“Arratiset” valuta, 554 milionë euro dalin nga Shqipëria

732
Bizneset e huaja rrisin sërish transferimin e fitimeve jashtë, drejt niveleve rekord, por nuk e ndikojnë në kursin
Monitor.al/ Zhgënjejnë fondamentet; në tre muajt e parë hynë zyrtarisht 16 milionë euro më pak, nuk justifikojnë rënien e euros
Sigal

Sipërmarrjet e huaja po transferojnë gjithnjë e më shumë fitime këto dy vitet e fundit, duke iu afruar niveleve rekord të arritura në periudhën 2008-2010, kur kompanitë celulare kishin norma të larta fitimi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, të ardhurat dalëse të investimeve (kryesisht transferimi i fitimeve) ishin 82 milionë euro në janar-mars, me një rritje prej 4% në krahasim me tremujorin e parë 2017. Në raport me dy vite më parë, transferimi i fitimeve pothuajse është dyfishuar. Banka e Shqipërisë thotë se nga shuma prej 82 milionë euro, 63 milionë euro ishte fitimi i riinvestuar dhe 19 milionë euro ishin pagesat e interesave. Pas periudhës 2008-2010, fitimi i transferuar ra ndjeshëm, pasi rritja e konkurrencës dhe maturimi i tregjeve të telekomunikacionit çoi në tkurrjen e fitimeve të dy operatorëve kryesorë celularëve. Në tremujorin e parë 2013, transferimi i fitimeve ra në nivele minimale prej 10 milionë euro, për të filluar rritjen më pas. Përmirësimi i aktivitetit të bankave dhe rritja e kompanive koncesionare vlerësohen si arsyet kryesore që kanë çuar në këtë tendencë.

Nuk ka më efekt te kursi

Transferimi i fitimeve të operatorëve celularë ishte arsyeja kryesore e rritjes së ndjeshme të euros pas vitit 2009. Në atë kohë, transferimi vjetor i fitimeve ishte 300-400 milionë euro (niveli rekord është arritur në 2009-n me 402 milionë euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë), duke bërë që monedha e përbashkët të kërcente brenda dy viteve nga 123 lekë në rreth 140 lekë. Në ata kohë transaksionet ditore të kursit ishin më pak se 20 milionë euro, ndaj dhe shuma të tilla e ndikuan aq shumë kursin, sa Banka e Shqipërisë i këshilloi kompanitë të bënin konvertime graduale dhe jo të gjitha shumat njëherësh. Dy vitet e fundit, ndonëse transferimi i fitimeve ka ardhur në rritje, (në vitin 2017 ai arriti gati 300 milionë euro dhe në tremujorin e parë 2017 ishte në nivelin më të lartë nga 2009 , kërkesa për valutë nga kompanitë nuk ka ndikuar në forcimin e euros. Përkundrazi, euro është zhvlerësuar dy vitet e fundit. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, arsyeja lidhet me rritjen e volumit ditor të transaksioneve (që aktualisht vlerësohet rreth tre herë më e lartë se në atë kohë), si dhe me ofertën e shtuar në euro vitet e fundit, që vlerësohet se ka ardhur kryesisht nga kanale informale, pasi të dhënat zyrtare të bilancit të pagesave nuk raportojnë rritje të sasisë së valutës të hyrë në Shqipëri nga burimet zyrtare.

Zhgënjejnë” fondamentet; në tre muajt e parë hynë zyrtarisht 16 milionë euro më pak, nuk justifikojnë rënien e euros

