Ismail Qemali, si reflektim në 100-vjetorin e vdekjes

700
Sigal

Prof. Dr. Bardhosh Gace

Shënimet e shtypit të kohës dhe dedikimet për vdekjen e Ismail Bej Vlorës

Vijon nga numri i kaluar

Ismail Qemali njihte mirë jo vetëm diplomacinë, jo vetëm aktet themeltare ndërkombëtare mbi kombet dhe popujt, jo vetëm historinë e zhvillimit të popujve ballkanik dhe evropianë, por dhe koniukturën dhe artin e madh të të bërit diplomaci. Ai njihte mirë mekanizmat dhe mjetet që i kërkoheshin një diplomati dhe argumentet që i duheshin një vendi për t’iu imponuar realitetit ndërkombëtar që ai t’i njihte atij të drejtat e duhura. Përveç nevojës së organizimit dhe këmbënguljes për të qenë prezent vazhdimisht në Evropë, në qendra si Londra dhe Amerika, ai mendonte të kishte tre sekretarë (gjuhën shqipe, gjuhën angleze dhe gjuhën franceze), por duhej gjithashtu dhe botimi i një buletini (në anglisht dhe frëngjisht), për t’i bërë jehonë çështjes shqiptare, me të dhëna nga historia, etnografia, gjeografia, ekonomia, politika dhe shkrime nga shkrimtarë të dëgjuar nga Evropa që kishin shkruar për Shqipërinë. Korrespondencat dhe shënimet që Ismail Qemali solli gjatë kësaj kohe marrin një rëndësi të madhe për zhvillimet në Shqipëri, rajon dhe në kancelaritë evropiane.

Vdekja e Ismail Qemalit në mënyrë misterioze (24 janar 1919), krijoi një pikëllim të madh dhe të thellë në Shqipëri e kudo kishte shqiptarë. Lajmin e vdekjes së tij e njoftuan mediet në gjithë Evropën dhe në Amerikë. Në shënimet e shtypit të kohës shkruhet: “Po! Zemrat e gjithë shqiptarëve kudo që rrojnë dhe me çdo anë të botës, janë për të plagosur, se ai diplomati që mbaroi jetën e tij në këtë kohë, nuk ishte përveç se Burri i Madh i Shqipërisë, i njohur dhe i dëgjuar jo vetëm prej shqiptarëve, po dhe prej gurëve dhe drurëve të Shqipërisë si dhe prej tërë botës. Le të vajtojnë sot kombi shqiptar, le të vajtojnë shqiptarët kombëtarë kudo ku janë, edhe bashkë me Vlorën, qytetin historik të Shqipërisë, le të vajtojnë e tërë Shqipëria humbjen e birit të saj të shtrenjtë, e Atij që pas pesëqind vjet robëria e ngjallë, e liroj dhe e vuri në një sërë me shoqet e saj, dhe i cili quhesh Ismail Qemal.”

Në gazetën “Albania” nr.42, të 30 janarit 1919 shkruhej: “Jo! Emri i Ismail Qemalit nuk është për t’arruar, se veprat e tij që ka bërë për Shqipërinë kanë për të mbetur të gjalla, dhe kanë për të treguar gjithmonë që Shqipëria ka pasur në krye të të tjerëve që përpiqeshin për Lirinë dhe Independencën e plotë të saj, Plakun Ismail Ali Qemal Bey Vlorën. Vetëm një ishte dëshira e Ismail Qemalit, dhe ajo qe, edhe dittë e fundit: t’i sakrifikonte për Shqipërinë dhe i sakrifikoi.”

Sevasti K. Dako (Kryetare e Partisë Politike), me dhimbje shkruan në gazetën “Albania” (30 janar 1919): “Fati e kishte ndarë për mua të më bjerë barra e rëndë si kryetare e Partisë të lajmëroj shqiptarët e Amerikës për vdekjen e Ismail Qemalit. Kjo është një mandatë e zezë për të gjithë ne, o bashkatdhetarë të dashur.”

Mihal Grameno, një personalitet i dijes shqiptare, dhimbjen e madhe për humbjen e Ismail Qemalit e përcjell me një dedikim prekës dhe burrëror, kur shkruan: “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës, ju, o male edhe kodrat e Shqipërisë! Mos pushoni kurrë të kurrës ju lumenj me oshtimat tuaja së treguari vendit të Pellazgëvet, vendit të Lirisë dhe qytetërimit, vendit ku janë lerë burrat më të mëdhenj të botës! Mos qani dhe kurrë të kurrës mos qani! Mos qani dhe prapë mos qani! Mos qani se kini për të turpëruar një komb fisnik edhe kalorës në botë. Do të turpëroni kombin antik në qoftë që kini për të treguar se, me vdekjen e Plakut të Shqipërisë, humbi ajo farë trimnore, e cila ka nxjerrë luanët e botës.” (“Albania”, nr. 42, 30 janar 1919).

