Osman dhe Mirvjen Kaceli: Babanë e morën në mesnatë më 20 shkurt, e lidhën në sytë tanë

1231
Sigal

INTERVISTA/  Flasin vëllezërit Osman dhe Mirvjen Kaceli, fëmijët e Jonuz Kacelit  të pushkatuar më 1951

Rrëfimi i tyre ishte shumë prekës, shumë i dhimbshëm. Tashmë të bërë gjysha, ata tregonin dhe lotonin. Dhimbja e tyre shihej qartë. Babanë ua pushkatuan padrejtësisht në vitin 1951 më 27 shkurt, duke mos dhënë asnjë shpjegim. Eshtrat e të atit i gjetën vetëm në vitin 1991, por pengu i tyre është se nuk i pa nëna, pasi ajo kishte vdekur dy vite më parë, më 1989. Ajo që ata e kanë plagë është se Mehmet Shehu, edhe pse familja e tyre e kishte ndihmuar, e kishte qëlluar me qytën e revoles në ballë, babanë e tyre.

  Osman Kaceli

Ç’lidhje ka familja juaj me viktimat e 19 shkurtit të vitit 1951, me bombën në ambasadën sovjetike?

 Në këtë ditë, në oborrin e legatës (ambasadës) sovjetike në rrugën e Durrësit, u hodh dinamit, ku menjëherë doli një vendim i posaçëm i Plenumit të Byrosë Politike të KQPPSH, që të arrestohen rreth 200 vetë dhe 22 prej tyre të pushkatohen. Një ndër të arrestuarit dhe të pushkatuarit e kësaj ngjarje të çuditshme, ishte dhe babai jonë,  Jonuz Kaceli.  Të nesërmen, duke u gdhirë 20 shkurti, rreth mesnatës dera e shtëpisë troket fort dhe arrestohet babai ynë i shtrenjtë.

 Kush ishte Jonuz Kaceli, babai i tij

Ishte një njeri shumë i njohur në Tiranë për bamirësitë e tij dhe për miqësitë e pafund. Babai im ishte tregtar. Ishte një ndër tregtarët më të mëdhenj në Tiranë. Tregtonte mallra të ndryshme si mobilie, enë kuzhine, lodra fëmijësh, biçikleta. Por më e veçanta e tij ishte se ne vitin 1924 ai prodhoi, apo porositi, kartolinat e para shqiptare. Këtë prodhim e bëri së bashku me vëllain e vet, duke i porositur ato në Drezden. Pra kishim dhe një dyqan kinkalerie. Më vonë u shtuan llojet e mallrave në dyqanet tona. Dyqanet tona kanë qenë në bri të sahatit, pallati katër katesh, ngjitur me ndërtesën e re në qendër të Tiranës. Ajo atëherë ishte qendra e Tiranës, sikundër dhe është, por dyqanet tona ishin më të veçantat, edhe si ndërtesë edhe si mallra. Kjo ndërtesë është dhe sot dhe të gjithë tiranasit thonë, ishim tek Kacelt, apo tek dyqani i Kacelëve. Kjo ndërtesë është ndërtuar në vitin 1934, e re. Ne, vetëm ditët e fundit kemi mundur t’i nxjerrim ata që na e kishin zaptuar pronën. Pra, pas 24 vjetësh ne kemi mundur të marrim pronën tonë, tashmë të shkatërruar.

 Arrestimi

 Ne ishim shtatë fëmijë, dy vëllezër dhe 5 motra, konkretisht, unë, Mirvjeni (vëllai) dhe motrat Vera, Blerian, Drita, Alaska dhe Dhurata, këto dy të fundit ishin binjake. Unë isha 9 vjeç, ndërsa vëllai im, Mirvjeni, ishte 6 vjeç, pra 3 vjet më i vogël se unë. Ne flinim të dy bashkë në një krevat. Ne na kishin hequr nga shtëpitë që kishim dikur dhe ishim strehuar tek dy dhoma që na kishte dhënë xhaxhai, tek rruga e “Pishës”, ngjitur me rrugën që tiranasit e quanin Kaceli (ku është klinika dentare Ismail Qemali). Ne flinim bashkë, të 7 fëmijët. Unë me vëllain kishim një krevat me dërrasa që të vriste brinjët dhe në anën tjetër flinin motrat, mbi një shtrat të improvizuar me dërrasa. Atë  natë që erdhën të sigurimit dhe arrestuan babanë, unë isha shumë i lodhur dhe bëra një gjumë të thellë, si nëpër ëndërr më silleshin në parafytyrim disa zëra të egër. Por vëllai im, që ishte më i vogël, ishte zgjuar dhe i ka parë të gjitha ngjarjet e asaj nate deri në arrestimin e babait. Ishte mesnatë duke u gdhirë 20 shkurti. Kur u çuam të nesërmen dhe pashë vëllain dhe nënën duke qarë, mora vesh të vërtetën. Nuk dija ç’të bëja, nuk dija si të veproja. Kishte rënë zija në shtëpi.

