Enver Cakaj: Kur luftonin potomllinjtë

Backa
Ecim drejt Potomit mbi plumba. Mbi plumba janë lotët e nënave tona. Përse janë përzierë plumbat me lotët? Ata plumba qëlluan mbi djemtë e nënave. Dhe, fatkeqësisht, nëpër muzetë tona, nuk gjen asnjë plumb, që është pjesë e historisë. Nuk është vonë, se i gjithë Skrapari është mbushur me plumba. Po të mundej të mblidheshin edhe lotët e nënave, do të ishte mirë t’i kishim nëpër muze. Të paktën të mos i shpërdorojmë. Përpara dhe krahas, janë vendosur pllaka përkujtimore dhe lapidarë. Kur i shikon radhë e radhë, të vjen keq, që kjo tokë nuk nxë më lapidarë të tjerë. Krahina e Potomit është e gjitha histori. Ne po qëmtojmë, po nuk marrim përsipër ta mbledhim të gjithë historinë në këtë shkrim. Në të hyrë të Potomit ne na zuri veshi një këngë:

Lapidar sa gjysma e malit, 
Aq i ka dhe trimëritë.
Trimin e nderon dhe varri,
Kur kishte nevojë Atdheu,
Ai si mali u ngrit!

Kam me vete një dokument të vitit 835. Dua ta krahasoj me këto realitete,por nuk përputhet gjëkundi. Këtu nuk gjej asnjë gjurmë historie. “Fshati Potom: Hasa, vreshta 3, mana 28, drunj pemorë 20, shtëpi 50, vejush 1, beqar 5, të ardhura 3.522. Ky fshat i quajtur Potom, iu aneksua si shtesë mbi subashllëkun e Skraparit, Hazir beut, Subashit të Skraparit, regjistruar andej nga fillimi i ramazanit-viti 835. Tashti ky fshat bashkë me fshatin Panarit, iu dha Orhanlu Jusufit, regjistruar andej nga mbarimi i dhilkadesë, viti 840 në Edrene. Iu dha Tuganbeut. Tashti gjysma e këtij fshati iu caktua djemve të Vilkut, Karagjozit dhe Pavlit, në datë andej nga fundi i dhilkadesë viti 853 në Edrene. Ky fshat është në dorën e djalit të Vilkut, Karagjozit, por Karagjozi me vullnetin e vet 16 shtëpi nga ky fshat ia dha si shtesë Andresë, birit të Gjin Muzakës, në datën andej nga fundi i Xhamadil Sharit, viti 858 në Edrene.” Për këtë krahinë nuk ekzistojnë më emra të tillë, por dokumentet e kohës flasin për të tjera halle. Në 6 mars 1913 ra Janina dhe grekët u hodhën në drejtim të Korçës, Kolonjës, Gjirokastrës. Në korrik ata u dukën në kufijtë juglindorë të Skraparit. Pushtuan Melckën, Nikollarën dhe po ecnin drejt Staraveckës dhe Backës. Një grup patriotësh me në krye Themistokli Gërmënjin, që ishte emëruar nënprefekt i Skraparit, i drejtuan këtë thirrje Ministrisë së Brendshme: “Nga ky rrezik i tmerrshëm u shtrënguam sot të dalim jashtë dhe të mbledhim fuqitë tona për të marrë masat e fundit. Sali Butka, luani i Kolonjës, na pret me shokët në Panarit të Backës së Skraparit. Neve jemi 200 veta dhe çast pas çasti çeta jonë shtohet. Nuk kemi më ç’të presim, por të hidhemi të gjithë në kufi dhe, ja të vdesim ja të rrojmë me vendin tonë të dashur. Megjithëkëtë nuk duam të nisim lëvizjen pa ju lajmëruar ju. E njohim atdhesinë dhe ju thërresim të hiqni dorë nga puna dhe të vini të bashkoheni me ne, në mos po do të merrni një barrë të madhe përpara historisë. Jeta juaj e shkruar do të fëlliqet. Ejani, pra,sa më shpejt që të mos nagasemi të marrim masa të tjera kundër jush. Ejani të vdesim bashkë, se pa Korçën, pa Gjirokastrën dhe pa Çamërinë, në Shqipëri nuk mund të mbahen e të rrojnë me nder.” (Dosja nr 4/VII, dokumenti 6, Muzeu Skrapar)

