Rrëmbimi i kryeministrit Koço Kota nga komunistët grekë dhe vdekja nga torturat e komunistëve shqiptarë

362
Harallamb KOTA

Vijon nga numri i kaluar

Situata politike në Shqipëri pas Luftës
Antikomunistët e rreptë shqiptar, midis tyre Mithat Frashëri dhe Koço Kota, parashikuan qysh herët rrezikun e invazionit sllavo-komunist, i cili erdhi furishëm në Ballkan dhe në Shqipëri. Sipas këndvështrimit të Eugen Shehut, ngjarjet e vjeshtës të vitit 1944, erdhën të tilla, që me rënien e Raihut të Tretë, forcat nacional-çlirimtare shqiptare fituan kohë dhe mundësi për të luftuar kundërshtarët e tyre politikë. Në këto kushte, me dhjetra shqiptarë lanë atdheun e tyre. Një fat të tillë pati dhe Nuçi Kotta, djali i ish-kryeministrit Koço Kota. Ai largohet në Itali, e prej andej kalon në Francë, aty ku dihet e kish pasur të lehtë të ngjiste shkallët e karrierës. Sado skeptik në parashikimet e tyre, Mithat Frashëri dhe Koço Kota, nuk e kishin parashikuar eksodin e shqiptarëve çamë që ndodhi në vitet 1944- 1945, si dhe përndjekjet e organizuara nga regjimi i Tiranës në vitet e ardhshme, kundër nacionalizmës shqiptare dhe elementëve që përkrahnin kthimin e Mbretit Zog. Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, rruga “Koço Kota”, e cila u quajt “Galeaco Çiano” nga italianët, do të quhej “Qemal Stafa” nga komunistët. Për të mos u mjaftuar me kaq, Kryeministrin e Mbretërisë Shqiptare Koço Kota, do ta ndiqte një fat shumë i keq. Regjimi komunist që u vendos në Shqipëri pas përfundimit të Luftës II Botërore, ishte në kërkim të funksionarëve të Mbretërisë zogiste, të kuislingëve dhe regjentëve. Midis tyre kërkohej dhe ish-kryeministri Koço Kota, i shpallur armik:

1. Nga pushtuesit nazifashistë;
2. Nga fqinjët sllavo-komunistë;
3. Nga nacionalistët e komunistët grekë.
4. Nga komunistët shqiptarë. 

I dekonspiruar nga komunistët grekë, Koço Kota ra në duart e segmenteve të shërbimeve sekrete Jugosllave e Sovjetike, të cilët kishin si mision: “Ta rrëmbenin, ta dërgonin në Shqipëri dhe t’ua dorëzonin komunistëve shqiptarë”. Aksion mafioz në Selanik Ish-kryeministri Kota, nuk e ndoqi në mërgim Mbretin Zog, por qëndroi në shtetin fqinj në Greqi, për të organizuar nacionalistët dhe legalistët brenda dhe jashtë kufirit shqiptar, në luftë kundër pushtuesit italian e më pas atij gjerman. Dr. Koço Kota, i vetëshpallur armik i “rrezikut sllavo komunist”, kishte kohë që bënte jetën e ilegalit në qytetin e Selanikut, sepse tashmë ishte shpallur armik edhe nga komunistët grekë edhe nga komunistët jugosllavë. Lëvizja komuniste ndërsa kishte përfshirë mbarë Greqinë, në Selanik ishte bërë forca kryesore politike. Një nga pjesëmarrësit e rretheve marksiste dhe të lëvizjes komuniste në Maqedoninë greke kishte qenë edhe shqiptaro-maqedonasi Koçi Xoxe, i cili kishte lindur në fshatin Negovan të Follorinës dhe kishte kryer shkollën e mesme në Selanik. Në vitin 1931, komunisti Xoxe erdhi në Korçë dhe mori pjesë në organizimin e shoqërisë Puna, ndërsa antikomunisti Kota drejtonte shtetin shqiptar dhe mbante postin e kryeparlamentarit. Më 21 shkurt 1936, kur Qeveria shqiptare e Mbretit Zog, kryesohej nga liberali Mehdi Frashëri, Xoxe mori pjesë në “Demonstratën e Bukës” në Korçë, ndërsa Koço Kotta kryesonte Parlamentin shqiptar. Në periudhën dhjetor 1936 deri më 7 prill 1939, kur qeveria shqiptare kryesohej nga autoritari Koço Kotta, Xoxe u largua nga Shqipëria dhe u strehua në Jugosllavi. Pas agresionit fashist italian më 7 prill 1939, Xoxe u kthye përsëri në Shqipëri dhe mori pjesë në demonstratën antifashiste në Korçë.

