3 mijë shqiptarë konfirmojnë se duan të largohen nga Shqipëria

    334
    Aktori Julian Deda ka zhvilluar një sondazh në faqen e tij zyrtare në facebook, ku i fton friendsat që përmes opsionit “like” të konfirmojnë, se ata duan të largohen nga Shqipëria dhe me opsionin “coment” ata që nuk duan ta braktisin vendin. Rezultatet e sondazhit janë aspak optimiste, pasi më shumë se 3 mijë persona kanë përdorur opsionin “like” për të konfirmuar, se ata duan të largohen nga Shqipëria, ndërsa shumica dërrmuese e 150 komenteve, gjithashtu konfirmojnë të njëjtin vullnet, atë për t’u larguar një orë e më parë nga Shqipëria.
    Postimi i plotë i Julian Dedës
    Nga statusi që hodha sot në mëngjes ne facebook dhe gjithashtu nga një sondazh që bëra unë personalisht (foto), të cilin nuk mund ta marrim si të saktë dhe sigurisht do të doja të mos ishte i tillë, sepse do ishte tepër dramatike, rezulton se shumë shqiptarë duan të ikin nga vendlindja. Por ajo që dua të them unë personalisht në lidhje me këtë është. Unë nuk do të iki. Do rri këtu. Dhe mendoj se nuk duhet ta lëvizim këmbën nga këtu deri sa ky vend të futet në binarë. Secili nga pak, duhet të bëjmë të pamundurën që vendlindja të mos jetë në duar të ndyra. Nuk mund të lejojmë që disa pasanikë të bëjnë çfarë ti teket fundshpina me Atdheun, sepse ai është i të gjithëve, e jo vetëm i atyre. Nëse ne ikim, nuk mërzisim askënd tjetër përveç se veten dhe njerëzit e familjes, kurse ata që po na shtyjnë për ta braktisur Mëmëdheun vetëm qeshin dhe kënaqen. Ata qeshin ndërkohë që populli vuan. Ata qeshin ndërkohë që populli thinjet nga halli se s’ka. Ata pushojnë në vende ekzotike ndërkohë që ne përmbytemi. Ata gëzohen dhe qeshin sepse e duan Shqipërinë vetëm për vete. Mund te duket tepër patetike kjo që po them, por duhet artikuluar dëshira për të bërë më të mirën për veten dhe fëmijët tanë, dhe kjo nuk është largimi por këmbëngulja për të vënë një tullë për të mirë të vendlindjes. E di që ka shqiptarë që s’kanë bukë të hanë, s’kanë lek për të paguar energjinë, s’kanë punë, vuajnë mosrespektin e institucioneve dhe arrogancën e shtetarëve pasanikë, por duhet durim, përballje me realitetin dhe përpjekje për ta ndryshuar në të mirë. Nuk jemi as të parët e as të fundit në këtë planet që përjetojmë këtë periudhë skandaloze tranzicioni që po zgjat pafund, prandaj nuk duhet të dorëzohemi, të tjerët ja kanë dalë, do ja dalim edhe ne. Duhet të rrimë këtu dhe t’i gëzohemi të mirave por edhe t’i themi me zë të lartë ato që na shqetësojnë. Unë do bëj detyrën, do të rri…!
    Sigal