Si e futa për herë të parë në ballo Enver Hoxhën dhe vallëzimi marramendës me profesorin e Liceut

1183
Pëllumb Çuni
Dosier / Rrëfimi i 89-vjeçares Lefteri Mara, një nga aktoret e para femër që u ngjit në skenën korçare: “Nuk u plagosa në luftë, por në paqe”, komunizmi ma futi djalin në burg, demokracia ma vrau
JETËSHKRIMI
Vajza e skenës korçare dhe jeta e saj në Teatrin e Korçës
Lefteria u lind në qytetin e Korçës më 30 dhjetor të vitit 1920. U nda nga jeta në 15 nëntor të vitit 2008. Ishte e bija e Llazi Shehdollarit, një nga muratorët më të njohur në Korçë. Llazi kishte tre fëmijë, dy vajza e një djalë. Me krijimin e shoqërisë “Rinia Korçare”, Lefteria futet në grupin teatral të saj. Në vitin 1937 vihet në skenë drama “Besa” e Sami Frashërit nga regjisori Sokrat Mio, ku Lefteria luan një nga rolet kryesore të saj. Ka luajtur në disa drama që u shfaqën në Korçë, në kinema “Majestik”, në vitet 1937-1939. Sokrat Mio, kur u kthye në Korçë në vitet 1950 e ftoi disa herë Lefterinë që të merrte pjesë në disa role. Lefteria së bashku me vëllanë e saj Kiçin morën pjesë në luftë. Sapo kishte mbushur 19 vjeç ajo u martua me Koço Marën, i cili u internua tre vjet në Itali. Koçoja ishte 18 vjet më i madh se Lefteria, por Pilo Peristeri me mblesëri e fejoi në shtëpinë e tij. “Si të kundërshtoja. Ishte urdhri i celulës dhe kishte ligje të rrepta”. 
Ajo është ende e fortë e me kujtesë të kthjellët, edhe pse mbi supe i rëndojnë, jo vetëm 89 vitet, por dhe shumë halle me të cilat e kanë përplasur dallgët e jetës. Megjithatë, duket se ka gjetur forcë e kurajë, për ta përballuar edhe më të keqen…
Lefteri Mara njihet si nga të parat femra e ngjitur në skenën korçare. Me krijimin e shoqërisë “Rinia Korçare”, Lefteria futet në grupin teatral të saj. Në vitin 1937 vihet në skenë drama “Besa” e Sami Frashërit nga regjisori Sokrat Mio, ku Lefteria luan një nga rolet kryesore të saj. Ka luajtur në disa drama që u shfaqën në Korçë, në vitet 1937-1939. 

Ishte viti 1937. 
Idetë komuniste në Korçë kishin hyrë nëpër rrugicat e qytetit. Zanatçinj e intelektualë ishin përfshirë në këtë lëvizje me ëndrra për një ndryshim të mbretërisë, për një epokë ndryshe, si ajo evropiane. Rinia korçare u përshi për ndryshim. Në mendjen e një dëshmitareje okulare të atyre viteve ka mbetur një ballo e organizuar në vitin 1937. Lefteri Mara dhe pse në moshën 89- vjeçare i ruan ende ato kujtime dhe të flet me nostalgji. Balloja nga të rinjtë revolucionarë në vitin 1937, pati mes tyre dhe profesorin e ri të Liceut Francez, Enver Hoxhën, në të cilin dikur ai kishte qenë nxënës. Për të marrë pjesë në këtë ballo Enveri shkon i pa shoqëruar me ndonjë femër, siç ishte tradita për të marrë pjesë në të tilla ceremonira që organizoheshin në ato vite në qytetin e Korçës. Atë e ndalin në derën e kinemasë. Por Lefteri Mara, i jep krahun dhe e shoqëron në sallën e mbushur me të rinj e të reja. Më pas vallëzon me Enverin, sepse tashmë ishte shoqëruesja e tij. Në pjesën e tretë të rrëfimit të saj Lefteri Mara tregon për jetën e saj në vitet e demokracisë. Gjatë intervistës ekskluzive për gazetën “Telegraf” ajo shprehet:

Cilat janë pengjet në jetë?
E nisa herët luftën dhe hyra me një vrull të moshës që as plumbi nuk më zuri. Luftova për një drejtësi dhe liri të shpirtrave. Gjatë dy viteve të demokracisë më vranë djalin dhe nipin. Vrasësit e nipit nuk janë zbuluar akoma. Vrasësi i djalit u dënua me 20 vjet burg.