Deficiti i llogarisë korrente, i cili mat transaksionet ndërkombëtare të një vendi me pjesën tjetër të botës, pra mat hyrje-daljet e valutës (pa përfshirë llogaritë financiare) u përkeqësua në tremujorin e parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një tregues që zyrtarisht nuk justifikon rënien e euros në të njëjtën periudhë . Sipas shifrave zyrtare të Bankës së Shqipërisë deficiti i llogarisë korrente, në tremujorin e parë të vitit 2018, shënoi 165 milionë euro, në zgjerim referuar të njëjtës periudhë në një vit më parë, me rreth 16 milionë euro ose 11%.Pra, zyrtarisht në ekonominë shqiptare në tre muajt e parë të vitit kanë hyrë 16 milionë euro më pak se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Thellimi i deficitit korrent, sipas BSH, reflekton zgjerimin e deficitit tregtar të mallrave, me rreth 27 milionë euro. Deficiti tregtar (mallra dhe shërbime) u zgjerua me rreth 14%, në nivelin 355 milionë euro. Ndonëse eksportet u rritën me 20.3% për tre mujorin në raport me janar-mars të një viti më parë, importet u zgjeruan me 8.3%, por rritja në vlerë e importeve është më e lartë, pasi importet e mallrave janë gati katër herë më të larta sesa eksportet. Thellimi i deficitit korrent u diktua nga zgjerimi i deficitit tregtar (mallra) -shpenzime të larta të importeve në makineri– pajisje dhe lëndëve djegëse e energjisë, thotë Banka e Shqipërisë. Edhe eksportet e shërbimeve kanë sjellë më pak valutë në vend. Rënia e suficitit në llogarinë e shërbimeve së bashku me zgjerimin e balancës negative të të ardhurave parësore kanë mbështetur thellimin e deficitit korrent. Llogaria e shërbimeve, regjistroi balancë pozitive prej rreth 260 milionë eurosh, rreth 16 milionë euro më pak, krahasuar me të njëjtën periudhë në një vit më parë, tha Banka e Shqipërisë. Një burim i rëndësishëm i hyrjes së valutës ishin edhe turistët. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e turistëve në Shqipëri ishin 331 milionë euro në tremujorin e parë të vitit, me një rritje prej gati 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por, në kahun tjetër, shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet jashtë vendit arritën në 254 milionë euro, me rritje prej 12.3% me bazë vjetore. Për shkak të rritjes me ritme më të larta të shpenzimeve të shqiptarëve jashtë, bilanci neto, pra paratë që mbeten në vend nga aktiviteti turistik ishte 78 milionë euro, nga 76 milionë euro në tremujorin e parë 2017, pra me një përmirësim minimal prej vetëm 2 milionë eurosh. Pozitiv ishte ndikimi i emigrantëve, të cilët sollën 147 milionë euro në tre muajt e parë të vitit, ose 12 milionë euro më shumë se një vit më parë. Edhe një tjetër tregues, Mjetet e rezervës valutore për shkak të veprimeve në bilancin e pagesave ka rënë më me 143 milionë euro milionë euro. Kjo do të thotë që nga veprimet e Shqipërisë me pjesën tjetër të botës, të pasqyruara në bilancin e pagesave nga vendi ka dalë valutë, çka teorikisht duhet të kishte çuar në një nënçmim të lekut, jo forcim të tij siç ndodhi në tre muajt e parë të vitit dhe ka vijuar edhe aktualisht. Në tre muajt e parë të vitit, euro u nënçmua ndjeshëm në tregun e brendshëm valutor, një tendencë që sipas institucioneve zyrtare u justifikua me të ashtuquajturat fondamente, pra përmirësimin e burimeve zyrtare të hyrjes së valutës në Shqipëri nga eksportet e mallrave e shërbimeve, turizmi, investimet etj. Për periudhën janar-mars, një euro u këmbye me 132 lekë, nga 135.8 në të njëjtën periudhë të një vit më parë. Rënia e monedhës së përbashkët vijoi edhe pas marsit, për të zbritur në nivelin më të ulët të 10 viteve prej 124.17 lekë në 5 qershor dhe për t’u rritur në rreth 127 lekë pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë. Edhe në tremujorin e fundit të 2017, deficiti i llogarisë korrente erdhi në zgjerim, duke arritur në 295 milionë euro (niveli më i lartë që nga tremujori i dytë 2016), si rrjedhojë e përkeqësimit të bilancit tregtar dhe atij të shërbimeve. Për gjithë vitin 2017, deficiti i llogarisë korrente u përmirësua me vetëm 10 milionë euro.