Hetime për kartel në prokurimin e ndërtimit të unazës së re

182

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar dje hapjen e procedurave hetimore për një kartel të mundshëm në tregun e prokurimit publik me objekt “Ndërtim i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (segmenti Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit) loti 1, loti 2 dhe loti 3”. Sipas vendimit të publikuar dje, Komisioni i Konkurrencës ka zhvilluar procedurat në bazë të një informacioni të administruar në rrugë administrative mbi mundësinë e një marrëveshje në oferta në procedurat e prokurimit me objekt “Ndërtim i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (segmenti Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit)”, në bashkëpunim me Agjencinë e Prokurimit Publik ka administruar informacionin e kërkuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Prokurimi

Nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur nga operatorët ofertues në procedurën e prokurimit publik të realizuar në vitin 2013, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, me objekt “Ndërtim i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (segmenti Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit) loti 1, loti 2 dhe loti 3, vërehet se vlera e ofertave fituese në të tre lotet e procedurës së prokurimit është mbi 99 % të fondit limit, operatorë ofertues janë vetëm tre ndërmarrje dhe se fituese të loteve janë secila prej ndërmarrjeve pjesëmarrëse, duke krijuar një skemë rotacioni për shoqërinë që do shpallej fituese. Nga vlerësimi ligjor i rastit, sipas nenit 4 të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” rezulton se ofertat në rotacion mes tre konkurrentëve dhe afërsia e vlerës së ofertës fituese në raport me fondin limit janë shenja të kufizimit të konkurrencës nëpërmjet bashkëpunimit në oferta në prokurimet publike. Për arsyet e sipërcituara Komisioni i Konkurrencës ka vendosur hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik me objekt “Ndërtim i rrugës së Unazës së Jashtme Tiranë, pjesa verilindore (segmenti Kthesa e Saukut – Bregu i Lumit) loti 1, loti 2 dhe loti 3”, për të parë nëse ka ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës. Periudha e hetimit do të jetë Janar-Dhjetor 2013 dhe përgatitja e raportit të hetimit paraprak duhet të përfundojë jo më vonë se dy muaj nga dalja e këtij vendimi