Vlera e pagës minimale në Shqipëri, më ulëta në Evropë

592
Sigal

Eurostat: Shkaku i zhvlerësimit të rrogave lidhet me çmimet e larta të produkteve, në raport me të ardhurat

Vendi ynë jo vetëm ka pagën minimale më të ulët në Evropë, por vlera e saj është edhe më e vogël po t’i referohemi fuqisë blerëse dhe çmimeve të produkteve. Duke krahasuar pagën minimale në Shqipëri që është rreth 211 euro dhe atë në Maqedoninë e Veriut që është 240 euro, rezulton se në vlerë absolute, paga minimale në Shqipëri është sa 89% e asaj në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë sipas analizës së Institutit Evropian të Statistikave, një individ me një pagë minimale në Shqipëri, mund të blejë vetëm sa 75% e volumeve të mallrave dhe shërbimeve që blihen në shtetin maqedonas. Shqipëria ka jo vetëm pagën më të ulët në rajon dhe BE në vlerë absolute, por sidomos diferenca është shumë e lartë sipas Standardeve të Fuqisë Blerëse, një njësi e Bashkimit Evropian, që bën të mundur krahasimin midis shteteve, duke eliminuar diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve dhe duke matur sa njësi mallrash e shërbimesh mund të blesh për të njëjtën vlerë parash. Kështu rezulton se ata që paguhen me pagë minimale në vendin tonë, blejnë më pak volume të mallrave dhe shërbimeve edhe se më pak të paguarit e rajonit. Kjo nënkupton, se paraja ka shumë më pak vlerë në Shqipëri, për shkak të çmimeve të larta të produkteve në raport me të ardhurat. Eurostat ka përllogaritur nivelin e pagave minimum në disa vende të botës duke u bazuar në Standardin e Fuqisë Blerëse PPS. Në 2019-n një shqiptar me pagë minimale, merr në fund të muajit 389 PPS. Ndërkohë, gjithnjë sipas matjeve të Eurostat, paga minimale në Turqi është 1,177 PPS në muaj. Kjo do të thotë se me pagën minimale në Turqi mund të blesh tre herë më shumë volume mallrash dhe shërbimesh. Paga minimale në Turqi është 422 euro, pra dyfish sa ajo e Shqipërisë në vlerë absolute, por që realisht vlen tre herë më shumë. Eurostat i ka grupuar në 3 grupe të mëdha vendet anëtare të Bashkimit Evropian sipas nivelit të pagës minimale.

Në grupin e parë, janë përfshirë vendet me pagë minimale të ulët. Bullgaria ka pagën më të ulët ndër vendet anëtare të BE, me 577 PPS në muaj. Më pas renditet Letonia me 591 PPS, Estonia me 691 PPS, Çekia me 743, Sllovakia dhe Kroacia me 745 PPS dhe Hungaria me 765 PPS në muaj.

Në grupin e dytë, paga minimale varion nga 800-933 PPS në muaj. Në këtë grup përfshihen vendet si Greqia, Portugalia, Rumania, Malta, Spanja dhe Polonia.

Në vendet me pagat më të lartë, ku sipas Eurostat varion nga 1059-1646, bëjnë pjesë vendet me industri të zhvilluar. Luksemburgu ka pagën më të lartë me 1646 PPS në muaj.

Somario

Shqipëria ka jo vetëm pagën më të ulët në rajon dhe BE në vlerë absolute, por sidomos diferenca është shumë e lartë sipas Standardeve të Fuqisë Blerëse që bën të mundur krahasimin midis shteteve, duke eliminuar diferencat e niveleve të çmimit midis shteteve dhe duke matur sa njësi mallrash e shërbimesh mund të blesh për të njëjtën vlerë parash