Qeveria miraton dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë

152
Qeveria vendosi dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist, sipas kategorive të ndryshme. Me vendimin e djeshëm miratohet dëmshpërblimi financiar për ish-të dënuarit politikë, të cilët kanë kryer dënim me burg, izolim në hetuesi dhe izolim në institucion mjekësor. “Masa e dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të bëhet me këste, sipas kritereve dhe kufijve të përcaktuar në nenin 12, të ligjit nr.9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, të ndryshuar”, theksohet në vendim. Ndërkohë, shuma e llogaritur do të transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues do të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në llogaritë personale të tyre, të hapura në bankat e nivelit të dytë. Pas miratimit të vendimit të qeverisë, do të jenë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, të cilët duhet të mundësojnë zbatimin dhe hartimin e listave emërore. Gjithashtu, Ministria e Financave po vazhdon ndarjen e parave për trashëgimtarët e ish-të përndjekurve, të cilët nuk jetojnë më. Ndërkohë, një kategori tjetër ndodhen në procesin e plotësimit të dokumentacionit dhe të dhënave bankare.