Ramizi: S’ka kthim mbrapa, para drejt socializmit

862
ARKIVA IV / Nga takimet e Ramiz Alisë me intelektualët e vendit në prag të ndryshimeve të mëdha të vitit 1990

TAKIMI ME INTELEKTUALËT

Nano, pengesa kryesore për mosrritjen e pagave
“Telegraf” vijon botimin e pjesës së katërt të bisedës së Ramiz Alisë me intelektualët, zhvilluar me 12 gusht 1990. Zhvillimi i ngjarjeve në Evropë pas përmbysjeve që ndodhën në vendet e lindjes padyshim që të çonte në mendimin se ajo që ndodhi andej do të ndodhte edhe në Shqipëri. Ky ishte rezultat i Luftës së Ftohtë. Pra mundësia e përmbysjes së socializmit në Shqipëri ishte evidente. Pikërisht në një situatë të tillë Ramiz Alia ka thirrur, më 12 gusht 1990, disa nga intelektualët kryesorë të Shqipërisë për një bisedë mbi gjendjen e vendit, vetëm një muaj pas hyrjes në ambasadat e huaja të mijëra shqiptarëve dhe shumë ndryshimeve në vendet e Lindjes. Në atë kohë, Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së, Alia ka biseduar për rreth katër orë në Pallatin e Kongreseve me rreth 60 intelektualë, mes të cilëve Dhimitër Shuteriqi, Luan Omari, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Ylli Popa, Sali Berisha dhe Fatos Nano. Në këtë edicion “speciale” botohet debati 
(vijon nga numri i kaluar)
Ramiz Alia: “Po, ka edhe kështu, i jep me këtë formë apo ia jep me këtë formë tjetër. Dua të them se pengesa për këtë çështje ka, ky është njëri krah. Krahu tjetër, janë ata që unë i quaj liberalë, të cilët nxitin që të pranojmë recetat e borgjezisë. Të bëhet kjo apo të bëhet ajo, paçka se rrezikohet pushteti ose liria e atdheut. Veprimet, qoftë të njërës palë apo të tjetrës, për mendimin tim paralizojnë aksionin e zbatimit të vendimit. Prandaj edhe lufta e partisë, lufta e të gjithëve, duhet drejtuar në dy fronte. Në mënyrë që ne të çojmë përpara vendimet që kemi marrë, të çojmë përpara demokratizimin e vendit në tërë fushat. Kthim prapa nuk ka edhe nuk do të ketë, këtë duhet ta keni të ngulur mirë në kokë. Kur them kthim prapa, nuk do të ketë as kthim prapa në qëndrimet që u ka kaluar koha, në pozitat që u ka kaluar koha, as kthim prapa duke vënë në ankand lirinë, pavarësinë e fituar, pushtetin e popullit dhe rrugën socialiste. Në këto çështje e thashë edhe më përpara, kurrën e kurrës nuk do të mund të ketë kthim prapa. Ne do të ecim përpara me këtë rrugë që kemi zgjedhur vetë dhe kemi bindjen që në këtë rrugë do të çojmë vendin drejt fitoreve të reja. Ja shokë, këto kisha unë si hyrje që bëra, tani merreni si të doni. Vajta pak gjatë, s’e kisha në mendje kaq gjatë. E zgjata pak për të pasur një ide, një panoramë të përgjithshme të problemeve që kemi. Unë do të dëshiroja që të vazhdonim muhabetin tonë, a i kemi drejtë këto gjëra, a i kemi mirë? Ç’mendime keni ju? Pyetje, në qoftë se keni, sugjerime, në qoftë se keni për këto. Me gjithë qejf do ju dëgjoj. T’jua lë juve llafin tani, muhabet i lirë. Si të doni, ndaçi thoni kështu mendimin. Mua do më interesonte shumë të dëgjoja ndonjë mendim që keni ju, edhe ndonjë pyetje, nëse eventualisht ju ka dalë, ju del, edhe ndonjë vërejtje që mund të keni. Asgjë s’është e tepërt në këtë takim tonin që është brenda shtëpisë, le të themi”. 

