Sigal

Mërgata, si u manipulua nga spiunazhet e huaja

 Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

Veprimtaria e Mërgatës shqiptare i ka ngrënë një kohë të çmuar të punës, gjatë karrierës së tij. Duke folur për vëllimin “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare” Hasan Luçi thotë: “Botimi i këtij libri në formën e paraqitur u bë për t’i qëndruar historisë dhe mentalitetit politik dhe ideologjik të Luftës së Ftohtë. Kam pasur propozime për ta shkruar sipas konjukturës së sotme, por gjykova se vlera e librit do binte e do humbiste shumë nga realiteti i kohës. Ndoshta duhej të pasqyrohej me shumë lufta e popullit shqiptar në tërësi në përballjen e kësaj mërgate dhe drejtuesve të saj, por në mënyrë të veçantë kapitulli i diversionit dhe kapitulli i mërgatës ekonomike shqiptare dhe kosovare, e plotëson këtë”.

Në rrëfimin e tij ekskluziv për “Telegraf” koloneli në rezervë Hasan Luçi, gjithashtu mbajtës i titullit shkencor “Doktor” ndalet në veprimtarinë e mërgatës shqiptare gjatë viteve 1944-1992

Keni mbrojtur titullin “Doktor shkencash” me temën “Veprimtaria Sekrete e Mërgatës Politike Shqiptare”. Ku u bazuat për të formuluar një studim të tillë?

Studimi i kësaj teme filloi si nevojë e planifikuar në punë për të përgjithësuar përvojën e kësaj veprimtarie në planin e njohjes dhe përshkrimit të veprimtarisë armiqësore që ky kontingjent zhvilloi në favor të fuqive dhe spiunazheve të huaja dhe për të përgjithësuar përvojën tonë në fushën operative për t’u mbrojtur dhe për ta neutralizuar veprimtarinë e tij brenda dhe jashtë vendit para se të kryente veprimtari të dëmtimit në masë me diversionin e pandalshëm sidomos në vitin 1953, por edhe deri në vitet ‘90. Pra një veprimtari e ethshme e drejtuar në mënyrë të organizuar vetëfinancuar nga spiunazhet e huaja. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, BS e Kinën u shtuan edhe këto vende në korr dhe bashkëpunim kundër Shqipërisë Socialiste. Unë gjykoj duke qenë në dijeni të luftës së popullit tonë për përparim dhe të drejtën për të vendosur vetë populli përmes organeve të ligjshme dhe të veprimtarisë të hapur dhe të fshehtë të gjithë forcave antishqiptare qoftë si komb qoftë si regjim në Shqipëri, ne kishim të drejtën ligjore të mbronim vendin dhe kombin nga kjo veprimtari kudo në trojet shqiptare, pavarësisht nga statutkuoja që iu imponua kombit shqiptar.

Duke qenë se ka përplasje ideologjish e politikash, si e konsideroni veprimtarinë e shtetit komunist shqiptar?

Trajtimi i papërgjegjshëm për mua, i faktorit shqiptar mbarëkombëtar nga fqinjët shovenë dhe nga faktori ndërkombëtar më jep të drejtë të gjykoj dhe të rivlerësoj veprimtarinë e qeverisë shqiptare, përfshi Shërbimet Sekrete, se kanë vepruar në përputhje me interesat e lirisë dhe pavarësisë të kombit tim në bazë të të drejtës ndërkombëtare publike të lirive dhe të drejtave të njeriut me të cilat bota e lirë spekuloi siç spekulon edhe sot. Sipas meje, nën emrin e demokracisë, e cila qëllimisht nuk thotë llojin e vërtetë të veprimtarisë, por nën fjalën e përgjithshme “demokraci” e njohur si term që në Greqinë e vjetër, nuk ka zgjidhur dhe nuk mund të zgjidhë realisht të drejtat dhe liritë e njeriut në sistemin e kapitalizmit veprues aktual. Edhe ish-Kampi Socialist apo komunizmi siç quhet sot, sigurisht bëri gabime të pafalshme në trajtimin human të popullit me politikën e internacionalizmit që në thelb ka gjëra të përafërta me globalizmin e sotëm dhe, megjithëse unë si i majtë mbështes kryesisht internacionalizmin nuk mund të miratoj demagogjinë e shfrenuar të globalizmit që sot po e përkeqëson ecjen e botës duke shtuar në mënyrë të skajshme varfërinë dhe varësinë e vendeve të vogla e të mesme nga fuqitë e mëdha.

