Alfred Spahiu: Ju tregoj detajet e tenderit dhe fituesin

    471
    Sigal

    Zbardhet tenderi për prodhimin e faturave të ujit të pijshëm të UKT-së

    Gazeta “Telegraf” pas ankesave të ardhura në adresë të saj nga pjesëmarrës të një tenderi të zhvilluar për prodhimin e faturave të ujit të pijshëm të UKT-së, botoi shkrimin “Skandali, 2 firma mashtruese përfitojnë 100 milionët e Ujësjellësit” në datën 31 janar 2014, me qëllim ardhjen në ndihmë të vetë institucionit, subjekteve pjesëmarrëse në tender si dhe të taksapaguesve shqiptar. Si rezultat i kësaj, ka ardhur dhe reagimi i Drejtorisë së Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, nëpërmjet zv.drejtorit të Përgjithshëm, z. Alfred Spahiu. Ne na vjen mirë për reagimin dhe sqarimin institucional, por do të kishte qenë më mirë që ky sqarim t’i kishte paraprirë shkrimit tonë, që ai të ishte i plotë dhe të kishte të dyja anët e medaljes. Në vijim po ju japim sqarimin e plotë me informacionin përkatës nga ana e UKT-së, për këtë tender.  Referuar çështjes së trajtuar nga gazeta “Telegraf” për tenderin për prodhimin e faturave te ujit të pijshëm të UKT-së Ju informoj si më poshtë:

    Në shkrimin e gazetës “Telegraf” është pretenduar për mungesën e dokumentacionit apo falsifikimin e këtij dokumentacioni për këto çështje:

    1.   Kompania ILAR është në proces gjyqësor për mos pagim tatimesh;

    2.   Vërtetimi Bankar i ILAR është fallco.

    3.   Kompania Alb Design nuk ka certifikatën ISO.

     Për të gjitha këto çështje Ju sqarojmë si më poshtë:

     Nga ekstrakti historik i vënë në dispozicion nga Kompania ILAR rezulton që kjo kompani nuk ka asnjë penalitet, qoftë profesional ashtu dhe penal. Pra, sipas ekstraktit historik të lëshuar nga QKR rezulton që kjo kompani është e padënuar. Vërtetimi Bankar i depozituar nga kjo kompani është i rregullt. Sa i përket certifikatës ISO Ju informojmë që autoriteti kontraktor në zbatim të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik në datën 16 Janar 2013, ka kërkuar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit informacion për certifikatat ISO të depozituara nga këto dy kompani pranë autoritetit kontraktor.

    Në datën 30 Janar 2013, Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit ka kthyer përgjigje sipas së cilës:

    •  Subjekti Albdesign sh.p.k. është i certifikuar nga RINA Certification, i cili nga ana e tij është i akredituar nga organizmi Italian i akreditimit AÇREDIA. Subjekti është i certifikuar për shërbimin sipas kodeve të EA 09 dhe EA 19 që përfshijnë: Design and printing of advertising and publishing material, packagining and labels.

    • Subjekti ILAR sh.p.k nuk është aktualisht i certifikuar nga LRQA. Sipas informacionit të marrë nga trupa certifikuese LRQA, certifikimi i subjektit ILAR sh.p.k ka mbaruar në vitin 2009.

    Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në zbatim të detyrimeve ligjore në datën 28 Janar, ka përcaktuar që kompanitë ILAR dhe Albdesign plotësojnë kriteret kualifikuese për të vazhduar me tej me procedurat e parashikuara nga ligji për Prokurimin Publik.

    Menjëherë, pas marrjes së përgjigjes nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Akreditimeve për vlefshmërinë e certifikatës ISO, të paraqitur nga këto dy kompani, nga ku konstatohet që certifikimi i Kompanisë ILAR ka mbaruar, KVO, ka bërë në përputhje me dispozitat ligjore rivlerësimin e dokumentacionit dhe në datën 31 Janar ka përcaktuar se vetëm kompania Albdesign plotëson kriteret për t’u kualifikuar për këtë procedure tenderuese.

    *Zv.Drejtor i Përgjithshëm

    Ujësjellës Kanalizime Tiranë