Njazi Braçaj kërkon shokët

878
Enver CAKAJ
Sa vjeç është, e di vetëm ai, po kështu edhe sa do të vejë pyesni vetë Njazi Braçen. Një gjë duhet ta dini, ai njeri nuk mbahet pas shkopit, se shkop i fortë është vetë. Ka ardhur për herë të fundit në Muzhënckë tok me djemtë e tij, Agimin dhe Yllin. Që të tre janë të thinjur dhe nuk dimë kujt t’i themi, “Pleqëri të mbarë!”. Themi ne me mendje, se kjo do të jetë hera e fundit që vjen, po ku ta dish, ndonjë ditë mund ta shikojmë sërish që të marrë rrugën për në Muzhancë. Atë ditë që takuam na thase, jam duke dorëzuar çelësat, por siç e pamë ne, ai tani sa i ka marrë çelësat e jetës. Jeton në Durrës, po mendjen e ka në Muzhënckë, e cila nuk e mbajti dot, por dhe ai s’kishte mundësi ta mbante. Shtëpitë dhe bukën e tyre e kërkonin ata që nuk e kishin. Të huaj në shtëpitë e tyre. Andartët grekë hynin e dilnin në Muzhënckë me ura zjarri të ndezura. Për t’i shpëtuar kësaj të keqeje, familja e Qerim Braçajt u bë refugjat në vendin e saj. Morën rrugët e u vendosën tek një familje bamirëse në Vranisht të Vlorës. Shtatë muaj në shtëpinë e botës, kur shtëpia e tyre vazhdonte të nxirrte tym. Lëvizja anormale do të sillte dhe kostot e saj. Familja e Qerimit e la një vajzë në varrezat e fshatrave të Mallakastrës! Ikën me kokë pas nga Muzhëncka, se lanë pasurinë atje, ikën kështu dhe nga Vranishti, se lanë atje vajzën e tyre! U kthyen, po nuk hynë dot në Muzhënckë. Kur dolën te Çuka e Haskos panë që në Muzhënckë vazhdonte të qëndronte ende një postë karafillakësh grekë. U detyruan të ktheheshin dhe të strehoheshin në familjen e Turhan Hysës në Zogas. Kur morën vesh se fshati u pastrua, vajtën, po gjetën vetëm një çadër pa djegur, që u bë streha e tyre. Por e keqja e ndoqi pas këtë familje. Qerimit i vdiq gruaja në një kohë shumë delikate. Nga ta zinte e nga ta linte hallin i shkreti Qerim me fëmijë nëpër këmbë. Në atë hall nisi ndërtimin e një shtëpie dy katëshe. Po kjo e futi në borxhe të rënda. Mbylli sytë dhe i nisi të dy djemtë në kurbet, njëri në Stamboll e tjetri në Paris. Sytë nuk i mbante më nga toka, por ç’t’i sillnin djemtë nga kurbeti. Atje, në çadër, në atë janar të acartë të vitit 1920, i lindi dhe Njaziu. Buka ishte zëvendësuar me oshafe vallze e gorrice. Një dhimbje më e keqe se dhimbja!
