Lavdie Nanaj: Gratë labe janë trimëresha, punëtore, patriote dhe të ditura

1319
Shoqata “Labëria” ka një histori të madhe. Mund të themi se aktualisht ajo është shoqata më aktive, më me reputacion dhe me përhapje më të gjerë në Shqipëri. Aktivitetet e saj kulturore, artistike kryesisht ato me karakter kombëtar kanë tërhequr vëmendjen e publikut, vëmendjen e të gjitha mediave por edhe të politikës dhe intelektualëve. Mund të veçoj diskutimin masiv që mbajtëm në rang sezoni Shkencor, për mbrojtjen e detit, mund të cilësohet si një aktivitet shembullor, për idenë dhe mesazhin që ju dha politikës për atdhedashurinë dhe ruajtjen e integritetit kombëtar. 
Kështu e fillon bisedën gruaja më aktive e shoqatës “Labëria”, e nderuara dhe e respektuara Lavdie Nanaj…
Si nënkryetare e Shoqatës “Labëria” për shumë vite, si mund të na e përcillni rolin e gruas në këtë shoqatë, a është rritur pjesëmarrje e tyre dhe çfarë roli luan gruaja në këtë shoqatë kaq me emër?
Në të gjitha këto aktivitete, kurrsesi nuk mund të lihet pa u përmendur me të njëjtin respekt si dhe burrat, pjesëmarrja dhe roli i padiskutueshëm i gruas labe në këtë Shoqatë. Ajo jo vetëm përbën gjysmën e popullsisë së trevës legjendare të Labërisë, por është po aq pjesë dominante e shoqatës. Gratë labe, janë nikoqire të mira, shtëpiake të mira, intelektuale të afta, gra të emancipuara, trime, bujare, korrekte, të cilat në çdo kohë dhe situatë kanë qëndruar krah burrave dhe kanë qenë pjesë e luftërave për çlirim kombëtar në çdo situatë. 

Po, a ka dhe mangësi?
Sigurisht. Në Tiranë ka ende punë për të bërë, pasi gratë ose familjet e reja labe nuk janë ende të integruara në jetën e kryeqytetit dhe hallet, problemet kanë bërë që ende të mos jenë aq aktive sa duhet në aktivitetet tona të ndryshme.
Megjithatë, aktivitetet e grave labe në shoqatë kanë qenë jo pak të rëndësishme?
Pa diskutim. Aktivitetet tona kanë qenë dhe janë tepër-tepër të rëndësishme dhe të shtrira në kohë dhe në trevën e Labërisë. Unë do të veçoj rolin e grave, sidomos në qytetet labe, si Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Sarandë, ku në këto degë shumë gra janë zgjedhur nënkryetare shoqate dhe i kanë dhënë një hov aktiviteteve dhe jetës së gruas në këto qytete. Degët në këto qytete me ardhjen e grave janë bërë më të suksesshme, më të zgjeruara, më me frymëmarrje dhe më të mirëorganizuara. Gratë në drejtim kanë treguar urtësi,korrektësi, mënyrë më të sistemuar të aktiviteteve. Shoqata jonë me gratë ka organizuar për çdo vit në festat e 28-29 nëntorit aktivitete patriotike, ku mund të veçoj atë në zonën Tragjas- Radhimë-Dukat. Në këtë aktivitet iu bë jehonë bijave, grave labe- heroina të rëna për çlirimin e atdheut. Në këto aktivitete u bë prezent heroizmi i grave labe, trimëria, guximi, që nga Rexhina e deri tek Bulina dhe shumë grave që në këto luftëra luftuan njëlloj si burrat, me atë trimëri dhe guxim. Por kemi bërë aktivitete edhe për gratë intelektuale të Vlorës, për rolin e tyre në shoqërinë shqiptare, për rolin e tyre, në qeverisjen e vendit, në OJF apo dhe institucione të ndryshme shoqërore, por edhe në sipërmarrje private. Në aktivitetin