Zyfer Caco/ Turpi i shteti shqiptar me Bonot e Privatizimit

1299
E themi që në fillim se mungesa e vullnetit politik të qeverisjeve të derimësotme në interes të publikut dhe sidomos të shtresave në nevojë, ka bërë që populli shqiptar të ketë në dorë akoma Letrat me Vlerë në formën e Bonove e Lekëve të Privatizimit. Kjo është mungesë totale dhe e neveritshme e vullnetit të kryeministrave të deritanishëm për të luftuar varfërinë dhe pronësimin e shqiptarëve. Pushteti i demokraturës një vit pasi erdhi në fuqi në vitin 1992, si i “keqardhur” ndaj shtresës të ish të përndjekurve politikë me ligje dhe akte nenligjore ju akordoi dhe u shperndau atyre libreza me llogari bankare per nje pjese te shperblimit te tyre. Gjithashtu si rrjedhojë e reminishencave të sistemit të kaluar dhe për ta paraqitur veten si populist, por dhe bazuar në eksperiencën e vëndeve të tjera të lindjes, ish Presidenti Sali Berisha me Dekretin Nr.1030, datë 23.2.1995 u shpërndau 800 mijë shqiptarëve Bonot e Privatizimit me anën e të cilave do të pronësonte punonjësit që nuk përfitonin tokë nga ligji 7501, kjo si shpërblim per djersën e derdur në krijimin e pronës që la sistemi i kaluar. Fakeqësisht si Bonot e Privatizimit që kanë mbetur në duart e popullsisë edhe Lekët e Privatizimit kanë mbetur si llogari në ish bankën e kursimeve, sot Raiffeisen Bank pa asnjë vlerë. Aq e papërgjegjshme dhe antipublik ka qënë qeverisja Berisha-Bode sa edhe një fond investimi si Angliadriatica e cila grumbulloi Bonot e 47 mijë familjeve për ti bërë pronarë aksionesh, por në vënd që të ndodhte kjo, me cinizmin më të madh ndaj qytetarëve ja u rishpërndau ato duke deformuar tregun, i shndrroi ato krejt pa vlerë dhe që me spekullim kanë përfituar pushtetarët e kohës duke bërë privatizime abuzive.
Sigal

Po pse ka ndodhur kjo?!

