INSTAT: Viti 2014, u prodhua 31.2% energji elektike më pak se në 2013

118
Sipas INSTAT, viti i kaluar ka qenë i vështirë për prodhimin e energjisë elektrike. Energjia elektrike në dispozicion e përftuar nga të gjitha burimet në vitin 2014 u ul me 0.8 për qind krahasuar me vitin 2013. Sasia e energjisë së prodhuar në vend dhe shkëmbimi i energjisë elektrike rezultoi 7.79 miliardë kilovatorë. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike përbën 60.6 për qind të energjisë në dispozicion për konsum. Sasia gjithsej e prodhuar në vend gjatë vitit 2014 është 4.73 miliardë kilovatorë, nga 6.96 miliardë kilovatorë prodhuar gjatë 2013, duke rezultuar me rënie prej 32.1 përqindësh. Burimi kryesor i prodhimit të energjisë elektrike është prodhimi nga hidrocentralet. Prodhimi nga hidrocentralet publike përfaqëson 72.1 për qind të prodhimit neto vendas, ndërsa prodhimi i energjisë nga prodhues të pavarur privatë dhe koncesionarë përbën 27.9 për qind.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) rezultoi me rritje prej 44.5 për qind, duke arritur vlerën 3.36 miliardë kilovatorë, 2.32 miliardë kilovatorë në 2013.
Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) ishte 288 milionë kilovatorë në vitin 2014 nga 1.43 miliardë kilovatorë që përbënte një vit më parë.
Në krahasim me vitin 2013, humbjet në rrjet janë ulur 15.8 për qind, nga 3.3 miliardë kilovatorë, në 2.8 miliardë kilovatorë. Ato përbëjnë 35.7 për qind të sasisë së energjisë të disponueshme për konsum. Humbjet në shpërndarje përbëjnë 94.2 për qind të humbjeve në rrjet, të cilat rezultuan me rënie 15.3 për qind.
Konsumi i energjisë elektrike nga konsumatorët në vitin 2014 është rritur 10.1 përqind krahasuar me një vit më parë, nga 4.6 miliardë kilovatorë, në 5 miliardë kilovatorë. Konsumi i energjisë elektrike nga familjarët dhe jofamiljarët u rrit përkatësisht me 10.2 dhe 9.9 për qind.