Organizoi lëvizjen antifashiste në Çamëri
Gjatë viteve të pushtimit nazifashist, ish-kryeministri Koço Kotta organizoi lëvizjen antifashiste në Çamëri, ndërsa në Shqipëri në lëvizjen kundër okupatorit italian, midis shumë antifashistëve, merrnin pjesë edhe komunistët Jorgji Kota e Kozma Kota, si dhe legalisti Nuçi Kota. Lufta kundër okupatorit italian ishte pika e bashkimit midis ish-kryeministrit mbretëror Kota dhe zv/kryeministrit komunist Xoxe i zgjedhur në mbledhjen e Këshillit ANÇ në Berat në tetor 1944. Me sa duket, pika që i ndante ishte ideologjia komuniste.

Arrestimi në Selanik
Pas përfundimit të Luftës, më 25 dhjetor 1944, Koçi Xoxe u caktua kryetar i Gjykatës Speciale. Qëndrimi antikomunist dhe antijugosllav i korçarit Koço Kota, nuk mund të tolerohej nga Partia Komuniste Jugosllave dhe nga shqiptaro-maqedonasi Koçi Xoxe. Ora për ndëshkimin e ish-kryeministrit Kota kishte ardhur për Xoxen. Në 1 Janar të vitit 1945, tre persona u paraqitën befas në derën e shtëpisë të z. Gjik Dallamanga, vjehrri i ish-kryeministrit Koço Kota. Në fillim ata u paraqitën me mirësjellje duke i kërkuar Koços të vinte me ta në Shqipëri. Sipas tyre, ata kishin porosi direkte nga Enver Hoxha, që ish-kryeministri mbretëror, të kthehej në Tiranë, pasi shteti kishte nevojë për kontributin e tij. Koço e kuptoi që kjo ishte një grackë e organizuar për ta likuiduar dhe nuk pranoi të shkonte pas tyre. Pas këtij refuzimi, të tre personat nxorën pistoletat dhe ia vunë në kokë. Në shtëpi u krijua një gjendje ankthi, frike e terrori, sepse gjithçka u krye në sy të gruas së tij dhe prindërve të saj. Pjesëtarët brenda shtëpisë, rezistuan dhe kundërshtuan marrjen e Koços, por përpjekja ishte e kotë. Menjëherë, pranë shtëpisë mbërriti një furgon nga ku dolën pesë apo gjashtë persona të tjerë, të cilët pasi e rrethuan ish-kryeministrin mbretëror Kota dhe e tërhoqën zvarrë-zvarrë, e futën brenda në furgon. Rrëmbyesit flisnin shqip dhe e kërcënonin ish-kryeministrin e Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit nga Selaniku në Tiranë. I gjithë operacioni u drejtua dhe u komandua nga gjeneralmajor Koçi Xoxe.

Gjyqi Special i KANÇ-it
Gjyqi u hap më 1 mars 1945, në kinema “Kosova” në Tiranë. Trupi gjykues i drejtuar nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, kishte vënë në bankën e të akuzuarve personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Të pandehurit ishin: ish-kryeministra Kostaq Kotta e Ibrahim Biçakçiu, ish-kryetarë parlamenti Terenc Toçi, Fejzi Alizoti e Mihal Zallari etj. Akuza ndaj tyre ishte: “Kriminelë lufte” dhe “Bashkëpunëtorë të pushtuesit”. Gjykata Speciale më 13 prill 1945, dënoi me vdekje zyrtarët e lartë në qeveritë fashiste e naziste, Fejzi Alizoti, Kol Tromara, Kostandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Ismail Golemi, Terenc Toçi, Zef Kadare, Gustav Mirdash, Aqif Përmeti, Shyqyri Borshi, Bahri Omari, Beqir Valteri, Dik Cami, Daut Çarçani, Tasim Bishqemi dhe Javer Hurshiti, si dhe me dënime të rënda shumë të tjerë. Gjykata Speciale nuk gjeti asnjë provë kundër ish-kryeministrit Koço Kota. Por nën trysnin e shërbëtorit të jugosllavëve, zv/kryeministrit komunist Koçi Xoxe, Gjykata Speciale mori vendim politik dhe e dënoi ish-kryeministrin shqiptar Koço Kotta me 30 vite burgim në burgun e Burrelit. Duke e konsideruar gjyq politik dhe farsë, e shoh të udhës të sjell para lexuesit të interesuar, vetëm disa nga akuzat qesharake që iu bënë personalitetit shqiptar ish-kryeministrit Koço Kota.

