Abdulla Omuri: Abuzimet që po bëhen me përfitimin e kempit, ja kriteret që duhen plotësuar

    472
    Sigal

    Procedurat dhe dokumentacioni për përfitimin e pagesës së paaftësisë për kategorinë e invalidëve

    Rritja e numrit të përfituesve të kempit në mënyrë abuzive në disa raste, sjell problem edhe për Shoqatën e Invalidëve të Punës. Për përmirësimin e situatës duhet që të bashkëpunohet më shumë mes institucioneve shtetërore dhe Shoqatës së Invalidëve të Punës. Në lidhje me abuzimet që bëhen në këtë drejtim ka folur për “Telegraf”, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Punës, Abdulla Omuri. Sipas tij, abuzimet bëhen që në komuna dhe për të parandaluar këtë, duhet që të ketë më shumë bashkëpunim midis institucioneve shtetërore dhe shoqatave. “Mendoj që duhet një kombinim mes tërë shoqatave dhe mes institucioneve shtetërore. Ky kombinim duhet për arsyen që unë po ju them më poshtë. Ne si shoqatë kemi përfaqësuesit tanë në çdo komunë dhe në çdo qendër. Ne jemi të gatshëm që të verifikojmë nëse personi që ka përfituar kempin, ka qenë ndonjëherë i sëmurë për pensionin e invaliditetit, apo ndihmën e paaftësisë që ai merr”, shprehet zoti Omuri. Ai thekson, që, në këtë pikë duhet ndërhyrja e institucioneve shtetërore. Pasi sipas tij, shpeshherë pushteti vendor bëhet palë me personat që duan të trajtohen me ndihmë paaftësie. “Përfaqësuesit e pushtetit vendor pranojnë një dokument ligjor me tre firma që për hir të së vërtetës janë ligjore, por nuk është ai dokumenti që duhet për përfitimin e masës së kempit. Por edhe pushteti vendor nuk është i specializuar në atë masë për të dalluar vërtetimin e kempit që trajtohet me pension invaliditeti nga ligji 7703, dhe vërtetimin e kempit që marrin 93 mijë lekë. Pra të dy vërtetimet janë të njëjta, por kanë një specifikë, që ne invalidët e punës e kemi më specifike”. Po ashtu zoti Omuri, ka bërë të ditur se: “Duke ditur që ne kemi përfaqësuesit tonë nga komuna e deri në qendër ne jemi më të vëmendshëm sesa pushteti vendor. Ne jemi më të interesuar që të buxheti jonë të kontrollohet nga ne, që mos të shkojë në vende të pamerituara. Pasi jemi ne kategoria e invalidëve të punës që mbetemi në fund të vitit pa marrë pagesat për afër katër muaj. E tërë kjo ndodh sepse bëhen abuzime në institucione të ndryshme”.

    Shpenzime mujore të detyrueshme që duhet të përballojë një familje e invalidit të punës;  

    *Pagesa mujore  për energji elektrike  mesatarisht në muaj                      4670      lekë

    *Pagesa mujore   për ujë                         =             =       =                         890        lekë

    *Pagesa mujore e telefonit                       =             =       =                        730        lekë

    *Pagesa mujore për bukë me një familje 5-6 persona                                12600    lekë

    *Pagesa mujore   për ushqime      =           =      =                               13300    lekë

    *Pagesa për ilaçe  të detyrueshme  për invalidin   në muaj                         9840     lekë

    Shuma    mujore                                                           42030      lekë në muaj

    Procedurat që duhen plotësuar

    Tashmë të gjithë personat që kërkojnë të përfitojnë nga pensioni i invaliditetit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në zyrat e Agjencive rajonale të sigurimeve shoqërore. Për të përfituar “kempin”, qytetari duhet të paraqitet para Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë të rrethit. Komisioni vëren nëse qytetari në të vërtetë nuk është i aftë për të punuar. Për të përfituar pensionin qytetari duhet të dokumentojë vitet e punës dhe masën e pagës. Pensioni i invaliditetit përcaktohet në varësi të shkallës së pamundësisë së qytetarit për të punuar, si dhe llogaritet në bazë të pagës që ai ka marrë gjatë kohës që ishte në punë.

    Dokumentacioni për përfitimin e pagesës së paaftësisë

    Personat që kërkojnë të komisionohen për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, duhet të paraqesin në seksionet e ndihmës dhe të përkujdesjes shoqërore të bashkisë/komunës, dokumentacionin e mëposhtëm:

    a)  Certifikatën e gjendjes familjare;

    b)  Certifikatën personale me fotografi;

    c) Vendimin e mëparshëm të KMCAP-it, i cili vërteton shkallën e aftësisë së kufizuar të personit;

    ç)  Fletëdrejtimin për në KMCAP, kur personi komisionohet për herë të parë,

    d)  Epikrizën përcjellëse, sa herë rikomisionohet.

    Kur personi me aftësi të kufizuara, i cili me vendim të komisionit mjekësor, përcaktohet se ka nevojë për përkujdesje, përveç dokumentacionit të përcaktuar në pikën 19, duhet të paraqesë edhe këto dokumente shtesë:

    a)  Certifikatën personale, me fotografi, të personit kujdestar;

    b) Deklaratën/vendimin gjyqësor, për kujdestarin e zgjedhur nga personi me aftësi të kufizuara;

    c)  Raportin mjekoligjor, që vërteton se kujdestari është i aftë, fizikisht dhe mendërisht.

    Personat me aftësi të kufizuara, të cilët ndjekin shkollën e mesme apo shkollën e lartë, me apo pa shkëputje nga puna, përveç; dokumentacionit të përcaktuar në pikën 19, duhet të paraqesin edhe dokumentet e mëposhtme:

    a)  Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës, ku të shënohen:

    i. Emri i personit, që ndjek shkollën;

    ii.Lloji i arsimit që ndjek, ku përcaktohet, nëse është cikël shkollor normal ose i përsëritur;

    iii.Vitin shkollor.

    b)Vërtetimin e nënshkruar nga titullari dhe sekretari i shkollës për frekuentimin e shkollës nga personi përfitues (çdo tre muaj);

    c) Kopjen e noterizuar të dëftesës shkollore të çdo viti dhe kopjen e noterizuar të diplomës në mbarim të shkollës së mesme apo të lartë, si dhe kopje të dëshmive të kurseve të kualifikimit;

    ç) Vërtetimin se ka shlyer detyrimet për çdo sezon, për shkollën e lartë, pa shkëputje nga puna.