Rikthehen çmimet e kripura të energjisë

333

Në muajin tetor të gjithë bizneset e lidhura në 35 kilovolt që duhet të sigurojnë energjinë në tregun e lirë, por furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, do të paguajnë çdo kilovat/orë me 14.01 lekë. Ky është muaji më i shtrenjtë me të cilën këto biznese do të paguajnë një kilovat pas janarit të këtij viti kur çmimi ishte 18.73 lekë. Gjithsesi dhjetori i 2018-s dhe janari i 2018-s ishin muaj me një mungesë të theksuar të prodhimit për shkak të situatës hidrike, çka detyroi që edhe konsumi në vend të mbulohej masivisht nga importi. Automatikisht çmimet kërcyen edhe për bizneset.

Por teksa në muajt e tjerë të vitit çmimet janë kufizuar mes 12.75 lekë kwh dhe 13.9 kwh tetori është muaji që ka shënuar tendencë drejt rritjes.Kjo situatë lidhet edhe me faktin që përgjatë tetorit edhe vetë OSHEE u detyrua të bënte importe të vazhdueshme për të garantuar konsumin në vend teksa për nëntorin kompania publike anuloi sasinë e rezervuar pasi situata ndryshoi drastikisht nga reshjet e shumta të këtij muaji në të gjithë vendin.Aktualisht Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përmes njësisë së saj që funksionon si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF) po përmbush detyrimin e garantimit të energjisë për ato biznese që nuk kanë gjetur furnizues në treg. Periudha tranzitore që këto biznese mund të furnizohen nga FMF është 2 vjet. Në treg të lirë në fillim të vitit 2018 dolën rreth 90 biznese të cilët u përballën me vështirësi në gjetjen e furnizuesve dhe lidhjen e kontratave.

Deri më tani vetëm 33 biznese kanë arritur të sigurojnë të vetëm energjinë teksa pjesa tjetër vijon të furnizohet nga FMF me çmime tregu. Liberalizmi pritet të kalojë në një fazë të re dhe të nxjerrë tashmë në treg të lirë grupin e bizneseve të lidhur në 20 kilovolt që llogariten rreth 1100 dhe që është pjesa kryesore e konsumit të energjisë në vend. Nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kjo konsiderohet si një proces më i thjeshtë pasi subjektet janë të grupuara më afër gjeografikisht dhe mund të lidhin kontrata të përbashkëta me furnizuesit.