Rrëfimi i skupltorit të popullit, Thoma Thomai

330

Si i realizova veprat e mëdha, nga Skënderbeu tek Enveri. Tematika e LANÇ dhe si u vodh në 1997-n bazorelievi prej bronzi i Heroit Kombëtar. Pengu i jetës: Momenti kur u nda nga jeta në studio, në duart e mia, miku dhe ikona e skulpturës Kristaq Rama. Ja vler137simet e Anagnostit, Varvaricës dhe Edi Hilës

NË VITE

Jetëshkrimi i shkurtër i një artisti

Thoma Thomai Dhamo, u lind në Barmash të Kolonjës në vitin 1936. Në vitet 1950-’45 do të niste mësimet në Liceun Artistik, kursi i skulpturës në që atë kohë drejtohej nga Odise Paskali e më pas nga Janaq Paço. Ndërsa në vitet 1955-1961 ai do të shkonte për studime në Akademinë e Arkitekturës dhe Dizajnërit në Pragë, në kursin e profesor Otto Eckert. Do të diplomohej për skulpturë të aplikuar (qeramikë). Me kthimin në Shqipëri do të emërohej si modelist në fabrikën e Porcelanit në Tiranë ku do të punonte për pak kohë. Që nga viti 1968 ai do të ishte dhe pjesë e stafit akademik si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve ku atë vit për herë të parë u hap atelieu i qeramikës. Në vitin 1971 do të emërohej Shef i Katedrës së arteve të aplikuara. Ndërsa në vitin 1989 do të zgjidhej dekan i parë në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe udhëheqës i ateliesë së skulpturës.

 

SUBJEKTI

Të gdhendësh një nudo

Në studion e tij nuk mungojnë nudot. I pyetur rreth punës me subjekte të këtij lloji, Thoma Thomai thotë: “Pas viteve ‘90 u spekulua shumë me nudot. Në atë kohë u konsiderua si një ndjenjë lirie. Por unë u mundova të krijoj një situatë tjetër me to. Për mua nuk ekzistonin thjesht vajzat e bukura e të stisura, por një subjekt brenda kësaj nudoje. Një nga këto subjekte, e cila më ka dhënë frymëzimin për të bërë një nudo është pjelloria”

Exif_JPEG_PICTURE

 

Skulptori Thoma Thomai tregon sekretin për herë të parë

 

Kristaq Rama vdiq në duart e mia, pasi hoqi xhaketën në studio

 

“Kristaq Rama vdiq në duart e mia, kur ndodheshim në studion e tij të punës”. Kështu u shpreh dje, mjeshtri i madh i artit skulptural, Thoma Thomai, i cili njihet gjithashtu prej të gjithëve si miku më i ngushtë, i skulptorit të talentuar. Duke rikujtuar këtë ngjarje dëshpëruese, zëri i tij ngjyroset me përmasat e dhimbjes, ndërkohë që qenia e tij pushtohet prej mallëngjimit. Thoma Thomai tregon se një ditë më parë Kristaqi kishte qenë disi i sëmurë dhe i kish thënë: “Thoma, sot nuk vij në Fonderi për relievin, prandaj, shko vetëm dhe interesohu për mbarëvajtjen e procedurave”. Dhe kështu kish ndodhur. Më tej Thomai tregon se si kishte nisur të nesërmen ajo ditë e kobshme, e datës 12 prill, kur qysh në orët e mëngjesit, skulptori Kristaq Rama shkoi në studion e tij. “Ai erdhi në studion time dhe së bashku dolëm për të pirë një kafe. Pasi biseduam me njeri-tjetrin për pak kohë, Kristaqi më ftoi në studion e tij që të shikoja disa nga krijimet e tij të fundit. Dhe kështu bëmë. Shkuam atje dhe Kristaqi hyri në një aneks të vogël për të hequr xhaketën. Por sapo doli që andej, unë pashë që ishte zbehur. Ndërsa ai vuri dorën afër fytit, si për të lehtësuar frymëmarrjen dhe u rrëzua. Unë u trondita shumë dhe dhashë alarmin. Njoftova edhe ambulancën, e cila erdhi menjëherë”, vijon Thomai. Sipas rrëfimeve të tij, mjekët kishin konstatuar dëmtim të plotë të aortës, si edhe vdekjen e menjëhershme të gjeniut të madh. Mjekët i kishin rekomanduar ta çonin në shtëpi, por ndërkaq kishin mbërritur aty dhjetëra miq e shokë të skulptorit. “Kur po e çonim në shtëpi, ende nuk më besohej se si ishte shuar një njeri kaq gjeneroz, që karakterizohej nga dinamizmi dhe impresioni”, vijon ai. Dhe pasi kujton me respekt retrospektivën e gjithë komunikimeve të tij, me Kristaq Ramën, Thomai rrëfen edhe detajet e varrimit të mikut të tij. “Atë ditë ishin mbledhur me mijëra njerëz midis të cilëve kishte plot artistë e intelektualë”, shton Thomai. Në këtë kontekst, ai nuk harron të kujtojë se në atë kohë Edi Rama, ndodhej në Francë. “Edi erdhi menjëherë nga Franca dhe mori pjesë në varrimin e babait të tij, i cili u varros në varrezat e Sharrës, pranë Kombinatit të Tekstileve”, thotë skulptori. “Mbi varrin e tij vumë një bllok mermeri të zi, si edhe një gur të skalitur nga natyra, të cilin Sali Shijaku e kishte sjellë nga Mulleti, në shenjë respekti e përkujtimi për artistin a madh”, rrëfen Thomai. Dhe duke e mbyllur këtë rrëfim, skulptori numëron një lumë vlerësimesh të merituara për Kristaq Ramën, ku përveç vitalitetit, e korrektesës nënvizon edhe faktin se ai ishte i sjellshëm dhe tolerant me të gjithë. Me këtë rast, ai kujton edhe njëherë se e kishte pasur mik të ngushtë, si edhe bashkëpunëtor në disa punime të përbashkëta. “Kristaqi ishte katër vjet më i madh se unë, ndërkohë që shkollën e lartë e mbaroi në BS, pasi kreu më parë ushtrinë”, përfundon mjeshtri i madh i skulpturës shqiptare, Thoma Thomai.

