Ditari i rrallë i nënës sonë/ Rrëfen Albana Melyshi: Si e përmblodha amanetin e nënës në librin “Yjet nuk janë të kuq”. Kush ishte Pal Melyshi, filmi ‘Operacioni zjarrit’ dhe pse heroin e lanë jetim…

234

Për Pal Melyshin është folur herë pas here në shtyp e u shkruan libra. U bë edhe një film për të “Operacioni zjarri”. Por heroin e lanë “jetim”

Ditari i rrallë i nënës sonë

Albana Melyshi Lifschin

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

 

 

Pas vdekjes së nënës, im vëlla Kastrioti, më dha në dorë një fletore me kapak të trashë.

-Këtë, nëna e ka lënë për ty,- tha ai.

Ishte ditari i nënës sonë. Mbi kapak qe ngjitur një fletushkë shënimesh e verdhë, ku ajo kishte lënë porosinë e fundit . “Albana, mos harro. Në qoftë se ky rrëfim do të botohet , do të gjesh vend për fotografitë që e bëjnë më të besueshëm, duke filluar që nga djegia e Kullës së Melyshajve deri tek varrimi i nanës…” Ishte amaneti i nënës sime, porosia e saj të fundit që ma kish lënë mua për ta përcjellë tek ju. Dhe unë e solla këtu në origjinal.

Hyrje

Gjatë një çerek shekulli jete në SHBA u mësova ta shoh botën me një këndvështrim të plotë e të paanshëm. Me këtë botëkuptim, gjashtë vjet më parë, u ula për të shkruar librin “Yjet nuk janë të kuq”, kushtuar figurës së Pal Melyshit dhe familjes të njohur të Melyshajve me të vërtetat jetësore e historike. Libri i ri që keni në dorë është ditari i nënës sime, motrës së Palit. Gjatë leximit u shkreha në vaj disa herë, sepse kishte shumë gjëra që unë, e bija, nuk i dija. Më kujtohet që nëna më pat thënë për gjyshen, që ajo i “mbante vuajtjet brenda vetes dhe fëmijëve të saj nuk ua thoshte kurrë, sepse nuk donte që ata të rriteshin të trishtuar”. Edhe nëna ime kishte bërë të njëjtën gjë me ne. Një lexuese më pyeti, nëse “Bota me një sy” mund të konsiderohet si pjesë e dytë e librit “Yjet nuk janë të kuq”, e sagës së Melyshajve. Po, ky libër mund të konsiderohet si pjesë e sagës. I dedikohet dy zonjave për mua të pakrahasueshme, që u bënë viktima të urrejtjes klasore brenda e jashtë familjes: Nënë Davës, – nënës së Pal Melyshit, dhe motrës së tij të vetme Marie Melyshit. Libri shpalos atmosferën armiqësore në të cilën mbijetuan, në rastin më të ashpër të luftës së klasave – brenda familjes, që u zhuriste zemrën si hekur i skuqur i ferrit.

Për Pal Melyshin është folur herë pas here në shtyp e u shkruan libra. U bë edhe një film për të. “Operacioni zjarri”. Por heroin e lanë “jetim”, të shkëputur nga familja e tij imediate. Askush s’foli për nënën e tij, motrën, dhe as për vëllezërit në moshë të njomë që shoqëronin nënën e tyre nga një internim në tjetrin, për 12 vjet. Askush nuk e përmendte kalvarin e mundimshëm të kësaj gruaje të pafajshme pas telave me gjemba. Pse?

Bota qe e madhe, por ne kishim vetëm një sy për të parë e një vesh për të dëgjuar.

Ndërkohë brezit të ri i duhet të gërmojë thellë në minierë për të njohur botën në të cilën jetuan prindërit e gjyshërit e tyre.

Shpresoj që ky libër-ditar të jetë një kontribut për ta.

Albana Melyshi Lifschin

Shkurt, 2019

Charlotte, NC, USA

Miq të papritur në kullën e bajraktarit

Një nga ato ditë në kullën tonë në bjeshkë, erdhën papritur dy vizitorë. Unë për fat u ndodha lart në odën e burrave. Gjyshi që pinte duhan në anën e oxhakut, u ngrit në këmbë e u dha dorën duke u thënë:

-Mirse erdhët, or miq!

