Kiço Mustaqi: E vërteta e rrëzimit të busteve të Enverit dhe ‘Grushti i shtetit’ në Shkollën e Bashkuar

267

Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në shkurt të vitit 1991 dhe e cilësuar si ‘Revolta e Shkollës së Bashkuar’ ku u përfol dhe u kërkua heqja e shtatores së Enverit nga Akademia dhe vendosja në qendër të Tiranës, shoqëruar me situatë të tensionuar, do të mbetet si nga pikat më delikate të hapave të para të pluralizmit në Shqipëri, veçanërisht në strukturat ushtarake. Kiço Mustaqi, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, rrëfen këtë situatë kritike…

 NË PRAG TË PLURALIZMIT

Fiks një orë pas miratimit në Byro u thirr urgjentisht mbledhja e plenumit të 13-të të KQ të PPSH. Aty, i vetmi që kundërshtoi ishte Spiro Koleka, që kishte qenë deri vonë anëtar i Byrosë Politike. Në plenum e mori fjalën i pari kirurgu i njohur Petrit Gaçe, i cili duke iu referuar pozicionimit të Mehmet Elezit në plenumin e 12-të, vërejti; “…tani do ta vendosim që do ta vendosim pluralizmin, atë që kundërshtuam atëherë, por tashmë nën presionin e studentëve!”.. Në mbledhje vetëm Spiro Koleka ishte kundër, i cili demonstruesit i cilësoi “rrugaçë”. Ramiz Alia na vuri para presioneve. Ai kishte caktuar sekretarin e vet, Vaskë Çifligun, i cili thuajse luante rolin e ndërlidhësit ndërmjet Ramiz Alisë dhe demonstruesve. Kur studentët përparonin dhe i jepnin Vaskës një pusullë, ky vinte ia dorëzonte Ramizit dhe Ramizi e hapte në sy të plenumit dhe thoshte: “Ja, ata po përparojnë”. Në fund ai i tha Hekuran Isait të dilte prej mbledhjes për të marrë masat e duhura për ngjarjet që po zhvilloheshin. Pastaj më tha dhe mua. “Dil edhe ti, Kiço, merrni masa”. Për mendimin tim, e gjithë kjo ishte e inskenuar, që të shtrëngohej plenumi dhe të pranonte pluralizmin. Më bënte përshtypje puna e Vaskë Çifligut dhe Ramizi dukej sikur thoshte: “Ta marrim vendimin tani, se nuk pret situata”.

VENDIMET E PLENUMIT TË KQPPSH

Plenumi vendosi:

1. Në qershor 1991 të mblidhet Kongresi i 10-të i zakonshëm i PPSH.

2. Më 26 dhjetor të mblidhet aktivi kombëtar i PPSH për të përcaktuar platformën elektorale të PPSH dhe për të aprovuar listën e kandidatëve për deputetë.

3. Të lirohen nga funksionet anëtarët e BP Muho Asllani, Lenka Çuko, Simon Stefani, Foto Cami, Hajredin Celiku dhe kandidatët e BP Qirjako Mihali e Pirro Kondi.

4. Plenumi shprehu mendimin se është në dobi të demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit dhe të pluralizmit krijimi i organizatave politike të pavarura, në përputhje me ligjet në fuqi.

TAKIMI ME RAMIZ ALINË

Po atë natë, Ramiz Alia pret përsëri një përfaqësi të studentëve dhe i njohu ata, sipas buletinit të asaj date të ATSH-së, me zhvillimin e punimeve të plenumit të 13-të të KQ të PPSH, i cili shqyrtoi gjendjen aktuale dhe rekomandoi masat përkatëse për përmirësimin e saj. Studentë i pritën me entuziazëm vendimet e këtij plenumi”. Edhe në fjalën që mbajti Ramiz Alia para studentëve vërehet lehtësisht përpjekja e tij për ta paraqitur demokratizimin si një proces të ideuar e të udhëhequr nga partia e Punës. Ai theksoi se “rruga e demokratizimit” është rruga e interesave të atdheut, të socializmit, të popullit. Në të njëjtën kohë, sapo hasi në kundërshtimet dhe në reagimet e para nga studentët, pasi bëri raportimet e para tek Ramizi doktori nuk rezistoi gjatë. Ai pas disa bisedimeve rutinë u tërhoq dhe në çast u bashkua me studentët, duke ngritur lart dy gishtat në formën e germës “V”, që ishte bërë menjëherë simboli i Lëvizjes Studentore.

