Vladimir Mici / Rritja e interesit të kredisë, ulja e interesit të BSH dhe problemet pas daljes së Britanisë nga BE

145
Përse Banka e Shqipërisë ul normat e interesit?
Qëllimi i politikës monetare të bankës qendrore është: 
1. Një nivel i lartë dhe stabël punësimi
2. Një nivel stabël i çmimeve
3. Një vlerë e qëndrueshme e rritjes ekonomike
4. Stabilitet i kursit të këmbimit
Në politikën e saj monetare Banka e Shqipërisë përdor 4 instrumente për të luajtur rolin e saj në ekonomi;
a-Duke ndryshuar huamarrjen e saj
b-Duke ndryshuar normat e interesit
c- Duke ndryshuar ofertën monetare
d-Duke ndryshuar rezervën e detyrueshme të bankave
Pra jemi në rastin “b” të politikës monetare. Në këtë rast Banka e Shqipërisë kërkon:
1-Të ulë koston e kapitalit të investimeve publike apo private. Si duhet kuptuar kjo. Nëse ne duhet të investojmë ka tre mënyra investimi. Ose me kapital të pastër aksioner ose me kapital të pastër hua ose me kapital të përzier të vetë dhe hua. Në kushtet e ruajtjes së vlerës së firmave duke ulur koston e kapitalit, kjo bën që projekte me kthim më të ulët të garantojnë kthim të investimit dhe të shtojnë numrin e projekteve që futen ne axhendën e investimeve dhe për pasojë jep ndikim në rritjen ekonomike, për shkak të angazhimit më të madh burimeve kapitale dhe njerëzore duke shtuar prodhimin e përgjithshëm bruto. Pra rritet kërkesa për kapital hua, sepse kapitali aksioner ka kosto më të lartë. Pra ka dy efekte pozitive rrit prodhimin e përgjithshëm bruto dhe ul normën e papunësisë. 

2-Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë të nxitë konsumin, si tregues që rrit produktin e përgjithshëm bruto. Rënia në normat e interesit do të çoj edhe në uljen e normës së rritjes së depozitave, për shkak të rritjes së stokut të parasë në treg pasi normat e ulëta të depozitave krijojnë kushtet për tregje investimi në aksione dhe konsum. Për pasojë njerëzit do të heqin dorë nga blerja e bonove dhe obligacioneve të thesarit. Kjo do të bëjë që kërkesa buxhetore për hua të filloi të bjerë duke rritur në këtë mënyrë vështirësitë e qeverisë për të administruar borxhin publik. E vetmja mënyrë në këtë rast është që ajo të huajë nga bankat dhe publiku me norma më të larta interesi, për të plotësuar nevojat e saj. Pra bankat kanë konstatuar dhe menduar një rritje të kërkesës së bankës së Shqipërisë për të marrë hua për llogari të qeverisë në tregun e hapur dhe për pasojë kanë rritur çmimin e tyre. 

3-Një faktor që çon në këtë drejtim është edhe fakti që borxhi i jashtëm i Shqipërisë është rritur shumë dhe është duke tejkaluar kufijtë e vendosur tavan prej 50% në 72. 39% duke rritur kështu edhe shërbimin e borxhit në 41% nga 35% që parashihet nga FMN për nivelin tavan. ( shërbimi i borxhit të brendshëm është 59%). Po ndërsa me borxhin e brendshëm mund të bëhen politika të tjera me borxhin e jashtëm papritur mund të ndodhesh në situata ku nuk mund ti shërbehet, duke sjellë situata vështirësie ku vihet në rrezik shlyerja e tyre dhe mund të çojë qeverinë të rrisë printimin e parave të reja shtesë. Kjo duhet kuptuar si një inflacion shtesë. Sasia e parave të printuara është e barabartë me koston e inflacionit. Pra ky borxh është shumë më riskoz se borxhi i brendshëm. 

