qendër edukative dhe historike.

  – Nga ana ligjore, ju jeni në gjendje që të anuloni dhënien me qira të Kalave, po të vini në pushtet?

Patjetër. PS-ja ka premtuar publikisht  se pas 23 Qershorit, nuk do të njohë asnjë koncesion, apo formë  qiramarrëse ndaj monumenteve të Kulturës.

Përsa i përket Turizmit në Shqipëri, politika a ka bërë gjithçka që Shqipëria të shfrytëzojë të gjitha resurset e saj?

Një fakt shumë i thjesht. Qeveria shqiptare jep për promovimin e Turizmit shqiptar vetëm 200.000 euro në vit. Është një shumë që paguan një kompanie private në Slloveni, Kroaci apo Greqi. Vetëm ky fakt tregon qartë sesa seriozisht e ka qeveria promovimin e Turizmit. Turizmi në Shqipëri, është më shumë i zhvilluar falë biznesit privat, i cili përpiqet, shteti është tërësisht inekzistent për Turizmin.   Faleminderit!

Do të krijohet Autoriteti Shtetëror i Bregdetit

 A keni ndonjë projekt konkret për  Bregdetin  shqiptar?

 Ne kemi disa kohë që po avancojmë  projektin  e  krijimit të Autoritetit Shtetëror të Bregdetit, i cili do të jetë një autoritet i varur nga Kryeministri i Shqipërisë. Ky Autoritet do të jetë një skuadër e re, e cila do të menaxhojë të gjithë zhvillimet në bregdetin shqiptar, duke filluar nga territori, nga planifikimi urban, nga përcaktimi i kualitetit dhe kriteret e zhvillimit të Turizmit; nga krijimi i porteve turistike, krijimi i porteve të jahteve, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe arkitekturës lokale, mbrojtja e peizazheve natyrore dhe natyrës  në përgjithësi, mbështetja e turizmit rural etj.. Dua të them, që ne jemi i vetmi vend në Mesdhe që kemi det dhe nuk e shfrytëzojmë. Jemi i vetmi vend në Mesdhe, ku kruazierat që prekin të gjithë bregdetin e Mesdheut, nuk vijnë në vendin tonë. Jemi i vetmi vend në Mesdhe, ku jahtet private nuk ndalojnë se nuk dine ku të shkojnë. Ne nuk kemi porte turistike të cilësisë normale. Jemi i vetmi vend në Mesdhe që bregdetin  e kemi trajtuar në mënyrën më të paplanifikuar, të mundshme. Për  ndryshuar të gjitha këto, ne po vijmë me një koncept të ri, për të sjellë një zhvillim kualitativ në bregdetin shqiptar, për ta kthyer bregdetin në një nga resurset më të mëdha ekonomike të Shqipërisë.

Politikë e re për zhvillimin e Turizmit

Atëherë, cilat janë objektivat e programit të Rilindjes, që t’i jepet Turizmit ajo rëndësi që meriton?

– Turizmi do të jetë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare. Ju përmenda pak më lart,  krijimi i Autoritetit Shtetëror të Bregdetit.  Një nga objektivat kryesore që ne do të fokusohemi, është krijimi i standardeve, i kritereve të zhvillimit, krijimi i masterplanit i zonave jo vetëm të bregdetit, por edhe të gjitha njësive vendore, si edhe një program i madh trajnimi  në shërbimin e turizmit. Ne nuk kemi guida. Vijnë të huajt  dhe nuk ka një shkollë profesionale që trajnon shoqëruesit e turizmit. Dhe ky do të jetë prioriteti ynë kryesor. Urgjentisht duhen shpëtuar fshatrat e bregdetit, nga ndërtimet pa kriter, sepse askush nuk ka kërkuar kritere. Do të thërrasim emrat më prestigjiozë në fushën e Turizmit për të investuar në Shqipëri. Mungesa e këtyre emrave sjell ndruajte, frikë nga operatorët turistikë.