 

Rrëfimi / Skulptori i Popullit Thoma Thomai rrëfen punë e tij 50 -vjeçare prej artisti

 

Si i realizova veprat e mëdha, nga Skënderbeu tek Enveri

 

Leonard VEIZI

 

Ai vazhdimisht godet me daltë dhe heq prej masivit të rëndë gjithçka të tepërt e pa vlerë, të madhe a krejt të imët, të ashpër dhe fort tekanjoze. Gjatë rrëfimit për gazetën “Telegraf.al”, ai duket si një luftëtar i heshtur beteja e të cilit zgjat e zgjat pambarim, në kufirin e tendosjes agresive të nervave, mes një zhurme monotone që e krijon po ai vetë. Dhe vetëm pas ka gërryer pjesën më të imët e të padukshme, ka shkundur duart e pluhurosura dhe ka rrëzuar plot zhurmë skelën e dërrasave është zbuluar gjithçka e panjohur, ajo që për ditë e netë me radhë ka jetuar vetëm në imagjinatën e tij të thellë, atje ku mund të shkojë vetëm ai.

 

Sapo kalon pragun, të konsideron si mik dhe nuk ndihet i bezdisur se duhet të të shoqërojë për të bërë një shëtitje njohëse në të gjithë mbretërinë e tij. Në fakt, ajo që ai e cilëson “mbretëri” është një studio estetikë, plot skulptura të vogla, bocete, dhe grafika që padyshim i përkasin punëve të ardhshme. E ndërkohë, me mesin e tyre, padyshim që e ndjen veten si në mesin e një mbretërie pa kufij. Megjithëse në pamje të parë “mbretëria e tij” të duket disi e vogël, ky është vetëm një iluzion optik. Në të vërtetë ajo shtrihet shumë më tepër nga ai kufizim metrash katrorë të atij atelieri. Dhe rrugëton me portrete, basorelieve e monumente, nga Tirana në Shkup, nga Borova e Kolonjës në Zidoll të Krujës, nga figura e Skënderbeut, tek Nënë Tereza e Kalkutës. Por asgjë nuk mbaron këtu… Thoma Thomai, me titull Profesor apo Skulptor i Popullit, një gjë që tanimë nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për të, tregohet i gatshëm të rrëfejë në faqet e gazetës “Telegraf”, fragmente nga jeta e tij prej artisti, e padyshim ca të fshehta s’i di gjithkush:

Duke parë punimet tuaja dal në përfundimin se ju i keni shpëtuar shumë shpejt censurës dhe artit skematik të para viteve ‘90…?