Një bashkëbisedues: “Nuk botohen të gjitha!”
Ramiz Alia: “Jo, jo, megjithëse këtu janë këta gazetarë, mos kini merak se… Po mirë, shiko, e di ç’do të bëni ju të fotografive? Na lini rehat juve një çikë. Na falni! I bëtë ç’kishit për të bërë fotografitë. Pastaj po të doni jua bëjmë prapë qejfin më vonë. Kush e dëshiron fjalën ndonjë që të thotë? Kur takova njëherë disa të rinj, vura re që vajzat ishin më të zjarrta. Mirëpo këtu janë pak shoqe”. 

Një bashkëbiseduese: “Janë të bashkimit të rinisë”.
Ramiz Alia: “Edhe ju jeni të bashkimit të rinisë”. 
Një bashkëbisedues: “Unë kisha një kushërirë që studionte për murgeshë. Një herë që bëri një udhëtim me një bir hoxhe, u martua me të (E gjithë salla qesh). Është çështje emancipimi”.

Një bashkëbisedues tjetër: “Unë mendoj që ky takim i sotëm është i frytshëm…”.
Ramiz Alia: “Domethënë një kritikë që u vonova!”
Bashkëbiseduesi: “…Është nevoja që herë pas here shokët e udhëheqjes të takohen siç është procedura. Më duket që nga kjo përfitojmë shumë, sepse ne ndeshemi gjithnjë me probleme. Ja dy gjëra do t’i them unë se çfarë qarkullon në opinion. Ato që thatë ju ishin plotësisht me vend dhe unë jam i bindur që ju, partia, masat i ka marrë dhe duhet t’i marrë në kohë ashtu siç duhet dhe siç ka vepruar deri tani, nga opinioni i përgjithshëm i popullit është mirë. Shumë entuziast janë njerëzit me vendimet e fundit të Plenumit të Komitetit Qendror, me lëvizjen e kuadrove, shumë entuziast. Madje, prisnim edhe më tepër, më thellë akoma…” 

Ramiz Alia: “Presim edhe më thellë…”.
Bashkëbiseduesi: “…Kam mendimin që akoma mund të vijnë kuadro më të fuqishme në drejtimin e punëve, pasi puna e televizorit kanë nxjerrë shumë horrllëqe. Domethënë ajo intervista që kanë mbajtur shokët, blejnë njerëzit se sa para mend kanë, qoftë te ministri, edhe qoftë me tej se ministri. Momenti tjetër që ndjehet të paktën, shtesa e rrogave. Kjo puna e ekonomisë tonë, nuk është bërë e qartë akoma mekanizmi i ri ekonomik, nuk është kuptuar me detaje. Shpesh tek njerëzit reduktohet 10% dhe 20% është e vogël, ku e ka burimin. Çdo me thënë një shtesë më e madhe, nga puna e ekonomistëve tanë është akoma e mangët. Edhe disa momente që mua ma ngritën diku në një lagje, ku më është thënë se, nuk është dhënë as 50%, thotë ai, e jo me 80%. Këtu preket edhe administrata në këtë drejtim, prandaj edhe ato që thatë juve, pengesa burokratike këtu ekzistojnë…”

Ramiz Alia: “Më fal të të ndërpres, se bëjmë muhabet nuk ka ndonjë problem. Për sa i përket asaj 20%, asnjëri nuk e ka lexuar si duhet, se unë e kam thënë në fjalim që deri në fund të shtatorit do të përfundojë kjo çështje, pasi ajo ka nevojë për një studim, nuk është aq e lehtë. Pse jua them unë që nuk është aq e lehtë? Po të doni t’jua them dy shifra sa për të pasur parasysh. Nëse konsiderohet pagë, rritja e pagave të ulëta 10-20%, nuk dua të nxjerr sekrete profesionale, por fundi-fundit thashë këtu jemi në shtëpinë tonë. Unë kisha mendimin që kur e propozova këtë, që pagë të ulët të quaja deri në 6 mijë lekë”.