SKENARI PËR RRËZIMIN E PËRMENDORES SË ENVERIT

Po t’ju referohemi informacioneve të atyre ditëve, skenari i zhvillimit të ngjarjeve ishte ky: Turmat e njerëzve që do të niseshin nga qyteti Studenti, do të merrnin së pari godinën e Radio Televizionit, prej andej do të drejtoheshin në Kryeministri e në Komitetin Qendror të PPSH. Në dritaret e zyrave të Adil Carçanit, Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, nga krahu i bulevardit Dëshmorët e Kombit, do të vendosnin flamurët e PD-së e pastaj demonstruesit do të futeshin në Bllokun e Udhëheqjes për të shkatërruar banesat e bllokmenëve, një neologjizëm mjaft i përhapur ditëve të para të 1991-shit. Turma prej 100.000 vetash (këtë shifër dha në mbrëmje një agjenci prestigjioze lajmesh), nuk mundi të hynte në godinën e Radiotelevizionit, ku nuk pati ndonjë incident. Lumi njerëzor, nëpërmjet rrugës së Elbasanit vërshoi në drejtim të sheshit “Skëndërbej” ku u rrëzua monumenti. Pastaj u kthye në bulevardin kryesor të Tiranës, duke thirrur: “Te Blloku! Te Blloku!” Bulevardi ishte bllokuar nga tanket e Gardës së Republikës. Ramiz Alia mbaj mend se i kishte sugjeruar komandantit të Gardës, Dane Binajt, që t’i jepte efektivit vetëm municionin manovre. Kur Dane Binaj e paralajmëronte turmën të prapsej, se ndryshe do të hapte zjarr, drejtuesit e turmës bërtisnin: “Mos kini frikë” kanë predha manovre!”. Vetëm kur njëri prej tankeve shtiu në drejtim të plepave buzë Lanës dhe degët e plepave ranë përdhe njerëzit e kuptuan se Dane Binaj e kishte seriozisht. Atëherë njëri prej drejtuesve të atëhershëm të PD-së, Neritan Ceka, u ngjit tek njëri nga tanket dhe me megafon i bëri thirrje turmës që të kthehej mbrapsht, çka dhe u bë. Në një nga pushimet midis seancave të Kuvendit, (prill 1991), i thashë Arben Imamit ( në atë kohë deputet i PD-së), se po të mos kishit rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës, do t’i kishit fituar ju zgjedhjet”. Arben Imami më dha një përgjigje që më vuri në mendime:

”Monumentin nuk e rrëzuam ne, e rrëzoi Ramiz Alia, ne kishim në plan RTV-në, Komitetin Qendror, Kryeministrinë dhe Bllokun”.Po qe se të dy janë shprehur sinqerisht, dhe me shqyrtimin edhe të fakteve që u përmendën më parë, atëherë mund të konkludohet se vërtetë partia Demokratike e konsideronte si kurth rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës dhe i ishte shmangur një lëvizjeje të tillë.

20 SHKURTI, SINKRONI I RRËZIMIT TË MONUMENTEVE

Për Ramiz Alinë, 20 shkurti ishte “një nga ditët më dramatike e më të rënda në jetën e kryeqytetit”. Në një mesazh që u transmetua nga televizioni mbrëmjen e po asaj date, Ramiz Alia jepte alarmin se “janë vënë në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar”. Ramiz Alia ka thënë disa herë se ai dha urdhër të mos qëllohet kundër turmës, për të mos shkaktuar gjakderdhje e vëllavrasje. Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Hekuran Isaj pretendon në një intervistë (korrik 1991), se Ramizi i dha urdhër të qëllonte, por ai nuk e zbatoi. Vetë Ramiz Alia ka deponuar edhe para hetuesit për këtë çështje. Në librin “Ditari i burgut” ai e riprodhon këtë deponim:

“Kur demonstruesit dolën në sheshin “Skëndërbej” dhe kishte gjasë që ata të sulmonin për të rrëzuar monumentin e Enver Hoxhës, Hekuran Isai më mori në telefon, “Ç’të bëjmë?”. I them: “Sipas ligjit, kundër atyre që përpiqen të prishin monumentet si dhe kundër organizatorëve të demonstratave të paligjshme, policia duhet të ndërhyjë. Mirëpo, a mund të bëhet kjo atje, në sheshin Skëndërbej? A mund të evidentohen organizatorët?”. “Është e pamundur, m’u përgjigj Hekurani, në shesh ndodhen mbi 10.000 vetë, prandaj nuk mund të dallohen organizatorët, përveçse nëse bëhet kasaphanë”. Atëherë i thashë: “Kasaphana dhe gjaku nuk na nevojiten, prandaj përpiquni ta shmangni të keqen me mënyra të tjera. Kur mbërriti lajmi se monumenti ishte rrëzuar, unë ndodhesha në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë dhe ua thashë edhe të tjerëve. Nëse Hekurani kishte vepruar kundër urdhrave, domethënë se ai nuk lejoi të përdoreshin armët, ndonëse e kishte urdhrin prej meje që t’i përdorte, atëherë gjëja më e thjeshtë që do të bënim ne apo çdo anëtar tjetër i Komitetit Qendror, do të ishte të thirrej Hekuran Isai e të jepte llogari apo t’i bëhej një vërejtje, siç e parashikonin rregullat e kohës. Mirëpo asgjë nga këto nuk u bë. Pse? Sepse të gjithë shokët e dinin se ishte mendim unanim i Komitetit Qendror që të mos përdoreshin armët kundër popullit. Kjo ishte vija e Partisë.

MOMENTI MË I VËSHTIRË

Momenti kur u rrëzua monumenti i Enverit, ishte një moment tepër i rrezikshëm për Shqipërinë, sepse mund të përfundonte në një gjakderdhje, vëllavrasje. Kishte dy palë të revoltuara: njëra palë kërkonte rrëzimin, pala tjetër kërkonte mbrojtjen. Gjithkujt i kujtohet organizata “Vullnetarët e Enverit”- pra ishte një rrezik vëllavrasjesh në përmasa të mëdha… Në momente të tilla themelore të historisë, ka gjithmonë njerëz që i kuptojnë proceset, ashtu sikurse ka edhe njerëz që nuk i kuptojnë. Prandaj dhe reagimet janë sipas mentalitetit të tyre. Në fund të fundit, ishin masa të tëra njerëzish, që dilnin dhe kërkonin një ndryshim rrënjësor të zhvillimit. Dhe nuk mund të mbrohej asgjë me armë; ky veprim do të ishte nja katastrofë kombëtare dhe asgjë më tepër. Në rastin konkret, e vërteta mund të ketë pak rëndësi, po të merret parasysh se në mesazhin e 20 shkurtit, Ramiz Alia theksonte: “Tashmë ka dalë krejt e qartë që forcat antidemokratike kanë një strategji të përpunuar. Ata duan shkatërrimin e Shqipërisë. Ata duan të shkulin me rrënjë çdo gjë që kemi ngritur. Ata janë gati të profanojnë edhe varret e të parëve… Këto forca nxiten e shtyhen për të vepruar për interesa politike. Synimi i tyre është armiqësimi i masave me pushtetin popullor. Një lojë cinike po zhvillohet me ndjenjat e popullit. I gjithë mesazhi në fjalë i Ramiz Alisë karakterizohet nga një patetikë patriotike, që megjithatë mbart një ngarkesë të pazakontë konfliktuale. Ai gati-gati sa nuk u thotë troç njerëzve: Rrëmbeni armët për t’u treguar vendin atyre që arritën të rrëzojnë përmendoren kushtuar themeluesit të shtetit tonë, Enver Hoxhës. Në një pasazh mjaft ekuivok, Ramiz Alia theksonte: I bëj thirrje popullit të marrë në dorë fatin e vet. Sot është dita të tregohet kush është patriot, kush e do me zemër Shqipërinë, kujt i dhemb mundi e djersa e derdhur, kush e do me të vërtetë demokracinë”. Bashkimi i fjalive “është në rrezik liria, pavarësia dhe sovraniteti kombëtar,” nga njëra anë dhe nga ana tjetër “Sot është dita të tregohet kush është patriot dhe e do me zemër Shqipërinë”, ishte mjaft i rrezikshëm dhe mund të interpretohej fare mirë si një thirrje që njëra pjesë e popullsisë të rrëmbente armët kundër pjesës tjetër që “luante me ndjenjat” e pjesës së parë… Rrjedha e ngjarjeve të ardhshme dëshmoi se taktika e Ramiz Alisë për të sensibilizuar masat në favor të regjimit komunist, me shpresën se iniciativa për konfrontimin do të merrej nga vetë këto masa, nuk ishte krejt pa bazë. Dominimi gjysmëshekullor i komunistëve nuk mund të fshihej brenda një dite nga ndërgjegjja e njerëzve. Kjo vërehej më shumë në zonat ku PPSH kishte pasur vazhdimisht influencën më të madhe dhe njerëzit kishin lidhje farefisnore e krahinore me spiralet e nomenklaturës. Veç kësaj, në kushte e paralizimit të vendit, e vetmja propagandë që arrinte tek masat ishte ajo që bëhej nëpërmjet radios e televizionit shtetëror. Megjithatë, monumenti i Enver Hohës në qendër u rrëzua. Roli i Ramiz Alisë tashmë dukej fare i zbehtë. Ai nuk kishte asnjë fuqi në drejtimin e shtetit. Roli i tij kishte përfunduar. De fakto ai nuk ishte më një udhëheqës.