Debati Koçi Xoxe me Kostaq Kote
Koçi Xoxe: Ke vepruar kundër interesave të larta të atdheut. Ke ndihmuar dhe kontribuar në përhapjen e imperializmit fashist italian dhe përgatitjen e terrenit. Ke qenë në lidhje me qeverinë kuislinge të Tiranës dhe me organizatat tradhtare, Balli Kombëtar dhe Legaliteti. Je përpjekur për realizimin e një marrëveshje që kishte qëllimin bashkimin e reaksionit shqiptar me atë grek, me qëllim që të shuaje lëvizjen popullore çlirimtare në Shqipëri, marrëveshje që nuk u arrit dot për shkaqe të pavarura nga vullneti yt. Për këtë marrëveshje ti ishe përfaqësues i Legalitetit, ç’ke për të thënë?

Kostaq Kota: …Unë mund të jem përgjegjës vetëm për dy periudhat që kam qenë në qeveri…. Koçi Xoxe: Nuk na intereson të na bësh histori, por të na tregosh pse nga dita e 7 prillit nuk u organizua rezistencë?
Kostaq Kota: Më 7 prill të vitit 1939, qeveria jonë jo vetëm që nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, duke bërë atë që nuk e bëri dot as qeveria çekosllavake, e cila ishte shumë herë më e armatosur se qeveria e jonë. Pikërisht, atë që s’e bëri qeveria çekosllavake, e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar.
Koçi Xoxe: Ti ke thënë në deponimet e tua në hetuesi, se qeveria nuk bëri rezistencën aktive ose pasive, pasi nuk kishte mjete?
Kostaq Kota: Jo, jo, përkundrazi, qeveria vendosi rezistencë aktive.
Koçi Xoxe: A u bë kjo rezistencë?
Kostaq Kota: Edhe unë mund t’ju them, që unë personalisht i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë. U mor vendimi nga qeveria për rezistencë dhe nota italiane nuk u pranua.
Koçi Xoxe: Po ti, në deponimet e tua ke thënë se ne nuk kishim mjete për të bërë rezistencë?
Kostaq Kota: Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka pasur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.
Koçi Xoxe: Kur shkove ti këndej?
Kostaq Kota: Ditën e 7 prillit, Mbreti shkoi në Zemblak, ndërsa unë vajta të shihja ç’bëhej në Korçë.
Koçi Xoxe: A të tha Veli Vasjari se populli ishte gati për rezistencë?
Kostaq Kotta: Përkundrazi, prefekti i Korçës Veli Vasjari na tha të mos vinim atje, pasi qe prishur qetësia dhe të burgosurit kishin dalë nga burgu. Xhandarmëria nuk siguronte dot qeverinë. Me gjithë këto, unë kam vajtur vetë në Korçë dhe atje Kryebashkiaku më ka thënë se populli dhe tregtarët të tubuar, kërkonin të luftonin e të bënin rezistencë.
Koçi Xoxe: Në Bashki unë kam qenë vetë si anëtar dhe bashkë me 16 delegatë të tjerë e 3 mijë vullnetarë prisnin Koço Kotën për të organizuar rezistencë.
Kostaq Kota: Nuk e di këtë gjë. Kështu më tha kryetari i Bashkisë, Agathokli Xhitoni.
Koçi Xoxe: Ne, Fejzi Alizoti, na ka thënë se Koço Kota ishte kundër rezistencës! Dëshmitarët: Pyetet Fejzi Alizoti si dëshmitar dhe provohet e kundërta e thënieve të Koçi Xoxes. Më pas lexohen deklaratat e Kostandin Mines dhe Frederik Nosit kundër K. Kotës.
Koçi Xoxe: Po pse dëshmojnë këta, mos vallë të kanë inat!?
Kostaq Kotta: Si thashë, nuk kam firmosur ndonjë akt-nënshtrimi. Unë po të isha i atij mendimi, nuk do të kërkoja të hyja në marrëveshje për një lëvizje këtu në Shqipëri.
Koçi Xoxe: Kur dhe pse erdhe në Selanik?
Kostaq Kota: Pas kapitullimit të Italisë erdha nga Athina në Selanik për të hyrë në Shqipëri, se në gazetat kisha mësuar se Shqipëria ishte indipendente…
Koçi Xoxe: Nga Balli dhe Qeveria u caktove me anë të Xhavit Leskovikut si delegat i Legalitetit në aleancën ushtarake me reaksionin grek?
Kostaq Kota: Këtë letër e mora vesh këtu dhe më ka ardhur shumë keq. Është krejt absurde, që me një letër të një organizate të panjohur, të prezantohem për një aleancë ushtarake. 
