Dëshmorja e parë e Shqipërisë, Maro Kondi

1909
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ

Simbol i gruas atdhetare
Me dështimin e Kryengritjes së Tanzimatit në verën e vitit 1847, udhëheqësit e kryengritjes Zenel Gjoleka me luftëtarë të tjerë u strehuan në një shpellë, në malit Çorraj. Maro Kondi u kap nga ushtarët osmanë, kur kishte zbritur për të marrë ujë. Pushtuesit i kërkuan t’u tregonte ku fshiheshin luftëtarët e lirisë, dhe me të mirë dhe me kërbaç i kërkuan t’i çonte atje ku strehoheshin prijësit e kryengritjes, te shkëmbi i Kadafigjit. Ajo i kaloi në një rrugë të vështirë. Kur iu afrua shpellës, u hodh në një humnerë prej 150 m, duke tërhequr edhe ushtarët turq që e ndiqnin të lidhur me litar. Thuhet se pashai turk kur mësoi për këto humbje, veç atyre që mundi të kapë e t’i pushkatonte, bëri dhe këtë mallkim: “U shfarostë ky milet qafir!”. Poshtë Kadafigjit, në këmbët e Malit të Harapës, te Guri i Gjatë, për nder të saj është ngritur lapidar.

Bashkë me luftëtarët e Çorrajt
Në radhët e trimëreshave shqiptare të shekullit të kaluar, vend nderi zë dhe bija guximtare e Labërisë, Maro (Mete) Kondi. Maroja, njihej me emrin Mete, e lindur në fshatin malor Çorraj të Kurveleshit, në vitin 1820, në familjen e Konde në lagjen Gjihilaj dhe u martua në fisin Kolekaj. Mjaft bashkëfshatarë dhe të afërt të saj ishin luftëtarë, si Duke Kondi, Malo Duka, Foto Kopali etj. Fillimisht bënin pjesë në ushtrinë e Ali pashë Tepelenës. Më pas me rënien e pashallëkut të Janinës u bashkuan me krerë të Labërisë dhe të Bregdetit, treguan vazhdimisht trimëri dhe zhvilluan luftime kundër ushtrisë osmane. Maro Kondi u rrit dhe u edukua në këtë mjedis të flaktë patriotik. Në mjaft raste Marua kishte parë shtëpi dhe të mbjella të fshatit të djegura nga pushtuesi. Të afërmit e saj ishin rrahur barbarisht nga kamxhiku i osmanliut, të lidhur me zinxhirë mbas kuajve të pushtuesit se nuk pranonin në vendin e tyre reformat skllavëruese, se nuk donin që vendi të qeverisej nga të huajt dhe as të paguanin taksa dhe të shkonin ushtarë për Perandorinë. Maro shumë herë ishte udhërrëfyese për luftëtarët e krahinës, e cila ishte e ngritur në vise të ashpra malore. Luftëtarët e Çorrajt, duke njohur mirë terrenin dhe të fshehtat e tij, në mjaft raste i kanë bërë taksambledhësit osmanë, të iknin të lebetitur, pasi iu kanë dalë aty ku nuk e pritnin. Këta goditeshin në befasi, duke lënë gjithçka të grabitur prej popullit të varfër të këtyre zonave malore.

Shpella e Karanit dhe shkëmbi i Kadafigjit
Bazuar në përvojën e kryengritjet e mëparshme, të cilat për vite me radhë nuk kishin pushuar, edhe në kryengritjen fshatare të vitit 1847, luftëtarët e Çorrajt u ngritën më këmbë. Ata u betuan për të luftuar kundër pushtuesit osmanli, për jetë a vdekje. Edhe gratë e çorrajve, e njihnin me pëllëmbë malin e Çorrajt, me gjithë qafat, shtigjet, shpellat e burimet zonës. Vendi ishte tepër i thepisur, por Maroja e kishte mësuar çdo skutë të tij që kur ishte e vogël duke kullotur dhitë e duke prerë drutë për dimrin e ashpër të kësaj krahine. Shpella e Karanit gjendet pranë fshatit Çorraj. Aty gjendet dhe shkëmbi i Kadafigjit. Ajo ka një lartësi 1-2 m dhe gjatësi rreth 50 m. Në hyrje të saj ka një shesh të vogël. Rruga për të shkuar në shpellë është shumë e vështirë. Gjatë luftës me pushtuesit osmanë këtu u strehua Zenel Gjoleka, kapedan Foto Kopali, si dhe vetë banorët e fshatit. Ndërsa shkëmbi i Kadafigjit në fshatin Çorraj është shumë pranë shpellës së Karanit. Ky shkëmb u bë i njohur nga akti heroik i Maro Kondit në vitin 1847, e cila, për të shpëtuar Zenel Gjolekën me shokë që strehoheshin në shpellë, u hodh në humnerë nga lartësia 150 m duke marrë me vete dhe ushtarët osmanë që e shoqëronin. Kënga thotë: 

