Forumi Ekonomik, Ahmetaj: Turizmi mundësi e madhe bashkëpunimi në rajon

783
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjëes, Arben Ahmetaj, në panelin e dytë ekonomik me temë “Bridging the gap betwen the EU and the region, innovative strategies to attract FDI through connectivity”, në Forumin Ekonomik të Vjenës, vlerësoi se bashkëpunimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të zgjidhë problematikat e së kaluarës dhe ta kthejë rajonin si pjesë integrale e Bashkimit Europian. Duke iu referuar historisë kur rajoni konsiderohej problematik dhe BE me aleatët diskutonin zgjidhjen e tyre, ai theksoi se sot ndryshimi është shumë i madh pasi diskutojmë për vendimet si ta cojmë rajonin si pjesë integrale në Bashkimin Europian.
Ministri Ahmetaj cmoi procesin e nisur në Berlin “sepse na ka bërë bashkë dhe na ka sjellë këtu që të diskutojmë projekte konkrete”. Sipas tij, lidhja e inerkonjeksioneve nuk është vetëm një proces ekonomik. “Kemi bërë përpjekje të përbashkëta me Beogradin dhe me vendet e tjera për të paraqitur projektet tona dhe duam të besojmë se vetëm duke qënë bashkë, mund të galvanizojmë mbështetjen nga Brukseli dhe vendet anëtare për zhvillimin e tyre”.
Ahmetaj duke e quajtur rajonin e Ballkanit, “një vlerë e shtuar për shoqëritë, tregjet europiane”, theksoi se Bashkimi Europian është partneri kryesor tregtar dhe vendet anëtare të tij kryesoret për investimet e huaja. “Problemi lidhet me faktin se si të bëhemi më tërheqës për investimet europiane. Ne duhet të bashkërendojmë politikat tona fiskale, nevojat e ndryshme që kemi për të financuar ekonomitë tona, që nga bujqësia, tek industria, sepse këto do ta bëjnë rajonin një treg jo vetëm virtualisht, por realisht të unifikuar”, tha Ahmetaj.
Ministri Ahmetaj konsideroi turizmin si fushë e mundshme e bashkëpunimit, ku krijimi i një unaze të madhe, nga Kroacia, kalon nëpër Malin e Zi, Shqipëri, deri në Greqi, mund të shfrytëzohet gjithë vija bregdetare. Ahmetaj nuk la mënjanë vlerat e mëdha që ka turizmi malor në vendet e tjera. “Kemi bukuri të përbashkëta dhe rajoni po kthehet në destinacion turistik. Shqipëria ka detin, ushqimet BIO, po kështu Sërbia, Mali i Zi, Bosnja dhe të tjerët, ndaj një bashkëpunim rajonal e mbyll unazën turistike nga një vend, në tjetrin”, tha ai.
Sigal

Fjala e Ministrit Ahmetaj: “Ballkani Perëndimor, vlerë e shtuar për vlerat, shoqëritë dhe tregjet europiane”

Të nderuar panelistë
Temat që kemi ngritur sot u diskutuan dhe në panelin e mëparshëm nga 6 Kryeministrat e nderuar dhe jo vetëm tematikat politike, të cilat janë shumë të rëndësishme në rajon, për ta çuar rajonin në një nivel tjetër që ka të bëjë me integrimin evropian, por edhe tematikat e zhvillimit ekonomik, parë nga këndvështrimi rajonal.
Do të doja të ndalem një aspekt të rëndësishëm që përpiqem ta theksoj vazhdimisht dhe vërtet besoj tek ky. Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, pra secili nga këto vende përbëjnë tregje të vegjël, parë në aspektin e ekonomisë globale. Të veçuara, ato nuk janë aq interesante sa qeveritë e tyre do të kishin dashur të ishin por si rajon, në tërësi, ka një numër të konsiderueshëm konsumatorësh dhe marrëveshja e CEFTA-s e ka bërë këtë rajon pa taksa, “duty free”, për 26 milionë konsumatorë. Nga ana tjetër ka një histori brezash e gjeneratash dhe ky rajon është konsideruar si një rajon problematik. Sa herë që Bashkimi Evropian apo aleatët strategjikë të rajonit diskutonin, vepronin apo vendosnin në lidhje me këtë rajon, gjithmonë bëhej fjalë për të zgjidhur në një farë mënyrë problematikat. Tani dallimi është shumë i madh.Ky është një dallim cilësor, midis diskutimeve, mendimeve dhe nevojës për vendime, për ta çuar rajonin në një nivel tjetër si pjesë integrale e Evropës dhe Bashkimit Evropian.