Delegatët e Skraparit në Kongresin e BRASH-it Helmës
Ministria nuk u përgjigj, por Potomi kishte shumë Lace dhe me 300 veta dolën në qafën e Martës dhe i thyen grekët,ku Lace Backa mori një plagë të rëndë plumbi. U derdhën lotët për Lacen. Qanin nënat për djemtë, që nuk e dinin ku i kishin. Regjimi i ndiqte për t’i thirrur nën armë, por ata arratiseshin pyjeve e maleve për të mos u paraqitur. Lacja vdiq dhe u qa dy herë. Lotët buruan si kroi Mbret. Apo Kroi Mbret u shndërrua në lot? Nga Potomi u hodhën kundër andartëve grekë, Deshe e Halil Braho. Nëna u dha udhë e mbeti e përlotur. Dëgjonte krisma pushkësh dhe dritherohej! Mbi cilët trupa binin ata plumba? Por një ditë djemtë e Merjemës u kthyen. Bëri darkë të madhe nëna e dhimbsur. Martinat mbetën varur. Ato kërkonin sërish të zotët e tyre. Ishte pranverë e vitit 1914, por i ngjante një dimri të keq. Djemtë e Merjemës i morën sërish martinat, se andartët ishin dukur në malet e Gramozit. Kokojkat e Frashërit dhe Kaltanji i Kolonjës u mbushën me skraparas. Lufta ishte e tmerrshme. Nuk kuptohej kush ishin andartët dhe shqiptarët. Gjaku u derdh si Kroi Mbret. Kush mbeti gjallë e kush u vra? Kjo pyetje u bë pas mbarimit të luftës. Secili kërkonte njerëzit e tij. Një nga dy djemtë e nënë Merjemës mungonte. Doli Dashja e thirri atyre rrëkeve, po vetëm heshtje. Kur ishte këputur nga lodhja dhe dhimbja, pranë një lisi pa një gjë që nxinte. Aty ishte Halil Brahua me martinë pranë e gjaku vazhdonte t’i rridhte. Një opingë nuk e kishte e qylafi ishte rrokullisur poshtë. Torba e bukës dhe fishekëve i kishte mbetur në krah. Kur arritën shokët e gjetën Dashen të shtrirë, që qante pranë të vëllait. Andartët ishin egërsuar dhe koha nuk priste. Duhej të largoheshin sa më shpejt, se rrezikoheshin të gjithë. Po Halilin ku ta linin? Nëna priste djemtë, martina kërkonte trimat! Andartët kërkonin gjak të ri. Dashja u ngrit e ra në gjunjë përpara të vëllait. Qan me ngashërim, e puth, e pushton sa përlot edhe shokët. Po si të kthehen bosh në fshat? Dashja e bën zemrën shkëmb, heq thikën nga brezi dhe i mbytur në lot dhe duart që i dridhen, i pret kokën të vëllait. E mbështjell me xhamadanin e tij dhe e fut në torbët !Me thonj e me thika sheshojnë vendin dhe vendosin trupin pa kokë të Halilit dhe e mbulojnë me gjethe lisi. Nëna që priste me sytë nga Radunja, nuk ia zë syri Halilin. Ata afrohen kokëulur e të përlotur, Nënë Merjema ulurin. “Bir,o bir,ku e ke Halilin!” Dashja nxjerr kokën nga torba dhe ia lëshon përpara! U krijua një skenë tepër e dhimbshme. Nëna nuk e lëshonte kokën e të birit nga duart. E puthte,e afronte pas gjirit, si atëherë kur e ushqente me qumështin e saj. Ditën e dytë u hapën dy varre për Halilin, trupi atje ku mbeti e koka në fshat!

Po djemtë e tjerë ku ishin? Nënat gjithara kishin mbetur pa djem! I kërkonte dushmani për t’i surdisur, s’dihej se ku. Dhe ata ishin bërë firar nëpër pyje. Malet ishin bërë nëna e nënat male. Nëpër fshatrat e Potomit vërshonin ultimatumet me tri vija të kuqe e siglën “Tepër urgjent!” Ne mundëm të gjenim një prej tyre: “Pleqësisë katundit Krushovë. Porositeni me rëndësi dhe medoemos ditën e diel, më datën 11/V/1930, do të ndodheni që në mëngjes para postë komandës Potom së bashku me ata rekrutë që u janë kërkuar se ndryshe jeni përgjegjës dhe kryeplaku të marrë vulën zyrtare me vedi. P. Komandën e Postës.Tetari.”

