Arben Ahmetaj/ Është koha kur reformat janë të domosdoshme

726
Sigal

*Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes

Në 23 vjet tranzicion, shumica prej jush e dinë shumë mirë se çfarë ka ndodhur, nëpërmjet njerëzve që kanë drejtuar ekonominë, institucionet dhe financat shqiptare. E vërteta është që pas 23 vjetësh ne nuk jemi aty ku duhet të ishim, jo për shkak të kësaj trupe pedagogjike, por për shkak të trupës politike. Megjithatë, ka ardhur koha që askush nga ne, qoftë në pozitë apo opozitë, biznes apo akademi, kudo që të jetë, nuk justifikohemi dot më, nuk fshihemi dot pas gishtit, sepse është koha kur reformat janë të domosdoshme ose në krye të 1 viti e gjysmë deri në dy vjet ekonomia shqiptare do të kolapsohet. Në momentin e parë, kur erdhëm në zyrat e qeverisë, e dinim që situata ekonomike ishte jashtëzakonisht shumë e rëndë, me shumë gropa, me shumë pengesa, por ajo që gjetëm ishte shumë më e rëndë se sa ajo që mendonim. Shifra e 726 milionë dollarëve, që u përmend pak më pare, e borxheve të papaguara ndaj sipërmarrjes, madje diku edhe të padeklaruara, ishte surprizë në shifër, por jo në filozofi. Është filozofi e vjetër, e akumuluar në vite, që papërgjegjshmëria e qeverisë ndaj sipërmarrjes të arrinte në ato nivele ku sipërmarrja ishte në prag të falimentimit edhe për shkak të mospagimit të borxheve nga ana e qeverisë. Ne morëm parasysh domosdoshmërinë e dokumentimit të të gjithë këtyre borxheve dhe morëm përsipër pagesën e borxheve, e cila sot, referuar të gjitha raporteve ndërkombëtare të institucioneve ndërkombëtare, po dhe të ndjesisë së drejtpërdrejtë të bankave të nivelit të dytë,  pra pagesa e borxheve ka sjellë një pozitivitet, ka sjellë likuiditet te ndërmarrjet dhe ka sjellë një disiplinim të marrëdhënies mes qeverisë dhe sipërmarrjes. Një nga reformat tejet të rëndësishme ishte reforma e pensioneve. Asnjë nga qeveritë e mëparshme nuk ka guxuar ta prekë reformën e pensioneve, për arsye sepse secili ka menduar për katërvjeçarin. Nëse ju mendoni për katër vite shkollë, pedagogët mendojnë për 10 vite zhvillim akademik, qeveria fatkeqësisht ka menduar vetëm për katër vite dhe jo për 20 vite, siç do të duhej të mendonte. Për këtë arsye e ka shmangur reformën e pensioneve, e cila ka pasojë politike dhe elektorale. Ne morëm parasysh se ishte momenti të mos linim sistemin e pensioneve të degradonte dhe të kthehej në një skemë të falimentuar, ku nuk garantonte qetësinë financiare të brezit të tretë me daljen në pension. Bashkë me Bankën Botërore vendosëm të bënim këtë reformë të vështirë, e cila kërkonte konsensus politik, që ne e kërkuam por nuk arritëm ta merrnim, dhe sot krenohemi me reformën e pensioneve, e cila në vite do garantojë shëndetshmërinë e sistemit pa prekur menjëherë qytetarët shqiptarë. Në të njëjtën kohë, reforma e energjisë, ajo që sot është e shumëpërfolur, ishte dhe ngelet një nga sfidat më të mëdha të buxhetit të shtetit dhe të ekonomisë shqiptare. Imagjinoni që ne jemi vendi i dytë në Evropë përsa i përket pasurisë së ujit, për frymë, dhe kemi një bilanc negativ vjetor në energji, 150 milionë euro. Para nesh qëndronte sfida që të ndërmerrnim reformën e vështirë që kemi ndërmarrë ose ta linim sistemin të degradonte dhe ju garantoj se shumë shpejt, në krye të dy viteve, sistemi do rrëzohej dhe unë besoj që në vitin 2016 nuk do të kishim drita. Imagjinoni, ju jeni studentë, pasi po ju referohem juve, vidhen në vit 150 milionë euro. Po ju bëj një krahasim se çfarë do të thotë kjo shifër: është