Si u kthyen sarajet e bejlerëve të mëdhenj në rezidenca zyrtare dhe historike

574

Flet studiuesi Agim Hametaj mbi lagjet historike të Vlorës që panë dhe bënë histori

Rruga muze “Justin Godar” është e njohur në histori si rruga nga ku hyri në Vlorë Isa Boletini, në nëntor 1912. Për shumë kohë kjo rrugë ka qenë rruga kryesore e qytetit të Vlorës. Në këtë rrugë kanë jetuar për vite me radhë njerëz të njohur të qytetit të Vlorës, ku shquhen mjekë të dëgjuar si brenda ashtu edhe jashtë vendit, njerëz të biznesit, juristë, anëtarë të qeverisë së Ismail Qemalit, njerëz që kanë kontribuar në ngritjen e flamurit, njerëz të njohur në sporte në ndryshme, etj. Por në këtë rast duhen përmendur disa nga godinat e vjetra të rrugës muze. Rruga muze nga viti 1912-1921 emërtohej rruga “Liria”. Ky emër ka marrë shkas nga mbërritja në këtë rrugë e delegatëve të Pavarësisë. Kjo rrugë në vitin 1921 me vendim të Këshillit te Bashkisë së asaj kohe, u emërtua rruga “Justin Godar”, për nder të politikanit francez me të njëjtin emër, i cili ka qenë një mik i shqiptarëve. Ai ka qenë avokat i shqiptarëve dhe kishte një simpati të madhe për gjithë popullin shqiptar, por në veçanti për popullin vlonjat. Ai në Vlorë ka qëndruar rreth 30 ditë dhe është takuar me parinë e Vlorës. Ka qëndruar disa ditë te çifligu i Myqerem Hamzarajt në Lubonjë. Për më tepër le të mësojmë nga historiani Agim Hametaj të tjera të dhëna për këtë rrugë:

Zoti Hametaj, cila godinë në këtë rrugë ka bërë më tepër histori?

Çdo godinë në të dyja anët e rrugës muze ka historinë e saj, por ajo që binte më tepër në sy për nga madhështia dhe nga ngjarjet interesante që e karakterizojnë, është godina e Sharrajve.

Kjo godinë është ndërtuar nga fisi i Sharrajve në vitin 1880 dhe është prishur 100 vjet më vonë rreth viteve ’80. Kur kjo godinë kur u ndërtua për herë të parë, në fasadën e saj u montua edhe një orë diellore, që në atë kohë ishte ora e vetme e Vlorës. Vlerat më të mëdha kjo shtëpi i merr në vitin 1912, kur u ngrit flamuri në Vlorë, pasi në këtë shtëpi u strehuan 3 ministra; ministri i Punëve të Brendshme, Myfit bej Libohova; ministri i Punëve të Jashtme, Mitat bej Frashëri; ministri i Post Telegrafit, Lef Nosi. Kjo godinë mbart edhe një ngjarje të madhe, pasi nga kjo godinë u dha lajmi i madh në gjithë Evropën, për shpalljen e Pavarësisë nga telegrafisti vlonjat Faik Kreshpa. Gjithashtu në 27 Nëntor 1912, në këtë shtëpi fjeti Ismail Qemali. Në këtë godinë në vitin 1914, u instalua komanda e kontrollit të kufijve. Duhet theksuar se këtu ka lindur dhe ka vdekur Memdu Sharra, vlonjati i arsimuar në Kembrixh, i cili kishte studiuar së bashku me Çu En Lain, udhëheqës komunistë në Kinë. Në hyrje të rrugës muze, është edhe sot e kësaj dite një godinë njëkatëshe, e cila ka qenë libraria e parë e Vlorës, e hapur në vitin 1936 nga një grup njerëzish të kulturuar, si mësues Ibrahim Kushta, publicisti Ibrahim Shyti, i cili njihet si fotograf i vjetër i Vlorës dhe si një sekretar i Ismail Qemalit, ku ka bërë mjaft fotografi të vjetra të Vlorës. Njëkohësisht ai ka qenë i pari që ka patur në Vlorë biçikletën me “goma pieno”. Në këtë rrugë nuk mund të harrojmë aspak një godinë e cila rreth viteve 20-30 quhej hotel “Europa”, ku më vonë, rreth viteve ’60 përfundoi si biblioteka e rinisë.