e intelektualeve vlonjate morën pjesë të gjitha gratë e zonës Dukat-Tragjas-Radhimë. Një tjetër aktivitet ka qenë në Francë në Kongresin me temë “Roli i nënave për paqen”. Ky ishte një aktivitet me përmasa botërore, ku unë u paraqita në emër të Shoqatës Labëria. Në diskutimin tim vura në pah pozicionin që duhet të mbajë në edukimin e fëmijës, në rolin e saj në shoqëri, por mbi të gjitha për rolin e saj për përhapjen e paqes në botë. Nëna mbetet nënë, qenia më e ndjeshme, qenia që ka përgjegjësinë direke për rritjen e fëmijëve me edukatë, kulturë që të rriten me normat dhe virtytet më të mira të shoqërisë. Në këtë Kongres ishte dhe Flora Borovina. Në këtë kongres, Labërinë e përfaqësuam unë dhe Velesie Osmani, familje dëshmori nga Kanina. Velesia diskutoi dhe ën gjuhën frënge për heroizmin e grave shqiptare në shekuj dhe në rolin që ato kanë, për rritjen e fëmijëve sa më me edukatë, të shkolluar për një familje solide, të emancipua. Thelbi i diskutimit ishte për edukimin e një brezi të ri, sa më të edukuar paqedashës dhe të ditur. Të mos heqin nga duart librat, pasi libri të mëson, edukon, të bën të ditur të paqmë dhe korrekt në përditshmërinë e jetës. Ne, në disa aktivitete për gruan kemi dekoruar me “Personalitet i Shquar i Labërisë”, “Mirënjohje e Labërisë” personalitete të tilla, si Liza Laska, Zenepe Luka si gazetare. Zenepja ka punuar dhe punon prej një kohe të gjatë në trevën e Labërisë dhe ajo është bërë zëdhënësja e gruas labe në çdo aktivitet apo eveniment. Këto gra kanë punuar me vetëmohim për emancipimin, përkrahjen dhe vlerat e gruar labe. Liza Laska në rolet e saj si grua labe, ka nxjerrë në pah cilësitë më të mira, të grave labe. Ndërsa Zenepe Luka në shkrimet e saj ka treguar dhe ka nxjerrë në pah vlerat e sotme të gruas labe dhe qëndrimet e tyre në momentet e vështira të vitit 1997.
Megjithatë do ndalem më gjatë tek disa figura të spikatura, pasi të shkruash për heroizmat dhe trimëritë e grave labe do të duhen shumë libra.
1-Partizania, Ervehe Gorishti, pjesëmarrëse e formacioneve partizane në luftën NA-Çlirimtare mbetet një figurë e ndritur. Ajo e gjendur në rrethim nga forcat gjermane në malin e Beunit, për të mos rënë rob në duart e tyre, u hodh në humnerë, ku theu të dyja këmbët. 
2-Shumë e nderuara, artistja e skenës dhe ekranit Liza Laska, aq shumë prezente në ekranet e shtëpive tona, e nderuar me titullin “Artiste e Merituar”, përbën në shembull të shkëlqyer të portretit të gruas shqiptare e në veçanti të asaj labe. 
3-Aurela Gaçe, artistja dhe këngëtarja rebele, me talent të rrallë. Ajo me portretin, këngën, polifoninë, zërin plot timbër, karakterin burrnor në debate, është një ndër bartëset më karakteristike të gruas labe. Vlerësimin që i bëri shoqata ajo e quajti një ndër vlerësimet më të bukura të jetës së saj.
4- Vlerësimi për Irini Qirjakon nga shoqata jonë përbën një gjest fisnik. Irini mbetet një ndër ikonat e polifonisë labe. Ajo me zërin e saj karakteristik, këndon polifoninë tonë, si një labe e vërtetë. Këngët e saj polifonike kanë tronditur platetë e botës, ndërsa në Shqipëri ajo është pjesë e çdo familjeje me polifoninë magjike labe.