Do të sillja një shembull që do të ishte shumë i qartë për zemrat dhe mendjet e të gjithëve. A mundet një trup të jetojë i shëndetshëm pa një krah, pa një këmbë, pa një organ jetik? Sigurisht që jo. Bashkimit Europian sot i mungon një nga organet e veta vitale, rajoni i Ballkani Perëndimor, i cili, në fund të fundit, është Europa.
Isha ulur me disa turistë suedezë dhe po diskutonim disa nga problemet me të cilat përballet rajoni, turizmi, zhvillimi ekonomik dhe i pyeta më jepni një përshtypje të parë për Shqipërinë. Filluan ta lavdëronin vendin dhe po ankoheshin pastaj për ca gjëra të tjera, si nw tw gjithw vendet normale. Do të thotë se rajoni është shkëputur nga problemet e sigurisë dhe po kthehet në një destinacion turistik dhe të zhvillimit ekonomik, dhe këtu duhet të përqendrohemi.
Procesi i Berlinit, i cili do të vazhdoj më pas me atë të Vjenës në gusht, më pas në Paris dhe më vonë në kryeqytete të tjera Evropiane, është një proces shumë i madh, një iniciativë shumë e rëndësishme, procese që jo vetëm na kanë sjellë bashkë, siç e tha edhe Kryeministri Edi Rama, për të bërë një fotografi familjeje por, na ka sjellë këtu për të diskutuar dhe këtë gjë e kemi bërë, për të diskutuar për ccwshtje konkrete.
Do të sjellë shembullin e ndërlidhjes ose konektivitetit, jo thjesht ndërlidhjes si proces politik apo infrastrukturor por si një proces që ka të bëjë me çështje të zhvillimin ekonomik. Ne kemi bërë përpjekje të bashkërenduara me Beogradin, Podgoricën dhe kemi ftuar të gjitha vendet e tjera të bashkëpunojnë me ne, për të paraqitur përpara Komisionit Evropian hartën tonë.Përpjekjet nuk ishin thjesht për të treguar që ne mund ta bënim një gjë të tillë. Përpjekjet kishin të bënin me faktin që sigurisht që mund të bashkëpunojmë në çfarë do lloj niveli, por duam pronësinë e këtyre zhvillimeve sepse besojmë që vetëm duke qenë “pronarë” të këtij procesi mund të galvanizojmë më shumë mbështetje nga Brukseli apo në kryeqytetet e tjera të vendeve anëtare.
Do të doja të ritheksoja sot që rajoni është një vlerë e shtuar për vlerat europiane, shoqëritë europiane dhe tregjet europiane. Bashkimi Europian është partneri ynë tregtar kryesor dhe një ndër investitorët kryesorë për investimet e huaja direkte në Shqip dhe në rajon. Atëherë si do të kthehemi dhe të bëhemi më atraktivë për këto investime të huaja direkte dhe për investimet evropiane dhe në rang botëror? Siç e përmenda dhe fola për veprimet konkrete, ne duhet të bashkërendojmë politikat tona fiskale dhe nuk flas për harmonizim të politikave fiskale sepse kjo ende nuk është e mundur në Bashkimin Evropian dhe jo më pastaj të jetë e mundur në Ballkanin Perëndimor, së paku për periudhën afatmesme, për shkak të nevojave të ndryshme që kemi, për të financuar ekonomitë tona. Por, flasim së paku për koordinim të standardeve, proceset e certifikimit të produkte të ndryshme, që nga bujqësia, tek industria, do ta bëjnë tregun jo vetëm virtualisht të unifikuar, por një treg praktikisht të unifikuar.
Imagjinoni që kompani nga Shqipëria, Serbia, Kosova, Mali i Zi, apo Maqedonia, që marrin një certifikatë të cilësisë në Tiranë, apo në Shkup, apo në Beograd.Imagjinoni që kjo kompani të lëvizë lirisht për mallrat, për kapitale, për burimet njerëzore, përmes certifikatave të unifikuar dhe të njohura nga të gjitha vendet.Ajo që ndodh sot është që duhen 6 certifikata.Fatkeqësisht kështu ndodh.Por kjo ndalon tregtinë e lirë, ndalon lëvizjen e lirë të mallrave dhe është një barrierë, një pengesë e padukshme.Për këtë gjë ne duhet të bashkohemi dhe ta zgjidhim bashkërisht. Kemi bërë proces shumë serioz dhe të detajuar me Prishtinën, me Kosovën, dhe jam i sigurt që për tre muaj do të kemi rezultate konkrete mbi të cilat ne më vonë mund të bazohemi.