Muzhëncka
Njerëzit nuk donin vetëm bukë. Djemtë u rritën e donin të arsimoheshin. Mirëpo shkolla s’kishte. Muzhënckallinjtë pas shumë kërkesave, u mblodhën burrërisht me burrat e Malindit e vendosën ta ndërtonin vetë godinën e shkollës. Dhe shkollën e ngritën ,po mësues s’kishin. U detyruan t’i dërgonin këtë letër ministrisë së arsimit: “Ne të nënshkruarit pleqësi e katundeve Malind dhe Muzhënckë të nënprefekturës së Skraparit, me sakrificën e dy fshatrave, kemi ngritur këtu e tre vjet më parë një godinë shkollore sipas sistemit modern dhe numri i nxënësve në moshën shkollore është 60-70 nxënës, prandaj ju lutemi të dërgoni një mësues!” Pas disa kërkesave më në fund erdhi mësuesi nga Tirana me emrin Sinan Tafaj. Të gjitha shpenzimet, që nga paga deri te ushqimi e strehimi, paguheshin nga të dy fshatrat. Shkolla vazhdoi me kapacitet të plotë. Në semestrin e parë, kur u bë një testim, mësuesi diktoi se Njaziu me tre të tjerë kishin përparim të lartë dhe i kaloi direkt në klasën e dytë. Njaziut i takoi ta mbaronte një vit më përpara shkollën fillore nga shokët. Ja e mbaroi, po ku do të vinte? Në arë e priste kazma. Ditë e natë i lutej Qerimit të kujdesej, po ai kishte njëmijë halle mbi kokë. Më në fund, mik pas miku, mundi ta rregullonte në Frashër, tek një miku i tij. Shkolla ishte me pesë klasë. Mësues kishte shkodranin Jordan Misja. Njaziu vazhdonte klasën e pestë. Mirëpo një ditë prilli 1939, mbi Frashër demonstronin forcën e pushtimit pesë avionë fashistë. Mësuesi i mblodhi nxënësit dhe u tha të shkonin nëpër shtëpitë e tyre dhe kur t’i lajmëronin të ktheheshin. Por kjo nuk zgjati shumë dhe Njaziu e mbaroi shkollën. Mirëpo lufta ishte ngritur dhe nuk bëhej fjalë për shkollë. U mor vesh se Zylyftar Veleshnja kishte krijuar një çetë. Tek punonte me të atin për të hapur tokë të re, që të shtonin ndonjë karroqe misër më shumë, i thotë të atit,s e do të shkonte partizan. Qerimi e kishte shkrepur që në vitin 1920 në Vlorë dhe e dinte ç’ishte lufta ,po djalin nuk e pengoi. Njaziu vari kazmën në një degë lisi dhe krisi e iku. Kur takoi Zylyftarin dhe u njohën, ai e pyeti nëse kishte pushkë. Njaziu i tregoi se në shtëpi kishte një mitraloz,që po ta pranonte do të vinte ta merrte. Për herë të parë Njaziu dëgjoi urdhrin luftarak: “Të shkosh dhe të vish shpejt!”

Njazi Braçaj tregon copëza nga jeta e tij. Nuk ka mbajtur ditar, është vetë një ditar që flet fare qartë e i tregon si t’i ketë jetuar sot. “Vajta në shtëpi si i ri i asaj kohe, mora tri pushkë dhe u nisa. Kur arrita te Lisi i Malit takova ca partizanë, që më thanë të dorëzoja armët! Atje ishte dhe babai, që ndërhyri e u tha të mos i pengonin djemtë për të shkuar në luftë. Atëherë ndërhyri Kadri Hoxha dhe më tha të shkoja në çetat e tjera. Ika dhe më qëlloi të vija në shtëpinë e Feim Maksutit në Gjorgjovë. Atje gjeta Mehmet Hoxhën nga Konispoli, të cilin e mora dhe e mbajta tri ditë në shtëpinë time. Në Berat u mblodhën nga të gjitha rrethet dhe krijuan Batalionin “Rinia”.Shtabi i Qarkut Berat dha urdhër të mblidheshin armët e italianëve të zënë rob në Bogovë. Në takimin e parë që bëri komanda me komandantin e tyre, u kërkoi të dorëzonin armët, por ata vunë një kusht, që oficerëve të mos u merreshin armët personale. Këtë nuk e pranoi komanda jonë dhe armët i morëm dhe i shpumë në kazermat e Uznovës. Mirëpo na ndodhi një e papritur. Dy partizanë nga Lapardhaja duke lozur me armët, vranë veten!”