Kahreman Ylli Mustafa Bakiasi Riza Kodheli

Këtu me….
Në Qafë shoferi e mbajti makinën dhe zbriti. Ne kujtuam për ndonjë defekt, po ai na tha: “Në doni të shkruani për historinë e kësaj zone, niseni që këtu. Unë di që këtu tek kjo gorrica është krijuar Batalioni partizan i rinisë. Me tutje ngajeni vete.” Në këto vise të bën përshtypje, se harta e historisë nuk është cenuar gjëkundi. As ka për të ndryshuar. Shoferi kishte të drejtë. Sapo morëm kontaktet e para me njerëzit, nuk na u nda shprehja “Këtu më…” Këta banorë janë rritur me krisma pushke e tym baruti. Vetëm lulet kishin frikë të çelnin. Vite të shkuara, kur isha një herë në Backë, plaku i mençur, Jake Backa, më pati thënë: “Në do që ta bësh punën tamam, qëndro këtu ,që të llafosemi vendçe. Kështu si po flasim ne, majë më majë, s’ke gjë në terezi. Çdo histori që të shkruhet, e ka themelin këtu. Merre taze, mor jahu.” Xha Jakja fliste, po mua më dukej sikur malet përmbi Backë gjëmonin ende nga krismat e pushkëve. Kjo Qafa e vogël është e ngjeshur me histori të mëdha. E para e punës, nëse vjen në këto anë, nuk ka nevojë as të thërresësh,as të trokasësh nëpër dyert e shtëpive të tyre, po hap derën dhe futu brenda. Banorët e këtyre viseve kanë qenë gjithmonë derëhapur. Kjo u mbeti zakon që nga lufta. Djemtë e luftës nuk patën trokitur kurrë nëpër këto dyer se nuk duronin dot nga plagët e rënda, po hynin në shtëpinë më të afërt. Sulejman dhe Rexhep Veizaj, dy vëllezër e mësues të vjetër shëtitës, ishin zotë të fshatit. S’patën punuar kurrë për vete. Ndërtonin shkolla e ura fshat më fshat. Sulejmani pati marrë edhe falënderimet e Fan Nolit me anë të një telegrami. Pasi ndërtuan shkollën e fshatit të tyre, Dervish Rexhepi la këtë mbishkrim te porta e saj: “Shkolla burim i diturisë,i jep dritë njerëzisë”.Ata nuk jetojnë më, as shkolla nuk ekziston, se e prishën vandalët e vitit 1997 ,po ai mbishkrim vazhdon të 

jetë atje.