Për shkak të ndryshimit të sistemeve, sot “Mërgata” e dikurshme armike, është e rehabilituar. Mendoni se puna juaj ka shkuar kot?

Duke qenë një studiues i shkencave shoqërore dhe i edukuar me materializmin historik dhe dialektik, me mendimet e Marksit dhe të Engelsit në fushën politike dhe ekonomike duke qene ateist dhe duke përjetuar tashmë mbi 70 vjet, gjykoj se kam të drejt të them, se kthimet prapa të shoqërisë në histori nuk është vetëm tranzicioni shqiptar që fatkeqësisht u bë shëmbëlltyra më çmendurake dhe më e urryer sepse shkatërroi Shqipërinë djersën dhe mundin e popullit 1945-1992, kur u arrit ndërtimi i një shteti ligjor me dinjitet dhe emër të mirë në botë, i njohur botërisht si fitorja e parë e kësaj cope Shqipërie që u lejua të jetonte nga copëtimi tragjik i faktorit ndërkombëtar, i cili na la kaq të vegjël duke na prerë burimet kryesore natyrore dhe njerëzore për të mos mbijetuar. Prandaj edhe veprimtaria e fqinjëve dhe e fuqive të mëdha antishqiptare u bë e pandalshme për të mos na lënë të përparojmë në asnjë fushë duke na luftuar në të gjitha planet, por shqiptarët megjithëse që nga pellazgët e deri sot nuk dinë të bëhen një grusht si popujt e tjerë kur vjen fjala për të krijuar kombin shtet apo shtetin komb siç duan ta quajnë disa me përjashtim të disa rasteve ne mbijetuam dhe pavarësia e Kosovës është dëshmia e dytë dhe po aq e rëndësishme sa ajo e LANÇ-t për t’i dëshmuar faktorit ndërkombëtar se shqiptarët e kanë guximin dhe frymën e lirisë për t’ia arritur një ditë ëndrrës së rilindësve tanë qoftë edhe në rrugën e integrimeve Euroatlantike. Faktori shqiptar ka qenë dhe mbetet zotërues në luftën për liri e pavarësi duke ndihmuar dhe popujt fqinjë dhe popujt e tjerë për t’i gëzuar këto fitore para nesh, por me gjakun e shqiptarëve, dhe mençurinë e tyre, si popull i gjallë.

 

LIBRI / Pjesë nga vëllimi i Hasan Luçit; “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare”

