Sigal

Familjet dhe individët në nevojë kanë marrë më pak para në formë ndihme në gjysmën e parë të vitit.  Referuar të dhënave të raportit të financave publike vendore, i publikuar së fundmi, shpenzimet për transferta për buxhetet familjare dhe individët kanë rënë ndjeshëm.

Në tre vitet e fundit, pesha e kësaj kategorie në totalin e shpenzimeve  është tkurrur nga rreth 47.6% në vitin 2014 në një nivel prej 22.4% në vitin 2018. Gjatë gjysmës së parë të vitit kjo kategori shpenzimesh shënoi një vlerë prej rreth 8.9 miliard lekë, në rënie me rreth 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në pjesën më të madhe, këto fonde burojnë nga ministria përgjegjëse për funksionin e mbrojtjes social e në trajtën e transfertës së kushtëzuar për pagesat e ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar.

Po ashtu, tkurrje kanë pësuar edhe shpenzimet kapitale për funksionet “çështjet ekonomike” (ku përfshihet infrastruktura e transportit), dhe “strehimi dhe komoditetet e komunitetit” (ku përfshihen shpenzimet për strehimin dhe urbanistikë, ujësjellës dhe kanalizime vendore, ndriçimi publik, investimet të cilat shënuan rënie me rreth 33% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Për të treja kategoritë e shpenzimeve, bashkitë paraqesin diferenca të forta ndërmjet tyre. Bashkia Libohovë rezulton të ketë dedikuar rreth 73.9% të buxhetit të saj vjetor për shpenzime kapitale (niveli maksimal i regjistruar).

Në të kundërt, bashkia Lezhë rezulton të ketë shpenzuar rreth 2.9% të buxhetit të saj për investime publike vendore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018 (niveli minimal i regjistruar).