-Mirëse të gjetëm, o i zoti i shtëpisë!, u përgjigjën ata. Ishin të armatosur deri në fyt. Sipas zakonit gjyshi u tha: “Lirohuni burra!” që do të thoshte, “lehtësohuni nga armët”.

Ata panë nga shoqi-shoqi për një moment.

-Kur miku vjen i armatosur në këtë shtëpi, edhe hasëm në qoftë, nuk e prek kush as me lule, prandaj rrini rehat e sa të doni, – u tha gjyshi.

Ata hoqën pushkët, me gjithë gjerdan dhe i varën tek vendi i caktuar në mur. Pastaj zunë vend në anën tjetër të oxhakut përballë gjyshit. Gjyshi u dha dorën të dyve edhe një herë dhe nxori kutinë e duhanit. E hapi dhe u ofroi cigaret që i mbante të dredhura.

-Zakoni nuk e do me e pyet mikun e panjohur se kush është, por kanë ardhur kohë të turbullta, e due me u pyt, or miq se nga vini.

-Vijmë nga mali, e kërkojmë të shtojmë radhët tona me njerëz të aftë dhe të besës.

Kullës tuaj nuk i mungojnë trimat.

Ai që foli i pari, u prezantua me emrin Mehmet Shehu.

Ishte i thatë në fytyrë dhe mbante rreth qafës një shall të kuq.

I dyti ishte veshur gjysmë civil me një shall blu me pika të bardha dhe pa kapele. Quhej Tuk Jakova.

Pasi u bë prezantimi, gjyshi u tha:

-Ua kam ndje zanin burra, e dalshi faqebardhë!

Unë s’luajta nga oda, por zura vend në vatër, pranë gjurit të gjyshit. Ata sa mbaruan kafen që u bëri gjyshi vetë, (pa u bërë zë grave të shtëpisë) dolën tek planet e tyre

Thuajse me një gojë i thanë gjyshit që kishin ardhur për të marrë me vete në luftë, babain tonë.

Gjyshi m’u duk se u shqetësua.

Mehmeti filloi ta sqarojë.

-Ne na duhet Nikolla si ushtarak i aftë në drejtim të Luftës, e jo për ta vrarë, tha ai.

Babai ynë ishte oficer i karrierës dhe kishte studiuar në Itali.

Gjyshi në fillim nuk foli.

-Edhe partizanët kanë besë si mirditorët, shtoi Tuk Jakova.

Pasi u bind, gjyshi u dha porosi njerëzve të shtëpisë ta gjenin babën shpejt e të vinte tek Kulla në besën e këtyre burrave që e kërkojnë.

Nuk zgjati shumë dhe babai hyri në dhomën e burrave i veshur civil. Pasi u përshëndet me miqtë, ai i pyeti:

-A keni ardhur në këtë shtëpi si miq, apo…?

-Po, tha Tuku, – je në besën tonë dhe qëllimi i ardhjes sonë këtu është që ti të vish me ne, të luftojmë së bashku deri sa t’i shporrim pushtuesit nga vendi ynë. Nazifashizmin s’e durojmë nëpër këmbë.

Babai pasi i dëgjoi të dy miqtë, tha:

-Unë nuk i shmangem luftës për të mbrojtur vendin tim. Kam qenë shumë i ri kur kam marrë pjesë në luftën italo- greke për të mbrojtur kufijtë tanë, po ashtu edhe në Durrës me Mujo Ulqinakun, dhe vazhdoi:

-Në këto situata unë jam i gatshëm të bashkohem me ju për çlirimin e vendit, vetëm se duhet të dini se unë dorën grusht nuk e bëj dhe yllin e kuq në kapele nuk e mbaj. Këto shenja janë simbole bolshevike.

-Mirë kapiten, eja me ne si nacionalist. Nuk të bëjmë komunist me zor,- tha Mehmeti.

Babai e mbajti fjalën që u dha miqve. Ai doli partizan dhe u bashkua me Brigadën e 7-të, divizioni i Gjin Markut, me detyrë instruktor-topograf i brigadës.