 Lufta e Ftohtë, betejë bandash në Shqipëri

Disfata e reaksionit shqiptar me bandat diversioniste ka qenë e mbetet tepër sinjalizuese edhe për të arratisurit e ish- vendeve të demokracive popullore. Testi i disfatës së këtij reaksioni, incidenti i Bernës me pushtimin e legatës rumune në 1955 etj., nuk i pengoi shefat ushtarakë e të spiunazheve të huaja perëndimore e lindore që të vazhdonin të përdornin mjetet e subversionit ushtarak deri në përmbysjen e komunizmit. Ekspertët politikë, ushtarakë e agjenturore të Luftës së Ftohtë nuk nxorën mësime nga dështimi Shqipëri e gjetkë, por e përsëritën të njëjtën gjë edhe në Kubë në 1961 apo në vitet ’80 në Nikaragua e gjetkë, megjithëse kanë pasur kohë t’i studionin aventurat katastrofale të mëparshme. Por kjo vjen nga natyra agresive e fuqive agresore për ekspansion kolonial. Gjithashtu pas dështimit të bandave diversioniste në Shqipëri e gjetkë, “shefat e emigracionit që ishin shquar në këtë luftë i ruajtën favoret e tyre nga mbrojtësit perëndimorë e lindorë. Kështu u pa më vonë se Abaz Kupi, Hasan Dosti, Gaqo Gogo ose Muharrem Bajraktari u bënë në Nju Jork yjet e këtij teatri të çuditshëm të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të Evropës”. Dështimi i aventurës diversioniste perëndimore e titiste nuk e prishi aspak karrierën e kriminelëve të luftës pranë shteteve e shtabeve të shërbimeve sekretë të huaja kundër Shqipërisë, e cila i dha një grusht të rëndë moralit të të arratisurve për atë kohë dhe për më vonë, duke i demaskuar hapur e qarte si vegla te huaja. Kështu u asgjësua banditizmi i brendshëm politik e agjenturor, por edhe i jashtëm në mënyrë të veçantë në vitet 1945 – 60. Vetëm në vitet 1949 – 1954 forcat e Kufirit të RPSH përballuan 2334 provokacione të armiqve të ndryshëm, vranë 110 diversantë e shkelës dhe kapen 964 të tjerë”. PPSH organizoi e drejtoi luftën për asgjësimin e bandave të armatosura e agjenturore të reaksionit shqiptar e padronëve të tij. Partia mobilizoi popullin dhe organet e MPB në këtë luftë. Nëpërmjet vijës së masave u arritën rezultate të mëdha për zbatimin e goditjen e neutralizimin e banditeve. Shumë patriotë e komunistë, përfshi pionierët, janë treguar vigjilentë ndaj diversantëve, agjentëve dhe armiqve të tjerë duke herë edhe akte trimërie në luftë me ta. Pra Enver Hoxha porosiste vazhdimisht “të mbështetemi fort tek masat e popullit, që nga fëmijët e deri tek të moshuarit që nga kufitari e deri tek ata në thellësi të vendit, tek shqiptarët jashtë dhe miqtë e Shqipërisë socialiste. Vigjilenca e masave, brenda e jashtë vendit, duhej mprehur nëpërmjet politikës së Partisë, patriotizmit të popullit tonë, internacionalizmit proletar dhe zgjerimit të rrethit të miqve e dashamirësve të Shqipërisë e të kombit shqiptar. Këto parime të kohës dhanë rezultatet e tyre. Gjithashtu në këtë luftë dhëmb për dhëmb me banditët u përdorën edhe forcat e specializuara për zbulimin dhe asgjësimin e bandave diversioniste e agjenturore si forcat e SEMP të Mbrojtjes së Popullit, organet e Sigurimit të Shtetit përfshi zbulimin politik ushtarak etj., që kryen me sukses detyrat e ngarkuara së bashku me Popullin e për popullin. Po kështu përdorimi i banditëve të kapur apo ekspozimi para Popullit i atyre të kapur e të vrarë luajti një rol të madh për demaskimin e demoralizimin e banditëve të armatosur e spiunë, brenda e jashtë vendit tonë. Me banditët e kapur, siç dihet organizuan gjyqet e hapur të popullit. Për të është shkruar në shtyp është folur në radio, ose me mjete të tjera të propagandës socialiste janë herë botime në shtyp e në gjuhë të huaja, kanë shkruar e folur edhe të huajt. Kjo punë dha efekte për t’u bërë presion diversantëve e të arratisurve për t’u dorëzuar, riatdhesuar, neutralizuar e parandaluar veprimtarinë e tyre armiqësore. Me këto masa synohej që ata të kuptonin se ky fat i priste edhe të tjerët të arratisur ose në mërgim që do të ngrinin dorën kundër pushtetit popullor dhe atdheut e kombit. Kështu në 1950 u zhvillua gjyqi kundër bandës se Et’hem Çakos. Po në tetor ‘50 u zhvillua në Tiranë gjyqi i 14 diversantëve dhe spiunëve të dërguar nga amerikanët, anglezët, jugosllavët e grekët. Më 22 – 25 shkurt 1953 në Tiranë u bë gjyqi kundër grupit të diversantëve në shërbim të zbulimit anglez, jugosllav, grek si Ndue Bib Brozi, Sejdin Bajramit (përgatitur në Londër), Qazim Xhake. Ahmet Bablusha, Ndue Gjon Vuksani, Dehar Oshafi (përgatitur në Beograd), Kristo Marko, Muharrem Sulejmani (përgatitur në Athinë), që të tre grupe që vepronin nën drejtimin e KSHL të Romës.

