Luan Çipi/ Fatosh Voshtina, jeta e Kolonelit në Flotën Detare

310

Në datë 10 Mars 2014, u festua 85- vjetori i lindjes së bashkëqytetarit tonë vlonjat, Fatosh Voshtina, Kolonel në Lirim i Flotës tonë Luftarake Detare, Inxhinier Mekanik dhe Studiues e Letrar. Fatosh Voshtina u lind në lagjen “Topana” në qytetin e Vlorës, nga thellësia e shekujve vërtetohet origjina e tij shqiptare nga fisi Voshtina, emër e një qendre të lashtë të banuar nga shqiptarë, në veri të Gjirokastrës. Ishte viti fatkeq 1939 dhe koha e pushtimit nga Italia Fashiste, periudha kur ai dërgohet si “balil” në Itali, ku njihet me të vërtetat e realitetit dhe nga nxjerr përfundimet e mësime të dobishme atdhetarie. I kthyer në Vlorë, ai është dëshmitar i pushtimin të vendit nga Italia dhe dora dorës përfshihet, si gjithë mjedisi për rreth, me lëvizjen antifashiste shqiptare, mëson për guerilet dhe aksionet e para, futet në veprimtarinë patriotike antifashiste, ndikuar edhe nga ngjarja heroike të 4 heronjve të lagjes së tij, Tophana, si dhe nga pjesëmarrja e familjes dhe deri në kalimin e tij direkt, si pionier e debatikas në luftë. Në vazhdim, djaloshi plot energji, përjeton historinë e përvuajtur e plot vështirësi të jetës së gjatë si ushtarak karriere dhe tregon: “Gjatë jetës time në shërbimin ushtarak nga viti 1944 deri në vitin 1986 prej 41 vitesh në poste dhe detyra të ndryshme, kam kaluar momente të vështira dhe shumë të rënda, disa për pakujdesin ë time të tjerat të sajuara nga intrigat e personave të pandërgjegjshëm, karrieristë dhe keqbërës”. Ai tregon me sinqeritet e krenari, se u rrit si komunist dhe me besim të plotë e të përhershëm te Partia e Punës, por, si intelektual i mësuar në Rusi për më shumë se 10 vjet. Ai thotë: “Mbas letrës së hapur të K.Q të PPSh për heqjen e gradave dhe vendosjen e uniformës së barabartë midis oficerëve të ulët, oficerëve madhorë dhe gjeneralëve, përfshirë këtu edhe nën oficerët, ishin të njëllojta për të gjithë. U bëmë, si i thonë fjalës, njësoj si “këmbët e dhisë”. Kjo dëmtoi shumë disiplinën dhe rregullin në ushtri. Drejtimi unik nga komandanti, u zëvendësua nga drejtimi dysh komandant-komisar dhe më vonë këtij drejtimi i shtohet dhe sekretari i komitetit të partisë. Gabime në drejtimin partiak e shtetëror, Fatoshi konsideron edhe shkëputjet pa kriter nga bashkëpunimi ushtarak me Bashkimin Sovjetik në fillim dhe aq më keq me Kinën më pas, si dhe represionet e tepruara në bllok të prijësve partiak ndaj udhëheqjes ushtarake, si dhe masat ekstreme e të nxituara ndaj tyre. Fatos Voshtina në veprat e tij të shkruara paraqit realisht dhe me sinqeritet hallet, peripecitë dhe vështirësitë e punës në ushtri. Disa herë ai kthehet te admirali poliglot dhe i kompletuar Abdi Mati, duke thënë: “Admiral Abdi Mati ishte dhe mbeti idhulli i të gjithë kuadrove e detarëve që punuan dhe shërbyen me atë. Kujtimi dhe vepra e tij do të nderohet dhe kujtohen ashtu si sot me respekt dhe krenari nga brezat detare dhe shqiptarët”. Fatosh Voshtina, ka meritën si drejtues kryesor në ruajtjen dhe përtëritjen teknike të Flotës sonë luftarake dhe si specialist i mirëfilltë i inxhinierisë navale, ka pasur shpesh detyra bashkëvepruese, komunikuese, po dhe si përkthyes, me përfaqësues të lartë analog të flotave ruse e kineze, detyra që i ka kryer kurdoherë me përgjegjësi, kompetencë e patriotizëm.

Gjatë gjithë jetës së tij të gjatë, ai paraqitet si një nga ushtarakët më aktiv ndër vite, i aftë e me njohuri të thella inxhinierike për flotën dhe ushtrinë, kompetent në sektorin ushtarak dhe plotë veprimtari patriotike e shoqërore edhe si një qytetar i shkathët, që nuk qëndron asnjëherë indiferent kundrejt problemeve dhe halleve jetike, si të ushtrisë aktive, ushtarakëve në lirim, po dhe të popullit të vetë. Ngelemi me besimin e patundur se shoku ynë i dashur, bashkëshoqëruesi aktiv në këto vitet tona finale, që edhe pse 85-vjeçar, dallohet për freski e gjallëri të pazakontë, nuk do rreshti me veprimtari e krijimtari, duke ngelur shembull e model optimizmi e pavdekësie.