Ekonomia rrëshqet në pesimizëm, treguesi i besimit vijoi rënien edhe në tremujorin e katërt

685
Sigal

Banka e Shqipërisë njoftoi dje se, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) qëndroi në nivelin 100.2, duke rënë me 1.2 pikë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2018. Me gjithë vijimin e tendencës rënëse, TNE-ja mbetet lehtësisht mbi mesataren e saj afatgjatë. Sipas Bankës, Dinamika e shfaqur e treguesit u përcaktua nga rënia e besimit në sektorët e shërbimeve, të tregtisë dhe të industrisë. Ndërkohë, besimi rezultoi i përmirësuar në sektorin e ndërtimit dhe për konsumatorët.

Treguesi i besimit në sektorin e industrisë (TBI) ra me 0.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt. Treguesi vazhdon të qëndrojë mbi mesataren historike të tij, me 6.1 pikë përqindje. Ecuria e TBI–së u përcaktua nga rënia me 11.3 pikë përqindje e balancës së prodhimit. Ndërkohë, përmirësimi i dy balancave të tjera formuese të treguesit, gjendja e inventarëve 2 (me 9.0 pikë përqindje) dhe kontratat. Edhe balanca të tjera të vrojtimit si: kontratat porositëse nga eksportet, pritjet për ecurinë e prodhimit dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm; rezultuan të përmirësuara. Ndërkohë, balanca e gjendjes financiare shënoi rënie gjatë tremujorit në analizë. Për sa i takon normës së shfrytëzimit të kapaciteteve, ajo shënoi rritje tremujore me 1.0 pikë përqindje, duke qëndruar rreth vlerës 75.8%. Kjo normë mbetet mbi nivelin e shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë dhe mbi mesataren historike të saj.

Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) u rrit me 5.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, por ai vijoi të mbetet poshtë mesatares historike të tij. Përmirësimi i TBN–së pasqyroi rritjen e dy balancave përbërëse të tij, aktivitetit ndërtues me 6.1 pikë përqindje dhe kontratave porositëse me 4.1 pikë përqindje. Për sa u takon balancave të tjera të vrojtimit, gjendja financiare u përmirësua gjatë tremujorit të katërt, ndërsa punësimi dhe pritjet për të në tremujorin e ardhshëm shënuan rënie. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve u rrit si krahasuar me tremujorin e mëparshëm (+2.2 pikë përqindje), ashtu edhe krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë (+2.8 pikë përqindje). Me gjithë dinamikën rritëse, niveli i saj prej 62.4% rezulton rreth 1.4 pikë përqindje nën mesataren historike.

Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) vijoi tendencën rënëse edhe gjatë tremujorit të katërt. Me gjithë rënien me 3.4 pikë përqindje, treguesi mbetet mbi mesataren historike të tij. Dinamika e TBSH–së reflektoi rënien e të dy komponentëve të tij formues, balancës së kërkesës me 3.6 pikë përqindje dhe balancës së ecurisë së biznesit me 3.1 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balanca e pritjeve për kërkesën në tremujorin e ardhshëm dhe norma e shfrytëzimit të kapaciteteve. Kjo normë rezultoi 4.6 pikë përqindje nën nivelin e tremujorit të mëparshëm dhe 0.2 pikë përqindje poshtë vlerës së shënuar në të njëjtin tremujor një vit më parë.

Megjithatë, shfrytëzimi i kapaciteteve me një normë rreth 71.0%, vazhdon të mbetet mbi mesataren historike të saj. Balancat e tjera të vrojtimit në sektorin e shërbimeve si: punësimi, pritjet për të në tremujorin e ardhshëm dhe gjendja financiare; rezultuan të përmirësuara. Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) vijoi të ndjekë prirjen rënëse. TBT–ja ra me 5.2 pikë përqindje gjatë tremujorit të katërt, duke qëndruar edhe më poshtë nivelit të mesatares historike të saj (Grafik 5).

Dinamika tremujore e treguesit u ndikua nga rënia e të dyja balancave formuese të tij. Më konkretisht, balanca e pritjeve për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm ra me 6.0 pikë përqindje dhe balanca e ecurisë së biznesit ra me 4.4 pikë përqindje. Rënie shënuan edhe balanca të tjera të vrojtimit si: gjendja financiare, punësimi në tremujorin në analizë dhe pritjet për ecurinë e biznesit në tremujorin e ardhshëm. Ndërkohë, sipas bizneseve në sektorin e tregtisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve në tremujorin e katërt ka qenë më e lartë, si krahasuar me tremujorin e mëparshëm (+4.0 pikë përqindje), ashtu edhe krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë (+6.3 pikë përqindje).

Megjithatë, niveli i saj rreth 75.2%, qëndron 0.7 pikë përqindje nën mesataren historike përkatëse. Treguesi i besimit konsumator (TBK) ndërpreu prirjen rënëse në tremujorin e katërt.

Treguesi i besimit konusmator, TBK–ja u rrit me 0.7 pikë përqindje, duke qëndruar pranë mesatares historike të saj (Grafik 6). Në përmirësimin e besimit konsumator ndikuan rritja e balancave të situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve, e blerjeve të mëdha, dhe e situatës financiare të pritur të familjes, me përkatësisht 1.3, 1.2 dhe 1.2 pikë përqindje. Ndërkohë, balanca e katërt formuese e TBK–së – situata e përgjithshme ekonomike e pritur në vend – shënoi rënie me 1.1 pikë përqindje./Monitor