PËRPLASJA E RAMIZIT ME GRAMOZ RUÇIN

Mbaj mend se, sapo u rrëzua monumenti, Ramiz Alia më dha urdhër gojarisht që të ngriheshin në alarm rreth 15 brigada me rezervistë dhe pasi të kompletoheshin, të niseshin drejt Tiranës. Shumica e komandantëve të divizioneve apo sekretarët e parë (në atë kohë kishin edhe funksionin e kryetarit të shtabit të mbrojtjes të rrethit), me të cilët komunikova për këtë punë, ishin skeptikë dhe e kundërshtuan ardhjen e këtyre brigadave në Tiranë. Një nga ata që e kundërshtuan ishte edhe Sekretari i Parë i Komitetit të partisë të Tepelenës, Gramoz Ruçi. Unë i telefonova Gramozit nisur nga shoqëria që kishim, por ai ma ktheu: Ne nuk i dërgojmë rezervistët në Tiranë, ata i kemi për të luftuar kundër armikut në kufi”. Për çudi, të nesërmen, Gramoz Ruçi u emërua Ministër i Brendshëm në qeverinë e Fatos Nanos. Disa komandantë divizionesh, si në Shkodër e në Vlorë, shprehën shqetësimin se këto njësi rezervistësh mund t’i kthenin armët kundër nesh, prandaj aty për aty e anulova urdhrin për krijimin e atyre brigadave”. Përfundimisht këto brigade nuk u dërguan në Tiranë, për arsye se urdhri nuk u ligjërua me shkrim nga Ramiz Alia, por edhe pse nuk u përcaktua objekti i ardhjes së këtyre brigadave dhe se çfarë duhej të bënin. Me kalimin e orëve, ky urdhër sikur u harrua prej Ramiz Alisë, i cili ndofta ndërroi mendje duke parë kompletimin e dobët, 30-40%. Dhe kjo sepse shumica e rezervistëve nuk prisnin të mbushnin radhët e ushtrisë, por ata marshonin si refugjatë drejt Greqisë e Italisë.