Shtëpia e Bezhanajve, ku mbajti fjalimin Krushovi

Kjo godinë përmban një ngjarje shumë të madhe pasi në vitin 1959. Nga ballkoni i saj ka mbajtur fjalimin sekretari i Parë i BRSS, Hrushovi, ku për efekt sigurie nën ballkon u vendosën disa shtylla druri pasi dihet që Hrushovi erdhi me një ekip prej 60 personash. Gjithashtu rreth viteve ’20-’30 ky hotel ishte mjaft luksoz për kohën, dhe kanë qëndruar mjaft personalitete të larta të botës, gjithashtu këtu pinin kafen paria e Vlorës dhe kryesisht bejlerët e Vlorës, ku të binin në sy 12 filxhanë floriri, posaçërisht për bejlerët. Në këtë lokal nuk mund të hynte kushdo. Një godinë që bie në sy në këtë rrugë, ka qenë edhe shtëpia e Bezhanëve. Bezhanët kanë ardhur në Vlorë nga Lekli në vitin 1880 dhe me punën e tyre të madhe në fushën e biznesit dhe me korrektësinë e tyre arritën që të ishin një nga familjet më të pasura në Vlorë, në vitet ’20. Në këtë godinë ka qenë e vendosur banka e parë në Vlorë me tregtarët dhe industrialistët e Vlorës. Këtë bankë vlonjatët e kanë quajtur “Banka Bezhani”. Në vitet ’50 aty ka jetuar portieri i famshëm italian, Xhakomino Bozeli. Në godinën e Bezhanajve, për vite me radhë ka banuar edhe mjeku Vasil Dhimitri, i cili në vitet ’30 ka qenë drejtori i spitalit shtetëror të Vlorës.

Zoti Hametaj, një godinë në këtë rrugë, vlonjatët e sotëm e thërrasin “Bombei”, dini gjë për të?

Kjo godinë, në formën e një pallati, në vitet ’20, u ndërtua për hotel tepër luksoz për kohën. Ka qenë pronë e Xhemil Bej Vlora dhe quhej hotel “New York”. Më vonë mori emrin hotel “Korça” dhe më pas hotel “Gjirokastra”, në varësi të pronarëve që e merrnin me qira ose e blinin. Duke vazhduar me godinat në rrugën muze “Justin Godar” mund të flasim edhe për një godinë të madhe, e cila ka qenë pronë e Mit Stratit, pasi rreth viteve ’20-’40 kanë banuar shumë personalitete të fushave të ndryshme, p.sh, doktor Kaçelano nga Himara, të cilit në po këtë rrugë i është bërë një pritë në vitin 1943, duke e vrarë, vrasje që bëri bujë të madhe në Vlorë.Ponë këtë shtëpi të madhe të Mit Stratit ka jetuar rreth viteve ’40 pediatri Manxoni. Nuk duhet harruar gjithashtu edhe mjeku i dëgjuar, doktor Llukani. Ngjitur me godinën e mësipërme ka qenë shtëpia e Aliko Çelës, ku në vitet ’40 ka banuar mjeku okulist nga Sardenja, Manconi. Gjithashtu në një godinë dykatëshe që ekziston edhe në ditët e sotme, ka banuar mjeku kirurg italian, Spinelli, në vitet ’40.

Në rrugën muze, spikat një godinë e madhe dykatëshe, me një numër të madh dhomash. Kush ka jetuar në vitet ’20 në këtë godinë?

 Kjo shtëpi ka qenë shtëpia e një personaliteti, e avokatit Avdul Kuçit. Ai përmendet si një avokat me shumë sukses e emër të mirë në jetën politike, historike e patriotike të viteve ’20-’40.

Ka qenë hartues i tekstit të ultimatumit që Mehmet Selimi nga Mallkeqi i dorëzoi gjeneral Piaçentinit në Vlorë, në Luftën e Vlorës. Avokat Avdul Kuçi u caktua nga Mbrojtja Kombëtare, kryetar i Gjykatës Speciale, gjykatë që dënoi të gjithë bashkëpunëtorët me Italinë. Përkarshi kësaj godine ka qenë një farmaci e Nasho Qirjakos, ndërkohë që përmendim dhe farmacitë e doktor Fadil Kotorit, Hito Rexhepit, që kanë kontribuar në Vlorë me ilaçe gjatë Luftës së Vlorës.

