Albana LLESHAJ*/Nis procesi i regjistrimit të përdorueseve tradicional

    382
    Sigal

     Të rrisim përgjegjësinë në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm lokal

    Në kuadër të projektit “Fuqizimi i Qëndrueshëm i Pylltarisë Komunale dhe formulimi i Strategjisë Kombëtare për Tokën”, Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale në bashkëpunim me Federatën Rajonale të qarkut Lezhë, organizuan me datë 15 Mars një takim rajonal në rrethin e Mirditës. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të prefekturës, komunave, shërbimit pyjor, si dhe përfaqësues të Federatave Rajonale dhe Shoqatave të Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave Komunale. Për t’u përmendur këtu ishte pjesëmarrja e pesë Krerëve të Komunave, si rrallë herë në takime të këtij lloji.

    Me qëllim rritjen e kapaciteteve, të Shoqatave të Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave të qarkut Lezhë për menaxhimin e pyjeve dhe kullotave komunale, u organizuan në këtë qark 10 takime në nivel fshati. Po ashtu, në komunën Kthellë u identifikua dhe mbështet një model “Pyll Fermeri”, si shembull për të ardhmen në menaxhimin e qëndrueshëm dhe planifikimin e aktiviteteve në pyjet me përdorues tradicional.

    Në takimin rajonal organizatorët transmetuan eksperiencën e fituar gjatë takimeve në nivel fshati dhe i njohën pjesëmarrësit me modelin e pyllit të fermerit. Të pranishmit gjithashtu morën informacion në lidhje me procedurat e regjistrimit të pyjeve dhe kullotave komunale pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe me mënyrën e hartimit dhe zbatimit të Planeve Operacionale nga ana e Njësive të Qeverisjes Vendore. Shembuj konkretë të këtyre procedurave u sollën nga përfaqësuesit e Federatave Rajonale të Kukësit dhe Dibrës.

    Gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit, u duk qartë interesimi i tyre, kryesisht i përfaqësuesve të komunave për vazhdimin e regjistrimit të pyjeve dhe kullotave. Nga ana e tyre shqetësim mbetet mungesa e fondeve për përgatitjen e dokumentacionit dhe hartave për regjistrim. Përfaqësuesit e komunave tashmë janë të ndërgjegjësuar gjithashtu, për rëndësinë e punësimit të specialistëve të pyjeve pranë zyrave të tyre. Për përfundimin me sukses të këtij procesi lindin nevoja të reja për mbështetje e trajnime të specialistëve përkatës, pajisjen e tyre me instrumente dhe teknologji të reja, si dhe sigurimin e fondeve të nevojshme. Federata Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave po jep ndihmën e saj  konkrete, si në asistencë teknike, ashtu edhe në gjetjen e donatorëve të tjerë në nivel kombëtar e ndërkombëtar.

    Sipas specialistëve, procesi i regjistrimit të pyjeve dhe kullotave pranë ZVRPP nga ana e komunave dhe më tej identifikimi dhe lidhja e kontratës me përdoruesin e fundit është një proces i vështirë, por jo i parealizueshëm. Transferimi i pyjeve dhe Kullotave nga Komunat në përdorim/ pronësi të komuniteteve lokale është rruga më efektive për të siguruar menaxhim më të mirë të pyjeve dhe kullotave. Ky proces, falë dhe mbështetjes së siguruar nga Koalicioni Ndërkombëtar i Tokës është drejt përfundimit në Komunën Kthellë, në qarkun e Lezhës si një ndër modelet e para në nivel kombëtar. Gjithsesi, ky proces është në hapat e para të tij dhe has në disa vështirësi për shkak të kufizimeve politike dhe legjislative. Këtu përmendim pozicionin jo të qartë të vendimmarrjes në lidhje me këtë proces, mungesën e të drejtave  të përdoruesve për përfitime direkte nga pyjet nëpërmjet shitjes së produkteve pyjore si dhe barrierat në sistemin e taksave dhe tarifave. Takime të tilla janë të rëndësishme pasi sjellin bashkë një numër të madh aktorësh të cilëve ju jepet rasti të diskutojnë dhe shkëmbejnë përvoja rreth proceseve kaq thelbësore në sektorin e Pyjeve dhe Kullotave Komunale.

    *N/kryetare e Federatës së Pyjeve dhe Kullotave Komunale, qarku Lezhë