Krijimi i Këshillit Presidencial. Duket se pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, Ramiz Alia e kuptoi se ishte i izoluar, prandaj vendosi që edhe formalisht ta merrte në duart e veta drejtimin e pushtetit dhe u vu në krye të një këshilli presidencial që përbëhej prej 9 vetash. Në këshillin presidencial, me përjashtim të Fatos Nanos, emri i të cilit sapo kishte nisur të shkëlqente, gjithë të tjerët, ose qenë konservatorë të betuar, ose nuk kishin realisht asnjë lloj peshe në marrjen e vendimeve. Këshilli përbëhej, (veç Nanos) nga: Haxhi Lleshi- ish Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kleanthi Koçi-Kryetar i Gjykatës së Lartë, Kiço Blushi shkrimtar, Lufter Xhuveli- pedagog kryetar i partisë Agrare, Rexhep Meidani-pedagog, Minella Dalani, gazetar në pension, Xhenet Muço, ushtarak. Menjëherë pas krijimit të tij, Këshilli Presidencial lëshoi një deklaratë, ku kërcënonte se do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, nëse nuk vendosej rendi dhe qetësia publike. Të nesërmen e rrëzimit të monumentit u hapën fjalë se efektiva të shkollës së Bashkuar do të marshonin për në qendër të Tiranës, ku do të rivendosnin shtatoren e diktatorit që ndodhej në oborrin e shkollës. Duhet theksuar se kjo nuk mund të ishte një iniciativë spontane, aq më tepër në një shkollë të tillë ushtarake, ku nuk diskutohej disiplina e hekurt. Në një thirrje të efektivave të shkollave ushtarake të Tiranës drejtuar presidentit, partive politike dhe gjithë popullit, thuhej në fund se me përmbajtjen e thirrjes u njohën komandat e shkollave ushtarake dhe janë plotësisht dakord. Kërkesa e parë e kësaj thirrje lidhej me Enver Hoxhën, për figurën e të cilit kërkohej që të përcaktohej me anë të një referendumi mbarëpopullor dhe ajo të vlerësohej ashtu siç e do populli. Përmbajtja e thirrjes tingëllonte si ultimatum, dhe pati njerëz që kur u njohën me përmbajtjen e saj, menduan të tmerruar se vendi po kërcënohej realisht me puç ushtarak.

TEKSTI I THIRRJES…

“Efektivi i shkollave ushtarake Tiranë, bij të punëtorëve, fshatarëve dhe intelektualëve të ndershëm, të shqetësuar seriozisht dhe indinjuar thellë nga veprimet kriminale dhe forcave të errëta, ndaj të cilëve partitë politike dhe shoqatat e ndryshme me deklarata janë distancuar prej tyre publikisht, por fatkeqësisht jashtë dëshirës dhe kërkesave të panumërta të popullit shqiptar, gjendja në vend jo vetëm nuk po qetësohet, por keqësohet gjithnjë e më shumë, ndaj kërkojmë :

1. Figura e Enver Hoxhës të vendoset menjëherë me anën e një referendumi mbarëpopullor dhe ajo të vlerësohet ashtu siç e do populli.

2. Në kushte e demokratizimit të mëtejshëm të vendit dhe të pluralizmit politik, kërkojmë departizimin e ushtrisë.

3. Kërkojmë që figura e ushtarakut të mbrohet me ligj, ajo të jetë e paprekshme.

4. Të zbatohet me rreptësi ligji për mbrojtjen e objekteve që kanë vlera ekonomike, sociale, kulturore, historike, që janë ndërtuar me gjakun dhe djersën e popullit.

5. Kërkojmë që sot, më datën 22.02 1991, ora 17:00, përfaqësues të Presidiumit, të partive politike, të Ministrive të Mbrojtjes e të Punëve të Brendshme, si dhe të mjeteve të propagandës, Radiotelevizionit, organeve, organeve të shtypit të takohen me studentët dhe kuadrot e shkollave ushtarake. Takimi do të bëhet në sheshin e Shkollës së Lartë të Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”.

6. Radio-Televizioni të kalojë nën drejtimin e Këshillit Presidencial dhe të japë informacion të plotë për gjendjen në shkallë vendi dhe jo vetëm për ato çka zhvillohen në Tiranë.

7. Efektivat e shkollave ushtarake në Tiranë u bëjnë thirrje të gjitha partive politike, organizatave dhe subjekteve të ndryshme të largohen nga fjalët e deklaratat e mëdha dhe të ulen me masat e popullit për t’u siguruar atyre qetësinë dhe stabilitetin në vend, për t’i ndërgjegjësuar me qëllim që të kapërcehet pa dhimbje e gjak situata e rëndë që është krijuar.

(Vijon nesër)