4-Rritja e ofertës monetare që shkaktohet nga ulja e çmimit të parasë do të ndikojë edhe në kurset e këmbimit të lekut me monedhat e tjera. Kjo lëvizje duhet të shoqërohet edhe me një zhvlerësim të pritshëm të monedhës kombëtare. Pavarësisht se duket një rivlerësim i lekut, transmetimi i politikave monetare nuk ndodh menjëherë për shkak të kontratave që kanë depozitat, afatit të tyre të maturimit. Në një afat më të gjatë ky fenomen do të ndodhë. Sigurisht jemi në fazën e supozimeve sepse mund të kemi edhe shtim të ofertave të monedhave të tjera siç është rasti tani për shkak të dyndjes së turistëve, ku ky efekt nuk ndihet. Pas periudhës së turizmit efektet do te ndihen edhe në kursin e këmbimit nëse oferta monetare nuk është përputhur apo thithur. 
Pse bankat e nivelit të dytë rrisin normën e kredive?
Normalisht rritja e interesit të kredive nuk duhet marrë thjesht si një politikë e veçuar e bankave të nivelit të dytë. Ato janë një ent tregtar që blejnë dhe shesin para. Pra përpiqen të blejnë në një treg konkurencial, nëpërmjet normave të depozitave dhe kostove të shërbimit të llogarive rrjedhëse të parave të lira të publikut dhe firmave dhe të japin kredi sipas një politike që synohet efiçensa më e madhe e tyre. Ka shumë faktorë që ndikojnë tek bankat. Faktori i parë është gjendja e ekonomisë. Nëse ekonomia po shkon drejt recesionit atëherë bankat priren drejt shtrëngimit të kredive duke aplikuar politika shtrënguese për kreditë dhe zhvlerësim te depozitave pra aplikim i normave të ulëta të tyre. Korrigjimi i rritjes ekonomike apo niveli i ulët i realizimit të investimeve në fakt deri tani nuk japin shpresë për një rritje të shpejtë ekonomike. Së dyti ka të bëjë me normën e detyrueshme të rezervës monetare. Përgjithësisht rezerva monetare në bankën qendrore funksion pa interes apo me interesa të ulëta dhe çdo ulje e normave bazë të interesit ( repove javore apo ditore) do të pasqyrohet edhe në ndryshimin e normave për këto depozita dhe indirekt edhe në kreditë e tyre. Së treti. Ulja e kredive të këqija nuk ishte rezultat i punëve të bankave, por thjesht i qeverisë, që pranoi fshirjen e kredive të këqija, duke i kaluar në kosto(pra ulur fitimin dhe i vetmi shpëtim ishte kursimi i tatim fitimit) pra në 100 leke kredi të keqe banka kurse 15 lekë por realisht ajo pagoi 85 leke kosto. Kjo kosto do të reflektohet edhe në politikat e veprimtarive bankare. Një bankë e realizon duke rritur koston e shërbimeve, një tjetër duke rritur normat e interesit të parave që jepen për kredi. Së katërti vetë bankat në pozicionin e tyre janë të mbytura në kredi të këqija dhe me kolaterale të paekzekutueshme, që venë në dyshim ekzistencën e vet bankave. 

