INTERVISTA/ Florjon Mima: Negociatat peng i qeverisë. Dallimi i PPP të Berishës nga të Ramës dhe regjia proletaro-kooperativiste për ekonominë

648
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Shqiptarët i meritojnë negociatat, i pengon qeveria

Florjon Mima, deputet i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, shprehet se ekonomia jonë është në stanjacion, dhe se trafiku i drogës është kthyer në degën kryesore të ekonomisë, duke dyshuar edhe statistikat e ISNTAT. Zoti Mima bën edhe dallimin midis koncensioneve të qeverisë “Berisha” me ato që jep qeveria “Rama”. Duke iu referuar korrupsionit, zoti Mima pohon se 800 milionë euro në vit paguhen për makiazhet e fasadave të qyteteve dhe 900 milionë euro vidhen, ndërkohë që ka rritur 30 % çmimin e energjisë dhe 50 % taksat.

– Zoti Mima, nëse do të bënit një skaner të Ekonomisë sonë, në 5 vitet e qeverisjes, cilat janë arritjet dhe cilat janë problemet e saj?

– Unë besoj se ekonomia e vendit gjatë këtyre 5 viteve është zvarritur në një quasi stagnacion dhe merr frymë vetëm falë shpirtit energjik të biznesit vendas dhe atyre pak investimeve të trashëguara nga qeveria e mëparshme. Borxhi publik është rritur, borxhe të këqija të reja janë krijuar pa fund, dhuna dhe represioni qeveritar është rritur, krahu me produktiv i punës po braktis vendin në nivele të frikshme, narko trafiku është kthyer në degën kryesore të ekonomisë, troç jemi kthyer në një narko republikë, që jeton me narko euro, që voton narko ligje, që administrohen nga një narko administratë. Nëse do të kërkoja një aspekt ‘pozitiv’ të kësaj qeverisjeje, pa frikë do të ishte shembulli, që ajo na jep, sesi nuk duhet qeverisur vendi. Dhe ky është një shembull për të gjitha qeveritë, që do të vijnë pas kësaj të Rilindjes.

– Ju si e shpjegoni që INSTAT pohon, se ekonomia jonë ka rritje vjetore mbi 3 %, ndërkohë që mungojnë investimet publike dhe nuk rigjenerohen vende të reja pune?

– Unë nuk marr guximin të sfidoj shifrat zyrtare, por nëse bëjmë disa kryqëzime të thjeshta, mund të them se ato janë të dyshimta. Kështu, INSTAT thotë, se në tremujorin e parë 2018 rezultojnë të punësuar 1.127.000 vetë nga 1.067.000 që kanë qenë të punësuar në Tremujorin e parë të 2017-s. Pra plot 60 mijë të punësuar a vetëpunësuar. Po të shohësh shifrat e të hyrave publike nga kontributet e sigurimeve shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe tatimin mbi të ardhurat personale me supozimin që çdonjëri prej këtyre 60 mijë vetëve të ishte siguruar me pagën minimale, do duhej të kishin ardhur si kontribut shoqëror rreth 44 mln $ më shumë. Në të vërtetë statistikat thonë se rritja në të ardhurat nga kontributet është vetëm 22 mln $ (!?). Po kështu edhe për rritjen ekonomike. Le të supozojmë se është e vërtetë. Pyetja është: I bën punë Shqipërisë një rritje prej 3%? Sa duhet të jetë ajo, në mënyrë që gjithkush të marrë një pjesë dinjitoze nga kjo rritje e ta rregullojë jetën e vet këtu? Cilat janë instrumentet që garantojnë një rritje 6, 7,8, apo edhe 10%? Si mund të ngremë një konsensus mes të gjithë aktorëve, që masat që duhen për këtë rritje të materializohen dhe të mos kontestohen nga askush? Këto pyetje mendoj se mungojnë në aparatet burokratike dhe nivelet politike të qeverisjes sonë, sepse ka pyetje te tjera më të rëndësishme për narko shtetarët dhe oligarkët.

– A ka kontradiktë që, ndërsa rritja vjetore e ekonomisë në këto 5 vitet e qeverisjes “Rama” është mbi 3 %, por nuk kemi rritje rrogash?

– Vetë PBB është rezultante e disa treguesve: eksporti, investimet, konsumi dhe importi. Llokmën më të madhe e zë konsumi dhe që ky të rritet padyshim që duhet të ishin rritur edhe të ardhurat në nivel personal, gjë që nuk më rezulton. Po ashtu, as investimet nuk janë rritur, as ato publike e as ato private. Por edhe një herë, unë nuk do të merrja përsipër për t’i provuar gënjeshtrën një qeverie, që vetëm gënjen. I mbani mend 1 milionë të papunët, shëndetësinë e legalizimet falas? Është e kotë të debatosh për shifrat me dikë, që nuk dëgjon, me dikë, që tallet me popullin, tallet me të huajt, tallet me këdo, që nuk mendon si ai. E vetmja rrugë për ta bërë të dëgjojë është nxjerrja në opozitë sa më parë dhe zhbërja e çdo gjëje të bërë mbrapsht nga ai dhe takëmi rilindës.