Dënimi, burgosja dhe vdekja e ish-kryeministrit Koço Kota Pasi mbaruan seancat gjyqësore, Prokuroria e dirigjuar nga Koçi Xoxe kërkoi dënimin me vdekje të ish-kryeministrit Koço Kota. Por këtu pati një problem.
Gjykata Speciale e dënoi ish-kryeministrin me 30 vjet burg.
Bëhet pyetja: Përse nuk e pranoi Gjykata kërkesën e Prokurorisë? Përgjigja është: Sepse nga materialet e zhvillimit të gjyqit, nuk ka prova që ta dënonin, . . jo 30 vjet, . . por për asnjë ditë. Anton Sheti e shoqëroi ish-kryeministrin në dhomën nr. 7 të burgut të Burrelit. Më pas e futën në qelinë pa numër. Sipas Avni Bejkovës, një vuajtës në burgun e Burrelit, rrëfimi i të cilit u botua në Gazetën “Shqip”, bëhemi me dije sa më poshtë: “Për herë të parë Koço Kotën e kam njohur aty nga fundi i vitit 1946 në burgun e Burrelit, ku isha dërguar për të vuajtur dënimin me 25 vjet. Që në fillim të vajtjes tonë atje, ne e kuptuam qëllimin, se përse na kishin çuar aty dhe secilit iu mbush mendja se nuk do të dilte më i gjallë që andej. Aty më mirë se kudo tjetër, mishërohej dhe gjente zbatim thënia e Dantes: “Ti njeri që futesh këtu, lëre jashtë çdo shpresë, se një ditë mund të dalësh i gjallë që këtej”. Sidoqoftë, shpresa shuhet e fundit. Edhe në ato kushte kisha dëshirë dhe kuriozitet të njihja disa nga ish-politikanët e lartë të kohës së monarkisë dhe periudhës së Luftës, për të cilët kishim dëgjuar dhe lexuar nëpër gazeta. Në këto rrethana pata rastin të njihja nga afër dhe Koço Kotën, i cili ishte një njeri shumë serioz, fliste shumë pak dhe kishte një shoqëri të kufizuar. Koço kishte miqësi dhe rinte më shumë me Qemal Vrionin, Mihal Bellkamenin dhe major Atif Golen, të cilët ishin shumë të zgjuar dhe seriozë”. Në burgun e Burrelit gjithçka ishte në kufijtë e të paimagjinueshmes. Sipas Avni Bejkovës, rasti i Koço Kotës dhe tre shokëve të tij, Vrionit, Bellkamenit e Goljes, është i veçantë për nga mënyrat shtazarake dhe çnjerëzore që u përdorën për vdekjen e tyre. Ndërsa shihnin sa krenarisht sillej në birucat e errëta, atdhetari korçar dr. Koço Kota, emri i të cilit i bënte nder kombit të vet, segmentet kriminale antishqiptare sllavo-komuniste parapëlqyen vdekjen e tij të mynxyrshme. E lanë ditë të tëra pa bukë e ujë. I jepnin kripë, e godisnin me ç’të mundnin deri edhe me bajonetë dhe thirrjet e tij ishin dëshpëruese. Të burgosurit kanë treguar se dëgjonin për orë të tëra fjalën bukë, bukë, bukë, deri sa kjo erdhi duke u zbehur. Nga torturat e rrahjes, urisë dhe etjes, iu bë abses në disa pjesë të trupit. Mishi në trup nisi të plasaritej nga kjo situatë dhe më pas zëri i tij nuk po dëgjohej fare. Gardianët në vend që ta ndihmonin dhe mjekonin e çanin me bajonetë në mish në ato vende ku ishte plasaritur, deri sa erdhi dhe vdekja e tij përfundimtare.

Vdekja në burgun që firmosi vetë që të ndërtohej
Duke iu referuar librit “Ëndrrat e Mërgimit” të shkrimtarit Albert Zholi, historia e Koços, ndoshta të kujton atë të mitologjisë. Firma e tij për fillimin e ndërtimit të burgut, as që mund të mendohej se firmoste edhe për vendin e vdekjes së vet. Ish-kryeministri Koço Kota, u varros në oborrin e burgut në atë që quhet e “famshmja qershi”. Bazuar në dokumentet zyrtare, Certifikata e vdekjes lëshuar nga Zyra e gjendjes civile e Korçës, Kostaq (Koço) Kotta, vdiq në Burrel më 1 shtator 1947 në orën 5: 00 të mëngjesit. Administrata e burgut të Burrelit, e detyruar nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, në procesverbalin e vdekjes ka shkruar: “…vdekje aksidentale…”. Segmentet antishqiptare, serbo-komuniste dhe koçixoxiste, sajuan lloj-lloj histori denigruese rreth jetës dhe vdekjes së Patriotit dhe “Burrit të Shquar të Shtetit Shqiptar”, ish-kryeministrit dhe ish-kryepalamentarit Koço Kota. 