BANDA

Hetimet mbi grupin e diversantëve

Më 29 dhjetor 1953 në Tiranë u botua komunikata e MPB që njoftonte kapjen e vazhdimin e hetimeve të diversantëve Zenel Shehu, Halil Branica, Hamit Matjani, Ahmet Kabashi, Gani Malushi, Naun Sula, Nuri Plaka, Zenun Gjolena e Haxhi Gjyla, të cilët, sipas udhëzimeve të CIA-s e SIS-it e spiunazheve të tjera, ishin dërguar në vendin tonë për të organizuar një kryengritje të armatosur të reaksionit shqiptar, brenda e jashtë vendit dhe gjyqi i tyre u bë në 1954. Më 25 prill 1955 u hap një ekspozitë, ku u paraqitën për publikun shqiptar të gjitha armatimet, pajisjet, dokumentacioni, kodet, shifrat, radiotransmetuesit, radiograme të qendrave të zbulimit, plane e detyra për veprime në Shqipëri etj., që u janë kapur diversantëve dhe bandave agjenturore të hedhura në vendin tonë kryesisht te Ilajz Toptanit; E. Çakos, Z. Shehut etj.. Midis tyre është edhe një sterlinë angleze e shpuar nga plumbat e kufitarëve tanë kur vranë diversantin që përpiqej të shkelte tokën e RPSH. Edhe më vonë janë bërë mjaft gjyqe dhe deri tek ekspozita me materialet e bandës së Xh. Mustafës në vitin 1982. Për këto qëllime u ngrit edhe muzeu i MPB që qëndroi hapur me vite.

FAKTET

Faktet e viteve 1948 – 1953, si dhe ato me parë ose më vonë, në mënyrë të veçantë organizatorët e komploteve kundër vendit tonë. Kështu dëshmohet se kriminelët e arratisur u përdoren në CIA, SIS-i e shërbëtorët e SHBA-së. Radiostacionet dhënëse e marrëse, bashkë me armatimet, ushqimet kodet, dylbitë, helmet etj. janë kryesisht amerikane. Avionët që hidhnin diversantët e spiunët janë amerikane e angleze. Oficerët që stërvitnin janë amerikanë, anglezë, grekë, jugosllavë, italiane etj.. Bazat e përgatitjes e hedhjes së diversantëve e spiunëve janë në vendet e nënshtruara nga SHBA. Edhe “Zëri i Amerikës” e pa të nevojshme që të bënte një sqarim pas botimit të një komunikate të MPB në 1953 për kapjen e diversantëve, që i tradhtojnë dhe nuk e justifikojnë SHBA-në e satelitët e saj, se ”ne nuk e dimë nëse me të vërtetë kanë shkuar në Shqipëri ketë radhë ose radhët e tjera. Por nuk përjashtohet që shumë vetë të kenë shkuar me iniciativën dhe mjetet e tyre. Si e kemi theksuar edhe herë të tjera, në botën e lirë nuk është e ndaluar për grupet private të blejnë mjete transporti, qoftë detare, qoftë ajrore, për të shkuar nga një shtet në një tjetër”. Në të njëjtën mënyrë u mohua dhe dorëzimi i bandës së Xh. Mustafës. Por këto maska që s’maskojnë asgjë nuk i ha kush.

Veprimtarinë terroriste-diversioniste e spiunazhit të anglo-amerikanëve e tjerë si dhe e shovinistëve fqinjë, shtypi përparimtar botëror e ka cilësuar si agresion të fshehtë e të hapur dhe si shkelje flagrante të normave ndërkombëtare. Materialet e kapura të diversantëve i ka cilësuar si akuzë të rëndë për krimet e anglo – amerikanëve etj. dhe si fakte që i demaskojnë hapur ata para botës.

(Vijon nesër)

                     

NESËR DO TË LEXONI

-Intensifikimi kundër Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me BS-në e Kinën

-Urdhri për të mos asgjësuar asnjë nga pjesëtarët e mërgatës antikomuniste

-Cilët ishin pjesëtarët e papërlyer të mërgatës, që u cilësuan “të gënjyer”