Një bashkëbisedues: “Shumë mirë është, ashtu lëre”.
Ramiz Alia: “Po mirë, prit, dale. Unë kisha këtë mendim, tani, këto ekonomistët si Nano me shokë që janë këtu, nuk është se e kanë këtë mendim ai, por po them se ekonomistët, thonë që sikur nga 5500 të 6000 lekë që them unë, është diferenca 200 milionë lekë. E kuptoni këtë tani? Prandaj nuk është një studim fare i thjeshtë, prandaj 6 mijë lekëshit rritje 10%, 5 mijë lekëshit ta themi 15%, 4 mijë lekëshit që është paga me e ulët 20%. Por, ku do të gjesh 200 milionë lekë? Pasi një përqindje është 200 milionë lekë. Prandaj është ideja dhe unë atë e thashë, që të studiohet deri në fund të tremujorit të tretë. Pra, nuk do të hynte në fuqi menjëherë ajo. Kjo me duket u ka shpëtuar shumë vetave, pasi e kam parë këtë pyetje në shumë materiale.”

Bashkëbisedues: “Ekziston kjo, bëhet”.
Ramiz Alia: “E bëjmë po… Edhe ku?! Në Kinostudio, në mbledhje në Kinostudio e shtruan shokët, pse nuk bëhet 20%? Po mirë, e keni lexuar apo s’e lexoni? Domethënë, ata shokët nuk kishin lexuar këtë gjë. Kjo nuk është korrekte. Ajo tjetra që nuk u japin 80%, ajo është ashtu siç i the ti, sepse administrata merr 50%. Ky është shtrembërim, gabim, që nuk ka justifikim”. 

Bashkëbiseduesi: “Një moment më duket mua që ka shumë rëndësi, është puna e informacionit që duhet të kenë njerëzit. Kjo, po të flas me fjalën e Ismailit, thashethemnaja që përhapet dhe që vazhdon të përhapet, është nga mungesa e informacionit. Për shembull, çfarë qarkullon? Thuhet në Tiranë sikur në Malin me Gropa janë varrosur 40 veta, sikur morgu i Tiranës ruhet me polic. Qarkullon gjithandej një muhabet i tillë, më kupton dhe njëri e hedh e një tjetër e shtyn, shtohet e shtohet dhe bëhet një gjë fare e pasaktë, e manipuluar dhe qarkullon nga një moment në momentin tjetër. Për shembull, në një situatë të tillë, ngjarjet e Kavajës në disa vende u manipuluan dhe u thanë sikur ishin muhabete sporti, që njerëzit e dinin dhe krijonin ilaritet në sallë. Ngaqë njëri thotë ndryshe dhe një kuadro flet atje në një vend tjetër dhe e manipulon ndryshe, si të jetë atmosfera. Mendoj që në këtë drejtim forma të gjendet që ata që janë në krye të punës, të kenë një informacion të saktë”.

Ramiz Alia: “Po si të bëhet për shembull që në Malin me Gropa ka vetëm gropa, që të shpjegohet kjo? Si të bëhet kjo? Se armiku, ai nuk është njeri i ndershëm që e thotë këtë, se ka kufoma. Ai krijon gjëra të tilla. Nesër ai mund të na thotë që në Pallatin e Kongreseve shoku Ramiz u zu me ata shokët me grushte, më kupton. Si ka mundësi, si duhet korrigjuar, t’i themi gazetës që të botojë se në Malin me Gropa, nuk ka gropa, po ka varre. Si e mendon? (një sugjerim nga salla që nuk dëgjohet) Domethënë të krijojmë neve një organizëm, i cili të ketë për detyrë të mbledhë parulla dhe të bëjë kundërparulla. Ta diskutojmë kështu xhan. A duhet kështu? Mos të vihemi kështu në një situatë pasive”.