Nadire Visocka Nurihanë Bilimani Xhemile Shahini
Potomi njihet si krahinë e sertë,por me njerëz ferishte. Tërë jetën kanë luftuar e punuar për të mirën e kombit. Që në vitin 1893,në fushën e Lirzës në Helmës,u mblodh një Kuvend i përfaqësuesve të Skraparit, Tomoricës, Dangëllisë dhe zonës së Vakëfeve, ku vendosën për të hapur shkolla shqipe. Në krye të kësaj ndërmarrjeje u vunë teqetë që vepronin në ato zona. Atje, në fshatin Potom, u krijua Divizioni i parë i ushtrisë. Përtej,në Staraveckë u krijua ndërlidhja e parë. Atje u krijua arma e parë e xhenios. Sipër në fushën e bukur të Lirzës u mbajt Kongresi i Parë i BRASH-it. Atje u mblodh Plenumi i parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste. Pak më poshtë, në Helmësin e vogël drejtoi luftën për disa muaj Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Në këtë zonë u krijua Brigada e 7-të Sulmuese. Sipër,në Qafën e Kalibarit, ku është ngritur një lapidar,u krijua Batalioni i parë territorial. Në këtë zonë vepronin katër spitale partizane gjatë luftës… Përse,xhanëm,janë krijuar kaq shumë formacione partizane në këto shkrepa?Në një dokument të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nr.1203, datë 2.6.1943, që i drejtohej Prefekturës së Beratit, e cila urdhëronte arrestimin e Kahreman Yllit, Prefektura i përgjigjet: “Njëherasi u bënë veprimet për arrestimin e tyre, por dha rezultat negativ, mbasi kishin kenë largue ma përpara se urdhëri të jepej nga Tirana. Sipas informacioneve që kemi, të gjithë ndodhen në rrethin e Skraparit. Në dosjen e kësaj zyre asgjë nuk figuron në ngarkim të Kahreman Yllit.” Ishte kjo siguri, që lejonte ngritjen e këtyre formacioneve, sepse në këtë zonë edhe gurët ktheheshin në plumba kundër pushtuesve. Potomllinjtë nuk luftonin me shkresurina, siç bënte kryetari i Ballit Kombëtar, Mitat Frashëri, që u shkruante komandantëve të Ballit në Korçë e Kolonjë në operacionin e dimrit 1943: “Me të gjitha fuqitë që kini në këmbë aty,do të sulmoni Oparin e t’i futeni Skraparit nga ana e Backës. Fuqitë e Kolonjës duhet të sulmojnë në drejtim të Skraparit nga ana e Panaritit. Fuqitë e Dangëllisë duhet të zënë bazën e lumit Osum dhe në mundshin të sulmojnë dhe ata në drejtim të Staraveckës.” Por kjo nuk ndodhi kurrë, se të hyje në Skrapar, do të thoshte të lije eshtrat nëpër male. Ballistët ishin më të rrezikshëm se pushtuesit, por në këto anë s’guxonin të hynin pa u bashkuar me gjermanët, që tani nuk e pranojnë të kenë bashkëpunuar. Në dosjen nr 140,fondi 254, ne gjetëm këtë dokument të shkruar në 7.6.1944: “Sot ora 10 Batalioni “Runja” u kthye në bazë për arsye se: mbas një luftimi të rreptë 4 orësh me komunistët, u humb lidhja me batalionin gjerman. Kjo ndërlidhje ishte e ruajtur prej fuqisë nacionaliste që vepronte mes Batalionit “Runja” një togë e gjindarmërisë Skraparit dhe nacionalistët qëndruan në vend tue bashkëpunue me gjermanët .” Nga ana tjetër Komanda Eprore e Karabinierisë Mbretërore njofton: “Në vijim të noticionit 1/352 më 18 dhjetor, arma e Çorovodës identifikoi tre të panjohurit e Kapinovës për personat që vijojnë: Shaqir Çela, i Xhevahirit dhe Mines,vjeç 32, katundar. Sali Hasa i Halimit dhe Alijes, vjeç 40, katundar. Jonuz Bakiasi i Toles dhe i Shezës, vjeç 45, katundar. Të gjithë të armatosur. Arma e Potomit sekuestroi pronën e familjeve të tre të kërkuarve këto bagëti: Familja Shaqir Çela, 10 dhi një mushkë. Familja Sali Hasa, një lopë, një ka, një gomar, gjashtë shqerrka. Familja e Jonuz Bakiasi, një ka, një mushkë, 6 dhi. Kërkimet vazhdojnë.”

Hetem Bakiasi Kjo familje strehoi Shtabin Sulo Koprencka 
Nëpër krahina ishin krijuar Këshillat krahinore, që vepronin si garnizone ushtarake. Ato ishin kordinatore mes tyre dhe formacioneve partizane. Në krahinën e Potomit këtë këshill e drejtonte Jake Backa. Përpjekjet e tij për të ndihmuar Luftën kanë mbetur ende nëpër shkresat arkivore. ”Zonë e lirë, 6.IX.1944. Këshillit Nacionalçlirimtar të katundit Staraveckë. Këshilla Nacionalçlirimtare e Komunës Potomit kërkon ndihmë për frontin (100) kg.grurë dhe këtë grurë do ta mblidhni këto dy ditë nga banorët e atij katundi dhe e sillni.Kyetari Këshillit, Jahja Ali.” Ato copa letre që siguronin furnizimin e partizanëve me armë, municione e ushqime, nuk kishin nevojë për noterizime. Mjaftonte një firmë pa emër. Por nëpër formacionet partizane qarkullonin dhe letra të tilla: “I dashur shoku Reshat Germenji! Xhelal Staravecka ka tradhëtuar Luftën Nacionalçlirimtare, Brigadën e parë ku bënte pjesë dhe partinë. Është tradhtar dhe dezertor i fëlliqur që shkoi në Tomoricë për të pjekur me Abaz Ermënjin e të tjerë që të bashkëpunojë me ta. Për këtë u lajmëruan të gjitha këshillat, që të mos e pranojnë dhe të ndjekin kudo që shkon. Ti do të shkonç me dy-tre shokë nga të postës fshat më fshat të komunes së Potomit dhe do ta demaskonç Xhelalin. Me partizanin që po të dërgoj letrën na shkruaj ç’di andej. Të fala e përqafime. Nure Dobrusha.16.XI.1943.” Por djemtë e luftës, në ilegalitet të plotë i binin Shqipërisë rreth e qark për të ngritur në këmbë gjithë popullin. Asllan Lumani, shkon heshturazi në Korçë dhe shoqëron Sotir Gurrën dhe Ramiz Aranitasin për të siguruar takimin e tyre me Kahreman Yllin në Leshnje të Skraparit. Po u publikojmë mikroditarin e Sotir Gurrës: “21 V. Me shumë mundime arritëm në Osojë. Pritja e shkëlqyeshme. 22.V. ditë çlodhje. 23.V.Miku A.Shkoi në L. Vjen mrëmanet.24.V. U gjetëm në L. bashkë me shokun K…L…që jemi njohur në Korçë. 26.V. Ramë në ujdi. Vendi mjaft i vobektë. 28.V. Sot po presim, po ata s’kanë ardhur, (Dy miq)

