Punonjësit më të keqpaguarit në Rajon

567
Sigal

Mjerimi i bujqësisë shqiptare

Shqipëria është një vend, ekonomia e së cilës mbështetet në një pjesë të madhe tek sektori i bujqësisë. Rjedhimisht dhe punësimi në këtë sektor është i lartë, megjithatë për sa i përket pagave të punonjësve të bujqësisë nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Sektori i bujqësisë zë rreth 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, por pavarësisht kësaj qeveria nuk ka begenisur që t’i japë mbështetje atyre që merren me përpunimin e tokës, të cilët janë më të papaguarit në të gjithë Rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas shifrave të Institutit të Statistikave të punësuarit në bujqësi në Shqipëri paguhen mesatarisht 290 euro. Po të bëjmë një krahasim me vendet e Rajonit, gjithnjë sipas INSTAT, rezulton se në Serbi, paga mesatare, në sektorin e bujqësisë, ishte 550 euro në vitin 2018. Në Maqedoninë e Veriut, paga mesatare ishte 460 euro.

Sektori i bujqësisë, i dominuar nga gratë

Një tjetër statistikë që e dallon vendin tonë nga fqinjtët e Rajonit është përqindja e punësimit të grave në sektorin e bujqësisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, pesha e punëve të bujqësisë në Shqipëri u ka rënë grave. Në Shqipëri nga tërësia e qytetarëve të punësuar në bujqësi 47% e tyre janë femra, përkundrejt 35.4% të burrave. Gjithashtu sipas BB, në vitin 2014, më shumë se 50% e grave të punësuara në vend punonin në sektorin e bujqësisë në Shqipëri. Në dallim nga Shqipëria, punësimi në bujqësi te vendet e Ballkanit Perëndimor domonihet nga meshkujt. Në Serbi, rreth 20% e burrave të punësuar punojnë në bujqësi, përkundrejt 16% të grave. Edhe në Bosnjë-Hercegovinë, sektori ka një peshë të konsiderueshme në punësim. Megjithatë edhe në Bosnjë, burrat kanë një peshë më të lartë përkundrejt grave, ku ata përgjigjen për 19% të të punësuarve, ndërsa gratë 18.6%. Në Maqedoni 16.9% e burrave dhe 15.6% e grave janë të punësuar në këtë sektor. Ndërkohë, Mali i Zi ofron pagat mesatare më të lartë në rajon për sektorin e bujqësisë, edhe pse të punësuarit në këtë sektor atje kanë peshën më të ulët, krahasuar me vendet e tjera. Rreth 7.1% e burrave dhe 8.2% e grave punojnë në bujqësi sipas shifrave të Bankës Botërore.