Një bashkëbisedues: “Është shumë e rrezikshme…”.
Ramiz Alia: “Është shumë e rrezikshme, përderisa thotë ai që në Malin me Gropa ka kufoma dhe njerëzit i hanë, kupton?!” 
Një bashkëbisedues tjetër: “Kjo ndodh sepse njërit apo tjetrit mund t’i mungojë fëmija, nuk dihet se ku është, edhe i tregon atij tjetrit pastaj që më kanë vrarë fëmijën…”.
Ramiz Alia: “Nuk është kaq e thjeshtë”.
Një bashkëbisedues: “Por, ka edhe një parullë që ka varre masive dhe se çfarë fshihen pas kësaj…”.
Ramiz Alia: “Unë rrugën si ta zgjidh?”
Bashkëbiseduesi: “Me informacion, një njeri jo i përgatitur aq sa duhet, një drejtor, një sekretar partie mund të mbledhë supet, nuk e di. Erdhi nëna e filanit kërkonte djalin, as emrin në ambasadë nuk e gjeti dhe as në morg nuk e kishte. Ç’u bë djali? Mbas dy ditësh e mori vesh që djali ishte në Gjermani. Po ndërkohë e hapi atë”. 
Ramiz Alia: “Shiko, mua më dërgonte letër sekretari i partisë së Kinostudios dhe me shkruante pikërisht një gjë analoge, por nuk më thoshte që gjashtë vetë nga ne ikën, nga kolektivi i Kinostudios, gjashtë vetë, nuk e thoshte. Kurse këtë po ma thoshte, thuhet që janë vrarë qindra vetë në kufi. Çfarë t’i them unë atij? E kam çështjen këtu, si të bëhet kjo?!”

Bashkëbisedues: “Unë mendoj që diçka edhe në gazeta mund të bëhet. Për shembull, ndodhi një aksident në rrugë, në Elbasan u vranë disa vetë etj, pothuajse, më kupton, më duket se është botuar një herë një lajm i tillë. Atje janë vrarë katër veta, ndërsa njerëzit i shtojnë dhe i bëjnë 100. Domethënë, diçka nuk e di, forma mund të gjendet”.
Bashkëbisedues: “Shoku Ramiz, ne jemi të vonuar, këtu kemi qenë. Po bëjmë në Tiranë të gjitha takimet, nëpër rajonet me të gjithë sekretarët e partisë dhe me njerëz. Ku godet armiku? Çfarë parullash ka armiku? Çfarë ka përhapur? Cila është e vërteta dhe cila s’është e vërteta? Mund të thuash edhe kështu.
Ramiz Alia: “Pavarësisht thelbit, ti ke të drejtë. Domethënë, çështja e informacionit është një nga pikat tona të dobëta. Këtë informacion nuk e gjen dot as në shtyp tek neve. Edhe si parti, informacioni është i cunguar. (I drejtohet një bashkëbiseduesi) Sikur deshe të ndërhysh për diçka?!”.
Bashkëbiseduesi: “Unë kam këtë propozim, që sekretarët e organizatave bazë që kanë mend në kokë…”.
Ramiz Alia: “Po për atë po flasim, se për ata që nuk kanë mend në kokë është e kotë të harxhosh frymë”. 
Bashkëbiseduesi: “…gjërat që mendojnë, që nuk mund të jenë ashtu, absolutisht ata menjëherë të mbledhin kolektivin e tyre të vogël, prej komunistësh. Ja çfarë parullë po thuhen këtu te ne…”.

(vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI
Debati për lajmin e Zërit të Amerikës mbi hapjen e dytë të ambasadave
Kërkesa e Dhimitër Shuteriqit për konsekuencë në informacion
Ramizi akuza Berishës për dizinformacion mbi plagosjet e qëllimshme
Sigal