E gjithë kjo shprehet në rregullimi e riskut duke rritur shkallën e riskut për pasojë edhe nivelin më të lartë të kredisë. Së pesti, banka është një lojtar në një treg ku ajo vrojton, klasifikon, analizon dhe përgjithëson situatën makroekonomike dhe situatën monetare në vend. Njëkohësisht kësaj ajo vëren edhe situatën politike, ose qenien e saj pranë zgjedhjeve apo dilemave të forta politike që mund të kenë impakt mbi ekonominë e brishtë shqiptare. Situata e turbullt me reformën në drejtësi apo afrimi i zgjedhjeve parlamentare, apo vjedhjet spektakolare, janë fakte që nuk mund të vleftësohet nga banka. Shtoj kësaj edhe politikën e ndërkombëtare e kapur nga dalja e Britanisë nga BE-ja, apo hedhja apo shtimi i ofertës monetare nga BE-ja pa dyshim që krijojnë një klimë ku bankat kërkojnë të realizojnë synimin e tyre për ta pasur likuiditet dhe fitim. Niveli i lartë i kredive të këqija dhe niveli i lartë i koletarelave nuk lë hapësira për përmbushjen e orekseve të bankave. Kështu që bankat kërkojnë të shtojnë koston e kredive duke shtuar këtë zë në kreditë e tyre. Për shkak edhe të një risku më të lartë kuptohet që çmimi i riskut do të pasqyrohet në çmimin e kredisë. Së gjashti. Menaxhimi i bankave nuk është perfekt, përkundrazi mbi drejtimin e bankave ka plot akuza dhe hije të zeza të administrimit të tyre, veçanërisht në drejtim edhe të pastrimit të parave. Kështu që një mënyrë e menaxhimit të tyre kjo mund të kthehet në një forme bumerangu ku kostot duhet ti paguajë banka. Kjo shton oreksin për të rritur koston dhe çmimin e kredisë. Faktor tjetër në çmimin e kredisë mund të jetë edhe faktori deflacionist. Arsyeja lidhet me kreditë e dhëna nga ana e bankave. Po e shpjegoj me një shembull. Vlera reale e interesit = normën nominale të interesit – Inflacionin. Duke qenë deflacion shenja e tij është negative pra norma reale e interesit= normën nominale + deflacionin. Kështu nqs vlera nominale është 5% dhe deflacioni =5% atëherë norma reale e interesit është 5+5=10%. Kështu që nqs banka ka dhënë kredi me 8% atëherë humbja e bankave ka kushtuar 2% plus shpenzimet administrative të bankave. Njerëzit apo firmat që kanë marrë hua kanë fituar para duke marrë hua. Kështu shpjegohet ky rast. Në këtë rast kredia e bankës merr parasysh normën reale të inflacionit+ riskun + deflacionin. Kjo bën që hendeku midis depozitave dhe kredive të jetë më i madh. 
Biznesit i falen borxhet, anët pozitive dhe negative?

Nëse do të flisnim për borxhet ndaj organeve tatimore, kjo nënkupton që biznesit privat po i jepet financim. Pra ato dalin nga një ngërç ligjor për të vijuar biznesin e tyre, biznes që ishte i paralizuar. Shumë firma deklarojnë tatime por nuk mund të paguajnë rregullisht nëpërmjet kanaleve bankare aktivitetin e tyre, sepse çdo leke i ndershëm përkthehet në pagim gjobash, interesash, kamatëvonesash. Ndërkohë që proceset ligjore vijojnë me vite të tëra. Pra energji lodhje nga sistem tatimor i paaftë, jo i thjeshtë, varrmihës dhe në analizë të fundit represiv. Ende tatimet e mbajnë barrën e mbledhjes së tatimeve tek muskujt e forcës dhe jo bashkëpunimit dhe ndihmës e mbështetjen ndaj biznesit. ( Këtu nuk është fjala për ato biznese që kryejnë evazion fiskal, që nuk paguajnë kur llogaritë i kanë plot dhe që vërtetohen). Shumë nga këto biznese janë të mbytura në tatime të mbartura, gjoba te deklaruara apo padeklaruara të cilat biznesi i merr vesh, kur ai kontrollohet dhe i kalon sistemi, me norma të paprincipta ndëshkimi tatimor, me kamatë vonesa dhe interesa inspektorësh dhe interesa sistemi. Po flasim për një sistem tatimor represiv, ku nuk artikulohet asnjë lehtësim, asnjë përqasje bashkëpunimi me biznesin, asnjë lloj kompensimi dhe mbi të gjitha një marrëdhënie e ngurtë. Normalisht fillimi i një biznesi është një tmerr pa fund në mes apo fund të aktivitetit, sepse fundi i biznesit nuk merr fund kurrë, sepse do të jesh debitor pa fund, para dhe gjoba pa fund. Vetëm për një lloj tatimi duhet të paguhesh gjashtë penalitete.

