Analiza e doganave, Spiropali: 18.9 mld lekë më shumë se 1 vit më parë

762
Sigal

TIRANE – Drejtoria e Doganave ka bërë sot analizën 12 mujore të punës së saj, nën qeverisjen e mazhorancës së majtë. Në fjalën e saj, drejtoresha e këtij dikasteri, Elisa Spiropali, theksoi se gjatë këtij 1 viti të punës së doganave, janë arkëtuar 18.9 miliardë lekë, ndërsa shtoi se tashmë doganat kanë edhe një kod të ri doganor që do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm.

Sa i përket luftës ndaj korrupsionit, Spiropali u shpreh se në 12 muaj janë bërë 126 kallëzime, ose më saktë 117% më shumë se një vit më parë, të bizneseve që kërkonin të ruanin pozicionin e tyre në treg përmes pandëshkueshmërisë.

“Në 12 muaj dogana ka arkëtuar 18,9 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Shtatori ka qenë një muaj shumë i mirë dhe raportoj se janë mbledhur 13 miliardë e 595 milionë lekë. Tashmë ka një kod të ri doganor në punën tonë, që hyn në fuqi më 1 janar 2015.  Janë bërë 126 kallëzime për 12 muaj, me një rritje 117%. Ndoshta duket shifër e ashpër, por ka të bëjë me biznese të pandershme që duan të ruajnë pozicionin e tyre në treg përmes pandershmërisë, pra korrupsion.” theksoi Spiropali