Me krijimin e formacioneve të mëdha partizane, Batalionet u shkrinë dhe Njaziu kaloi në Brigadën e 7-të Sulmuese. Ai na lutet të na tregojë dhe një episode të pakëndshëm. Në Berat djali i Mestan Ujanikut vrau Nikollaq Sallabandën. Ishin të një krahu. E mori vesh Mestani dhe u nis ta vriste vetë djalin e tij, që të mos krijoheshin hasmërira, po i ati i Nikollaqit, një burrë vërtet patriot, ndërhyri e na tha: “Lërini këto, tani jemi në luftë me të tjerët jo me veten. Le të zgjidhen pas luftës.” Kur arritëm në Vlushë, ku krijuam Brigadën e 7-të Sulmuese, u ndjemë pak keq. Ishte dimër në atë 17-mars. Ku të ngroheshim e ku të hanim? Na sollën bukë nga fshatrat rreth Vlushës. Ne kishim dëshirë të festonim ditën e vetme që kishim në vit,ditën e verës. Të dilnim sipas zakonit shtëpi më shtëpi me të këndonim këngën “Ozi bozi, doli matrallozi.” Atëherë kur kishim në mend këto dëshira, në cepin e fushës së bukur të Destinës, shikoj babanë tim dhe të Mehmet Braçajt. U gëzuam si asnjëherë tjetër. Ishim në luftë dhe dihet, o do të vrasësh o do të vrasin. Babai nxori nga torba vezët e ditës së verës, që na u duk sikur të gjitha ritet e asaj dite ishin brenda tyre. Na u dha urdhri për t’u nisur. Për herë të parë i zbrazëm armët në Qafën e Shkozës. Atje zhvilluam një betejë të vështirë,ku na mbetën 14 partizanë si yje. Një ushtar gjerman ngriti flamurin e fitores,po një shoku ynë i irrituar, vërsulet,e qëllon dhe ai ra i vdekur me gjithë flamur. Atë flamur nuk e pamë të ngrihej më derisa e shporrëm nga Shqipëria. Pasi çliruam Shqipërinë kaluam në viset e Jugosllavisë, po le ta lëmë me kaq.”

U kthye Njaziu nga lufta,po sikur nuk po ndihej mirë pa armë në krah. Në Kongresin e Përmetit ai kishte marrë gradën e togerit,po nuk e kishte parë kurrë. Atëherë kërkoi të vazhdonte studimet për ushtarak dhe të flinte tok me armën. Ja krijuan këtë mundësi dhe ai nuk i zhgënjeu,doli ushtarak prej vërteti. Kjo bëri që ta caktonin në detyra të larta ushtarake,ku punoi me ritmet e luftës. Kudo që punoi nuk e hoqi nga mendja Muzhënckën e tij të dashur,ku vinte vit pas viti. Kur mbushi moshën e pensionit u largua nga ushtria,po jo nga puna. I vendosur në Durrës familjarisht,nisi të kërkonte shokët. Por me përjashtim të bashkëfshatarit dhe bashkëluftëtarit të tij,Mehmet Braçaj, që po e ndjek këmba këmbës,nuk gjeti njeri. A thua të kenë vdekur ata trima? Kurrsesi,ata janë ende grykave e honeve të maleve nëpër beteja. Ne i dëgjojmë gjëmimet e armëve të tyre. Edhe ata i dëgjojnë. Muzhënckallinjtë kanë krijuar një traditë,që të mblidhen çdo vit për t’u takuar me njëri-tjetrin. Në atë takim nuk mungoi as Njaziu, që mbante një shekull mbi supe. Mirëpo nuk i erdhi mirë,që nuk ishin më ato pemë që kalavirej në vogëli. Fshati ishte braktisur,por jo vlerat e tij. Atje është historia e të gjithëve. Ajo shtëpi dy katshe, që varfëron në mes të fshatit,fliste e do të flas së brendshmi në jetë të jetëve. Muzhënckallinjtë do ta vazhdojnë traditën e takimeve, po Njaziu nuk do të mungojë kurrë në ato takime. Ai ka lënë e ka marrë shumë nga ai fshat, që jeton kaq gjatë. Tani e kemi pak vështirë,se si ta urojmë Njazi Braçajn, që i ka jetuar të gjitha dëshirat e jetës. “Pleqëri të mbarë!”, nuk i themi dot, se ai pleqërinë e ka sfiduar, po le ta ketë jetën dritë e diell siç është vetë!
Sigal