Pushteti i “demokraturës” 25 vjeçare nuk do që të pasurojë e pronësojë shtresat në nevojë, por sytë i ka kthyer vetëm ndaj shlyerjes së borxhit të sipërmarrjes. Ju zoti Kryeministër po përsëritni në çdo shfaqje publike se kur hapët derën e shtëpisë të pushtetit që morët, gjetët borxhllinjtë që kërkonin paratë që nuk ja u kishte dhënë Saliu. Kjo është më se e vërtetë dhe se në Shqipëri e jo vetëm, e ka marrë vesh i madh e i vogël se qeverisja rrumpallë e Saliut la pas “tokën e djegur”. Problemi qëndron se ju z. kryeminsitër duhet t’u preokupojë dhe duhet të prononcoheni se çfarë duhet të bëni edhe me këtë borxh që shteti (sigurisht jo për fajin tuaj), u ka lënë Juve për ta shlyer. Atëhere qytetarët shqiptarë kërkojnë nga ju që t’u jepni përgjigje problemeve të mëposhtme:
– A ju ka preokupuar shlyerja e këtij borxhi ndaj qytetarëve ashtu si edhe ndaj sipërmarrjes për të cilin kërkohen mjete financiare, që dihen arsyet pse ato mungojnë. Ndërsa borxhi që shteti ka ndaj qytetarëve kërkon vetëm pronë e cila shtetit nuk i mungon.
– Praktika që ndiqet nga Ju dhe paraerdhësit tuaj bën trajtim tejet të diferencuar ndaj qytetarëve. Kështu me të drejtë u jepet e drejta legalizusve të ndërtimeve informale që ato ti përdorin me vlerën nominale të tyre në blerjen e truallit të grabitur, ndërsa qytetarëve që kanë qënë dhe janë korekt me ligjin, që kanë besuar e besojnë në shtet e në ligj, i detyroni ata ose ti mbajnë ato në xhep si Letra pa Vlerë, ose ti shesin në tregun e zi me një vlerë qesharake që nuk e kalon 10 % vlerën nominale të tyre.
– Këto lloj Letra me Vlerë si Bonot dhe Lekët e kanë cilësimin e tyre “Privatizimi”. Atëhere me të drejtë Ju pyesim pse nuk i çoni në këtë destinacion? Pse nuk i shndrroni në aksione me vlerën e tyre nominale në gjithë pasurinë publike sipas vlerës së aksionit që ka në sejcilën shoqëri tregëtare me kapital publik të plotë ose të pjesshëm.
-A do ishte e drejtë dhe normale që qeveria të pranonte shlyerjen e borxhit me borxh, zoti Kryeministër? Atëhere pse falni borxhe e kamata ndaj qytetarëve debitorë dhe nuk i ktheni ato në mjet pagese për shyerjen e tyre? A nuk rëndohen qytetarët e ndershëm edhe me këtë veprim të diferencuar të tyre?
– Para 20 vjetësh duhej që këto Letrave me vlerë të ishin future në privatizim dhe në se do kishte ndodhur kjo atëhere një pensionist që përfitoi 100 mijë Bono apo Lek Privatizimi do të kishte marrë një pronë të barasvlefshme me 4-5 apartamente. Pushtetarët para juve, zoti Kryeministër, nuk deshën që të pronësonin punonjësit dhe ish të përndjekurit politikë.
Po tani, zoti Kryeministër, a ka erdhur koha dhe a do të ishte e drejtë që këto Letra me Vlerë të konvertoheshin në Bono Thesari ose Obligacione me një afat e interes të arësyeshëm?
Fakti që shteti e ka shitur me çmimin e tregut pronën që u takonte qytetarëve, ata jo vetëm që e meritojnë këtë, por me ndryshimet që ka pësuar vlera e lekut dhe e pronës, qeverisja është shumë e vonuar duke u shkaktuar një dëm të madh qytetarëve.
– Zoti Kryeministër, qeveria juaj vjen nga e majta e politikës shqiptare, si e tillë ajo duhet të përfaqësojë interesat e shtresave të gjëra e sidomos të atyre në nevojë të cilat posedojnë edhe këto Letra me Vlerë. Zgjidhja akute e këtij problemi do të tregonte me të vërtetë majtizmin e politikës Tuaj dhe në këtë mënyrë nuk do të zhgënjeni “një milion shuplakat” që u sollën në pushtet.
– Dhe së fundi zoti Kryeministër, a e ndjeni si TURP të shtetit shqiptar, (jo tuajin), faktin se qytetari shqiptar është i vetmi në Evropën Lindore që i ka në dorë akoma këto Letra me Vlerë?

Apel për institucionet e tjera :

