Në Shqipëri, ashtu si në botë vijon që të ketë një hendek midis grave dhe burrave në pagë. Gratë jo vetëm që nuk trajtohen si të barabarta në shoqëri, por ato i vlerësojnë edhe marrëdhëniet e tyre me burrat – shumë të tensionuara. Rreth 40% e të anketuarave në Anketën e cilësisë së Jetës, të kryer nga Komisioni Evropian janë përgjigjur, se perceptojnë që midis burrave dhe grave në Shqipëri ka shumë tension. Kjo është përqindja më e lartë e shënuar në të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidatë për t’u anëtarësuar. Të pyetur se si e vlerësojnë tensionin midis dy gjinive 40% janë përgjigjur se ka shumë tension dhe po aq e kanë vlerësuar si “disi të tensionuar”, vetëm 20% janë përgjigjur se midis dy gjinive nuk ka tension. Ndërsa gratë janë ato që e perceptojnë më të lartë tensionin midis tyre dhe gjinisë tjetër. 49% e grave të pyetura e kanë vlerësuar marrëdhënien midis burrave dhe grave, si shumë të tensionuar, përkundrejt 32% të burrave.