Vlora dhe Lezha, të zhytura në papunësi. Ja sektorët ku punësohen shqiptarët

558
Sigal

Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 42,9 % dhe 37,4 % të të punësuarve gjithsej, bazuar në vlerësimet e Anketës së Forcave të Punës. Sipas INSTAT, në vitin 2018, rezulton se 44,5 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 34,0 % janë të vetë-punësuar dhe 21,6 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Një analizë mbi baza rajonale, tregon që në vitin 2018, qarqet me shkallë punësimi më të lartë janë: Elbasani (61,5 %) dhe Korça (59,5 %). Qarqet me shkallë papunësie më të lartë janë Qarku i Vlorës me 21,9 % dhe ai i Lezhës me 19,2 %. Në vitin 2018, në qarkun e Tiranës, punësimi në bujqësi zë një përqindje shumë të vogël të punësimit gjithsej (7 %). Pjesa më e madhe e të punësuarve janë të angazhuar në sektorin e shërbimeve (66 %) dhe një peshë të konsiderueshme zë edhe industria (27 %). Elbasani mban vendin e parë sa i përket numrit të të punësuarve në sektorin bujqësor (67 %), ndërsa mbetet në vend të fundit në rang republike për të punësuarit në sektorë të tjerë si industria dhe bujqësia. Sa i përket punësimit në bujqësi, Elbasani ndiqet nga Kukësi (64%) dhe Berati (61%) Për sa i përket të punësuarve në sektorin e industrisë, zhvillimin më të madh e ka Durrësi, ku 34% e të punësuarve janë në këtë sektor, i ndjekur nga Tirana, me 27 % dhe Vlora me 23%.