Parashqevi Kyrias në prononcim të saj, e karakterizon kështu Plakun e Vlorës: “U bëri ballë (Ismail Qemali) tërë furtunave dhe valëve të egra që u lëshuan kundra atij, të shtyrur prej atyre të cilët dëshirojnë zgjedhën tonë. Kurrë nuk u përgjigj as që u mor me atë, të cilët përdorën mënyra kaq të panjerzorta, kaq pa shpirt kundër atij, po qëndroi deri në fund si një shtyllë e fortë, si një kalaqë s’do kurrë të dijë nga fishekët e armikut.” (“Albania”, nr.42, 30 janar 1919)

Dhimbje të madhe, përjetoi qyteti historik i Vlorës, ku ndër të tjera është shkruar: “Më 26 kallndruer vdekja e pamëshirshme na rrëmbeu mbë një kohë të papritur, në një qytet t’Italisë, në Perugia, burrin e përmendun, Ismail Qemal Vlonën. Një tjetrë lule u këput prej trupit t’Atdheut për me u bashkue mb’at vend paqe të zymtë me vargun e zamdhajave të përlindjes s’onë, nji varr i ri u çel për me rritë lisin kombëtar.” Pastaj në kronikën e kësaj ngjarje njoftohet se: “Të gjithë popullsia e Vlonës ish mbledhun në Sqele ku gjindeshin në radhë edhe disa trumba ushtarësh me oficerë të tyre me bandën ushtarake. Mbasi u bënë gatimet e duhura mbi orën 10 p.d, trupi i të ndierit duel prej ndërtesës së Komandës “Base Navale” e u vu në karrocë. Një mallëngjim pushtoi mb’at çast zemrat e të gjithëve: Ish marshi i përmotshëm i veprës së pavdekun “jonë” e muzikatarit Petrela, që me at melodi të ngadalshme e të përvajshme ipte shenjën e rreshtimit… Qyteti atë ditë kish ra në pushime. Një heshtje e madhe mbretëronte gjith kah. Dukej se ish dit’ e përzishme, e tregonin dyqanet e mbyllura të tregut, letrat e përmotshme të ngjitura ndër dyer të dyqaneve e të mureve, letrat me rreth të zi e me fjalë: “Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemal,… Ndër dyer e dritare të shtëpiave kishin dalë gra e vajzë e të gjithë përmendshin emnin e Ismail beut, të gjitha kujtojshin Plakun e Shqipërisë.”

I përcjellë me dhimbje dhe nderime të mëdha Ismail Qemali u varros në Kaninë. Prof. Jani Minga, për vdekjen e njeriut më të rëndësishëm të Shqipërisë, solli në vëmendje jetën, veprimtarinë dhe përmasat kombëtare do të thoshte para trupit të Ismail Qemalit: “Popull i përzishëm, Shumë të brengosur dhe shumë të vrenjtur të shoh sot. Vallë ç’gjëmë e tmerrshme të ka ngjarë e çë mandate të zezë ke dëgjuar? Pyes me pikëllim shpirtin, pyes me zemrë të drithëtë. Po mjerisht kudo që rrotulloj synë, kudo që banjë veshnë dhe e shkëmbyë e juaja del një zë i helmushëm dhe i shëmtuar, dëgjohet se vdiq Ismail Qemali, vdiq plaku i Shqipërisë. “Heu! Thuaj më mirë, o i mjerë popull, vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburesa më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikane ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjuashëm në fushë të politikës e të diplomacisë europiane”, i cili e mbyll kështu fjalimin e tij përcjellës për Ismail Qemalin: ”Popull i përvajshëm. Kemi pra të drejtë sot t’i bëjmë gjithë nderimet njerëzore që i meritojnë këtij burri. Se humbasim më të madhin burrë të Shqipërisë, më të madhin luftëtar të pendës e të mendjes pas të madhit trim dhe mbret Skënderbeut dhe më një kohë, kur fati i atdheut ndodhet në duart e të Mëdhenjvet dhe zëri i tij duhet të dëgjohesh përpara burrave të Mëdhenj për të mburuar të drejtat e shkelura shtrembërisht t’Atdheut. Vdekja e Ismail Qemali pra sot është një dëm kombëtar, një dëm i pa treguar. Po ti komb mos u dëshpëro! Në ka pjellë këjo tokë kaq e vjetër në Sinisi të Ballkanit Kastriot e Qemalët, ka pjellë të tjerë burra, të cilët do ecin kurdoherë pas gjurmëve të mëdha të këtyrevet e do ta mbajnë atdhenë e dashur e të shenjtë në mvehtësi e në liri të plot me emrin e Ati të Madhit Zot.”

Po ashtu dhe oratorë të tjerë ditën e përcjelljes së Ismail Qemalit në përjetësi, e kthyen në një moment reflektimi për veprën e tij të pavdekshme, e cila përtërihet sa herë që vjen 28 nëntori dhe sa herë kujtohet vdekja e Plakut të mençur të Vlorës. Figura dhe emri i Ismail Qemalit vazhdon të jetë moment reflektimi për çdo njeri atdhetar e patriot, pavarësisht kohës që ai jeton.