Gjiknuri: India, shembull për rikuperimin e humbjeve në rrjet

697
Sigal

INDI – Shqipëria do të marrë shembull eksperiencën e Indisë në rikuperimin e humbjeve në rrjetin e energjisë, ndërsa pritet që në vendin tonë të ketë prezencë të investimeve indiane, veçanërisht në naftë dhe gaz. Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në New Delhi u njoh me arritjet e Indisë në fushë elektroenergjetike, sidomos eksperiencën indiane në uljen e humbjeve në rrjet, një ulje e ardhur si kombinim i masave shtetërore, manaxheriale dhe investime çka ka sjellë një rezultat domethënës. Gjiknuri vlerësoi se këto janë modele të cilat mund të aplikohen me sukses edhe në Shqipëri. 

Gjatë qëndrimit në New Delhi, Gjiknuri u prit në një takim nga Ministri i Energjisë dhe Naftës së Indisë, Shri Dhermenadra dhe nga Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme, General V.K. Singh.
 
Diskutimet u fokusuan në format e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën ekonomike, mundësitë e shumta që ofron Shqipëria për të pasur një prezencë të investimeve indiane dhe skemat e mundshme për financimin e projekteve nga India. 

Investimet në naftë dhe gaz, një mundësi për forcimin e marrëdhënieve ekonomike Shqipëri-Indi
Potencialet e vendit tonë për investime në fushën e kërkimit të naftës dhe gazit ka qenë një nga temat në të cilën Ministri Gjiknuri është ndalur në takimet me përfaqësuesit indianë. India përfaqëson sot një nga fuqitë ekonomike botërore me rritjen më të madhe ekonomike dhe me ekspansion të madh në investime të fushës së industrisë dhe energjisë. 

Gjatë vizitës, Ministri Gjiknuri pati dhe një diskutim me përfaqësuesit e Dhomës së Bashkuar të Bizneseve të Indisë ASSOCHAM, ku morën pjesë kompani ndër më të rëndësishmet në fushën e energjisë e industrisë. Z.Gjiknuri njohu investitorët për mundësitë që ofron vendi ynë në sektorët e ndryshëm të ekonomisë dhe masat që po ndërmerr qeveria shqiptare për të krijuar një mjedis sa më favorshëm për rritjen e investimeve. 

Gjiknuri pati takime edhe me përfaqësues të shoqërive të njohura në fushën e energjisë dhe naftës, siç është “Tata Power” dhe kompania shtetërore e naftës ONGC. 

Në këto takime ministri shoqërohej nga drejtori i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore Dael Dervishi.