 Ç’keni dëgjuar për babanë tuaj nga dëshmitarët okular?

Kemi takuar shumë njerëz, apo shumë njerëz kanë ardhur më vonë dhe na kanë thënë se si e kanë trajtuar babanë tonë. Atë e kanë  torturuar në mënyrë çnjerëzore R. D. dhe Mehmet Shehu. Këtë na e kanë konfirmuar disa njerëz që kanë qenë okular. Atë natë, babanë e kanë çuar në Ministrinë e Brendshme dhe e kanë torturuar egërsisht, madje Mehmet Shehu e ka qëlluar në ballë me qytën e revolverit. Pasi e bënë gjak, e hodhën nga dritarja e afërt e Ministrisë së Brendshme në shesh. Pra kur u bë pushkatimi, babai jonë ka shkuar me 21 të tjerë thuajse i vdekur. Sigurimi këmbënguli shumë tek babai jonë, pasi kushedi çfarë mendonte. Por ajo që di të them dhe pse ishte tregtar, babai investoi shumë për luftën dhe shumë lekë për të, ishte kundër pushtimit.

 Vendi i pushkatimit

Këtë na e thanë në vitet e demokracisë. Ata u pushkatuan në  breg të lumit Erzen, afër urës së Beshirit. Sipas fshatarëve të asaj zone, ishte mesnatë e 27 shkurtit 1951 kur u bë pushkatimi. Atë natë krismat u dëgjuan deri larg, pasi ishte heshtje e madhe ato ditë, nga frika e arrestimeve. Ata e ngulitën fort në memorie këtë ngjarje dhe  pak a shumë e kishin precizuar vendin se ku ishte. Madje thuhet që një fshatar ishte aty rrotull me bagëtinë dhe e pa së largu vendin e ngjarjes. Ishin po këto fshatarë që më vonë përcaktuan vendin se ku do të gjendeshin kufomat.

  Internimi

Pas dy ditësh, tek ne vjen një makinë me disa policë dhe na urdhëruan të ngremë ato pak plaçka se do të na çonin diku. Ikëm siç ishim, pa parë se çfarë linim mbrapa. Rrugët ku kalonim ishin tërë gropa. Barku na gërryente nga të pangrënët. Në fund, pas një tollovitjeje, na thanë se këtu do zbrisni. Na çuan në një kasolle, diku afër rajonit të policisë. Ishim në Çorovodë të Skraparit. Këtu kemi qëndruar plot 3 vjet. Aty njerëzit që na rrethonin ishin dashamirësit tanë, por kishin frikë të flisnin drejtpërdrejt. Pra ishim 7 frymë në mes të një vendi të panjohur. Prej andej kemi ikur në 5 mars 1954. Na lanë të lirë nga internimi. Zylfi Saliu ishte kryetar i degës Berat i cili na tha që jeni të lirë, internimi juaj mbaroi. Nëna na tha se do ikim vetëm në Tiranë, aty i kemi njerëzit, aty jemi rritur dhe vetëm aty mund të mbijetojmë. Pra 8 vetë, ende fëmijë në mes të katër rrugëve. Nuk e morëm vesh se si na lanë të lirë. Askush nuk na dha asnjë shpjegim. Por ne s’donim shpjegime, donim të shikonim jetën.

 Po kush ju ka ndihmuar për të mbajtur frymën gjallë?

Tre motrat e mëdha, Vera, Blerina, Drita. Ato u bënë baba, nënë dhe motra për ne. Ato punonin çfarë pune të vinte para që të rriteshim. Sakrificat e tyre janë të pashembullta. Ato ishin 16, 15 dhe 14 vjeçe. Vajza të brishta, të trembura, që punonin me kokën ulur, punonin si të ishin skllave. Unë isha 9 vjeç e gjysmë, vëllai 6 vjeç dhe motrat binjake 3 vjeç. A e kuptoni gjendjen tonë, a e kuptoni se si kemi jetuar?

 Ju ndoqi ky persekutim gjatë gjithë jetës?

As që diskutohet. Ne s’kishim të drejtë për asgjë. Por jemi munduar të mësojmë, jemi munduar që të arrijmë diçka në jetë. Punonim dhe studionim. Unë vetë kam bërë disa shkolla profesionale, po ashtu dhe vëllai im. Ishim familje që ishim rritur me librin. E donim diturinë, pasi vinim nga familje tregtare nga më të mëdhatë në Tiranë. Pa triska fronti.

Ku u strehuat pas kthimit nga Çorovoda?

Sërishmi tek shtëpia e xhaxhait në një kthinë aty, në një cep të futur si barakë e rrëzuar. Sa nuk lageshim dhe flinim si fishekët në karikatorë. Më vonë, një oficer sigurimit që na kishte bërë të keqen, iku nga një shtëpi aty afër dhe xhaxhai im Ali Kaceli tregtar i famshëm (mik i Gjergj Fishtës, ka shumë dokumente për këtë), ndërhyri diku që ne u futëm në atë shtëpi.

Albert ZHOLI