Me këtë rast nuk duhet lënë pa përmendur një godinë në rrugën muze ku vlonjatët e dinë mirë se rreth viteve ’50-’60 ka banuar fotografi grek Vasil Kareco, që në vitin 1964 u riatdhesua në Greqi. Në këtë shtëpi kanë jetuar pas vitit 1944, si të internuar, sipërmarrësit italianë që ndërtuan godinat më të bukura të Vlorës të viteve ’20-40, Manai me të birin, inxhinierin e talentuar Ugo Manai, ku dhe sot e kësaj dite të bie në sy zyrat e kësaj shoqërie italiane TEMVA. Këta ndërtues ndërtuan edhe disa nga ndërmarrjet në Vlorë në vitet ’30-’40. Manai i ka fillimet e veta si një karrocier i Luftës së Parë në Vlorë dhe kur Italia iku nga Vlora, ai përvetësoi disa karroca ushtarake dhe për këtë arsye bëri disa muaj burg për përvetësim.

Po Marigo Pozio ku ka banuar?

Edhe ajo ka banuar po në këtë rrugë. Është një godinë dykatëshe me dritare nga rruga.. Ajo kishte vite që banonte në Vlorë bashkë me të shoqin, i cili ishte një tregtar i kohës. Marigo Posio ishte nga Korça, por i shërbeu Vlorës sikur të ishte një vlonjate e vërtetë. Edhe në ditët e fundit të jetës së saj, në moshën 50 vjeçare, iu lut të kunatit të saj, Kristo Floqit që ta varroste në Vlorë dhe pikërisht në Zvërnec, në manastir, ku varri i saj është edhe sot e kësaj dite. Por Marigo Posio nuk përmendet vetëm si qëndistare e flamurit, ajo ka qenë aktiviste e Kryqit të Kuq shqiptar të asaj kohe dhe ka dhënë ndihmën në ngjarjet e hidhura të viteve 1913-1914, ku në Vlorë u grumbulluan rreth 10 mijë vet të përzënë nga ushtritë greke nga jugu i Shqipërisë. Ajo grumbullonte ushqim e veshmbathje, derë më derë të shtëpive vlonjate duke dokumentuar gjithçka në defterët e asaj kohe. Ajo u kërkoi ndihmë edhe dy kushërinjve të saj të parë, Spiridon Hilo dhe Taso Hilo, të cilët njihen shumë mirë si patriotë korçarë dhe kanë dhënë një kontribut të madh si njerëzit që sollën nga Rumania himnin e flamurit. Ata iu përgjigjën Marigos duke mos kursyer asgjë, pasi Vlora në atë kohë ishte në prag të një katastrofe.

Sa hotele ka patur Vlora në vitet ’20-’30?

Në vitet ’20-40, Vlora kishte një numër jo të vogël hotelesh, por më të spikaturit ishin katër. Hoteli më luksoz ishte hotel “Ballkani”, Hoteli i dytë ka qenë hotel “Europa”, që në vitin 1940 mori emrin hotel “Savoja”. Hoteli tjetër është hotel “New York”, si edhe hotel “Tirana”, i cili ka qenë pronë e Eqerem bej Vlorës, që ia kishte dhënë me qira, Vangjel Andrikos, ose si njihej ndryshe, “Vangjel Tirona”. Ky njeri në vitet ’30, solli për herë të parë në Vlorë frigoriferin ngaAustralia, ku kishte qenë emigrant dhe ishte i markës “Everest”, ka punuar deri në vitet ’90. Në këtë hotel, pranë postë telegraf sot, ka shërbyer në vitet ’40 si kamerier atentatori i Viktor Emanuelit III, Vasil Laçi nga Piqerasi.

