Bundo: Monedha virtuale, fitime spekulative

1000
E ardhmja e Bitcoinit dhe monedhave të tjera virtuale parashikohet shumë pesimiste, pa garanci ligjore dhe mbikëqyrje institucionale, deklaroi prof. Sherif Bundo, ekspert në fushën e financave. “Monedhat digjitale nuk kanë paritet të rregullt. Ato nuk janë të bazuara në vlera konkrete si monedhat e tjera që emetohen nga Bankat Qendrore të vendeve të ndryshme të botës. Kriptomonedhat “fabrikohen” në sasi të kufizuara. Sjellja e operatorëve në treg që “emetojnë” dhe tregtojnë këto kriptomonedha është një sjellje që imponon fitime të rastit. Nuk kanë në prapavijë garanci dhe siguri ligjore, institucionale dhe rezerva valutore”, shpjegon për Ekonomix.al profesor Bundo, pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, këto monedha digjitale janë nisur si eksperimente dhe për periudha kohore të ndryshme humbasin. Bundo pozicionohet kundër tregut digjital të monedhave në situatën ekzistuese. “Por në qoftë se emetimi dhe mbikëqyrja e tyre do të ishte i institucionalizuar dhe kriptomonedhat do të përqendroheshin në një grup mallrash të domosdoshëm dhe të ishte përcaktuar një sasi e caktuar, do të ndryshonte situate, pasi teknologjia është në kulmin e vetë, kështu që edhe tregjet financiare duhet të lëvizin me ritmin e teknologjisë dhe të kohës”, sqaron Bundo. Pra, thekson ai, do të ishte drejtimi i duhur për zhvillimin duke pasur garanci dhe besueshmëri, pasi monedha në vetvete është një marrëveshje besimi për një njësi të caktuar që kryen disa funksione.
Sigal