Kuvendi kryqëzon Bankën e Shqipërisë për shit-blerjet

613
Sigal

Kuvendi kërkesë BSH: Monitoroni bankat që kryejnë shit-blerje

 

Shit-blerja e bankave në vend, me një dinamikë më të zgjeruar vitin e shkuar ka bërë që Kuvendi i Shqipërisë t’i kërkojë Bankës së Shqipërisë që në fokus të aktivitetit të saj për vitin 2019 të ketë monitorimin e bankave, që kanë kryer këto transaksione. Në rezolutën e miratuar për aktivitetin e institucionit një ndër pikat e nënvizuara është pikërisht kjo. “Të monitorohet në vazhdimësi situata të bankat që gjatë vitit 2018 kanë realizuar transaksione tregtare të formës bashkim me përthithje dhe studimin e fenomenit nga këndvështrimi i analizës së tregut bankar, për të nxitur efektet pozitive dhe minimizuar ato të padëshiruara, si dhe vlerësimin nëse ky proces do të vijojë dhe do të prekë edhe banka të tjera” thuhet në rezolutë.

Nga ana tjetër Kuvendi e ngarkon Bankën me detyrën e analizimit të rritjes së portofoleve të kredisë sipas sektorëve, duke detajuar rritjet sektoriale të kredisë me risqet e sektorëve për të identifikuar radhën prioritare të inspektimeve të lidhura me riskun më të lartë.

Deeuroizmi që ishte një masë tjetër e nisur në vitin 2018 është theksuar edhe në rezolutën e Kuvendit i cili kërkon që të vijojë politika e deeuroizimit, duke bërë paralelisht edhe vlerësimin e ecurisë dhe afateve të zbatimit të kësaj politike dhe në funksion të transparencës të bëhen publike konkluzionet e vlerësimit, në mënyrë që të mund të shërbejnë si orientuese për grupet e interesit.

Lidhur me sektorin bankar përveçse monitorimit të treguesve të tij të lidhura me ka rekomanduar që të vijohet me zbatimin dhe monitorimin në vijimësi të planeve të miratuara të ndërhyrjes së jashtëzakonshme për çdo bankë, në funksion të realizimit të mandatit të Bankës, që i njeh ligji nr. 133/2016 “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”.

 

Kriptomonedhat dhe koncepti “lek i ri” “lek i vjetër”

 

Kuvendi ka kërkuar që të ketë një vëmendje të zgjeruar në drejtim të ndërgjegjësimit të publikut për riskun e parasë virtuale, por edhe për edukimin e përgjithshëm mbi produktet bankare dhe konceptin e “lekut të ri” dhe lekut të vjetër.

“Të vijojë punën për edukimin dhe ndërgjegjësimin e publikut lidhur me rreziqet që paraqet përdorimi dhe investimi në kripto-monedha (para virtuale), si dhe të marrë masa për parandalimin e lindjes ose zhvillimit në tregjet financiare, të skemave spekulative mashtruese në kripto-monedha, duke instaluar një mekanizëm edhe për matjen e efekteve të veprimtarive ndërgjegjësuese. Të nxisë politikat e bankave në lidhje me edukimin e publikut për produktet bankare, si dhe të monitorojë, të verifikojë dhe të standardizojë procedurat bankare të ofrimit të shërbimeve bankare në përgjithësi. Të shqyrtojë efektet e veprimtarive të ndërmarra në vite, me qëllim rritjen e kuptueshmërisë së politikës monetare dhe forcimin e besueshmërinë publike të institucionit, për sa i takon fushatave sensibilizuese të deklaruara dhe të raportuara në kuadër të edukimit të publikut në lidhje me termat “lek i ri” dhe “lek i vjetër”, duke instaluar një mekanizëm për matjen e efekteve të veprimtarive ndërgjegjësuese” thuhet në rezolutë./ Monitor