Auditimi i mjedisit, zhvillohet në Tiranë takimi i 15-të i grupit të punës së EUROSAI-t

    120
    Në datat 17-20 tetor do të zhvillohet në Tiranë, Takimi i 15-të i Grupit të Punës së EUROSAI-t (Organizata Evropiane e Institucioneve Supreme të Auditimit) për auditimin e Mjedisit. Në datën 18 tetor, ora 09:00 në ambientet e Tirana International Hotel zhvillohet sesioni i hapjes, në të cilin do të përshëndesë edhe Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj. Në këtë aktivitet ka rreth 70 pjesëmarrës që përfaqësojnë 27 Institucione Supreme Auditimi nga Evropa dhe më gjerë. “Auditimi mjedisor”që do të trajtohet dhe diskutohet gjatë punimeve të këtij aktiviteti është sot një temë qendrore në shumë nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI-t) në mbarë botën. Nga të dhënat e performancës së SAI-ve, vetëm në kontinentin tonë, në Evropë kryhen rreth 90-të të tilla çdo vit. Këto auditime kanë një ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e menaxhimit të mjedisit nga shumë qeveri evropiane dhe lidhen drejtpërdrejt me rezultatet pozitive të arritura në ruajtjen dhe mbrojtjen e mjedisit dhe bio-diversitetit.