Po shokët e tij të luftës, a e mbajtën vallë?

Zjarri partizan rrëmben kullën tonë

Tërë atë natë askush nuk vuri gjumë në sy në kullën tonë. Ka mbetur një nga netët më të paharruara të jetës sime. Qentë lehnin e lehja e tyre qe ndjellakeqe. Gratë kishin mbledhur fëmijët pranë vetes e psherëtinin. Plaku i shtëpisë, gjyshi ynë, u ngrit dy- tri herë e doli në oborr duke u sokëllirë qenve që të pushonin. Mbaj mend gjyshen që i u afrua e i tha:

-Leni qentë, o plak, se nuk kanë leh kurrë si sonte!

-Pastaj ajo lëshoi një ofshamë të thellë:

-Lehja e qenve për këtë shtëpi asht lajm i keq! Oh, e mjera unë! Ku i kam djemtë? Ku i kam nipërit?!

-Mbahu, plakë, se kurrë s’të kam pa të të lëshojë zemra! Të pata marrë prej dere trimash.

Gjyshi qe ulur te vendi i tij, tek oxhaku, ku trazonte hirin ende të ngrohtë.

-Mandej as djemtë e as nipërit nuk janë ma kalamaj e po të kujtoj se burrat e kësaj shtëpie të tanë kanë vdesë nga plumbi e jo nga qyret! Unë u ngjesha pas fustanit të nënës sime. Atë kohë isha rreth 12 vjeçe. Në kullë kishim një çift të varfër pleqsh, të cilëve gjyshi u kishte dhënë strehë. Ishin bërë pjesëtarë të familjes, ishin si të gjithë ne. Edhe ata rrinin të tulatur pas njëri-tjetrit, po nuk flisnin asnjë fjalë. Atë natë askush nuk vuri gjumë në sy. Kur filloi të zbardhte, njerëzit e shtëpisë zunë të hiqnin shulet dyerve të kullës për të dalë jashtë, siç bënin çdo mëngjes. Papritur, nga oborri u dëgjua një zë i plotë burri me dialekt toskë:

-Ndal! Mos lëvizni! Jeni të rrethuar!

Njerëzit në kullë ngrinë. Nuset e reja u tmerruan. Fëmijët, tek panë nënat e tyre të trembura, ia plasën të qarit. Çifti i pleqve të vobektë u trembën shumë. Nëna jonë u ngrit e iu afrua gjyshit.

-Babë, dikush nga ne duhet të dalë të marrë vesh për se na kanë rrehu. Në më lejofsh, dal e flas unë me ta. Im bir e im shoq janë partizanë.

-Do të dal vetë! – tha gjyshi me një zë të vendosur.

Nëna bëri mënjanë. Gjyshi u dha në derë. Ne mbajtëm frymën. Dëgjuam që i tha dikujt:

-Në ke radhë për mik, futu në kullë të ngrohesh, në të kundërt na thuaj çfarë ka ba vaki?

-Prit këtu, o plak, se po thërras komisarin që të bisedoni,- qe përgjigjja.

Pas pak u dëgjua një zë që foli duke u përpjekur të përshtaste dialektin:

-Tu’ngjat’jeta, bajraktar!

Quhej Petrit Pëllumbi. Nuk do t’ia harronim kurrë emrin që nga ajo ditë që ia mësuam. Kishte një vështrim të keq. Në zë i ndihej ironia. E pyeti gjyshin se ku i kishte burrat e shtëpisë dhe pastaj i komunikoi urdhrin e internimit për të gjithë familjen që ndodhej aty, çka nënkuptonte gjyshin dhe gjyshen, axhën, nënën time, mua me dy vëllezërit më të vegjël, gruan e xhaxhait me tri vajza të vogla, gruan e kushëririt të parë me dy djem… Dy pleqtë e vobektë që jetonin në shtëpinë tonë, nuk ishin përfshirë në listën e internimit, por ata e ndjenë veten më keq se të gjithë. Si do të bënin pa ne? Ku do të shkonin qyqarët pas djegies së shtëpisë? Kush do të kujdesej për ta? Komisari bëri apelin e na nxori të gjithëve jashtë nga shtëpia duke urdhëruar të mos merrnim asgjë me vete,me përjashtim të rrobave të trupit. Nëna jonë u përpoq të shpëtonte një batanije të kuqe të leshtë duke menduar që me të, të mbulonte fëmijët. Por ai e shtyu tutje duke i thënë:

-Vetëm rrobat e trupit!