 Gjobë nga inspektori, gjobë nga sistemi, interes për tu paguar nga inspektori, interesa për tu paguar nga sistemi elektronik edhe pse mund të jetë gabim dhe mosdeklarim në afat. Po ti mbledhësh këto shuma rezulton që detyrimi është një hiç para malit me gjoba, interes dhe kamatëvonesa. Nëse do ta përktheja me gjuhën ekonomike dhe politikat ekonomike edhe qeveria jep borxh apo merr borxh dhe ka një normë interesi. Edhe qeveria paguan interes, por ky interes nuk mund të jetë më shumë se sa Interesi që paguan qeveria + ta zëmë 3%. Kjo nuk ka sens për biznesin, ka sens për qeverinë. Qeveria duhet të synojë të jetë thjesht një huadhënës jo kompetitiv në raport me huadhënësit e tjerë por jo gjobaxhi. Ciklitetet me biznesin dhe qeverinë janë krijuar dhe qeveritë tona janë kampionë të mos likuidimit të detyrimeve ndaj firmave dhe ligjit. Ato nuk paguajnë për dëmet e tyre vullnetarisht. As gjoba, as kamata vonesash te deklaruara apo të padeklaruara dhe as interesa te deklaruara apo padeklaruara. Duhet të bëhen vendime gjykate, shpenzime pas shpenzimesh. i konceptuar një sistem tatimor represiv jo bashkëpunues normalisht do të vij një ditë që borxhet të quhen të pambledhshme firmat të shkojë drejt falimentinti për shkak të kostove të huamarrjeve të mëdha për të shlyer detyrimet e gjobave, kamatëvonesave dhe interesave te deklaruara po padeklaruara. Njëkohësisht edhe për shkak të energjive të panevojshme në burime njerëzore dhe para për të gjetur drejtësinë. Sistemi represiv në këtë rast ka sjelle në situatën që falja e borxheve të konsiderohet një akt pozitiv me efekte politike. Po ndërkohë bizneset kanë shkuar në faliment sepse bankat u kanë konfiskuar kapitalin sepse shumica e bizneseve kanë marrë borxh për të paguar detyrimet shtetërore. Natyrisht kjo ka efekte në borxhin e qeverisë në letra sepse qeveria nuk mund të bëjë si bankat, të cilat i provizionojnë borxhet. Borxhet ngelen llogari e hapur. Duke u mbështetur në teorinë e makroekonomike klasike sa më pak tatime për biznesin më mirë është. Por nga pikëpamja kejsianiste tatimi i përdorur për rritjen e investime që kanë efiçiensë më të lartë se investimet private apo investimet shtetërore, që rrisin efiçensën e investimeve private te reja apo vjetra duhet të tregonte se qeveria duhet të punonte për mbledhjen e këtyre tatimeve, pra të minimizonte këtë borxh dhe me impakt të fuqishëm në rritjen ekonomike. E parë tashmë nën syrin e vendimit aktual mendojmë se qeveria nuk ka alternative më të mira se sa lirimi i biznesi privat. Investimet e saj të ulura nuk rrisin vlerën dhe impaktin e investimeve private. Kështu që ajo është për kompensimin automatik duke gjeneruar një rritje të kërkesës për investime dhe rritjen e inçetivëve për punëzënien dhe uljen e papunësisë. 
A po lëviz ekonomia shqiptare në këto muaj. Sa ndikon në bursë dalja e Anglisë nga BE?