VLORA / HISTORI

Vlora është qyteti i dytë më i madh portual pas Durrësit, me një popullsi afërsisht 125.000 banorë. Vlora që në lashtësi ka qenë një nga portet kryesore te Shqipërisë.  Njihej me emrin Aulona.  Duke qenë një nyje e rrugëve tokësore e detare, i njohur për verën, ullinjtë e kripën, u bë porti kryesor i Ilirisë pas rënies së Apolonisë e Orikumit. Në mesjetë fatet e qytetit lidhen me kështjellën e Kaninës. Më 1081 u pushtua nga normanët, më 1205 nga Venediku, pastaj kaloi në sundimin e Hohënshtaufëve gjermanë dhe më 1272 u përfshi në mbretërinë e Arbërisë. Në shek. V u bë një qendër e lulëzuar tregtare e zejtare, si despotat më vete. Kaloi në shek. XIV nën sundimin e Balshajve. Osmanët e pushtuan këtë zonë më 1417 dhe kjo zonë ofronte portin e parë të pushtuar prej tyre në Adriatik. Në shekujt e mëvonshëm u bë edhe qendër sanxhaku, i cili u trashëgua gati pa ndërprerje nga Vlorajt, oxhaku i qytetit. Dikur, por që tani nuk ka asnjë gjurmë ka qenë Kalaja e Skelës, që sipas kronikanit turk Evlija Çelebiu, një nga mrekullitë e arkitekturës osmane dhe në të njëjtin nivel me Kullën e Selanikut. Një ndërtesë tjetër që shpreh lulëzimin kulturor është edhe Xhamia e Muradies 1542. Në shek. XVII-XVIII qyteti u bë përsëri një qendër e rëndësishme ekonomike-tregtare dhe port eksporti e importi. Ali Pasha e mori me 1812. Vlora ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë së pavarur. Më 28 Nëntor 1912 këtu Kuvendi Kombëtar shpall Pavarësinë në Sarajet e Vlorajve dhe formoi qeverinë me Ismail Qemal Bej Vlorën në krye. Por në dhjetor 1914 u pushtua nga italianët. Më 1920 u krijua komiteti “Mbrojtja Kombëtare”, i cili organizoi forcat që morën pjesë ne Lufta e Vlorës dhe pushtuesit italiane të thyer u detyruan të pranojnë tërheqjen më 2 shtator 1920. Qyteti kishte 4.000 banore, ai vijoi të ishte vatër e lëvizjes atdhetare e demokratike. Me rastin e varrimit të Avni Rustemit më 30 prill 1924, u ngrit komiteti i cili organizoi kryengritjen e cila çoi në Revolucionin e Qershorit 1924. Në nëntor u hap shkolla e mesme tregtare. U çlirua më 15 tetor 1944. Gjatë periudhës komuniste qyteti u rrit në sipërfaqe dhe në numër duke arritur 72 000 banorë në 1989.  Sot, Vlora është një qendër e rëndësishme turistike, kjo fal edhe mjedisit të këndshëm bregdetar.

“JUSTIN GODAR”, QË MBRAPA I VJEN HISTORIA

Rruga “Justin Godar” është e vetmja rrugë muze në qytetin e Vlorës. Dikur ka qenë rruga kryesore e Vlorës. Është ndërtuar në mesin e shekullit të 19 dhe mbante emrin “Rruga e kafeneve”. Në vitin 1912, u pagëzua me emrin “Liria” pasi nga kjo rrugë hyri për në qendër të Vlorës për t’u takuar me Ismail Qemalin, Isa Boletini. Në vitin 1921, Këshilli i Bashkisë së Vlorës ia ndryshoi emrin, duke e emërtuar rrugën me emrin “Justin Godar”, emër që mban edhe sot e kësaj dite. Ajo me të drejtë mund të quhet rruga e ngjarjeve e personazheve të mëdha të Vlorës së viteve ’20 e në vazhdim. Ai ka qenë avokat i shqiptarëve dhe kishte një simpati të madhe për gjithë popullin shqiptar, por në veçanti për popullin vlonjat. Ai në Vlorë ka qëndruar rreth 30 ditë dhe është takuar me parinë e Vlorës. Ka qëndruar disa ditë te çifligu i Myqerem Hamzarajt në Lubonjë.

 

“BOMBEI” DHE SHTËPIA E MJEKËVE ITALIANË

Kjo godinë, në formën e një pallati, në vitet ’20, u ndërtua për hotel tepër luksoz për kohën. Ka qenë pronë e Xhemil Bej Vlora dhe quhej hotel “New York”. Më vonë mori emrin hotel “Korça” dhe më pas hotel “Gjirokastra”, në varësi të pronarëve që e merrnin me qira ose e blinin. Duke vazhduar me godinat në rrugën muze “Justin Godar” mund të flasim edhe për një godinë të madhe, e cila ka qenë pronë e Mit Stratit, pasi rreth viteve ’20-’40 kanë banuar shumë personalitete të fushave të ndryshme, p.sh, doktor Kaçelano nga Himara, të cilit në po këtë rrugë i është bërë një pritë në vitin 1943, duke e vrarë, vrasje që bëri bujë të madhe në Vlorë.Ponë këtë shtëpi të madhe të Mit Stratit ka jetuar rreth viteve ’40 pediatri Manxoni. Nuk duhet harruar gjithashtu edhe mjeku i dëgjuar, doktor Llukani. Ngjitur me godinën e mësipërme ka qenë shtëpia e Aliko Çelës, ku në vitet ’40 ka banuar mjeku okulist nga Sardenja, Manconi. Gjithashtu në një godinë dykatëshe që ekziston edhe në ditët e sotme, ka banuar mjeku kirurg italian, Spinelli, në vitet ’40.