Arsimi profesional, Veliaj: Fokusi tek nxënësi, do rrisim punësimin

    389
    Sigal

    “Nëse më parë, shkolla dhe mësuesi ishin në qendër të vëmendjes, sot fokusi është te nxënësi”. Kështu deklatroi ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj ndërsa përuroi laboratorin e ri të Elektronikës të instaluar në shkollën e mesme Profesionale në Kamëz.
     
    Ministri Veliaj theksoi se arsimi profesional është një perspektivë e shkëlqyer punësimi, sidomos për degë të tilla si elektronika, të cilat janë shumë të kërkuara në tregun e punës.
     
     “Nëse më parë, shkolla dhe mësuesi ishin në qendër të vëmendjes, sot fokusi është te nxënësi. Investimi për laboratorin më modern të elektronikës në Shqipëri është një aset shumë i çmuar. Më vjen mirë që në Kamëz kemi krijuar një ishull ekselence, që përfaqësohet nga kjo shkollë multifunksionale”, u shpreh ministri Veliaj.

    Ai shtoi se kjo shkollë profesionale i ka kthyer reputacionin Kamzës, si zonë e cila i fal një imazh pozitiv arsimit profesional në vend.

    “Kjo shkollë me laboratorë kaq të rëndësishëm nuk mund të funksionojë vetëm gjatë një pjese të ditës. Propozimi ynë është që shkollat profesionale, pas orëve të mësimit, të shërbejnë edhe si qendra të formimit profesional për gjeneratën e prindërve dhe për ata që janë pa punë, por që duan të trajnohen apo të rikualifikohen”, theksoi Veliaj.

    Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë tha se për këtë është e nevojshme edhe ndihma e biznesit për të subvecionuar kurset e trajnimit.