A do heqë Albtelekom kabllot si rrjeta merimangash dhe centralet-kioska?

    457
    Sigal

    Projekti/Harito: Të gjitha kabllot e telefonisë dhe internetit do kalojnë në nëntokë

    Kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe kabllot e telefonisë fikse dhe internetit janë lënë të varura mbi kokat tona si rrjet merimangash. Këto kabllo përveçse kanë krijuara një tablo të shëmtuara nga ana estetike, por shpesh janë kthyer edhe në situata aksidentesh me rrezik jetën e qytetarëve shqiptarë. Sipas ministres së Inovacionit, Milena Harito tha dje se ky problem do të marrë fund njëherë e mirë, duke i kaluar nën tokë kabllot e telefonisë dhe internetit. Harito e bëri këtë premtim gjatë prezantimit të projektplanit për rregullimin e infrastrukturës kabllore të telefonisë fikse dhe internetit, që aktualisht janë të zhvilluara në mënyrë të pakontrolluar dhe jashtë një planifikimi. Ministrja Harito theksoi se bashkëpunimi mes palëve duke përfshirë pushtetin vendor, operatorët e ofrimit të internetit dhe telefonisë fikse si dhe institucione të tjera është i rëndësishëm në këtë proces: “Duhet ta shikojmë të gjithë bashkë këtë si një sfidë, sepse jam e bindur që asnjë prej nesh nuk dëshiron të jetojë në një qytet që ka këtë situatë kaotike dhe të rrëmujshme. Nuk duhet të ndjehemi që kjo është çështje e të tjerëve është çështje e të gjithëve ne. Të gjithë bashkë jam e bindur që do t’ia dalim brenda një kohe më të shkurtër seç e mendojmë”. Ende nuk janë bërë publike detaje të këtij projekti, porse me patjetër duhet të jenë operatorët privatë të cilët duhet të investojnë, sigurisht të detyruar nga qeveria. Në shkurt të vitit 2013, kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha u la një afat kompanive përkatëse që kabllot t’i shtronin nën tokë deri në datën 1 janar 2014. Por kanë kaluar gati 2 vjet dhe pamjet nëpër Tiranë janë njësoj. Le të presim për rezultatet e këtij angazhimi nga ana e qeverisë e një problemi që është kthyer në gangrenë të qyteteve tona, sidomos të Tiranës.

    Indiferenca e shtetit

    Indiferenca e shtetit në mbrojtje të qytetarit të tij, për shkak të lidhjeve që kompania turke e telefonisë fikse, Albtelekom ka me qarqe të larta të politikës shqiptare, bën që kjo kompani të mbushë e qetë “thasët” me para, të zhvatura nga qytetarët shqiptarë dhe t’i eksportojë te kompania mëmë. Shërbimi, cilësia e rrjetit, por edhe degradimi estetik i qyteteve tona nga fenomeni “kioskëzim” i centraleve telefonike apo rrjetat merimangë të kabllove telefonike janë disa nga problematikat që shqetësojnë shqiptarët.

    Rrjeti “merimangë”

    Albtelekom nuk ka kryer asnjë investim për kabllot telefonike, si qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit telefonik apo shërbimit të pajisjes së qytetarëve me sinjal interneti. Në vend që të kalojnë në nëntokë, telat e shërbimit telefonik fiks, janë lënë në ambient të hapur, të varur nëpër shtylla apo në forma të tjera. Gjithashtu, duhet theksuar se në të gjitha rastet kur kemi kabllo të varur nëpër muret e pallateve apo banesat e qytetarëve kemi të bëjmë me cenim të pronës private, gjë e cila asnjëherë nuk është marrë parasysh nga turqit e Albtelekom, të cilët madje i kanë dhënë të drejtë vetes, në një nga klauzolat e kontratës (gjë e cila duhet të shihet me seriozitet nga AKEP), që të futen dhe në banesat e qytetarëve shqiptarë. Pra, kushtet teknike të përcjelljes së sinjalit telefonik, nuk përputhen aspak me tarifat e vendosura nga kompania për qytetarët. Por, gjendja e infrastrukturës teknike, nëpërmjet të cilës përçohen dy shërbimet që ofron Albtelekom bie në kundërshtim me Ligjin Nr. 9918, dt. 19.5.2008 për Komunikimet elektronike, i cili përcakton, se ofruesi i shërbimit të komunikimeve publike, duhet të sigurojë infrastrukturën eficente në komunikimet elektronike për të garantuar shërbimet e duhura dhe të përshtatshme në një territor të caktuar. Ndërkaq, nga ana tjetër, rrjeti i komunikimeve elektronike, jo vetëm që është lënë në mëshirë të fatit, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë ndërhyrje në përmirësimin e rrjetit ekzistues. Sistemi i transmetimit të rrjetit të telekomunikacionit është tejet i amortizuar dhe kjo shpeshherë është bërë shkak në uljen e cilësisë së shërbimit.

    Kioskëzimi i centraleve të Albtelekom

    Një tjetër dukuri e shëmtuar e risjellë nga Albtelekom është dhe fenomeni “kioskëzim”, me centralet telefonike, të cilat gjenden kudo. Në kudër të këtij projekti të qeverisë me patjetër që duhet parë edhe ky fenomen i shëmtuar i rishfaqur në rrugët tona. Nuk dihet nëse “kioskëzat” janë me leje, por, edhe në janë, është njësoj sikur një pallat shumëkatësh ndërtohet me leje në mes të rrugës. Jemi vendi që kemi vuajtur më shumë nga kioskat, ndaj fenomeni i rishfaqur prej Albtelekom, meriton masa të menjëhershme nga institucionet përkatëse.