5- Vitori Hasani, mjeke punonjëse shkencore, ish-dekane, e fakultetit të Infermierisë, aktiviste e shquar dhe punonjëse rezultateve me aftësi të spikatura në organizimin dhe drejtimin e punëve në shëndetësi.
6- Artistja Resmie Rusi, kryetare e shoqatës “Dëshmorët e Atdheut të Luftës N-Ç”. Ajo rrezaton pjekuri dhe ndjenja të thella patriotike. Me qëndrimin e saj të vendosur, mbështetur në njohjen e saktë të vërtetës historike, mbetet një zë shumë i fuqishëm në mbrojtjen dhe çuarjen më tej të heroizmit dhe vendosjen e dëshmorëve të atdheut në vendin që i takon, në altarin e përjetësisë.
7- Flora Malaj, biznesmene e suksesshme në sektorin e ndërtimit, që me aftësitë e saj ka realizuar vepra ndërtimi me parametra bashkëkohorë. Si biznesmene, ajo ka kontribuar në aktivitetet e Shoqatës “Labëria” dhe asaj “Tërbaçi”.
Cila ka qenë përgjegjësia juaj në shoqatë, a ke ndjerë përkrahje? Kur e ke ndjerë veten keq në shoqatë?
Përgjegjësia ime në shoqatë ka qenë e madhe, por unë jam munduar, me ndihmën e Kryesisë t’i realizoj detyrat. Në Labëri ka gra me emër, vitale, intelektuale me zë, të cilat kudo ku janë e kanë thënë fjalën e tyre me punë. Ndaj unë jam ndjerë e privilegjuar që më kanë besuar këtë detyrë, pasi është një detyrë e vështirë. Kjo detyrë nuk është privilegj, por përgjegjësi, detyrë me shumë kërkesa, pasi përfaqëson gruan labe me të gjitha cilësitë dhe virtytet e saj, me të gjitha karakteristikat e veçanta. Unë jam munduar ta bëj këtë detyrë me përkushtim maksimal. Besoj se jam munduar ta justifikoj sa më mirë këtë besim, duke shkuar në shumë aktivitete, duke marrë pjesë në shumë forume, duke thënë fjalën time për gruan labe. E them me bindje se kam punuar me ndershmëri, përgjegjësi, përkushtim, me vizion për të qene plotësisht koherente me detyrën dhe pozicionin e nderuar që më kanë dhënë ën Labëri. Por mbi të gjitha, unë kam gjetur mbështetje dhe mirëkuptim edhe tek familja ime, edhe tek fëmijët nipërit dhe mbesat, mbasi aktivitete duan kohë, duan ditë larg shtëpisë, larg punëve familjare, i kam hyrë në borxh familjes, që më ka përkrahur dhe më ka mbështetur. Por edhe ata janë pjesë e Labërisë dhe marrin pjesë në të gjitha aktivitetet. Nuk e mohoj se burrat labë janë të vështirë, por jam munduar të harmonizoj të gjithë familjen duke parë anët pozitive të çdo pjesëtari të familjes. Në përgjithësi nuk e kam ndjerë veten keq, pasi edhe kur ka pasur momente që diçka çalonte, ne me gjakftohtësi, me seriozitet i kemi sheshuar problemet dhe kemi parë vetëm përpara. Pra nuk dua të them se nuk kemi pasur probleme, por ato kanë qenë të vogla, pa rëndësi që nuk kanë ndikuar në ecurinë e punës sonë. Këtë e tregon puna jonë, rezultatet tona dhe serioziteti ynë. Personalisht e kam ndjerë veten të respektuar në Shoqatë, e kam ndjerë veten të vlerësuar duke më dhënë vendin që më takon. Më është dëgjuar fjala dhe kam pasur hapësirat e nevojshme për një punë korrekte dhe vizionare.

