Kongresi Historik i Përmetit

973
Nga Grori kaluam në Gjyzsulkomie. Bëheshim 40 delegatë të shoqëruar prej 30 partizanëve të Pezës. Do të përshkonim male e lumenj për të arritur në vendin që kishte caktuar Partia për mbledhje. Ne u nisëm për në Garunjë, kurse Maliq Muçon me batalionin e parë e nisëm përpara në Kazie. Batalioni i parë do të do të tërhiqte vëmendjen e spiunave të armikut, ndërkohë që ne do të na duhej të kalonim Shkumbinin. Gjatë natës së 9 majit kaluam Shkumbinin dhe u shtrimë për të pushuar në një korie me plepa. Në të errur u nisëm drejt Jugut. Mbas shtatë ditësh e netësh arritëm në Helmës të Skraparit. Belshi, Sulova dhe Tomorrica e Skraparit na pritën e na përcollën jashtëzakonisht mirë, me aq dashuri e me aq kujdes. Nuk më shlyhen nga kujtesa, burrat gojëmbël, të thjeshtë e mikëpritës të Skraparit, si Pasho Hysi, apo Xha Sinani, i ati Kaherman Yllit, Zylaftar Veleshnja e mjaft të tjerë. 
Bisedat me Enver Hoxhën
Në Helmës, tek po pinim një gotë raki, shoku Enver tha: Ai “miku” që të dërgoi letër në Arbanë, Mehdi bej Frashëri po përgatit kthimin e Zogut në Shqipëri. – Kjo s’ka për të ndodhur kurrë, i thashë, veçse po të zhdukeni të gjithë! – Bazi i Canës mendon se si i vetmi rregjim në Shqipëri mund e duhet të jetë ai i Zogut, tha shoku Enver, po Kongresi ynë do t’i flas gjithë botës në emër të vullnetit të vërtetë të popullit shqiptar. Nuk ishte derdhur gjak për të sjellë në fuqi Zogistët apo Ballistët. Po derdhej rrëke gjaku për të çliruar vatanin, për të ndërtuar Shqipërinë Demokratike, për të prurë popullin në fuqi. Ecëm drejt Përmetiti, qytetit ku do të mbahej Kongresi. Kaluam shpate e qafa male shumë derisa arritëm në luginën e bukur të Vjosës, ku ngrihej qyteti i vogël, por i përvëluar i Përmetit. -Ja qyteti i trandafilave, foli gjithë shend Enver Hoxha. -Ai? – e pjeta -Po,- u përgjigj. Unë nuk kisha shkel kurrë më parë në atë qytet po emri i Përmetit ishte për mua i njohur dhe i afërt. Aty kishte jetuar e internuar familja ime për afro katër vjet; aty më ishin rritur fëmijët e mi, Dija e Skënderi dhe goca e vëllait Myrvetja. Ne u zbritëm kuajve dhe hymë në qytet ku populli na priste me përshëndetje e brohoritje të zjarrta: Rroftë Enver Hoxha! Urra! Urra! Në drekën e së nesërmes m’u dha rasti të njihem me shumë shokë të tjerë të luftës e ndër ta me të pa harruarin Hysni Kapo. Foli bukur për rolin udhëheqës të Partisë e të Enver Hoxhës në luftën NANÇ. Mbas tij Haxhi Lleshi shprehu edhe një herë përkrahjen e popullit të Dibrës për Luftën besimin për fitoren e armëve tona. Folën dhe mjaft delegatë nga ushtria, krahinat, rinia, gruaja etj. Mbaj mënd se Gogo Nushi e shokë të tjerë m’u lutën edhe mua të flisja, ndonjë fjalë. Unë e kam pas shumë zor të folmen, po aty u ngrita dhe thashë: “Unë” kam luftue fashizmin e tradhëtarët, kam ba luftën e drejt të popullit. Kam qenë e do të jem besnik i popullit e i luftës së tij, prandaj edhe partizanët më thërrasin Babë”. Salla