Sipas raportit të tremujorit të dytë të Bankës së Shqipërisë, tendenca është aktuale, si ajo e vitit të kaluar ku Shqipëria arriti një rritje prej 2. 6%. E njëjta prirje parashikohet edhe për vitin 2016 dhe ecuria e deritanishme afron si kontributor kryesor investimet dhe konsumin privat në këtë rritje Shpenzimet buxhetore dhe investimet buxhetore do të tkurren duke u fokusuar në konsolidimin fiskal pra uljen e borxhit publik. Ulja e normës së interesit duhet parë edhe në dëshirën e qeverisë për të shtuar investimet private, pasi aktualisht depozitat e privatëve kanë njohur rritje, ndërkohë që depozita e firmave kanë njohur ulje. Motori kryesor i zhvillimit këto muaj ka qenë sektori i shërbimit dhe ndërtimit. 

Dalja e Britanisë nga BE-ja natyrisht që efektin e parë e ka psikologjik. Askush nuk mund të thotë se si do të jetë e nesërmja. Rezultatet janë kontradiktore. Por sidoqoftë në këtë vendim të paprecedentë rrjedhoja ka edhe tregu financiar dhe bursa. Nga ky moment deri në daljen e Britanisë nga BE-ja duhen dy vjet dhe këto dy vjet kanë pasiguri dhe zbutja e pasigurisë lidhet me aftësitë e BE-s dhe Britanisë për ta nisur dhe përfunduar procesin e shkëputjes së Britanisë nga BE-ja. Tej deklaratave politike apo marrëdhënieve në terren të çastit e ardhmja kërkon përgjegjshmëri. Kjo është koha kur arbitrazhistët luajnë dhe kërkojnë të luajnë me superfitimet. Situata pas Brexit nënkupton që qarkullimi i lirë i njerëzve dhe kapitaleve ka përfunduar dhe ardhmja parashikohet sipas rregullave të reja që anëtarët e BE-s do të vendosin. Ai që ka investuar në aksione dhe obligacione në Britani do ti përshtatet rregullave fiskale jo vetëm të Britanisë por edhe vendit të vet. Ai që jeton dhe punon nga vendet e BE-s në Britani duhet të trajtohet si një emigrant dhe për këtë duhet të paguajë fatura shtesë. Kjo është e njëjtë edhe për një që punon në vëne e BE-s. Nëse e marrim Britaninë përballë Europës së Bashkuar është e qartë që raportet eksport import janë në favor të BE-s çka do të sjellë një zhvlerësim të monedhës angleze, ashtu sikurse ndodhi derisa ekuilibrat të rivendosen. 

Në raportet e çdo vendi analiza bëhet më e detajuar në varësi të faktorëve që prekin secilin vend. Kur Britania hyri në BE, papunësia ishte 10% ndërsa sot 5%. Po kështu normat e interesit ishin 12% ndërsa sot 0. 5%. Pra jemi në një situatë krejt tjetër menaxhimi. Pra e parë nëpërmjet shifrave BE-ja e ka fuqizuar dhe mbivlerësuar Britaninë, çka jep pasojat aktuale të zhvlerësimit apo uljen e standardit të jetesës. Situata është ende e paqartë, sepse efektet e saj i ka ndjerë edhe Evropa e bashkuar sepse unioni ka një fuqi më pak dhe kjo sjell edhe zhvlerësimin e monedhës së saj në raport me monedhat e tjera. Në këtë mënyrë lëviz edhe tregu i kapitaleve. Pasiguria rrit ofertën e shitjes dhe për pasojë rënien e aksioneve dhe obligacioneve. Po a ka ndikim në tregun shqiptar. Mendoj se jo dhe kjo për faktin se Shqipëria nuk gëzon marrëdhënie tregtare ndikuese me mbretërinë e bashkuar. Ajo është e pakonsiderueshme. Në fakt, ajo mund të përfitojë nga dobësimi i njëkohshëm i monedhave euro dhe paund, duke forcuar lekun. Kjo do të zgjasë derisa kërkesë-oferta për paund të barazohet dhe kjo do të vijojë me zhvlerësimin e paundit, derisa mallrat dhe shërbimet britanike të bëhen joshëse.