Ka probleme aktualisht gruaja labe dhe cilat janë ato?
Në radhë të parë është vetë burri lab, që ka vështirësitë e tij dhe pse e mban gruan si zonjë. Uni lab qëndron. Por problemi kryesor është që dhe vetë gruaja, t’i kërkojë të drejtat e saj, çka i takon. Ndërsa në zonat rurale problem ngelet ekonomia, ku gratë nuk janë të mundura të plotësojnë kërkesat e tyre ekonomike, por janë të varura nga burrat.

Kë do të veçosh nga aktivistët e shoqatës?
Dua të përmend në radhë të parë, të ndjerin Enver Guga, një personalitet i padiskutueshëm. Një njeri masovik, intelektual i prerë zemërgjerë dhe mjaft intuitiv. Ai i është gjendur shoqatës në momente të vështira. Ikja e tij në përjetshmëri e dëmtoi shumë shoqatën. Përpos tij, nuk mund të le pa përmendur z. Kastriot Zotaj një intelektual dhe zë i fortë në Shoqatë. Për më tej do të vazhdoj me z. Gafurr Dudaj, zemërgjerë, i heshtur, punëshumë, aktiv, i palodhur, Këta kanë qenë zemra e Shoqatës në shumë aktivitete. Por nuk mund të le pa përmendur edhe Fatmir Toçin, i cili ka dhënë një mbështetje të madhe për gazetën dhe organizimin e aktiviteteve. Ndërsa në krye të punës ka qenë Kryetari Ago Nezha, i cili me përkushtim ka bërë një punë të madhe dhe e ka rritur rolin e Shoqatës në sy të të gjithë opinionit të shëndoshë shqiptar. Tashmë dua të flas edhe për Agim Çirakun, që ka një rol të ri në gazetën “Labëria”, por një ndihmë të madhe ka dhënë edhe në gazetën “Telegraf” për trevën tonë.
Ju folët për familjen, nga sa anëtarë përbëhet familja juaj dhe si janë lidhur ata me Labërinë?
Familja ime përbëhet nga im shoq Agim Nanaj, i cili është nga Tërbaçi, dy djemtë e mi Besnik dhe Kujtim Nanaj, nipi Agli Nanaj (djali i Besnikut) në Amerikë, mbesa Dea dhe nipi tjetër Arbëri. (dy fëmijët e Kujtimit) Ne si familje i ruajmë traditat. Djali, Kujtimi ka ardhur 5 vjeç në Tiranë dhe në Tiranë i flasim labi, pra jo në emër. Mbesa, Dea, në kopsht kishte mësuar një vjershë dhe kur kthehet më thotë, unë vjershën do ta them në tre variante, si vjershë për recitim, do ta them si këngë dasme dhe në fund dhe labçe. Për çudi nipi 15-vjeçar që kam në Amerikë Agli, sa herë vjen që andej dëshiron të shkojë vetëm në Tërbaç. Kënaqësia më e madhe kur vendos një buqetë me lule në bustin e Miro Tërbaçit. Dëgjon me vëmendje të gjitha kasetat me këngë labe, ku ndodhen dhe këngët për Miro Tërbaçin dhe Salo Kushenën. Pra, ndonëse larg, ai rritet me këto ndjenja për Labërinë dhe fshatin e prejardhjes. Mësuesja në Amerikë i ka thënë një ditë më bëj një përshkrim për pushimet në Shqipëri. Nipi, përveçse ka shkruar për gjyshërit Qazim Nanaj dhe Xhebro Gjika, ai ka folur dhe për Miro Tërbaçin dhe Salo Koshenën. Është një nxënës i shkëlqyer, ndër 50 studentët më të dalluar. Kur shkova në shkollën e tij, në USA dhe u prezantova si shqiptare, disa nuk e dinin se ku binte, por u gëzuan për interesimin tim për nipin dhe treguan kureshtje për Shqipërinë. 
Sigal