shpërtheu në duartrokitje të forta dhe unë e pashë se sishte nevoja të flisja më gjatë. Të nesërmen më 24 maj, salla ku do të mbahej Kongresi furgulloi nga duartrokitjet e brohoritjet e furishme për shokun Enver Hoxha. Me brohoritje e duartrokitje u miratua rendi i punimeve të Kongresit. Himni i flamurit, himni i luftërave e fitoreve tona na e mbushi shpirtin gjithë afsh. Drejtusi i punimev Omer Nishani ia dha fjalën shokut Enver Hoxha ….Duartrokitjet e brohoritjet e shoqëruan fjalën e Enverit fjali mbas fjalie. Enver Hoxha e deklaroi dhe Kongresi historik i Përmetit në emër të popullit kryengritës mori vendimin e njohur që pushteti t’i jepet popullit që Zogut t’i ndalohej njëherë e përgjithmonë hyrja në Shqipëri. Kishte ardhë koha të merrnim vendimin e dëshiruar prej kohësh: Të ndërtohej Shqipëria e re demokratike popullore! Të mos njihej asnjë qeveri tjetër që mund të formohej brenda ose jashtë shqipërisë! Mbasdite e morën fjalën shumë veta, një ditë e gjysëm rresht. Në të vërtetë duheshin ditë të tana për t’i thanë të gjitha ato që ndienim e dëshironim, por koha nuk priste. Shokët tanë të grupeve, brigadave e batalioneve, po vazhdonim përleshjet me armikun. Delegatët folën thjeshtë e me guxim. Ata kërkuan të mos përsëritej ma e kaluara e hidhur, të kapeshin e të dënoheshin kriminelët dhe armiqtë e popullit, të vazhdohej pa ndërprerje lufta për çlirimin e plotë të vendit dhe vendosjen përfundimtare të pushtetit popullor të dal nga LANÇ. Mbasandaj u paraqitën kandidatët për në Këshillin Antifashist National. I pa shlyeshëm ka mbetur në kujtesën tonë, formimi i Këshillit të Komitetit Antifashist me atributet e qeverisë së përkohshme popullore dhe shpallja e emrit të Sekretarit te Përgjithshëm të PKSH e Komandanti i Përgjithshëm i LANÇ, shokut Enver Hoxha, Kryetar i Komitetit. Në postin e zëvëndëskryetarit u dëgjua emri i një fshatari të thjeshtë që dinte të shkruante e të lexonte fare pak: emri i Myslim Pezës. Tek po hanim drekë i thashë Enverit: – Faleminderit për të gjitha, po s’po kuptoj ç’asht ky caktim im nënkryetar dhe grada kolonel? Ta them shqip, s’asht nevoja me m’i ngarkue mua këto poste e grada. Unë jam besnik deri në vdekje i kësaj rruge që kemi nisur. Kush jep besë nuk lyp pjesë. Gradoni ndonjë që duhet ta afrojmë me luftën tonë, se mue s’më ngelet hatri. Shoku Enver qeshi me të madhe: Edhe unë ndershmërisht po ta them, më tha. – Ty mund të mos të të ngelet hatri pse nuk gradohesh, po i ngelet popullit ama! – Mirë o Enver, i thashë, unë mbi popullin nuk vë asgjë. Po edhe populli le ta dijë zemrën time. Nuk asht keq. – E di populli, tha Enveri, e di dhe më rrahu shpatullat. Në Berat kur Komiteti u kthye në Qeveri Demokratike, pas emrit tim ishte shkruar nënkryeministër, grada Gjeneral Major. – A këtu e prishe fare o Enver, – i thashë. – Përkundrazi, tha ai, këtu e ndritëm fare. 
(Marrë nga Libri: Myslim Peza “Kur dhashë Besën” fq.301-311, Përgatiti Xhaladin Çelmeta)
Sigal