– Ministri Ahmetaj pranoi që do bëhen rikuperime në ligjin e Koncesioneve duke mos pranuar më oferta të pa kërkuara. Ju si e përktheni ekonomikisht dhe politikisht këtë?

– Përkthimi është fare i qartë: tani që koncesionuan çdo aktivitet, shërbim a aset të vendit, për ta bërë të harrohet hetimi i thelluar administrativ e penal, për të hequr vëmendjen nga skandalet e njëpasnjëshme në të gjitha fushat, për të thënë se ja, aq dinim, por më pas u thelluam, dëgjuam këshillat e FMN etj etj., kërkohet të shitet si arritje mospranimi i ofertave të pakërkuara. Edhe opinioni mund të keqorientohet e të thotë se ja vërtet gabuan në fillim, por më pas e korrigjuan rrënjësisht qëndrimin. Parimisht nuk ka përse të eliminohet tërësisht e drejta e privatit për të studiuar, analizuar, propozuar dhe ofruar vepra, për të cilat publiku ka nevojë, por qeverive shqiptare as që u ka rënë në erë se mund e duhen ndërtuar. Është njëlloj si të thuash se, meqë ka aksidente në rrugë, të ndalojmë përdorimin e makinave, apo më keq, të prishim rrugët.

– Çfarë ngjyrimi politik janë premtimet ekonomike të kryeministrit Rama në këtë llogaridhënie?

– Ndjese, por nuk i ndjek fare estrada të tilla. Humori është çështje serioze, thoshte Churchilli, dhe skeçe të tilla me regji proletaro-kooperativiste janë thjesht të neveritshme.

Ju si e shpjegoni që, ndonëse kemi rritje taksash në shumëfish dhe taksa të reja, borxhi publik rritet, nuk kemi investime publike, nuk kemi rritje të ndihmës ekonomike, kemi pakësim të fondeve për Shëndetësinë dhe Arsimin publik?

– Nëse ti harxhon në një vit 800 milionë dollarë për manikyr e pedikyr të qendrave të qyteteve, nëse ti vjedh në një vit 900 milionë dollarë, sipas KLSH, nëse ti u jep miqve të tu 1 miliardë euro projekte korruptive, nëse ti rrit çmimin e energjisë me 30%, taksat me 50%, etj etj, dhe në krahun tjetër ke dy ministra të Brendshëm të kapur në lidhje gjaku e farefisnore me klane të drogës, atëherë ti je aty jo për t’u shërbyer qytetarëve me një sistem arsimor e shëndetësor dinjitoz, por thjesht për të siguruar, që nëpërmjet levave të shtetit, të mbash në duar frenat e pushtetit. Kaq e thjeshtë është. Por tashmë një pjesë e madhe e qytetarëve e ka kuptuar. E ka kuptuar edhe një pjesë e ndërkombëtarëve. Shpejt do ta kuptojnë edhe më shumë shqiptarë, por edhe më shumë ndërkombëtarët. Sinjalet nga miqtë e Shqipërisë janë të qarta si kristali: Nuk keni plotësuar asnjë kusht për të merituar çeljen e negociatave. Asnjë. Shqiptarët meritojnë urgjent çeljen e tyre, por më parë ata duhet të bindin perëndimorët se dinë të mendojnë e veprojnë si një komb perëndimor dhe kjo fillon me shporrjen e kësaj qeverie, që u ka zënë rrugën për në BE.

Ja dallimi midis koncesioneve të qeverisë “Berisha” dhe qeverisë “Rama”

Cili është dallimi ligjor midis koncenioneve që dha qeveria “Berisha” të cilat i denoncoi opozita socialiste, nga këto që jep Qeveria “Rama”, që i denoncon tani Opozita juaj?

– Dallimi është rrënjësor. Ndërsa në të parat ishin privatët që studionin, projektonin, propozonin dhe kërkonin koncesionin, duke marrë nga shteti një të drejtë në këmbim të pagesave të denja për buxhetin, në të dytat shteti transferoi fusha të operimit ekskluziv qeveritar, duke paguar madje privatët në mënyrë që këta të fundit të kryenin punën, për të cilën zgjedhësit kishin emëruar qeverinë. Në të parat të gjitha koncesionet do të kalonin nën pronësi të shtetit pas periudhës së koncesionimit, ndërsa në të dytat titulli pronësor publik i asetit është dukshëm i kërcënuar nga risqet, që i mbulon shteti dhe nga privilegjet, që i merr privati. Është ulëritës paralajmërimi i FMN-së për të ndalur PPP e erës së Ramës si edhe për të prezantuar urgjentisht rregulla në linjë me praktikën më të mirë botërore për kontabilizimin e kontratave të tilla. Nëse kontratat e deritanishme të PPP-ve do të ndjekin këto praktika të mirë botërore dhe rregulla të pranuar ndërkombëtarisht, atëherë borxhi publik i vendit shkon në 84%.