Në fakt unë nuk kam dashur asnjëherë të ngatërrohesha me vepra që kishin motive politike dhe u mora më shumë me portrete. Pas Pleniumit të IV të KQ, ku dhe u kritikova për frymën e punimeve të mija, u mundova të bëja vepra më realiste, vepra që i përkisnin historisë. Natyrisht që edhe historia është e glorifikuar. Më saktë, nuk ka asnjë vend në botë që nuk e glorifikon historinë, pasqyruar kjo dhe në veprat e artit. Por gjithmonë jam përpjekur të jap një entuziazëm të natyrshëm në këto vepra dhe asgjë demonstrative.

Cilat janë veprat me tematikë historike që keni punuar?

Punova për bazorelievin e Vasil Laçit që është vendosur tek Rruga e Durrësit në Tiranë. Lexova shumë për të, madje shfletova dhe gazetat italiane të kohës. Më kujtohet që u bë një gabim, në vendosjen e datës, sepse gazetat e pasqyronin atentatit ndaj Viktor Emanuelit një ditë me vonesë. Dhe ishte vendosur kjo datë në bazoreliev, por u rregullua kur u derdh në bronx. Por kam punuar shumë edhe me monumentin “Prita e Barmashit”. Edhe për të ideuar këtë vepër kam lexuar shumë nga kronikat e kohës.

Po me tematikë para Luftës Antifashiste?

Në vendin e quajtur Zidoll, në të hyrë të Krujës, ka qenë vendosur një lapidar 10 metra i lartë, ku mbi bazamentin dhe një skelet betoni u vendos një punimi im në qendër të të cilit ishte bazorelievi 2 x 2 metra i Skënderbeut mbi kalë, më sipër një shqiponjë, si dhe armët e tjera të kohës. Ky punim u vendos në atë vend, ku gjatë rrethimeve të Krujës, Skënderbeu i dilte natën ushtrisë turke duke e sulmuar vazhdimisht. Monumenti u vendos në vitin 1968 me rastin e 500 -vjetorit të Gjergj Kastriotit. Por në vitin 1997 bronci i tij është vjedhur dhe tani atje ndodhet vetëm skeleti i betonit.

A ka vepra të tjera tuajat të cilat janë dëmtuar?

Është dhe monumenti prej mermeri i Enver Hoxhës, i cili ishte i vendosur në qëndër të “Piramidës”. Këtë punë e kam bërë së bashku me skulptorin Kristaq Rama. Monumenti u bë copa më sharë elektrike. Pjesët e mermerit u morën nga Ndërmarrja e Veprave të Artit, që ishte një ndërmarrje shtetërore në atë kohë dhe unë u detyrova të blej disa copa mermeri, me të cilat, jo vetëm unë por dhe kolegë të tjerë bëmë skulptura të kohës.

Ju i bletë copat e mermerit për nostalgji të punës së dikurshme?

Në fakt i bleva për shkak të cilësisë. Ai ishte një mermer i një cilësie shumë të lartë, të cilin e kishim porositur në Greqi. Unë kam qenë në përbërje të ekipit kur u bë porosia.

A ishte e vështirë të bëhej një punë e tillë?

Natyrisht që kishte shumë vështirësi. Por njëkohësisht ishte dhe një përvojë shumë e madhe. Jo çdo skulptori i jepet mundësia të punojë me vepra më përmasa aq të mëdha dhe me një mermer të asaj cilësie. Ne kishim 5 punëtorë të ardhur nga Korça të cilët hoqën pjesët voluminoze të mermerit derisa e sollën në platformën që e kërkonim ne për të filluar punën tonë. Por na ndihmuan dhe 3 skulptorë të rinj

Vetëm këtë vepër të Enver Hoxhës keni punuar?

Në fakt unë isha pjesëmarrës edhe për monumentin në qendër të Tiranës. Paraqita një bocet, i cili u pëlqye shumë. Në Galerinë e Arteve, ku u bënë publike bocetet, modeli im mori shumë pikë, por nuk fitoi. Mesa duket njerëzit ishin të lodhur me portretet standarte dhe kërkonin diçka të re. Unë i kisha dhëna Enver Hoxhës një model tjetër, nga ai që pretendohej.

Kishit pretendime për të fituar?

