Qytetarët në kurthin e bankave, normat e interesit dyfishojnë detyrimet

712
Sigal

Kreditë për shqiptarët janë një “mollë e ndaluar” për shkak të interesit të lartë. Interesat e bankave të nivelit të dytë nuk janë në favor as të qytetarëve dhe as të biznesit.

Biznesmenët shprehen se kredia në interesat e sotme është “vdekjeprurëse” për biznesin, ku suksesi i të cilit nuk është kurrë i garantuar. “Kredia nuk ka qenë favorizuese për ne, sidomos për biznesin, në mënyrë kategorike. Tani është shumë problem kredia, jo se nuk është ndihmuese, ndihmuese është sa të duash por duhet të kesh biznes të garantuar.

Biznes të garantuar në Shqipëri harroje që do të ketë, sepse të gjithë gënjejnë. Kredia na ka zhytur, 15 % të vlerës, kemi marrë 10 mijë dollarë ka ardhur puna të paguajmë 20 mijë dollarë, dyfishi, kjo është e garantuar” shprehet një biznesmen.

Ndërsa një qytetar tjetër i Tiranës tregon përvojën e tij me kredinë. Ai thotë se vërtetë merr një kredi, por të duhet të shlyesh dyfishin e asaj që ke marrë. “Kam marrë një kredi 20-vjeçare. Kreditë në Shqipëri janë shumë të larta. Një kredi që është tek 15-16 % për mendimin tim ajo është shumë, shumë e lartë dhe nuk përballohet. Veç principalit që ke marrë, ti do paguash dhe dyfish më lartë. Nëse ke marrë 17 milion po themi, ti do japësh 37 milion dhe nuk ka logjikë ekonomike”. Ndërsa të tjerët edhe kur bëhet fjalë për kredi konsumatore jo më shumë se 100.000 lekë, hezitojnë ta marrin. Interesi është i lartë në këtë rast. Por ky nuk është i vetmi problem për qytetarët, interesat në rastin e depozitave janë më të ulëta, krahasuar me vitet e mëparshme.

Ja interesat në një bankë të nivelit të dytë

Kështu, në rast se depozitojmë 50.000-5 milionë lekë, për dy javë depozitë interesi është 0.10 %, për 1 muaj është 0.50 %, për 3 muaj 1 %, për 123 muaj 2 %, ndërsa për 36 muaj 2.8 %.