Po në vitet e socializmit…?
Nuk patëm rehat gjatë viteve të pushtetit që luftuam burrë e grua. Në vitin 1987 më arrestojnë djalin e vogël, Artur Marën me akuzën tentativë arratisjeje. Do ta quaj një gërvishtje të lehtë burgosjen e djalit të vogël. Ai kishte qenë ushtar në Dardhë. Ishte duke pirë birrë tek “Panda e vogël”. Katër shokë të tij që e kishin mbushur mendjen se do të arratiseshin i kërkojnë që t’u tregonte shtegun për të kaluar kufirin nga zona e fshatit Dardhë. Kur dëgjon se ç’po nxirrnin nga goja im bir u hedh gotën e birrës turinjve dhe nuk pranon që të bëhej udhërrëfyesi i tyre. Të katërt e pranuan se do të arratiseshin dhe u dënuan me nga 15 vjet burg. Im bir, që unë e dija se nuk mund të shprehte dhe të merrte një veprim të tillë, që të tradhtonte atdheun nuk pranoi akuzën. Prokuroria kërkoi që ai të dënohej 13 vjet me burg. Ata i akuzonin për grup të organizuar. 

Djali i bëri të gjithë vitet e burgut?
Jo. Takova Ava Bekteshin dhe i thashë, se po të ketë pasur atë mendje im bir për të ikur jashtë shtetit jo 13 vjet, por 30 vjet të dënohet. Por ia kanë stisur akuzën. Avaja më ndihmoi dhe im bir, Arturi bëri një vit burg. Nga tentativë arratisje në grup i lanë akuzën “Mos kallëzim krimi.” Pas mbërritjes së demokracisë mora dy plagë të mëdha, që ma bluan shpirtin.

Si do të ndahej nga jeta djali juaj?
Më 28 qershor të vitit 1997 më vranë djalin, Arturin, që la një vajzë. Vrasësi, Nikollaq Treska u kap dhe nga gjykata e Korçës u dënua me burgim të përjetshëm, por Gjykata e Lartë e ktheu çështjen për rigjykim. Gjykata e Shkallës së Parë i dha dënim me 25 vjet burg, ndërsa Apeli i fali pesë vjet dhe e dënoi me 20 vjet që po e vuan. 

Po nipi…?
Po plaga ime e dytë e pambyllur është vrasja e nipit, Koços, djalit të Gjergjit. I kisha vënë emrin e tim shoqi. Nuk kishte kaluar as shtatë muaj dhe lotët për tim bir nuk më ishin tharë ende, kur para Bibliotekës së qytetit më 20 janar të vitit 1998 plumbat i marrin jetën Koços. Nipi ishte 20 vjeç. Askush nuk është dënuar për vrasjen e tim nipi. Kemi kërkuar të gjendet autori i vrasjes, por ka mbetur i pazbuluar. Disa herë kemi shkuar në prokurori dhe nuk kemi marrë ndonjë përgjigje, nëse është hapur apo mbyllur dosja për nipin tim. Në kohën e Enverit nuk mbetej krim i fshehur dhe pa autorësi.

Për ta mbyllur intervistën, çfarë meraku ju ka mbetur tani së fundi
Një merak më mbeti edhe për shtëpinë që kishte im shoq në Stamboll. Nuk kam më takat që ta ndjek. Ai kishte ardhur këtu në Korçë si tregtar dhe u lidh me Luftën. Mbeti këtu dhe nuk pati mundësi që të shkonte në Stamboll.