Kullës sonë qe vendosur t’i vihej flaka. U mor shpejt e shpejt bar nga mullarët e u fut në të dy katet e kullës dhe pastaj asaj iu vu zjarri. Nëna ime, që partizanët i quante shokë të të birit, pasi edhe ai ishte partizan, lëshoi zë: – Largohuni ma andej djemtë e nanave, se kjo shtëpi ka kenë e pushkës, e bukës dhe e besës, por muret e saj janë të mbushuna me armë e municion. Sa mbaroi nana këto fjalë, u dëgjua shpërthimi i tyre. Partizanët bënë disa metra larg që në krismën e parë. Ne ishim mpirë të gjithë. Na dukej e pabesueshme pamja që po na shihnin sytë. Po digjej shtëpia jonë, kulla e madhe e bajraktarit, që i kishte mbajtur hapur dyert e saj për shtegtarin e panjohur, ditën dhe natën. Po digjej shtëpia që kishte pritur partizanët e uritur, kujtimin e të cilëve e kishin ende të freskët edhe më të vegjlit e shtëpisë. Gruaja e axhës mbushte furrën me bukë për partizanët e nana jonë ua mbushte trastat me ushqim. Ishte e pabesueshme që kulla të digjej pikërisht nga ata! Flaka vazhdonte të dilte nga të shtatë dhomat e saj dhe nga kuzhina e gatimit. Gjuhët e flakëve dilnin nga dyert e dritaret e bëra prej pishe. Nga brenda digjeshin sëndukët e drunjtë të grave të shtëpisë. Ne fshinim lotët,por askush s’thoshte gjë. Komisari kishte porositur të na vëzhgonin me kujdes të gjithëve gjatë djegies së kullës. Zjarri zgjati deri pasdite. Në perëndim të diellit, i ra fuqia. Gjyshi iu afrua komisarit partizan e i tha:

-Ju i dogjët të tana, pa mendu se kjo shtëpi ka dy parti. I ka dhanë luftës dy partizanë: tim bir Nikollin e tim nip Palin, i biri i tim biri. Nuk ruajtët të paktën as dy dhoma për ta. Unë di që kjo luftë u ba për drejtësi.

I pashë se si ata u mblodhën kokë më kokë për disa minuta. Pastaj u shpërndanë pa i dhënë përgjigje gjyshit. Na vunë në rresht njësh kolonë të gjithëve sa u ndodhëm në shtëpi, 25 veta, e kështu morëm atë udhëtim të detyruar pa ditur se ku. Kaluam shtigje e përrenj e pas disa orëve rrugë, të shoqëruar para e pas me ushtarë të armatosur, mbërritëm në Shpal. Bagëtitë e sekuestruara na vinin pas. Në Shpal na mbajtën të mbyllur pa ngrënë e pa pirë, pa ujë e pa dritë, për njëzet e katër orë në një barakë të vetme të gjithëve. Unë nuk qaja, por fëmijët qanin pareshtur e të rriturit flisnin me zë të ulët. Ajo barakë pa tavan u bë shtëpia jonë për dy javë. Pranvera qe ende larg. Kishim të ftohtë në trup e akull në shpirt. Nëna ime fliste me vete: “Ku asht im shoq? Ku asht im bir? A janë gjallë? A i dinë ata këto që po na ndodhin ne?” Psherëtinte vazhdimisht. Më vinte shumë keq për të. S’e kisha parë kurrë më të dëshpëruar. I rrija afër si më e madhja e fëmijëve, po nuk dija si ta ngushëlloja. Njëlloj si ajo, edhe unë pyesja veten: ”A është baba gjallë? Po Pali? Pse nuk vijnë për me na shpëtu? Përse?” Isha 13 vjeç.

Vijon