Kemi bukuri natyrore të përbashkëta. Rajoni mund të bëhet dhe do të thosha që edhe po shndërrohet në një destinacion turistik. Shqipëria ka bukuritë e veta pwr tw ndarw. Ka detin, ka malin, ka ushqimin bio, i cili është i shkëlqyer. Maqedonia po kështu.Mali i Zi po kështu.Serbia po kështu Maqedonia po ashtu.Bosnja dhe Hercegovina. Pra, imagjinoni për një çast që kur flasim për ndërlidhjen e cila sjell zhvillim ekonomik, mbyll në të njëjtën kohë të gjitha qarkun e rrjetit ose të unazës së turizmit, duke nisur që nga Leçe, sipwr në Trieste, në Dubrovnik, në Mal të Zi, Durrës, në jug të Shqipërisë, qw wshtë një vend jashtëzakonisht turistik dhe pastaj kalohet në Greqi. Pra, e gjithë kjo përpjekje, e cila nuk është thjesht infrastrukturorë por është përtej kësaj, i bashkon njerëzit në një paketw turistike.
Shkëmbimet rinore, ne udhëtojmë gjithë botën dhe po të shikoni statistikat e udhëtimeve, shqiptarët udhëtojnë pesë herë në vit në Itali, si statistikë mesatare por vetëm gjysma e kësaj shifre shkojnë dhe udhëton në rajon. Pra, një përpjekje për ta njohur më mirë rajonin do ta bënte procesin politik, ekonomik, tregtar apo social, kulturor, do t’i bënte të gjithë këto procese me të lehta. Propozimi i kancelares gjermane Merkel për të nisur verën që vjen këto aktivitete janë pikërisht në thelb të përpjekjeve tona dhe do të materializohen.
Unë desha të falënderoja me këtë rast z. Joschka Fischer sepse ai ishte një ndër personat të cilët na e solli në vëmendje këtë aspekt për qeverinë gjermane, për Berlinin dhe për Komisionin Evropian.
Do t’ju jap një shembull që do të ishte shembulli i fundit në bisedën time. Ndërtimi i autostradës Adriatiko-Joniane, qw nuk është një autostradë shqiptare, nuk është e Malit të Zi, nuk është e Kroacisë, është një autostradë evropiane. Po të aktivizojmë burimet tona buxhetore brenda kuadrit dhe kufizimeve që kemi kjo do të kërkonte 50 vjet, madje dhe 80 vjet, për ta bërë një gjë të tillë. Problemi është a presim dot ne 50 apo 80 vjet që të lidhemi dhe të ndërlidhemi në Evropë? Sigurisht që jo. Duhet të gjejmë mënyra inovatore për ta bërë këtë gjë bashkërisht, siç e thanë dhe Kryeministrat në panelin e parë, bashkërisht duhet ta shtyjmë Komisionin dhe vendet anëtare që ta financojnë, siç tha dhe z. Fischer në mëngjes, që nga pikëpamja rajonale, politike, sociale, zhvillimore dhe jo thjesht nga këndvështrimi infrastrukturor, në mënyrë që këto investime të na kthehen. Këto janë të gjitha të rëndësishme por duhet të jenë në këndvështrimin rajonal.
Do ta mbyll duke thënë që ne si pjesë e Ballkanit Perëndimor, fjalë që më pëlqen ta përdor, ne Ballkano-Perëndimorët, që nuk e njohin të gjithë në botë këtë shprehje, ne nuk mund të ndryshojmë vendin ku jetojmë, por ne detyrimisht mund të ndryshojmë mënyrën se si jetojmë në rajonin ton.
Do të dëshiroj të falënderoj nga thellësia e zemrës Forumin Ekonomik të Vjenës që na ka ndihmuar për përmirësimin e imazhit tonë, që ka lejuare të shkëmbejmë ide dhe që janë partnerë me ne për këtë organizuar këtë aktivitet kaq të rëndësishëm.
Faleminderit.