Të gjithë u futën në garë më këtë pretendim. Ishte një konkurs ku morën pjesë jo vetëm skulptorët por edhe piktorët, madje dhe amatorë. Ishin më shumë se 130 bocete. Nga këto fillimisht u kualifikuan 30 dhe pastaj vazhdoi faza tjetër e përzgjedhjes.

Po me figurën tjetër historike, Skënderbeun çfarë raporti kishit, pas lapidarit në Zidoll?

Unë kam pasur shumë dëshirë të bëja një figurë me kalë. Dhe një të tillë e kam ende në projekt. Por rasti e solli që të bëja Skënderbeun mbi kalë. Ky monument u vendos në Shkup, në pjesën e banuar nga shqiptarët.

Ndërkohë edhe shtatorja e Nënë Terezës, mban firmën tuaj…

Më 2004 fitova çmimin e parë për shtatoren e Nënë Terezës. Përurimi i shtatores u bë më 4 nëntor 2004.

Larg figurave të historisë shqiptare ju keni një portret të Van Goghut?

Van Gogh unë e kam paraqitur si një vepër prej vitit 1989 e në vazhdim. Ky piktor i madh më ishte shfaqur me vështrimin e tij gjurmëlënës. Vizatoja, i modeloja tiparet dhe kisha ndjenjën se në të lexoja jetën e tij plot pasion dhe vuajtje. Vallë ishin këto momente që zgjuan tek unë thirrjen e hershme dëshirash të fashitura?

Cila vepër ju ka lodhur më shumë?

Them se asnjëra. Unë nuk e ndjej lodhjen fare. Isha 71 vjeç kur bëra Skënderbeun dhe jam ngjitur e zbritur me qindra herë nga shkallët e skelës. Ngrihesha që në pesë të mëngjesit dhe mendoja vetëm për të. Pija një kafe dhe përcaktoja se me cilën pjesë do të merresha. Haja drekën dhe pastaj drejt e në skelë deri në mbrëmje vonë. Kjo punë mund të bëhet vetëm me pasion. Unë jetoj duke menduar për këtë punë. Dhe nuk lodhem.

 

VLERËSIMET

Dhimitër Anagnosti-regjisor

Shtatorja e krijuar nga skulptori i shquar Thoma Thomai Thamo, për të përjetësuar figurën e të madhit Fan Noli, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, ka rezultuar një figurë përgjithësuese që i bën homazh të gjithë “Murgjve” të çështjes shqiptare, duke filluar nga koha e Skënderbeut. Shtatorja rrezaton vullnet, qëndresë, mendim, brengë të gropëzuar bukur dhe të gjithë këto mbështjellë me një mugëtirë mistike.

 

Prof. Edi Hila – piktor

Më pëlqen mjaft ideja e trupit, evokues e njëmijë ndjesive misterioze që sjellin me vete format e tij. Thomai punon mbi këtë formë. Ai shtyp me kujdes mermerin dhe lë gjurmë të butë mbi të, dhe ajo është një formë e ngrohtë herë sensuale e provokative dhe ndonjëherë të dhemb kur ajo ndërpritet papritur. Kështu mund t’i shpreh mendimet e mija për grupin e fundit të punëve në skulpturë që Thomai ka realizuar në dru e mermer.

 

Suzana Varvarica Kuka – studiuese arti

Vepra është vendosur në një pikë të rëndësishme të fshatit Borovë. Autori e ka realizuar i mbushur me emocionet e dhimbjes e me ankthin që ka pushtuar viktimat. Thoma Thomai, në tërësinë e krijimit ruan një ndjeshmëri brenda vetes aq të vlershme sa që e transmeton në çdo vepër arti. Ajo është ndjesi dhe shpallet nga gjurmët e ngjeshjeve të autorit mbi plastikën e relievit, duke u bërë element dallues artistik i individualitetit të tij dhe shpallje e fenomenit estetik në skulpturë.

 

Prof Hasan Nallbani

Thoma Thomai arrin të ruaj gjallë të gjithë esencën në gati të gjitha veprat e realuizuara. Nëse do kërkojmë të gjejmë një xhest proteste ndaj shabllonit, ai është i pranishëm e i dukshëm edhe në vepra të tilla si monumenti i Barmashit, relievi në Borovë e ndoshta më kapriçoz tek relievi kushtuar Vasil Laçit në Tiranë pa përmendur gjithë serinë e portreteve.