baras me shumën që paguan sipërmarrja për tatim-fitimin në vit; është baras me 100 km rrugë, rrugë e munguar që ju nuk e shihni; është baras gati me të gjithë shumën që ne paguajmë për të gjithë shtresat në nevojë; baras me shtatë spitale rajonale; me 150 shkolla. Sot bëhet debati shtet policor, u morën e u paguan faturat me zor. Energjia elektrike është mall si të gjithë mallrat e tjerë, por në rastin konkret është dhe strategjik sepse në momentin kur nuk paguhet, kur kompania nuk arrin të mbledhë ato që duhet të mbledhë, kur konsumatori  nuk arrin të paguajë atë që konsumon janë të gjithë qytetarët shqiptarë që paguajnë nëpërmjet taksave, drejtpërsëdrejti nëpërmjet taksave në buxhetin e shtetit. Sot kjo reformë është e përshëndetur nga të gjithë institucionet ndërkombëtare. Ne filluam atë që shumëkush e quan aksion, por unë e quaj një mënyrë e re jetese në sistem. Ne bëjmë sondazhet tona dhe sot ka një mbështetje për reformën në energji dhe për aksionin që ne kemi ndërmarrë nga 78 % e të gjithë të anketuarve. Është e vështirë, është e dhimbshme, por është e domosdoshme dhe është e vetmja rrugë nga do të duhet të kalojmë. Në të njëjtën kohë, duhet t’i referohem edhe modelit të ri ekonomik. Debate ka shumë nëse është i duhuri apo jo. Ne kemi fatin të provojmë të drejtën e veprimeve tona jo menjëherë, por pas pesë apo dhjetë vitesh. Por unë jam i bindur se përpjekja jonë për të zëvendësuar importet, që është në themel të modelit të ri ekonomik, është e qenësishme, sjell vlerë të shtuar në vend, sjell punësim dhe sjell përfitime materiale të drejtpërdrejta për qytetarët, për konsumatorët dhe për të gjithë ata që përfitojnë nga zinxhiri i vlerave dhe zinxhiri në ekonomi. Do t’ju sjell një fakt shumë interesant që ka të bëjë me manifakturën. Në shkurt të këtij viti ne hartuam një paketë për manifakturën, ku shumë kush ishte edhe mosbesues e ironik. Sot paketa konsiderohet tejet e suksesshme dhe rritja e eksportit në manifakturë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është në plus 150 milionë dollarë. Kur bënim llogaritjet në fillim të vitit mendonim se me 31 dhjetor 2014 kjo shifër do të ishte vetëm 90 milionë dollarë, ndërsa sot jemi 150 milionë dollarë dhe janë 6 mijë vende të reja pune. Të njëjtën filozofi po ndjekim me bujqësinë. Nuk mund të pranojmë dot që bujqësia shqiptare, që shkon nga 20-25 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të jetë e fragmentuar, të jetë gati mesjetare. Efektet e para të këtij viti janë që eksporti bujqësor, diku mallra të përpunuara, diku ende jo, ka shkuar në 22 për qind. Sigurisht që bujqësia është sfidë shumë e madhe. Zinxhiri i vlerave në bujqësi është më i vështirë se sa në sektorët e tjerë, të paktën deri në momentin që merr formë. Paketa e bujqësisë nuk fokusohet te lehtësitë fiskale, por fokusohet tek mbështetja e fermerit jo si individ, por si entitet ekonomik. Në të njëjtën kohë, do fokusohem te klima e biznesit. Të gjitha ato që thashë, e shumë të tjera që i kemi dëgjuar apo prekur, kanë pasur të bëjnë me klimën e acaruar të biznesit. Do të sjell një shifër që mund të debatohet, por thelbi i së vërtetës është aty. Në fund të vitit 2012 Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve kishte vënë në katër vite 360 milionë dollarë gjoba, ndërkohë që të ardhurat nga tatim fitimi në vit ishin maksimumi 150-160 milionë dollarë. Kjo tregon drejtpërsëdrejti marrëdhënien e acaruar të shtetit, dhe nuk dua ta ndaj qeveria jonë apo qeveria që iku, sepse në finale