Filip Guraziu/ I burgosuri që terrorizonte të burgosurit

754
Sigal

Fragment nga libri “Takim fatal me diktatorin”, i autorit Gjet Vocaj, që përshkruan ferrin e burgut të Ballshit

(Vijon nga dje)

Në kohët e fundit, jo pa qëllim, kishin filluar të sillnin në burgjet politikë edhe persona ordinerë të të gjitha kallëpeve, për të krijuar idenë se armiqtë e partisë janë njerëz të degjeneruar dhe të urryer nga shoqëria, por edhe për t’ua bërë më të vështirë jetën njerëzve të ndershëm në burg. Aty kishin sjellë një tip vagabondi nga Tirana, i cili quhej Ladi, trup shkurtër, shumë muskulor dhe i fuqishëm, me fytyrë që anonte më shumë me pamjen e një tigri dhe që shpejt u bë tmerri i atyre që kishin ndihma të rregullta nga familja. Ai i ndalonte në një qoshe, i kërcënonte dhe i priste diku për t’i sjellë detyrimisht vaj, sheqer, sallam apo diçka tjetër, në të kundërtën kishte punë me të. Ashtu ai kish gjetur mënyrën e jetesës, për të kaluar njëzet vitet e burgut. Çuditërisht edhe gardianët druheshin prej tij, ndoshta nga pamja e tij e frikshme. Një ditë prej ditësh, sollën në kampin tonë disa të burgosur të tjerë, të transferuar për arsye të ndryshme. Midis tyre ishte edhe një lezhjanë me origjinë mirditore, një djalë vërtetë simpatik rreth 35-vjeç, me një trup sportiv shumë të rregullt; thonin se kish qenë gjimnast, emri i tij nuk më kujtohet. Atë e njihnin shumë të burgosur të vjetër dhe flisnin me superlativa për karakterin e tij burrëror, por edhe për guximin e jashtëzakonshëm që e karakterizonte. Për koincidencë, ai njihej mirë me Ladin dhe mbasi mësoi se ai u binte në qafë njerëzve të ndershëm dhe zotërinjve të vërtetë, duke i grabitur, një ditë e thirri në sheshin kryesor në prani të të gjithë të burgosurve.

për më tepër lexoni Gazetën Telegraf