Familja e Përparim Yllit Leshnje
Në Vlushë ndodhi një tragjedi. Ishte 8 janar 1944. Në fshat vajtën forcat e Ballit Kombëtar për hesapin e tyre. Kërkonin mbështetje. Ajo mbledhje u mbyll me fjalën e Dalip Borrit” Ne jemi me Nacionalçlirimtaren, se i kemi dhënë fjalën të birit Sinanit, Kahreman Yllit”. Nuk vonoi dhe në Vlushë u ngjitën forcat gjermane të udhëhequr nga ballistët. Ballist ishte edhe Hetem Mollasi, po ai i dha një letër Gjençi Mançes, që të lajmëronte fshatin të largoheshin se po vinin gjermanët. Por gjermanët vajtën përpara se të arrinte letra. I mblodhën të gjithë burrat e fshatit dhe i futën në një shtëpi. Në mëngjes i nxorën dhe i pushkatuan 23 burrat e pafajshëm. Dimër, luftë, dhimbje! Gratë vajtën të merrnin burrat e vdekur. Atë ditë fati kishte qenë me Sadedin Borrin, i cili kishte rënë para se të arrinte plumbi. Nga ai tmerr që pa iku nga fshati dhe u fut te shpella e Seferit sa mblodhi veten, pastaj iku në Radësh. Kush do t’i hapte varret? Mbetën burrat dy-tri ditë pa shtëpi e pa varre! E morën vesh burrat e Gradecit dhe erdhën i varrosën. Edhe stranicat i shpuri Dake Gradeci. Në Gradec nuk ka pyje, por ai preu arrën e tij dhe i bëri stranica.

Kush e shkrehu këtë zonë?
Mirë që në Vlusha vajtën gjermanët, po në Kapinovë cili pushtues vajti? Përse u përsëritën lotët e nënave? Po këta plumba të rinj përse u hodhën në këtë zonë? Kush luftoi dhe me cilin pushtues luftuan? Këtë farë demokracie e keqkuptuan, lirinë e fjalës dhe veprimit i shpërdoruan dhe vranë njëri-tjetrin. Në fshatin Kapinovë u bë luftë e vërtetë. Atje mbetën tre djem të ardhur nga Çorovoda dhe tre kapinovas. Më e tmerrshme ishte vrasja e një gruaje shtatzënë! Përse u vranë? Për një fjalë. I aneksuan organet e drejtësisë dhe përdorën vetëgjyqësinë, e cila i shpuri atje ku i shpuri. Në Skrapar u ringritën spitalet partizane! Fshatrat janë shkrehur e po ndodh si atë ditën e vrasjes në Vlushë. Një plak nga Gostëncka i lutet çdo ditë zotit,që të mos vdesë sa t’i vinë djemtë nga Greqia, se nuk ka kush e varros! Natyra e kishte stolisur këtë krahinë me të gjitha bukuritë e saj, por njerëzit e shkatërruan plotësisht. Sikur të rrëzohet ndonjë shtëpi nëpër fshatra, duhet të zbresin nëpër qytete të gjejnë qereste, se s’ka më pyje. Njerëzit u vetvarfëruan, se luftuan kundër vetes. Në këto anë, ku edhe buka, edhe uji, edhe rakia binte erë trendelinë, mbretëron vetëm braktisja.

Shigjetat kanë nisur të ecin drejt maleve. Xhadja deri në Potom u bë e re dhe u asfaltua. Në Backë po ndërtohen pesë hidrocentrale, tre të tillë janë ngritur e vënë në funksion në lumin e Vlushës. Po arat, që ishin të gjitha nën ujë, kur do të vaditen serish? Të gjitha kanalet dhe elektropompat, që shpinin ujët atje, u shkatërruan. Të paktën kjo badërdi që ndodhi, të bëhet mësim.