Dënimi i Koçi Xoxes: Provë e gjyqit farsë ndaj ish-kryeministrit Kota. Vdekja tragjike e ish-kryeministrit Koço Kota, ishte një ogur i keq në themelet e shtetit të ri komunist. Zbulimi i tradhtarëve, dënimet e kundërshtarëve dhe vrasjet politike, nuk do të kishin të reshtur. Procesi më i bujshëm brenda “klanit komunist”, ishte kundër njeriut më të afërt të Enver Hoxhës, agjentit jugosllav Koçi Xoxe. Sipas Kastriot Dervishit, më 10 janar 1949, për të vënë në vend direktivat e Stalinit, u ngrit komisioni hetimor kundër “banditit pa princip Koçi Xoxe” dhe “grupit të tij”. Komisioni, në të vërtetë do të nxirrte çështje që kishin qenë praktikë e përgjithshme pune në vitet 1944-1948. Për ironi të fatit, shqiptaro-maqedonasi Koçi Xoxe kishte përballë një prokuror, bashkë me të cilin kishin çuar drejt vdekjes në “Gjyqin Special” plot 17 veta, ndërsa kishin burgosur e lënduar rreth 43 të tjerë. Komisioni i Posaçëm Hetimor midis të tjerave, e akuzoi Koçi Xoxen, se kishte shkelur nenin 63 të Statutit të RPSH-së, kishte urdhëruar dhe kryer:

1. Arrestime të paligjshme në masë,
2. Tortura,
3. Vrasje dhe internime,
4. Kishte ndërmarrë veprime të paligjshme që kishin çuar në “vetëvrasjen e Nako Spirut”,
5. Kishte shfrytëzuar pozitat e tij në parti e në shtet dhe kishte përvetësuar të hollat nga arka e MPB.

Procesi Gjyqësor kundër Koçi Xoxes filloi më 10 maj 1949 në Tiranë.
Qindra emra njerëzish u përmendën gjatë seancave të pyetjes, për nxjerrjen në pah të veprimeve kriminale të kryera nga Koçi Xoxe. Një rast i rëndë ishte ai i vdekjes së avokatit Myzafer Pipa, pas torturave me hekur të skuqur, të ngulur deri në kockë, gjë që kishte shkaktuar pas shumë vuajtjesh edhe humbjen tragjike të jetës së tij, të cilën Sigurimi e kishte manipuluar duke e paraqitur si vrasje “Për shkak arratisjeje”. Një rast tjetër i rëndë ishte ai i vdekjes së ish-kryeministrit Koço Kota. Para komisionit hetimor, u përmendën edhe rastet e pakësimit, hap pas hapi, të ushqimit nga ana e Sigurimit, që që kishte sjellë vdekjen e mjaft të burgosurve, ndër të cilët edhe ish-kryeministri Kostaq Kotta në Burrel. Xoxe dhe të tjerët pohuan, gjatë marrjes në pyetje, se Sigurimi kishte përdorur mjete të shumta torture kundër shtetasve të ndryshëm, duke pasur në çdo rast përkrahjen dhe mbështetjen e Byrosë Politike, e cila merrte vendimet për rastet e tilla. Xoxe theksonte se organizimi i Sigurimit ishte bërë nga oficerët jugosllavë të OZNA-s. Më 4 qershor 1949, prokurori Bedri Spahiu, kërkoi dënim me vdekje për Koçi Xoxen. Më 10 qershor 1949, Këshilli Gjyqësor Penal i Gjykatës së Lartë, dha vendimin e tij: Koçi Xoxe-me vdekje pushkatim. Më 11 qershor 1949, në orën 24, u bë edhe ekzekutimi i “banditit Koçi Xoxe”. Me pushkatimin e banditit Xoxe, ishte eliminuar një fije e agjenturës jugosllave. Në fakt, rreziku sllavo-komunist për Shqipërinë, i paralajmëruar nga kryeministri mbretëror Dr. Koço Kota, tashmë kishte marrë përmasa katastrofike.