BALLOJA
Vallëzimi marramendës me profesorin e Liceut
Balloja nga të rinjtë revolucionarë në vitin 1937, pati mes tyre dhe profesorin e ri të Liceut Francez, ku dikur ai kishte qenë nxënës. Për të marrë pjesë në këtë ballo Enveri shkon i pa shoqëruar me ndonjë femër, siç ishte tradita për të marrë pjesë në të tilla ceremonira që organizoheshin në ato vite në qytetin e Korçës. Atë e ndalin në derën e kinemasë. Lefteri Mara rrëfen: “Në atë mbrëmje isha me vëllanë tim, Kiçin. Në të merrnin pjesë vetëm të rinj e të reja të ftuar, që bënin pjesë në rininë revolucionare të kohës. Qëllimi i kësaj mbrëmjeje nuk ishte vetëm balloja, por dhe propagandimi i komunizmit dhe e ardhmja e tij duke e konsideruar si shpëtim të njerëzimit dhe varfërisë. Vëllai im qëndronte tek dera dhe kontrollonte çdo të ri që hynte në sallë. Kur kishim disa minuta që po bënim ballo, tek dera e kinemasë vjen Enver Hoxha dhe kërkon të hyjë brenda. Vëllai im i thotë që duhej të ishte i shoqëruar me një femër, nuk e shkelte dot rregullin dhe pse ai e njihte Enverin. Unë e kisha parë Enverin qëkur ishte në Liceun Francez. Atëherë isha e vogël, por vëllai e kishte marrë disa herë në shtëpi. E njihte që në Gjirokastër, pasi atje kishim martuar motrën e madhe, Vangjelinë dhe ishin fqinjë me Enverin. Vëllai im i thotë që të priste pak sa të thërriste Lefterinë për ta shoqëruar. “Pse qenka rritur Lefteria?”, i kishte thënë Enveri. Dola nga salla se më kërkoi vëllai, por nuk e dija se përse më kishte kërkuar. Menjëherë pashë tek dera Enverin, që ishte rritur e zbukuruar. E shoqërova për në sallë, e cila ishte mbushur me të rinj e të reja dhe një pjesë e mirë e tyre kthyen sytë nga unë. Në sallë i gjetën vend disa shokë të tjerë. Unë ndenja me shoqet në vendin tim ku isha. Shoqet më pyetën, se cili ishte ai bukurosh që mbiu në mes të rinisë korçare. Më pas vallëzova me Enverin. Isha shoqëruesja e tij. Në vallëzim me Enverin mësova se ai kishte ardhur profesor në Liceun Francez, por se kush e ftoi në atë mbrëmje nuk e mësova kurrë”.
Kur Enveri më dhuroi një palë këpucë angleze
Lefteri Mara njihet si nga të parat femra e ngjitur në skenën korçare. Ishte viti 1937. Idetë komuniste në Korçë kishin hyrë nëpër rrugicat e qytetit. Zanatçinj e intelektualë ishin përfshirë në këtë lëvizje me ëndrra për një ndryshim të mbretërisë, për një epokë ndryshe, si ajo evropiane. Rinia korçare u përshi për ndryshim. Në mendjen e një dëshmitareje okulare të atyre viteve ka mbetur një ballo e organizuar në vitin 1937. Lefteri Mara dhe pse në moshën 89- vjeçare i ruan ende ato kujtime dhe të flet me nostalgji. Balloja nga të rinjtë revolucionarë në vitin 1937, pati mes tyre dhe profesorin e ri të Liceut Francez, ku dikur ai kishte qenë nxënës. Në pjesën e dytë të rrëfimit të saj Lefteri Mara ka thënë:

-Po ju si jeni martuar?
-Edhe unë partizançe. Fejesën e kam bërë në shtëpinë e Pilo Peristerit. Më thirrën në një takim të celulës. Pilua u bë mbles e më lidhi me Koço Marën. Atë mbrëmje janë bërë shtatë fejesa, ku midis tyre edhe Vangjelia me Pandi Kriston. Burri im ishte në një celulë më Koçi Bakon. Ai kishte ardhur nga Stambolli dhe hapi dyqan, ku shiste punime druri si dyer, dritare. Dy çirakët e burrit tim, Miti Kostani dhe Kiço Greço i vranë. Burri bënte pjesë në celulën e Koçi Bakos. Im shoq u plagos në demonstratën e 8 nëntorit të vitit 1941, ndërsa Koçi Bakua u vra. Pastaj burrin ma burgosën në Itali, ma internuan. Më ka dhënë doktori Sotir Polena tre napolona flori që ia kam dërguar në burg. “Merri Lefteri e dërgoja se është me shokë atje. Të kthehet gjallë Koçoja, pa nuk dua të m’i kthesh”. Unë të gjitha monedhat e floririt që kisha i bëra franga e dollarë dhe bleva armë dhe municione tek italianët.
-E latë Luftën pas arrestimit të burrit tuaj nga italianët?
-Unë nuk iu ndava Luftës. Me 40 të rinj korçarë kam udhëtuar në këmbë për në Shëngjergj të Tiranës, ku kishim marrë të dhëna se do të formohej Brigada e Dytë Sulmuese, me komandant Beqir Ballukun. Mua dhe vëllain pas mbërritjes në Shëngjergj na kthyen duke na thënë se ishim më të vlefshëm në Korçë. Burri u kthye pasi mbaroi Lufta.
-Pas takimit në vitin 1937 me Enver Hoxhën në ballo a keni pasur kontakte të tjera?
-Në verën e vitit 1939 Enveri u largua nga Korça. Më kujtohet demonstrata e 7 prillit, ku së bashku me profesorët e tjerë dolën kundër pushtimit të fashizmit, në ballë printe edhe Abaz Ermenji që më vonë ndoqi rrugën e tij ndryshe nga ajo e Enverit. Por mbaj mend mirë se, Enveri, kur ka qenë në Helmës të Skraparit në Kongresin e Rinisë Antifashiste më 8 Gusht të 1944, më ka dërguar një palë këpucë angleze me Taqo Manen. Unë në atë kohë isha në Lavdar, magaziniere e Shtabit të Qarkut. Më bënë ftesë për në Kongresin e Rinisë, por nuk gjetëm zëvendësuese. Enveri kishte pyetur për mua delegatët e Korçës. Ata i kishin thënë se Lefteria edhe pas internimit të burrit nuk i është ndarë Luftës.
– Si i përdorët këpucët. U rrinin mirë?
-Kur ishim në Lavdar të Korçës korriere kishim një grua nga ky fshat. Sofika e quanin. Ajo ecte tri orë në këmbë, e ngarkuar me 20 kg kripë mbi shpinë. Brenda në thes mbante komunikata, fishekë, çorape që i thurnin gratë korçare për partizanët. Një ditë e pikasin gjermanët dhe e qëlluan me një breshëri plumbash. Njëri prej tyre e kapi në krah. Ajo iu fut lumit të Dërsnikut pa e flakur thesin dhe me shaminë e kokës lidhi plagën. Po vrisnin mendjen për të gjetur një korrier tjetër, por ajo nuk pranoi të zëvendësohej edhe pse ishte e plagosur. Por mbetej problem se ajo tani ishte zbuluar dhe njihej nga gjermanët se me thesin në krah zbriste për ditë në Korçë. Unë vrava mendjen dhe vendosëm që Sofikën ta vishnim si burrë plak. I vura një palë mustaqe e një kapele. Gjermanët nuk i ngacmonin pleqtë, plakat, as vajzat nuk i preknin me dorë pa urdhër nga eprorët. Ishin ndryshe italianët. Po të shikonin vajza të reja e u turreshin. Si të shthurur qenë nga karakteri. Si e bëra plak të mirë, pas një jave e dërgova Sofikën në Korçë. Sapo futet në një bazë, shokët ia kthejnë “Keni ngatërruar adresën xhaxho, nuk jemi ne për këto punë.” Nuk e njohën në fillim. Ndërsa këpucët që m’i dërgoi Enveri, gjysmën e ditës ia jepja Sofikës, pasi kishte rrugë të gjatë dhe të rrezikshme dhe gjysmën tjetër i mbaja unë, në magazinë. Po me ato këpucë kam parakaluar në ditën e çlirimit të Korçës. Nuk i ruajta më vonë.
-Pas çlirimit të vendit u takuat me komandantin?
-Në vitin 1947, kur Enveri erdhi për vizitë në Korçë shkeli edhe në shtëpinë time, pasi unë isha sëmurë.”Tani e fituam Luftën, Lefteri, por kemi një luftë më të ashpër, armiqtë e brendshëm e të jashtëm duan të na e marrin fitoren”, më tha Enveri. Ndërsa në vitin 1966 ia flaka teserën e partisë në zyrë Mihallaq Ziçishtit. Qëndrova 25 vjet komuniste, m’u mbush shpirti me mllef. Ne që bëmë Luftën u zhgënjyem. Shikoja Mihallaqin. Ai mori tri gra. E kundërshtova disa herë. I thashë se nuk luftuam vetëm për ju, nuk luftuam për gratë tuaja. Humba floririn e bëra armë për Luftën, humba rininë, shëndetin humbëm. Punoja shitëse buke. Të nesërmen më heqin nga puna. Flaka teserën e partisë në zyrën e sekretarit të parë. Me rrezik ishte për atë kohë, por unë ndjehesha e sigurt se kisha besim tek Enveri. Më caktuan në një punë të re si punëtore krahu në fermë. Nuk shkova asnjë ditë. Dy vjet pa punë. Në vitin 1968 erdhi përsëri Enveri në Korçë. Dola në miting për ta pritur. Kur po zbriste nga tribuna u afrova. Ai më pa e më thirri vetë: “Hë, Lefteri ç’kemi kësaj Korçe?”,- më tha. Unë i thashë se: “Ç’të kemi tjetër, unë partizania kam mbetur pa punë, ja këtë kemi këndej komandant”. Të nesërmen më kërkuan për punë, ku më afruan në spital sanitare derisa dola në pension.