sipërmarrja rri atje dhe pse qeveritë ndryshojnë, që reflektohej gjithashtu në rënien ekonomike në vazhdimësi në shtatë vitet e fundit, kur në vitin 2013 arriti statistikisht afër 1 %, praktkisht shumë më pak. Të gjitha ato masa që ne kemi ndërmarrë përsa i përket klimës së biznesit na sollën në rankimin e raportit të Bankës Botërore “Doing Business” me një përmirësim rekord prej 40 vendesh. Jo më larg se dy ditë më parë, kur vizituam një sipërmarrje, e cila arrinte për herë të parë të provonte që: të mos shkosh në doganë për tu zhdoganuar dhe të presësh 2-3 ditë është e mundur; të bësh zhdoganim online pa harxhuar kohë është e mundur. Është një sukses. Është në kuadrin e të gjithë reformave që ne kemi marrë për lehtësimin e procedurave ndaj sipërmarrjes, në favor të lehtësimit të të bërit biznes dhe në favor të zhvillimit ekonomik. Desha të theksoj marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Ka pasur debate para se ne të vinim në pushtet nëse duhej apo jo të bënim marrëveshje me FMN-në. Unë ndaj me ju, studentë të Ekonomikut, pedagogë e profesorë të nderuar, se po, edhe ne kemi pasur debate brenda vetes, por sot personalisht, si pjesë e atij ekipi të gjerë që negocioi me FMN, jam i kënaqur dhe jam krenar që kemi bërë gjënë e duhur. Nëpërmjet marrëveshjes, me vullnetin tonë politik, jo vetëm që nuk patëm një marrëveshje shtrënguese, por arritëm në krye të gjashtë muajve të frenonim rënien ekonomike dhe ta kthenim ekonominë shqiptare, kuptohet, në një rritje fraxhile por të sigurt.  Profesoresha Luçi dhe Profesor Sulo Hadëri përmendën bashkëpunimin me qeverinë. Kjo është klishe, sepse bota akademike ka disa mënyra se si bashkëpunon me qeverinë. Unë do përmend dy mënyra. Mënyra e parë është kur ju i jepni borxh qeverisë njerëzit tuaj, them borxh sepse akademikët kthehen sërish tek shtëpia e tyre. Ky fakultet ka një rekord, pasi njerëz nga ky fakultet kanë drejtuar me shumë sukses ekonominë, financat apo institucionet shqiptare. Ky është një bashkëpunim, jo i strukturuar, por pozitiv. Bashkëpunimi tjetër do të ishte sfida që ju do të duhet t’i bënit politikave ekonomike të qeverisë. Tani unë kaloj te kritika dhe te sfida: ne kemi bërë dy paketa fiskale; kemi ndërmarrë katër reforma themelore; kemi bërë shumë procedura të thjeshtuara për sipërmarrjen; po reformojmë kompanitë e sistemit energjetik; por nuk kemi marrë një letër rekomandimi, një dokument, i cili të sfidojë atë që ne bëjmë. Dëshira ime personale do të ishte që kur ne të kemi një paketë gati për ta hedhur në terren, të gjithë profesorët, pedagogët, apo pse jo dhe studentët, të bëjnë pasqyrën ku ne apo qeveritë në vazhdim të shohin të drejtën, gabimin apo sfidën që kanë përsa i përket politikave që hedhin në terren. Unë besoj se ky do të ishte një bashkëpunim fantastik, i cili do të kishte gërvishtjet e veta, në favor të zhvillimit ekonomik, në favor të korrektimit të politikave ekonomike dhe në favor të sjelljes së qeverisë. Kjo do ta bënte trupën akademike të kishte sfidën e përditshme të përditësimit të politikave ekonomike botërore, sektor për sektor, detaj për detaj. Ne kemi një institucion i cili ende nuk është ai që do të duhej të ishte. Kemi krijuar një bashkëpunim e Fakultetin e Ekonomisë, me një trupë akademike, shumë prej të cilëve gjenden sot këtu. Jam i pakënaqur nga vetja, por jam i pakënaqur dhe nga profesorët sepse nuk na kanë sfiduar ende. Unë pres që vitin që vjen sfida të jetë e përmuajshme, të jetë korrektuese dhe ndihmuese për zhvillimin ekonomik.