JO VETËM PËR KRYEMINISTRIN
Shpresojmë se këtë letër qeveria e vecanërisht zoti Kryeministër, të mos e kuptojne si letër që shpreh interesat e një individi, por të kuptohet si shprehje e interesave të gjithë qytetarëve që kanë përfituar këto Letra me Vlerë, të qytetarëve që me kursimet e tyre mund ti kenë blerë për të fituar nëpërmjet privatizimit, të ish të përndjekurve politikë që u kanë mbetur si llogari bankare, etj. Qeveria e kryeministri, por dhe ministrat si ai Zhvillimit Ekonomik e Turrizmit, Ministri i Energjitikës, Zoti Erjon Veliaj si Ministër i cështieve sociale e që sot po na kërkon votat për kryetar bashkie dhe sidomos zoti Shkëlqim Cani si Ministër i Financës duhet të marrin nismat që sa më parë duhet t’u japin mundësi gjithë qytetarëve që ti shndrrojnë në aksione e në mjet pagese për qytetarët debitorë. Zoti Ministër i Financave, Ju duhet ta kuptoni se prona që shteti ka shitur për 25 vjet me radhë dhe me cmimet e tregut është përqëndruar në duart e bizneseve të mëdha e të vogla, vendas e të huaj. Por gjithashtu duhet kuptuar se shtresat në nevojë që posedojnë këto Letra me Vlerë, janë përjashtuar si nga pronësimi bashkë me dividentin e munguar të saj, por nga ana tjetër ndryshimi i vlerës së pronës dhe i lekut së bashku me këto Letra me Vlerë, ka krijuar një disfavorizim tepër të madh ndaj qytetarëve dhe bizneseve që kanë fituar nga pronësimi së bashku me buxhetin e shtetit që ka patur të hyrat nga shitja e pronës publike. Nisur nga kjo gjendje, zoti Ministër i Financave, Ju duhet ta vlerësoni kete situatë negative e krijuar nga shteti në dëm të posedusve të Bonove e Lekëve të Privatizimit dhe më e pakta që duhet të bëni është shndrrimi i tyre në Bono Thesari ose Obligacione shtetërore me afat e interes të arësyshëm. Qytetari i shtetit tënd, zoti Ministër i Financave, jo vetëm e meriton, por ju jeni 20 vjet të vonuar. Ditët e fundit jemi njohur me situatën e paraqitur nga gazeta e nderuar “TELEGRAF”, drejtori saj dhe zoti Fadil Kepi për situatën e pagave dhe pensionet e deputetëve, shtetarëve dhe politikanëve të shtetit tonë. Me të drejtë ne pensionistët, punonjësit e thjeshtë dhe sidomos të papunët e shtresat në nevojë kemi të drejtë të irritohemi me këtë djathtizem të theksuar e cinik të zbatuar nga një qeveri që e heq veten si e majtë e që duhet të përfaqësojë me përgjegjësi këto shtresa, por që në fakt bën të kundërtën, duke harruar se karriken e kanë fituar kryesisht nga vota e këtyre shtresave, me shpresën se ata do përfaqësonin interest e tyre dhe se do të ndryshonin qëndrimin e qeverisjeve rrumpallë.
Ju drejtohemi ju zoti President, Kryeministër e zotërinj pushtetarë e politikanë, pavarësisht se kujt krahu të politikës i përkisni, a ju duket irrituse fakti se qytetarë të ndryshëm, të përfaqësuar ose jo nga Shoqata e Letrave me Vlerë, kanë ngritur zërin në të gjithë instancat shtetërore që nga Presidenti deri te Avokati i Popullit dhe ndaj këtij zëri Ju kini qënë krejt indiferent dhe kini injoruar zërin tonë. Ju zotërinj kini manipuluar edhe median audovizive e të shkruar e cila për këtë problem, ashtu si dhe Ju, kujtohen të shkruajnë e komentojnë vetëm kur vjen koha e shtyrjes së afatit të përdorimit të tyre.
Sipas asaj që është shkruar në vetë Bonot e Privatizimit të emetuara shkruhet se afati i përdorimit të tyre përfundon më fund të vitit 1999. Po atëhere pse shtyhet e shtyhet pa fund afati i tyre dhe a do jetë kjo e fundit për shtyrjen e këtij afati?! Sigurisht përgjigja është së qeverive të deritranishme u ka munguar vullneti politik në interes të qytetarëve. Nuk duan që nuk duan të pasurojnë edhe qytetarin, por vetëm veten e tyre! Po Avokati aktual i Popullit pse nuk ka denjuar të merret fare me këtë problem?! Sepse Evropa “demokratike” e ka orientuar të merret vetëm me shtresa minore si homoseksualët dhe Romët, për te cilën ne nuk jemi kundër kësaj veprimtarie të tij, por posedusit e Letrave me Vlerë janë shtresa masive ku përfaqësohen edhe ato minore e që duhej të ishte preokupuar me këmëngulje në mbrojtje të tyre. Por edhe kur shoqata e ka kërkuar ndërhyrjen e këtij institucioni, zoti Totozani na është përgjigjur me aktivitetin e paraardhësit të tij, i cili në një përgjigje dërguar më dt. 09.02.2008 paraqet faktin se ndërmarrja e tij kishte hasur në murin shtetëror kundërshtus para të cilit ai ishte dorëzuar.
Jemi të interesuar të dëgjoojmë se mos në Parlament del ndonjë deputet që të flasi për këtë interes të qytetarëve, por jo, atje dëgjojmë vetëm sharje e banalitete të përsëritura si një luftë midis klaneve të intëresit të tyre për të na bindur ne qytetarëve se po të votojmë për këtë apo atë, do të na rrijë më mirë “samari” mbi të cilën ata do të na hipin!
Le të shpresojmë se më në fund nga qeveria do të kuptohet shqetësimi i paraqitur dhe se kjo kërkon zgjidhje akute nuk do të mungojë.