-Për ndonjë takim tjetër nuk u krijua mundësia?
-Më nuk e poqa. Shkova për ta përcjell në Tiranë me disa shoqe e shokë të Luftës. Na humbi Lufta që kur na vdiq komandanti ynë. Kur e përcollëm në Tiranë binte një shi i imët atë ditë. Qante qielli dhe mileti.
IDHUJT E VETERANES

Enver Hoxha, Pilo Peristeri në krye të klasifikimit
Idhujt e saj të Luftës deri në ditët e fundit të jetës mbetën Enver Hoxha, Pilo Peristeri, Miha Lako. Ajo i kishte ruajtur fotot e tyre në një libreze dritash. I kishin thënë që fotot e tyre duhet t’i largonte nga shtëpia se kishte perënduar dielli i tyre. Enveri për mua ka qenë burrë shteti, por e shkatërroi ajo shtriga, Nexhmija. Unë e pata komandant në Luftë e udhëheqës në krye të vendit. Por ajo nuk lë pa përmendur edhe vëllanë e Pilos, Gaqkën, që shtëpinë e vuri në dispozicion të Luftës. Me dhimbje kujton demonstratën e 8 nëntorit të vitit 1941, ku mbeti i vrarë Koçi Bako, dëshmori i parë i vendit dhe iu plagos bashkëshorti dhe ashtu me plagë e morën në Itali, në internim, por burg ishte. Në atë demonstratë mbeti me një këmbë Vangjush Vilçani. Së fundi, ajo nxori nga zemra dhe një “tmerr” që kishte kaluar gjatë viteve të Luftës. Pushkatimi pa gjyq i partizanit me emër Llambro nga Boboshtica. Ishin shpërngulur nga Lavdari i Korçës dhe ishin vendosur në Lavdar të Oparit, rrëzë Ostrovicës. Lefteria ishte magaziniere e Shtabit të Këshillit Nacional-Çlirimtar të Qarkut. Llambroja i lodhur nga dita në mbrëmje flinte së bashku me partizanet. Gjatë natës dora e tij ishte shtrirë mbi qafën e një partizaneje. E shikon roja dhe e thërresin Llambron. Me një plumb të vetëm e vranë. “Unë u hodha që ta shpëtoja duke tentuar të kapja revolen e ekzekutorit, por nuk arrita ta shpëtoja dot.” “Gaboi , Lefteri”, më thanë. “Nuk shthurim moralin ne në shtab.” Ishte luftë dhe lufta kosit radhë e paradhë. Ne që e bëmë Luftën dhe e kaluam në kurriz i dimë vështirësitë.
Sigal