I shkroi letër Enverit Hoxhës për “Shqipërinë Etnike”, bëri 10 vite burg”

1196
Sigal

Dje, familjarë e të afërm përkujtuan 10- vjetorin e vdekjes së poetit Gani Skura, i cili u dënua me 10 vite burg pasi kërkoi qeveritarëve të kohës, bashkimin e trojeve shqiptare. Gani Skura u lind në Pishkash të Librazhdit më dt.27.06.1936, në një familje me tradita Atdhetare. Shkollimin fillor e atë 7-vjeçar e kreu në fshatin e tij të lindjes, me nota të shkëlqyera. Fletoret dhe librat e tija të asaj kohe ruhen edhe sot në arkivin familjar. Pas mbarimit të shkollës 7-vjeçare, ai kreu në Korçë një kurs për udhëheqës pionierësh dhe në vitin 1951, ka punuar në Korçë e Pogradec. Pasi kreu edhe gjimnazin, dhe një kurs Pedagogjik, punoi si mësues në fshatin e tij të lindjes dhe në fshatra të tjerë të rrethit të Librazhdit . Ka mbaruar gjithashtu me nota shkëlqyeshëm shkollën e mesme Financiare, si dhe herë pas here, kurse të shkurtra specializimi. Që në rini, ai ka krijuar bibliotekën familjare, të cilën herë pas here e pasuronte me botimet e më vonshme. Në vitet 1960-1970, krahas punës ai ishte edhe si korrespondent vullnetar në organet e shtypit të kohës, si gazeta “Drita” “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë” e “Zëri i popullit”. Ka shkruar e botuar shumë poezi.

Më 12 Gusht 1965, Ganiu,  u dërgon një letër të hapur, udhëheqësit të asaj kohe, Enver Hoxhës e Haxhi Lleshit, ku u kërkon që të merret në mbrojtje Kosova e Çamërinë në arenën ndërkombëtare, sipas normave të njohura të së drejtës. Për këtë, e thirrën urgjent në ish-Komitetin e Partisë së Punës në Librazhd. I heqin vërejtje dhe e këshillojnë të heqë dorë. 3 Shtator 1966, Gani Skura i drejtohet përsëri Presidiumit të Kuvendit Popullor, përkatësisht Haxhi Leshit, për nevojën e daljes së Hartës etnike të Shqipërisë, në mënyrë që brezi i ri të kishte mundësi të njihte, se sa tokë i është marrë me pa të drejtë e  përdhunshëm Atdheut. Por edhe në këtë rast ju përgjigjën, se “po ta bëjmë këtë, do të na quajnë Shovinistë’. “Unë ju përgjigja se nuk mund të na quajnë Shovinistë neve për tokat tona. Shovinizëm do të thotë të pushtosh tokat e të tjerëve. Kjo, nuk përputhet as me Marksizmin e proklamuar, as nga vetë ata, klasikët e Marksizmit. Mao Ce Duni kërkonte Taivanin, e nuk shqetësohej për Marksizmin, e neve kërkonim Kosovën e Çamërinë, brenda normave të së drejtës ndërkombëtare. Kjo qe për mua futja në rrethin e kuq, apo të zi, si mund ta quajmë, nga sigurimi Shqiptar”- u përgjigjet Ganiu.(Arkiva e Presidiumit të Kuvendit Popullor, viti 1966). Për dy letrat e mësipërme,Sigurimi i Shtetit e ndoqi këmba -këmbës, deri sa më datën 4 Korrik 1973, e arrestojnë për “Agjitacion e propagandë kundra Partisë e Shtetit”.

Nga 4 korriku i vitit 1973, deri më 20 dhjetor 1973, edhe pse ai nuk pranoi asnjë fajësi, sepse nuk kishte bërë faj, u dënua me 10 (dhjetë) vjet heqje lirie. Pas dënimit, ai u dërgua në burgun famëkeq të Spaçit, në Mirditë. Aty punoi në punën më të rëndë 10 vjet. Nga burgu famëkeq i Spaçit u lirua në Nëntor të vitit 1982, në gjendje shëndetësore jo të mirë. Ka qenë pjesëmarrës aktiv në vitet e demokracisë, duke qenë njëkohësisht autor i disa librave. Ai u nda nga jeta më datë 02 Gusht 2002, në qytetin e tijë në Librazhd.