“Kadafiqi shtigje-shtigje,
…Nxore nëntëdhjetë vigje”
Pjesëmarrëse në kryengritjen fshatare të vitit 1847
Me përfundimin e kryengritjes së vitit 1847, ekspedita ndëshkimore osmane i ndoqi kudo luftëtarët shqiptarë. Pjesa më e madhe e luftëtarëve u strehuan gjatë vitit 1847 në malet e larta dhe të thepisura të Labërisë. Trimëreshën Maro Kondi, me mjaft bashkëfshatare të tjera e gjejmë me luftëtarët e Çorrajt në malin e fshatit. Të gjitha kujdeseshin për strehimin e luftëtarëve kryengritës. Trimi dhe luftëtari i dëgjuar i Labërisë, Zenel Gjoleka, kishte gjetur strehim në këto male. Ai bashkë me luftëtarët kryengritës ishte strehuar në shpellën e Karanit, në Harapë. Kujdes i veçantë u tregua për të nga njerëzit e Maros, njëri prej tyre ishte trimi Malo Duka. Ky luftëtar bujar ishte i njohur në të gjithë krahinën për mikpritjen e tij dhe thirrej me emrin “Malo Buka”. Komanda osmane e kishte pikasur këtë vendstrehim. Ajo kishte marrë masa dhe ishte nisur me repartet ndëshkuese nga dy drejtime. Njeri drejtim përshkonte rrugën nga Borshi i Vjetër, për në shpellë dhe tjetri nga Rrëza e Vake, përsëri për në shpellë. Luftëtarët e Çorrajt, duke studiuar situatën morën masa dhe shpërngulën gjithë fshatit me pleq e fëmijë, duke e siguruar në mal, në Harapë. Luftëtarët e çetës u vendosën në pozicione luftimi. Ata zunë të gjitha shtigjet e vështira për kalim nga lumi deri në Katafigj. Lufta ishte e ashpër nga të dy palët. Luftëtarët e çetës së Çorrajt, nuk i pushuan luftimet, ata përbuzën propozimin e pashait turk, se luftëtarët shqiptarë do të ishin të lirë, vetëm t’i lihej e lirë rrugë kolonës ushtarake osmane për të shkuar në Harapë. Pashai osmanli, në këto rrethana dhe në pamundësi për të kaluar në Harapë nga grykat ku ishin vendosur luftëtarët shqiptarë, sugjeroi që me dredhi të gjente një tjetër rrugë-kalimi. Ai urdhëroi dhe zuri të gjitha rrugët dhe vendburimet nga furnizohej mali me ujë. Qëllimi ishte për të shtrënguar trimat që të dorëzoheshin nga etja. Kjo pengesë u kaluan nga kryengritësit. Gratë e fshatit gjetën rrugë të tjera dhe furnizuan me ujë luftëtarët, pa u diktuar nga ushtarët osmanë.

Akti heroik i luftëtares Maro
Ushtarët osmanë, pasdite vonë mundën të kapin në befasi duke mbushur ujë, bijën luftëtare të fshatit Çorraj, trimëreshën Maro Kondi. Ajo kishte zbritur fshehtas nga mali për të mbushur ujë për luftëtarët, por ishte ndjekur nga ushtarët osmanë. Fillimisht luftëtaren e morën me të mirë, për t’u treguar shtigjet e kalimit për në mal. Më pas, kur nuk tregoi, filluan ta torturonin, gruan luftëtare. Ata e detyruan të ecte në gjurmët e saj, andej nga kishte ardhur. Shtegu për në vendstrehim, për në Katafigj, ishte thiktë dhe i rrezikshëm. Pakujdesia më e vogël të hidhte në humnerë pa asnjë shpresë shpëtimi. Maro Kondi, megjithëse e torturuar dhe me fëmijën në duar ecte e qetë në krye të ushtarëve armiq. Luftëtarja Maro Kondi kur arriti në kthesën e fundit, në një vend shumë të rrezikshëm, ku ushtarët osmanlinj duhet të kalonin për një…ajo tërhoqi pas vetes dhe një nga ushtarët që e kishte mbërthyer, dhe u hodh në humnerë bashkë me fëmijën e saj. Të gjithë ushtarët osmanë përfunduan në fund të humnerë. Sakrificat e luftëtarëve dhe banorëve të fshatit Çorraj janë përjetësuar në vargjet popullore: 

“…Katafigji portë-portë,
Shove gorogoriciotë…”. 
Rreth nëntëdhjetë ushtarë e oficerë turq u gjendën të copëtuar nëpër shkëmbinjtë e Katafigjit. Kënga popullore thotë: 
“…Katafigji shtigje-shtigje,
Nxore nëntëdhjetë vigje…”

Për figurën e Maro Kondit është shkruar gjerësisht në librin e Mexhit Kokalarit “Trima të kryengritjeve popullore” vëllimi i dytë, në vitin 1983. Po kështu vend ka zënë dhe në “Enciklopedinë e Kurveleshit”, të shkruar nga Nasip Meçaj, Xhemil Çelaj dhe Fatmir Toçi, në Botimet Toena në vitin 2009. Në librin “Dëshmorët e Atdheut”, të botuar në vitin 2012, nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes, është dhe emri i Maro Kondi, dëshmores të shpallur me vendim nr. 116, datë 6 nëntor 1984, të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Sarandës. Ndërsa në varrezat e Dëshmorëve të Sarandës është varri i Maro Kondit. Kjo është dëshmorja e parë e Atdheut për nga largësia e viteve, e shpallur në bazë të ligjeve të shtetit shqiptar.


Sigal